Home | Society | Kthejani buzëqeshjen Dibrës duke ndërtuar Rrugën e Arbrit!

Kthejani buzëqeshjen Dibrës duke ndërtuar Rrugën e Arbrit!

image
Rruga e Arbrit po ju pret plot endje. Ajo nuk është një rrugë e veshur as me blu e as me rozë, por një rrugë e veshur kuq e zi... Edhe këtu ka jetë. Madje, kaq të jetueshme! Ka frymë të thellë, si era e malit. Ka zemra që rrahin fort si daulle. Ka gjak që vlon në çdo stinë, jo vetëm në pranverë.

 

 

 

 

Nga  Ida Nurçe *

 

 

 

 

Keni dëgjuar për Dibrën? Është një rreth që ndodhet në lindje të Shqipërisë. Është një nga vendet me pasuritë më të shumta natyrore. Ndërshekuj me radhë ka qenë dhe do mbetet një nga vendet më të bukura. Por ka nevojë për investime. Ashtu si gratë, që bëjnë makijazh për t’u dukur të bukura, ashtu edhe Dibra ka nevojë për investime. Ka nevoje për dorën e njeriut. 

Po ju drejtohem Ju, të lartëve të vendit. Nuk dua t’ia di nëse jeni të majtë apo të djathtë. Kemi nevoje të marrim frymë. Rruga e Arbrit po ju pret plot endje. Ajo nuk është një rrugë e veshur as me blu e as me rozë, por një rrugë e veshur kuq e zi... Edhe këtu ka jetë. Madje, kaq të jetueshme! Ka frymë të thellë, si era e malit. Ka zemra që rrahin fort si daulle. Ka gjak që vlon në çdo stinë, jo vetëm në pranverë. Na lini të dalim nga ky “burg”. Të shohim ç’bëhet përtej “mureve” të tij të lartë vetull-vrenjtur. Të ecim me lirinë e një fëmije, që ecën nëpër fushat e hershme të pranverës. Jemi banorë të një toke, jo të një ishulli. Ku mund të gjeni një vend kaq madhështor sa Dibra? Gjithmonë ka pasqyruar në mënyrë të kthjellët, bukurinë e saj, ball-lartë dhe krenare. Ka ditur të ruaj traditat dhe zakonet kohë pas kohe. Ka lindur shumë burrnesha e trima, që i kanë bërë ballë çdo lufte. Kanë qëndruar të fortë, si vetë mali që kanë karshi, Korabi. 

Dibranët shquhen për mikriptjen. Madje-madje, dera e tyre hapet për këdo që ngre dorën dhe troket. Miku pritet me gjithë të mirat e mundshme. Në këtë sofër të madhe është ulur këmbëkryq mendja... 

Por... Një “por” e vrazhdë më errëson sytë. Më bën, që koka të anojë përpara nga mendimet. Kemi kaq shumë nevojë për përkrahje, për një shtysë që të ecim përpara. Të tregojmë vlerat tona. Ta zhvillojmë këtë vend të lënë në harresë. Zërin do ta çojmë lart. Do ulërasim. Vullkani dibran sapo ka shpërthyer. Ka nxjerrë në shesh Dibrën. E keni të servirur në tabaka. Bëni të mundur, të zhdukni makthin e çdo qytetari Dibran. Na e riktheni buzëqeshjen. Na ndërtoni rrugën tonë, Rrugën e Arbrit. 

Ç’dua të them? Ku ka makth më të madh, sesa makthi që ka një dibran duke menduar: “Të nesërmen kam rrugë drejt Tiranës”? Ku ka vuajtje më të tmerrshme, sesa të ecësh për 4-5 orë në një rrugë që të duket sikur është e shtruar me gropa, barriera, hendeqe, gurë, ku të përplaset koka në tavanin e makinës, njësoj sikur luan mbi një sustë. Në fund të mbetet vetëm të thuash: “Shpresoj ti kem të gjitha organet në vend”. Ndihesh gjysmë njeri nga kjo rrugë gjarpëruese e pakuptimtë. Ke frikë të kesh ndonjë punë në kryeqytet, se iluzione pafund të pushtojnë sferën e mendimeve në të qindat e sekondit: “A thua do më zërë makina? Si do na shkojë rruga? Shpresoj ta kalojmë Qafën e Buallit pa bërë ndonjë aksident?” (Qafë Bulli është një nga zonat ku është shënuar numri më i madh i aksidenteve në rrethin e Dibrës). Epo, ç’doni më shumë se kaq? Dini ju të ketë problem më të madh për një vend, sesa mungesa e një rruge? 

E kemi një shpëtim! Po, po, një shpëtim. Të shumëpërfolurën e lënë në harresë, atë, Rrugën e Arbrit, që për ne është si Ura e Bosforit. Ktheni sytë nga ne! Këtej është ana tjetër e medaljes suaj! Jemi diku këtu! Na jepni mundësinë të lëvizim të qetë, pa makthe, pa rraskapitje shëndetësore e mendore! Na lejoni të udhëtojmë plot mendime dhe ëndrra që krijohen nga peizazhi që na shoqëron! Na lejoni t’i tregojmë Shqipërisë bukuritë e mahnitshme të Dibrës! Të kontribuojmë me mendjen e rritur te ne! Të promovojmë vlerat dhe pasuritë e saj. Shekspirin e ka munduar shume dilema “Të rrosh apo të mos rrosh!”. Unë them, që është bukur të rrosh, por me një Dibër që rritet në gji të Shqipërisë, jo të lënë mënjanë, si një jetime të ngratë. Puna do punë. Andaj punoni ... Kjo është Dibra jonë. Dibra e gjithë shqiptarëve. E gjithë Shqipërisë. Mos e shikoni me bisht të syrit, por shikojeni me sy. 

Rruga po ju pret në mëshirë të fatit. Mos e lini të vdesë në harrese. Kthehuni!

 

 

* Autorja është nga Kërçishti i Poshtëm i Maqellarës. Ka mbaruar shkollën e mesme profesionale, pedagogjike “Nazmi Rushiti” në Peshkopi. Ka ndjekur studimet e larta për Gazetari dhe Komunikim.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0