Boeing 777 i Malaysia Airlines ka rënë në Oqeanin Indian
Avioni i zhdukur MH370 është rrëzuar në jug të Oqeanit Indian. Kështu ka deklaruar nga Kuala Lumpur, Kryeministri Malajzian Najib Razak...
Avioni i zhdukur MH370 është rrëzuar në jug të Oqeanit Indian. Kështu ka deklaruar nga Kuala Lumpur, Kryeministri Malajzian Najib Razak, duke shuar përgjithmonë shpresat e familjarëve të pasagjerëve të Boing 777. “Me trishtim dhe dhimbje të madhe dua t’ju informoj se, sipas të dhënave të fundit, avioni MH370 ka përfunduar në jug të Oqeanit Indian”, tha kryeministri, duke cituar zhvillimet e fundit, të bazuara në sistemin satelitor Inmarsat.
Objektet u dalluan të hënën pasdreke me orën lokale dhe Kryeministri i Australisë, Toni Abot (Tony Abbott), shtoi se anije të tjera janë rrugës drejt zonës së kërkimit.
Fluturimi MH370 u zhduk nga radarët civilë më pak se një orë pasi u nis nga Kuala Lumpur për në Pekin më 8 mars. Që nga zhdukja nuk ka asnjë të dhënë se çfarë shkoi keq në këtë fluturim.
Vëmendja dhe burimet në kërkimin për Boeing 777 u zhvendosën nga zona fillestare në Ekuator te një zonë detare e panjohur në jug të Oqeanit Indian, mijëra kilometra larg shtegut origjinal të fluturimit.
Agjencia kineze e lajmeve, Xinhua, tha se një avion kinez Ilyushin IL-76 zbuloi dy objekte “relativisht të mëdha” dhe shumë më të vogla të shpërndarë në një sipërfaqe prej shumë kilometrash. Mbi 150 pasagjerë në bord qenë kinezë. Marina amerikane ndërkohë dërgoi një avion të teknologjisë së lartë të aftë për të dalluar sinjalet që lëshohen nga kutitë e zeza të avionëve të zhdukur. Kutitë e zeza përmbajnë regjistrimet e zërit dhe të të dhënave të tjera të avionit dhe shërbejnë për të mësuar se çfarë ndodhi para rrëzimit. Në vendet e rrëzimit, gjetja e kutisë së zezë sa më shpejt të jetë e mundur, është vendimtare. Pajisja që lëshon sinjal për vendndodhje pushon tridhjetë ditë pas rrëzimit.
“Nëse gjenden mbetje, ne do të duhet të reagojmë sa më shpejt të jetë e mundur për shkak se jeta e baterisë së kutisë së zezë është e kufizuar”, – tha një komandant i flotës së shtatë amerikane.
Hetuesit besojnë se dikush në bordin e avionit fiku sistemet e komunikimit. Dyshohet se një pilot shumë i aftë e ka drejtuar avionin për në thellësitë e Oqeanit Indian. Kjo gjë sugjeron për një pengmarrje apo sabotosh, por edhe pista e defektit teknik nuk është përjashtuar.
Sinjale të zbehta elektronike të kapura nga satelitët tregtarë sugjerojnë se ai ka fluturuar për shtatë orë të tjera, por këto sinjale nuk janë në gjendje të identifikojnë vendndodhjen e avionit në një zonë më të ngushtë se sa një hark i madh nga Deti Kaspik deri në afërsi të kontinentit të ngrirë të jugut.
Comments (0 posted)
Post your comment