In Memoriam, Azem Hajdari
Në homazhe mori pjesë Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ish-kryeministri dhe lideri historik i të djathtëve, Sali Berisha, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, kreu i LSI-së, Ilir Meta, përfaqësues së klerit në vend, përfaqësues të trupave akademike.
Nga mesdita e djeshme, Azem Hajdari, 15 vjet pas vrasjes së tij, tashmë do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në kujtim të të atit, djali i tij i madh, Kiri, falënderoi të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e mbështetën Azemin në karrierën e tij politike. “Ne, tre fëmijët e Azem Hajdarit, unë, Azemi dhe Rudina, në mbështetje të nënës tonë, Fatmirës, do të përpiqemi të jemi së bashku, sa një Azem”, tha dje Kiri Hajdari. Ndërsa, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, në fjalën e rastit, tha se të gjithë i detyrohen Azem Hajdarit për hapin e madh që ndërmori në dhjetor të ‘90-s, kur vrau frikën. “Besoj se nuk ka asnjë njeri të vetëm të lirë në këtë vend që nuk i detyrohet atij. Në mos për tjetër, për hapin e parë që ai hodhi në planetin e demokracisë në dhjetor të vitit 1991, kur ai i pari dhe studentët e tjerë kërkuan dhe diktuan pluralizmin politik”, tha kreu i PD-së, Basha.
Me nderimet më të larta, eshtrat e liderit të lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90 dhe kryetarit të parë të Partisë Demokratike Azem Hajdari, u përcollën dje për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Personalitete të skenës politike, jo vetëm nga Shqipëria, kryetarët e partive politike, studentët e dhjetorit ‘90 dhe nismëtarë të lëvizjes për demokraci, intelektualët, miq. Shokë dhe kolegë të Azemit kryen dje homazhe për nder të tij, të cilët e përcollën më pas për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Për më shumë se dy orë në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan homazhe pranë arkivolit me eshtrat e Azem Hajdarit, ku mijëra qytetarë morën pjesë në këtë homazh të organizuar nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës për të nderuar figurën e liderit të lëvizjes së dhjetorit ‘90. Në homazhe mori pjesë Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ish-kryeministri dhe lideri historik i të djathtëve, Sali Berisha, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, kreu i LSI-së, Ilir Meta, përfaqësues së klerit në vend, përfaqësues të trupave akademike.
Gjithashtu, në homazhe, morën pjesë edhe disa prej ministrave të rinj të kabinetit “Rama”, si: ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, dhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi. Edhe deputetë të djathtë dhe të majtë, dhe ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, u bashkuan dje në nderim të ish-kolegut Hajdari, ku shumë prej tyre hodhën përshtypjet e veprimtarisë së Azem Hajdarit, apo edhe ndanë kujtime të shkuara me të. Njëri prej tyre ishte edhe kryetari i FRD-së, Bamir Topi, i cili në një prononcim për mediat, e cilësoi Hajdarin si një nga figurat më kurajoze në radhët e PD-së. “Njeri shumë kurajoz, njeri pa komplekse, njeri i cili dinte të bënte edhe trimin, por edhe diplomatin, njeri që do të frymëzojë të rinj dhe të reja, patriotë, atdhetarë dhe sidomos ata që duan t’i hyjnë rrugës së politikës me dinjitet dhe jo nëpërmjet labirinteve që shpeshherë i njeh politika”, tha dje në një prononcim të shkurtër për mediat Bamir Topi.
Comments (0 posted)
Post your comment