Home | Society | Strategjia e BE dhe Traktati i Lisbonës

Strategjia e BE dhe Traktati i Lisbonës

image
Hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës i jep mundësi më të mundësime zgjerimit të Bashkimit Europian.

       

 


Nga Hajro LIMAJ

 

 


Bashkimi Europian nga mbarimi i Luftës së Ftohtë e deri tani po punon të zërë vendin e vet brenda rendit të ri botëror. Për të mos ngelur nën hijen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kinës në rritje, ai është brenda një bote me shumë pole dhe në kërkim të ekuilibrit të fuqive. Por ngado që ta shikosh, edhe pse nga pikëpamja ekonomike Bashkimi Europian është një gjigant, nga pikëpamja politike dhe strategjike vazhdon të jetë një xhuxh.

Nga pikëpamja ekonomike, Europa që realizoi një projekt shumë të vështirë, siç ishte monedha e përbashkët, kur shkojmë te politika e jashtme, nuk po arrin me një formë strategjike dhe politike që të ketë të drejtë të lëvizë me një zë të përbashkët. Shembulli më i fundit i kësaj u pa javën e kaluar. Liderët e Bashkimit Europian u mblodhën për të zgjedhur sipas parashikimit të Marrëveshjes së Lisbonës presidentin e parë me ministrin e jashtëm të saj. Në kushte normale ishte e nevojshme të zgjidhej një president i Bashkimit Europian që njihej në platformën ndërkombëtare dhe të kishte peshë brenda Unionit. Prej muajsh në kulisat e politikës europiane kalonte emri i Toni Blerit, i cili bënte një lob për këtë detyrë. Bler nga shumë pikëpamje do të ishte zgjidhja më e drejtë. Personi që do të ulet në tavolinë si President i Bashkimit Europian është e nevojshme të jetë një emër që të merrej seriozisht nga Amerika dhe Kina. Duke e parë nga kjo pikëpamje, emri ideal për presidentin e Bashkimit Europian ishte ai i Blerit, i cili kreu detyrën e Kryeministrit të Anglisë për 11 vjet në vendin që vlerësohet më me influencë dhe më i rëndësishëm i Europës, ish-përfaqësuesi i konceptit të “së majtës së re dhe demokracisë sociale “të së përgjithshmes botërore, me një eksperiencë shumë të madhe në politikën e jashtme dhe që vazhdon të jetë një lider i ri dhe energjik.

Por kandidatura e Blerit u pengua nga Franca dhe Gjermania. Kjo është e lidhur edhe me faktin e mbështetjes që i dha Bleri luftës në Irak. Ndoshta edhe nga mendimet e vizionet më të gjëra që ka Bleri për zgjerimin më të shpejtë të Bashkimit Europian, duke futur njëkohësisht edhe vendet me popullsi myslimane, veçanërisht Turqinë, për të cilën Sarkozi dhe Merkel kanë rezerva dhe mbështesin më shumë një partneritet të gjerë me të sesa anëtarësim me të drejta të plota. Duke shmangur Blerin, sytë e atyre që mendojnë se nga pikëpamja strategjike Bashkimi Europian ka nevojë për një president me profil të lartë, kësaj here u kthyen te një burrë tjetër i rëndësishëm: ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Karl Bildt. Me eksperiencë, me vizion, i cili ka shumë të përafërta me Blerin. Edhe këtë kandidaturë nuk e pranuan Franca dhe Gjermania. Si përfundim, liderët e Bashkimit Europian, duke kaluar me radhë shumë emra, qëndruan te Herman van Rompay, kryeministri i Belgjikës. Një emër i padëgjuar në botë, i cili nuk ka ndonjë veçori karizmatike dhe me prirje të theksuara antimyslimane. Këtë pikëpamje ai e ka deklaruar kundër Turqisë, duke thënë se “realisht anëtare nuk do të jetë, sepse Europa është krijuar mbi themelet kulturore të krishtera”.
Atëherë, pse u bë një zgjidhje e tillë nga Bashkimi Europian? Sipas Angela Merkelit, presidenca e Herman van Rompujit do të sigurojë pajtim brenda unionit dhe do të jetë në duart e bashkësisë. Ndërsa Presidenti Francez, Nikolas Sarkozi, sqaroi se në Bruksel u mor një vendim shumë i zgjuar. Ai nënvizoi se “moszgjedhja e presidentit nga një prej vendeve më të rëndësishme përbën shkakun që asnjë prej vendeve të mos e ndiejë veten të përjashtuar". Këto shprehje tregojnë qartë se midis 27 vendeve vështirësia më e madhe është ajo e sigurimit të pajtueshmërisë.


Ndoshta një element tjetër më i rëndësishëm mund të jetë edhe mungesa e një vizioni dhe objektivi të përbashkët strategjik i Bashkimit Europian. Çdo vend mendon për interesat e tij. Si përfundim, një afrim i dobët midis tyre sjell lindjen e një politike me rreze të shkurtër veprimi. Ky përafrim i dobët dhe mbështetja në vizionin strategjik të kulturës së koalicionit politikën e Bashkimin Europian e lë shumë të vogël në krahasim me fuqinë ekonomike që përfaqëson.
Por ç’përfaqëson Traktati i Lisbonës dhe çfarë ndryshimesh do të sjellë në riorganizimin e Bashkimit Europian? Do të këtë president të BE-së një ministër të Punëve të Jashtme, prokuror të përgjithshëm dhe një sërë institucionesh të tjera. Bashkimi Europian me këtë riorganizim institucional do të shkojë drejt një konfederate. Pas referendumit të Irlandës për miratimin e Traktatit të Lisbonës Bashkimit Europian iu hapën rrugët e ndryshimeve rrënjësore për mënyrën e funksionimit të tij. Traktati i Lisbonës e kthen Bashkimin Europian për herë të parë në një person të vetëm juridik, duke unifikuar shtyllat e veprimtarisë së tij: Komuniteti Evropian, politika e përbashkët e sigurisë dhe e jashtme dhe bashkëveprimi policor dhe gjyqësor në çështjet kriminale, ku deri tani vetëm Komuniteti Evropian ishte person juridik. Ndryshimi në fjalë i jep mundësinë Bashkimit Evropian që të ketë politikë të përbashkët të jashtme dhe vendimmarrje më solide.

Hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës i jep mundësi më të mundësime zgjerimit të Bashkimit Europian. Dhe kur flasim për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, flasim për vendet e Ballkanit Perëndimor: Serbi, Bosnjë- Hercegovinë, Mali i Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe më tej Turqi. Vetë traktati nuk ka asnjë amendament në lidhje me kriteret apo procedurat e hyrjes, por drejtuesit e vendeve anëtare të BE-së kanë deklaruar se pa reformë në strukturën e Bashkimit nuk mund të zgjerohet më shumë se 27 anëtarët aktualë. Verën e vitit të kaluar për këtë presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel deklaruan se “strukturat e tanishme nuk mund të mbështesin më shumë se 27 anëtarë, sepse diçka e tillë do ta bënte bashkimin joefektiv”. Traktati i Lisbonës heq disa kushtëzime, si: vendosja e një komisioneri për çdo vend anëtar në Komisionin Evropian, vendimmarrjen e kualifikuar në bazë të numrit të vendeve anëtare dhe një sërë ndryshimesh të tjera, që mundësojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Bile edhe dalja e vendeve anëtare nga BE-ja është kodifikuar, duke vendosur procedura të qarta, që duhen ndjekur për të mundësuar ndalimin e anëtarësisë së mëtejshme në Bashkimin Evropian nga një prej vendeve anëtare.


Por ndryshimi më thelbësor nga Traktati i Lisbonës është krijimi i postit të Presidentit të Këshillit Europian. Ky President do të drejtojë të gjitha mbledhjet e krerëve të ekzekutivit – Kryeministra apo Presidentë për republikat presidenciale – dhe do të përfaqësojë Bashkimin Europian në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por personalitete të ndryshme gjykojnë se roli dhe fuqia e presidentit të Bashkimit Europian do të varet më së shumti nga personi që do të mbajë për herë të parë këtë post. Ky ishte shkaku që emri i Blerit ishte në krye të listës, por, duke qenë se binte ndesh me qëllimet strategjike të Gjermanisë dhe Francës, u spostua duke nxjerrë në skenë një emër “të panjohur”.
Posti i Presidentit do të ketë një mandat 2.5-vjeçar dhe do të bëjë rotacionin çdo gjashtë muaj të presidencës së BE-së mes kryeministrave të vendeve anëtare. Gjithashtu Traktati i Lisbonës ka lënë të hapur mundësinë që Presidenti i Këshillit Evropian të emërohet edhe presidenti i Komisionit Europian, duke kryer një shkrirje de facto të këtyre dy posteve, mbasi posti i presidentit të Këshillit Europian është i papajtueshëm me postin e ofiqarëve të vendeve anëtare, posteve civile në BE dhe eurodeputetëve, por jo të presidentit të Komisionit Evropian.
Pyetja retorike e ish-sekretarit te shtetit amerikan Henri Kizinger: “Cilit ti telefonoj nëse dua të flasë me Europën?” shprehte një mungesë të rëndësishme në bashkëveprimin e politikës së jashtme të Bashkimit Europian. Tani pasardhësit e tij do të mund të telefonojnë ministrin de facto të Jashtëm të BE-së, i cili do të mbajë pozicionin e ri të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë si dhe pozicionin e zëvendëspresidentit të Komisionit Europian.
Krijimi i këtij pozicioni është hapi i parë i krijimit të një politike të përbashkët të jashtme të Bashkimit Europian, krahas mundësisë ligjore që i jep tashmë krijimi i një personi juridik. Përfaqësuesi i lartë do të drejtojë jo vetëm Agjencinë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe drejtoritë e përgjithshme të Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, por edhe mbledhjet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.


Një ndryshim tjetër thelbësor i Traktatit të Lisbonës është krijimi i pozicionit të Prokurorit të Përgjithshëm, që pasohet nga “krimet ndërshtetërore” që ai do të mbulojë. Në këtë mënyrë, roli i Prokurorit të Përgjithshëm të Bashkimit Europian do të jetë ndjekja e krimeve që ndodhin në më shumë se një shtet i BE-së, në një pozicion të ngjashëm me atë të Prokurorit Federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krimet që do të jenë në kompetencën e Prokurorit të Përgjithshëm të BE-së janë: trafikimi i lëndëve narkotike, trafikimi i individëve, organizatat terroriste etj.
Ky traktat u jep rëndësi në rang unioni edhe disa institucioneve të tjera. Banka Qendrore Europiane bëhet institucioni qendror monetar i BE-së, përgjegjës për zhvillimin monetar të saj. Ndërkohë Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian merr kompetencat e gjykatës më të lartë evropiane, në të cilën do të mund të apelohen vendimet e gjykatës së shkallës së parë, institucion i cili krijohet nga ky traktat.
Qytetarët do të mund të padisin shtetet anëtare të BE-së, nëse këto shtete nxjerrin ligje që nuk janë në përputhje me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian, apo janë në kundërshtim me Konventën e të Drejtave Themelore të Njeriut të BE-së, që integrohet në këtë traktat.
Traktati i Lisbonës lehtëson edhe vendimmarrjen në institucionet e BE-së. Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave i BE-së kthehen në institucione bashkëvendimmarrëse, pasi 80% e fushave që mbulon BE-ja do të duhet të merren me vendim të të dyja institucioneve.
Forcimi i rolit të Parlamentit Europian, që zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve evropianë, shihet si një përafrim më i madh i BE-së drejt një sistemi gjysmëkonfederativ. Traktati parashikon gjithashtu se shumica e vendimeve të marra në Këshillin e Ministrave dhe në Këshillin Europian nuk do të jenë me unanimitet, por me vendim të një shumice të cilësuar, 55% e vendeve anëtare, që përfaqësojnë 65% të popullsisë evropiane, ku kundër votojnë jo më pak se 4 shtete, duke hequr mundësinë e vetos ndaj vendeve anëtare në shumicën e fushave që mbulon Bashkimi Europian.
Traktati i Lisbonës u jep një rol më të drejtpërdrejtë qytetarëve. Sipas traktatit, Komisioni Europian është i detyruar të konsiderojë në punën e tij peticionet e firmosura nga jo më pak se 1 milion qytetarë të BE-së. Ndërkohë edhe në parlamentet e vendeve anëtare të BE-së do të kenë mundësi të marrin pjesë në vendimmarrjen e Bashkimit Europian, duke kërkuar informacion, ose duke dhënë pozicionet e tyre paraprake.
Hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës do të jetë një hap i rëndësishëm në reformimin e Bashkimit Europian, duke e kthyer atë në një organizëm më efektiv dhe më solid në vendimmarrje. Këto ndryshime duhet ti lexojë shumë me vëmendje politika dhe qeveria shqiptare për ta reformuar dhe riorganizuar veprimtarinë e saj integruese në mbështetje të këtyre zhvillimeve.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00