‘Solidarizohuni me rininë dibrane duke nënshkruar peticionin’
Ne, intelektualët dibranë, që po lobojmë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nëpërmjet peticionit online, jemi mrekulluar që në fillim nga reagimi pozitiv i rinisë dibrane.
Dr Gëzim Alpion, Angli
29 Korrik 2013
Ne, intelektualët dibranë, që po lobojmë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nëpërmjet peticionit online, jemi mrekulluar që në fillim nga reagimi pozitiv i rinisë dibrane. Kemi marrë mesazhe nga një numër i madh të rinjsh dibranë nga disa qytete, si në Shqipëri dhe Maqedoni, ashtu edhe nga disa vende në Evropë, përfshirë edhe Australinë dhe Amerikën e largët.
Ajo që na ka lënë mbresa është jo vetëm gatishmëria e tyre për ta nënshkruar peticionin dhe për të inkurajuar familjet, miqtë dhe kolegët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë, por edhe sugjerimet që na kanë bërë se si mund të lobojmë në mënyrë sa me të efektshme për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
Një numër mesazhesh kemi marrë nga të rinj dibranë të mërguar, disa prej të cilëve ose janë larguar nga Dibra në një moshë të re ose nuk janë lindur në Dibër. Ajo që është e përbashkët tek të gjithë, është një përkushtim sa emocionues, aq dhe kuptimplotë ndaj Dibrës.
Dibra, në të dy krahët e kufirit, ka një rini të mrekullueshme, patriote, të etur për dije dhe kulturë, me një krenari të ligjshme për tabanin e tyre dibran dhe një vizion bashkëkohor perëndimor.
Noli dikur i jepte zemër Shqipërisë të mos kishte frikë, pasi kishte djemtë në Amerikë. Diaspora edhe sot po luan një rol të rëndësishëm si në mbrojte të interesave të kombit, ashtu edhe në zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe Kosovë. Megjithatë, tani ka ardhur koha që diaspora, përveç përkushtimit që po tregon ndaj kombit dhe emancipimit demokratik të dy shteteve shqiptare, duhet ta ngrejë zërin edhe në përkrahje të krahinave të ‘largëta’ në Shqipëri dhe Kosovë të lëna në një mjerim migjenian nga një klasë politike, e cila akoma nuk e kupton se një Tiranë dhe Prishtinë e mbipopulluar janë tregues të një Shqipërie dhe Kosove të pazhvilluar.
Këtë angazhim të rëndësishëm dhe përkushtim të admirueshëm ndaj Shqipërisë së ‘skajshme’ po e bëjnë shumë mirë nëpërmjet këtij peticioni online të rinjtë dibranë të shpërngulur nga Dibra kryesisht në Tiranë si dhe jashtë Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Këta të rinj dibranë do të jenë intelektualët e së nesërmes dhe ky përkushtim që ata po dëshmojnë që tani në bankat e shkollës së mesme dhe si studentë tregon se si Shqipëria e Nolit, edhe Dibra jonë, kurrë nuk do të hupë me një rini për ta pirë në kupë.
Ne do t’iu bënim thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë të solidarizohen me bashkëmoshatarët e tyre dibranë, që ta nënshkruajnë peticionin online për përfundimin sa më parë dhe me standarde të Rrugës së Arbrit.
Dibra, që gjithmonë është sakrifikuar për kombin, do të dijë se si ta shprehë mirënjohjen ndaj atyre që po e përkrahin në një moment kur ajo kërkon ndihmë për një projekt që do t’i shërbejë sa Dibrës në të dy krahët e kufirit dhe kombit shqiptar, ashtu edhe vendeve fqinjë me të cilët kjo arterie e rëndësishme do të sjellë më pranë.
Ju lutem nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’:
http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit?utm_campaign=petition_created&utm_medium=email&utm_source=guides
Comments (0 posted)
Post your comment