Home | Society | Shkatërrimi i harmonisë familjare

Shkatërrimi i harmonisë familjare

image
Edukimi më i mirë ekziston në një familje të qetë e harmonike, ku ka marrëveshje, respekt reciprok, dashuri njerëzore, bashkëjetese besnike, gëzime dhe hidhërime të përbashkëta, sakrifica të ndërsjella.

 

 

 

Nga Ago Nezha 

 

 

 

Ndryshimet demokratike në Shqipëri, sollën edhe ndryshime social-ekonomike që u reflektuan dukshëm në strukturën e familjes si një fenomen shoqëror. Lëvizja kaotike e njerëzve drejt qendrave urbane apo zonave të banuara bëri që të prishen shumë ekuilibra të mëparshëm, që ishin shtratifikuar sipas sistemit të centralizuar. Prurjet e rrëmbyeshme të familjeve nga zonat e thella malore, veri-jug, u ngjajnë atyre vërshimeve të lumenjve që kërkojnë shtrat dhe tentojnë të gjejnë rrugë për të rrjedhur në det. Kjo bëri që të mpleksen kulturat, zakonet, traditat, mentalitetet dhe nivelet e ndryshme që ballafaqohen në një mjedis social të ri që medoemos do ketë përplasje, që do japin efektet e tyre negative dhe pozitive në tregun social. Kjo periudhë, sa delikate aq edhe shpërthyese, tjetërsuese dhe emancipuese në strukturën e familjes ka një kosto legale që e mbart me vete. Familja gradualisht po komercializohet, po fabrikohet, zyrtarizohet, gjë që humbet përmbajtjen dhe rolin shoqëror. Mjerisht shohim se në shumë familje ka zbritur një zymti, heshtje, apati, indiferentizëm, mungesë përgjegjësie për edukimin e fëmijëve. Kjo situatë përligjet me kushtet e ekonomisë së tregut dhe iniciativën e lirë. Pasojat janë të dukshme në fushën e korrupsionit, prostitucionit, divorceve, lindjet ilegale, braktisjet e familjeve, lypësisë së fëmijëve nëpër rrugë, braktisja e shkollave, rilindja e analfabetizmit, hakmarrja, ngujimi, e fenomene të tjera që e kanë tronditur familjen shqiptare. Këto plagë të shoqërisë së sotme moderne kushtëzohen nga faktorë ekonomikë, socialë por edhe tradicionalë që i trashëgojmë nga e kaluara. Ndryshe nga më parë, tashmë familja nuk është një vend prodhimi apo argëtimi, sepse ekonomia karakterizohet nga specializimi dhe individualizimi i punës që reflekton shkallën e lartë të industrializimit. Njësia familjare e sotme synon që në këtë difuzion të arrijë të sigurojë të ardhurat e nevojshme për mbajtjen e fëmijëve, duke siguruar një punë profesionale jashtështëpiake. Banesa dhe vendi i punës sot janë larg njëri tjetrit. Ndodh shpesh që nëna dhe fëmijët nuk dinë vendin e punës së babait. Kualifikimi dhe specializimi i mirë profesional, synon të zëvendësojë pronën preindustriale. Ky evolucion në vetvete nuk kundërshton thelbin e familjes, pasi kjo nuk duhet të jetë domosdoshmërisht një njësi prodhuese autarkike në fushën e ekonomisë. Meqenëse burri, në shumicën e rasteve e zhvillon aktivitetin e tij larg shtëpisë, ekonomia familjare dhe mirërritja dhe edukimi i fëmijëve ka mbetur në duart e gruas. Kjo tendencë po na sjell një matriarkat të ri në qytetet e mëdha.

Veçanërisht angazhimi i burrave në biznes i ka larguar ata nga kujdesi moral e shoqëror për familjen. Ata rrallë ulen në tryezën e përbashkët familjare, pak bisedojnë, konsultohen, komunikojnë me fëmijët. Ky qëndrim bën që shumë biznesmenë, politikanë apo intelektualë të mos e kenë nën kontroll jetën e fëmijëve, jo në aspektin e tutelës, por në frymën e kujdesit dhe përgjegjësisë që ka prindi për fëmijën në një shoqëri të emancipuar. Në shoqërinë moderne tryeza nuk është vetëm vendi ku ushqehesh, por edhe vendi ku bashkëbisedohet, këshillohet, argëtohet familja. Ne trashëgojmë traditën ku familja mblidhej rreth oxhakut dhe i pari i shtëpisë ishte protagonisti që jepte e merrte mesazhe për vlerat shpirtërore, morale e fetare. Familja si një bashkësi formuese dhe edukuese e personalitetit të njeriut ka funksione të veçanta të prindërve, vëllezërve, motrave dhe gjyshërve. Sipas Tomas Akuinit, tri gjëra ua detyrojmë prindërve: ata na kanë dhënë jetën, na kanë rritur dhe na kanë edukuar. Edukimi i fëmijëve arrihet në përsosmëri kur ka të sinkronizuar kontributet e përbashkëta të babait dhe nënës. Në shoqërinë e sotme moderne rezulton se babai është i kërcënuar nga rreziku i tjetërsimit të misionit të tij atëror. Ky mënjanim lidhet me natyrën shoqërore të punës ku pjesën më të madhe të kohës e kalon jashtë familjes, por edhe për një neglizhencë të pamotivuar të disa baballarëve. Një problem kritik i shoqërisë së sotme është se mjedisi jashtëfamiljar i shoqërisë industriale, qoftë ai profesional aq më tepër shkollor si dhe ai i kohës së lirë është nën veprimin e një ideologjie dhe morali të çoroditur, të shpërbërë dhe të pakontrolluar. Mjedisi jashtëfamiljar i shoqërisë pluraliste i pleks fëmijët me fenomene të shthurjes së vlerave e parimeve morale. Aty janë prezent viruset e korrupsionit, drogës, prostitucionit, që qarkullojnë lirshëm në mjedise të pambrojtura dhe karantinuara. Edukimi më i mirë ekziston në një familje të qetë e harmonike, ku ka marrëveshje, respekt reciprok, dashuri njerëzore, bashkëjetese besnike, gëzime dhe hidhërime të përbashkëta, sakrifica të ndërsjella. Familje e shëndoshë është atëherë kur tryeza e bukës është edhe tryezë shpirtërore. Në rast se shohim marrëdhëniet në familje në tërësi në kohën e sotme kanë pësuar tronditje që nga themeli deri në çati. Jo vetëm marrëdhëniet burra-grua, por edhe motër-vëlla, motër-motër apo vëlla-vëlla, shokë-shoqe e kanë rënduar atmosferën shoqërore. Për fat të keq prona dhe biznesi kanë varfëruar dashurinë e fëmijëve të gjakut të përbashkët. Jo rrallë kemi përjetuar drama që grindjet për çështje pronësie kanë marrë jetë njerëzish midis vëllezërve, prind fëmijë, brenda fisit dhe komunitetit të fshatit.

Veçanërisht, ky fenomen po kërcënon çdo ditë rendin dhe qetësinë publike dhe strukturat shtetërore, janë të pa afta jo vetëm ta parandalojnë, por edhe ta monitorojnë. Kriza morale dhe rrënimi i familjeve ka bërë që shumë media të shkruara dhe elektronike të luajnë me dinjitetin e femrave dhe të fëmijëve. Liria e shtypit nuk presupozon të cenosh dinjitetin e personit. Lakimi i përditshëm i disa personazheve me probleme morale, e shoqëruar me lloj, lloj epitetesh, deri në karikatura te disa revista, është një autorësi e një morali të pamoralshëm të disa gazetarëve që duan të mbushin kronikat e tyre. A e kanë parasysh drejtuesit e mediave, se ato familje kanë fëmijë që ndihen të fyer në mjediset e tyre shoqërore. Problemet e marrëdhënieve dashurore janë probleme personale. Ndërsa krimet për motive xhelozie, e gjejnë autorësinë në organet e drejtësisë. Tregu mediatik i zhgarravitjes së familjeve, mund të bëhet shkak i konflikteve midis fëmijëve dhe grafomanëve të shfrenuar. Jeta pasurohet nga bashkëjetesa në harmoni e tre brezave: fëmijë, prindër, gjyshër. Kontradikta të shpeshta hasim edhe midis nipërve e mbesave me gjyshërit, apo nuseve me vjehrrat. Palët ankohen për pabarazinë e sjelljeve, kulturave, qytetërimeve, zakoneve, idealeve që lëvizin në kohë të ndryshme. Emigrimi i fëmijëve në vende të ndryshme të botës e ka varfëruar së tepërmi jetën familjare. Familja fshatare ende mbahet duke u përpëlitur si rrënja e çdo forme të jetës shoqërore. Ende respektohen relacionet e gjakut, duke vlerësuar progresivisht, vëllazërinë, fisin, vendlindjen, krahinën për të arritur te populli dhe atdheu yt. Kjo ndodh se në fshat familjet janë të vendosura në të njëjtin vend, mbi bazë vëllazërie dhe fisi që rrisin marrëdhëniet dhe shtojnë solidaritetin. Ndërsa në qytet familjet s’kanë të njëjtin vendbanim, shkëputet komunikimi dhe krijohen distanca marrëdhëniesh që i largojnë nga njëri tjetri. Është e vështirë, por duhet të luftohet që rritja progresive e fëmijëve nuk duhet të çojë në një shkëputje shpirtërore, në një largim shpërfillës nga njëri tjetri, por duhet të orientohen në veprimtarinë e tyre jashtë interesave denigruese dhe xhelozive patriarkale. Familja duhet vlerësuar si qeliza e shoqërisë në profilin biologjik, moral dhe social. Shthurja e martesës apo familjes, siç janë disa rryma dhe tendenca të vendeve të zhvilluara industriale çojnë në mënyrë të pashmangshme herët a vonë në zhdukjen e këtyre popujve. N

ë familje njeriu mëson ato virtyte shoqërore, pa të cilat njeriu nuk mund të zhvillohet e ekzistojë siç janë: dashuria njerëzore, dashuria familjare, respekti, solidariteti, toleranca, falja dhe ushtrimi i atributeve, sipas sekseve, përgjegjësive dhe moshës. Gëzimi i pjekurisë së fëmijëve shoqërohet edhe me vetëdijen e hidhur të shkëputjes së tyre nga trungu familjar. E parë familja, si një fidanishte e shoqërisë, nuk duhet që prindërit të kërkojnë t’i mbajnë fëmijët të lidhur pas vetes, saqë i ndrydhin ose pengojnë procesin e emancipimit e përparimit të tyre. Kjo ndodh shpesh te ato familje që kanë fëmijë të vetëm, ose ku mungon babai, të nënave beqare, të divorcuara dhe vejusha. Këto lidhje të tepruara kanë bërë që fëmijët të kenë të ardhme të pafavorshme për krijimin e familjes së tyre. Nga testimet e bëra rezulton se ka edhe arsye ekonomike që pengojnë fëmijët të shkollohen apo të marrin një profesion, apo frenime patriarkale, siç ndodh me mentalitetin e zonave malore që nuk i lënë vajzat të vazhdojnë shkollën, se mos marrin rrugë të keqe morale. Në disa raste në zonat e thella rurale ende edhe sot janë prindërit ata që vendosin për zgjedhjen e bashkëshortit. Edhe në rast se nuk ushtrohet dhunë fizike, që duket, ushtrohet dhunë shpirtërore që ua prangos ndjenjat të rinjve. Një fjalë e urtë arabe thotë: “ti je vetëm harku, nga i cili bijtë e tu nisen si shigjeta të gjalla”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0