Dhuna ndaj femrës, një dimension i egër kriminal që duhet ndaluar
Demokracia e brishtë shqiptare, në amullinë e saj, të një tranzicioni tejet të ngarkuar e problematik, ka shfaqur shumë defekte e devijime, por një nga më të rëndat ka qenë dhe mbetet, sidomos gjatë këtyre kohëve të fundit, dhuna ndaj femrës.
Nga Marie Prenga*
Demokracia e brishtë shqiptare, në amullinë e saj, të një tranzicioni tejet të ngarkuar e problematik, ka shfaqur shumë defekte e devijime, por një nga më të rëndat ka qenë dhe mbetet, sidomos gjatë këtyre kohëve të fundit, dhuna ndaj femrës. Jo thjeshtë për shkak të faktit se Shqipëria trashëgon një shoqëri maskimaliste dhe konservatore, ku burri është, siç thotë populli, "vetë zot e vetë shkop", por dhe për shkak të defekteve serioze të ligjeve, dhuna ndaj femrës po merr gjithnjë e më shumë përmasa të frikshme në vendin tonë. Është një dimension i egër dhe klithës, një përmasë kriminale me pasoja të rënda, që duhet parandaluar me çdo kusht, me të gjitha mënyrat. Në Shqipëri, këto kohët e fundit kanë shënuar një tendencë në rritje të dhunës ndaj grave, duke përfshirë rrahjet e rënda, keqtrajtimet, përdhunimet, vrasjet e masakrimet, deri dhe krime për gjakmarrje në kundërshtim me vetë Kanunin dhe moralin juridik të shqiptarëve, të cilët e përjashtojnë vrasjen për gjakmarrje të femrës. Këto kohë vakumi, kur qeveria në ikje po ikën "në drejtim të paditur" dhe ajo në ardhje do edhe disa kohë që të legjitimohet dhe të nisë punën, duket se krimi po punon me kohë të plotë dhe pa pengesë, ku krimi në familje dhe sidomos krimi ndaj femrës ka marrë përmasa kërcënuese. Vetëm gjatë këtij tremujori dhuna ndaj femrave shënon 586 raste të denoncuara dhe është pothuajse i pamundur reduktimi i këtij fenomeni, I cili po merr përmasa shqetësuese, për të mos thënë alarmante.
Vendi ynë vazhdon të ketë tregues të lartë shifrash për dhunën, edhe pse u miratuan përforcime të masave për dënimin e saj. Ekspertët e antikrimit, jo një herë kanë deklaruar se shifrat e dhunës së denoncuar janë shumë më të ulëta se shifrat e dhunës reale, pasi= shumë raste, nga frika, nuk denoncohen, pra denoncimi i këtij fenomeni është i ulët. Vetëm gjatë këtij tremujori janë paraqitur 457 raste dhune të denoncuara kundrejt grave, çfarë rezulton se në krahasim me vitet e më- parshëm kemi një rritje të dhunës ndaj grave, një përshkallëzim të akteve keqbërëse ndaj seksit të dobët. Sipas psikologëve, kjo vjen, nga njëra anë si pasojë e vakumit ligjor, trashëgimisë së epërme maskimaliste dhe, nga ana tjetër, si pasojë e një gjendjeje stresi dhe një ekonomie të dobët. Dhuna ndaj grave evidentohet në shumë forma, që nga mjediset shtëpiake në ambientet e punës, që nga joshjet dhe ngacmimet seksuale, deri tek përdhunimi, që nga presionet psikologjike deri tek dhuna fizike shtazarake dhe vrasjet. Nuk ka natë që të mos ndjekim nga ekrani apo të mos lexojmë në titujt e gazetave raste dhune ndaj femrës. Nuk janë aspekte sporadike, por pjesë e një mendësie që e shikon femrën si një mall dhe duke e trajtuar sit ë tillë shkakton një agresion patologjik, një dhunë frenetike ndaj saj. Është një botë e çmendur nga deliri maksimalist, ku herë nga varfëria, herë nga xhelozie, herë ngaqë meshkujt janë të sëmurë nga deliri i sundimit absolut. Me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal dhuna në familje dënohet nga 1 deri në 5 vjet heqje lirie. Ndryshimet u miratuan pas rritjes së numrit të rasteve të dhunës dhe keqtrajtimit të fëmijëve e grave, të cilat nuk denoncoheshin, por mbeteshin brenda mureve të shtëpisë. Gjithsesi, ndryshimet nuk kanë sjellë një reduktim të dhunës në shoqëri, përveç faktit se kanë sjellë një lirshmëri në denoncimin e saj. Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera sociale. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të "fortëve", jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre.
Në këtë aspekt u projektua dhe u zbatua me frenetizëm dhuna ndaj gruas, nënës, vajzës, bashkëshortes, koleges në zyrë, duke i krijuar femrës një ambient mbytës, sidomos në zonat rurale. Parë në këtë aspekt, një nga kodet më të keqpërdorura të traditës është kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit,veçanërisht në Veri të vendit dhe në disa zona rurale të tjera, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Por jo vetëm në këto zona. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të "së drejtës", e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së\ trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. E keqa është se në gjithë histori nuk kursehen as gratë e fëmijët, të cilët shpesh janë bërë viktima të këtij Kanuni mafioz, në kundërshtim me ligjet e tij të shkruara e të përcjella që nga shekujt. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, - dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, - sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion " larje hesapesh".
Femra shqiptare nuk ka jo vetëm mbrojtjen e duhur ligjore por as morale të shoqërisë, pasi në shumë raste, edhe kur ndaj femrës kryhen akte të rënda keqtrajtimi e përdhunimi, shoqëria jo vetëm nuk reagon fuqishëm ndaj kriminelëve, siç ndodh në gjithë botën demokratike të zhvilluar, por në një mënyrë a një tjetër rreket t'ia hedh fajin gruas, pra viktimës. Premtimi i liderit të matë, kryeministrit të ardhshëm Rama dhe i Aleancës së Majtë që ai drejton, për të vendosur brenda njëqind ditëve rendin publik në Shqipëri, qetësinë dhe stabilitetin e këtij vendi, sigurisht është një ogur i mbarë dhe nuk mund të mos përfshijë edhe këtë dimension të frikshëm social, parandalimin dhe ndëshkimin me mjete të forta ligjore të dhunës ndaj femrës shqiptare. Femra përbën gjysmën e popullsisë së këtij vendi dhe është një forcë e madhe aktive në ekonomi, kulturë, art, shkencë, politikë, në biznes dhe në ekonominë e tregut të lirë, në administratë dhe kudo ku krijohen vlera, sidomos është një vlerë e pazëvendësueshme në familjet shqiptare, si nënë, si motër, si bashkëshorte, që mban në këmbë familjen dhe stabilitetin e jetës sociale të shqiptarëve. Prandaj mbrojtja e saj legjitime, morale e juridike, njerëzore e ligjore, sigurisht, është detyrë e gjithë shoqërisë, në radhë të parë e politikës që prodhon qeverisje dhe vë në lëvizje lokomotivat e reformave të gjithanshme, ku femra shqiptare duhet të ndihet e përfshirë dhe plotësisht e mbrojtur, plotësisht e vlerësuar.
*N/kryetare e Shoqatës e Drejta Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut-Shqipëri.
Comments (0 posted)
Post your comment