Home | Society | Ligji përballë një pallati “politik”

Ligji përballë një pallati “politik”

image
Që ky pallat është i paligjshëm duket qartë, por është i nevojshëm argumentimi ligjor. Nga shumë deklarime dhe pohime në shtyp, pro dhe kundër, më interesanti dhe i bazuar duket prononcimi i ish-drejtorit të INUK-ut, Gjegj Bojaxhi, një specialist i paanshëm dhe i besueshëm...

 

 

 

Nga Petrit Qejvani 

 

 

 

 

 

Qeveria e re, në kuadrin e zbatimit të ligjit në funksion të kontrollit të territorit, ka marrë një aksion në front të gjerë përgjatë vijës bregdetare për çlirimin ë territorit nga pushtuesit vendas. Dhe e nisi në Tiranë dhe Vlorë. Dhe kjo ka simbolikën e vet. Antiligji duhet të goditet në qendër, atje ku ai e ndjen veten më të fortë dhe më të mbrojtur dhe jo në periferi. Ky veprim i qeverisë ka shkaktuar një ndjesi të dyfishtë: është mirëpritur nga shumica e shqiptarëve dhe, ashtu siç pritej, është kundërshtuar nga ata që kanë ndërtuar pa leje ose me leje abuzive, ku përfshihen të fortë ordinerë (të mbështetur nga politika) dhe njerëz me pushtet politik. Një zhurmë e madhe mediatiko –politike shkaktoi piketimin për prishje i një pallati 8 katësh në Ujin e Ftohtë në Vlorë, i përfolur si pronë e Lulzim Bashës (ndonëse në letra figuron si pronë e vjehrrit të tij), një lojë e njohur kjo ku pushtetarët fshihen pas njerëzve të afërt. Që ndërtimi është i paligjshëm, është e qartë për këdo. Nuk mund të zaptohet deti, kushdo qoftë ai. Zaptimi i pronës publike është një krim. Vetëm Poseidoni e kishte të drejtën e posedimit të detit. Po ai ishte hyjni. Sot nuk jemi në kohën e zotrave të deteve, të hyjnive të mitologjisë. Sot pushtimi i pronës publike është një krim. Në rastin konkret ky pallat është një krim i dyfishtë: ambiental dhe urbanistik. Në fakt ai është pjellë e një krimi, e krimit të miratimit dhe dhënies së lejes së ndërtimit. INUK-u bëri mirë që rrafshoi ndërtimet pa leje apo me leje të paligjshme përgjatë bregut të Vlorës, që vinin ndesh me planimetrinë dhe zhvillimin urban të qytetit, por nuk duhej të ndalej para një pallati ndërtuar hapaz në kundërshtim me ligjin, pra mbi det dhe në kundërshtim me planin perspektiv të ndërtimit të qytetit.

Dhe këtu kanë një faj jo të vogël urbanistët e qytetit, që duhet të thonë fjalën e fundit, nëse kanë personalitet. Dhe jo të shprehen se këtë e vendosur kryetari i bashkisë!... Ai është një pallat simbol i paligjshmërisë. Dhe mosprishja e tij kompromenton aksionin qeveritar për pastrimin e vijës së bregut të detit, duke krijuar idenë e veprimit selektiv, që do të thotë se te pafuqishmëve, atyre që s’kanë suport politik mund t’ju prishet prona, kurse të fortët e lidhur me politikën s’i gjen gjë. Ky është karshillëk ndaj ligjit dhe dobësi e qeverisë, në mos korrupsion politik. Në media pati shumë diskutime pro dhe kundër këtij pallati. Që ky pallat u mbrojt politikisht duket edhe nga deklarata e Berishës në mbrojtje të hapur të tij, duke e komentuar si hakmarrje të kryeministrit Rama ndaj liderit formal të opozitës. Në vend që ish-kryeministri të kërkonte ndjesë për këtë krim, e mbron paturpësisht atë. Ndërsa avokatët mediatikë të qeverisë paraardhëse e mbrojnë pallatin me sofizma, demek duke mbrojtur qytetarët që kishin blerë apartamente atje. Në fakt INUK veproi gabim, kur e rrethoi pallatin me policë, ndërkohë që nuk ishte i qartë plotësisht. Pra, u shpejtua. Ai duhet të vinte atje me letra të kopsitura dhe ta shembte pallatin dhe jo thjesht me entuziazëm euforik, karakteristikë e aksioneve të dikurshme. Kur niset për veprim një organ shtetëror, sidomos kur e shpall publikisht, duhet ta ekzekutojë. Kjo tregon seriozitetin e shtetit dhe qeverisë.

Që ky pallat është i paligjshëm duket qartë, por është i nevojshëm argumentimi ligjor. Nga shumë deklarime dhe pohime në shtyp, pro dhe kundër, më interesanti dhe i bazuar duket prononcimi i ish-drejtorit të INUK-ut, Gjegj Bojaxhi, një specialist i paanshëm dhe i besueshëm edhe për faktin se ka qenë pjesë e mazhorancës qeverisëse të Berishës dhe e ka denoncuar atë që më 2010, pra, kur në pushtet ishte PD-ja. Por presioni politik e ka thyer prokurorinë dhe gjykatën, ku ka pasur akord pushtet qendror-pushtet lokal. Aty pleksen interesa të njerëzve të lidhur me pushtetin e djeshëm dhe të sotëm, prandaj Gjykata Administrative e Vlorës e pezulloi prishjen e tij me një kazus spekulativ, duke iu dhënë të drejtë banorëve (të cilët kanë të drejtën e tyre) por banorët nuk janë palë në këtë konflikt. Konflikti është midis ligjit dhe bashkisë. Aleanca politike duket se fitoi përkohësisht ndaj ligjit, duke e mbrojtur një pallat politik. Ndërsa pallatet “jopolitikë” u prishën pa mundim.

Pra, pa dashje ose me dashje krijohen dy standarte. Ndërsa ligji është një. Shkatërrimi i territorit është një nga krimet më të rënda të bëra këto 20 e ca vjet katrahure demokratike. Dhe këtë qeveria e re e di dhe e ka artikuluar shpesh gjatë dhe pas fushatës elektorale. Tani mbetet të korrigjojë ç’të mundet dhe të ndëshkojë ata që kanë bërë kaq zullume ndaj natyrës dhe mjedisit. Dhe që ta bëjë këtë, duhen dhënë shembuj ekzemplarë, si ai i shembjes së pallatit “politik”, që përmendëm. Ai ka vlerën e një simboli të negativ të shpërfilljes së ligjit. Kurse ligji duhet të tregojë se është i pashpërfillshëm. Pa ndëshkim nuk ka korrigjim, prandaj duhet të veprojë ligji dhe jo të stepet para antiligjit, edhe kur antiligji ka koracë politike. Pallati politik duhet shembur si simbol i korrupsionit. Duhet të fitojë ligji, të fitojë shteti.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00