Home | Society | Kush e rrëzoi avionin MH370?

Kush e rrëzoi avionin MH370?

image
Sidoqoftë, fakti i paraqitur nga pala ukrainase, nuk arrin të nxjerrë në mënyrë eksplicite goditjen apo urdhrin për goditje të avionit nga ana e separatistëve, por është një provë e rëndësishme për t’u vënë në dispozicion të hetimeve.

 

 

 

 

 

 

Ngjarja e fundit me avionin malajzian, ku humbën jetën 298 vetë, ka shokuar opinionin publik ndërkombëtar, duke bërë të reagojnë një sërë personalitetesh e organizatash në mbarë botën. Gjatë gjithë ditës së djeshme, çështja e nxehtë ka qenë nëse ishte apo jo një sulm i organizuar gjithçka ndodhi, apo një rrëzim i shkaktuar nga shkaqe të tjera teknike, ose jo, të palidhura me konfliktin tremujor mes separatistëve prorusë e forcave qeveritare ukrainase. Një ditë më parë, Presidenti ukrainas theksoi se rrëzimi i avionit malajzian në Ukrainën Lindore ishte “pa dyshim një akt terrorizmi”. Por ndërkohë, separatistët që kontrollojnë zonën ku u rrëzua dhe avioni me 298 persona në bord, mohojnë kategorikisht se janë përgjegjës dhe vijojnë të akuzojnë forcat qeveritare ukrainase për ngjarjen. Ata thanë dje se kishin gjetur kutitë e zeza dhe se po shqyrtonin se çfarë do të bënin me to.

 

Deklaratat e palës ukrainase kanë nisur të mbulohen edhe me faktet e para, kur dje janë bërë të njohura për publikun, transkriptimet e bisedave mes një agjenti të sigurisë ruse dhe separatistëve, të cilët në dukje njoftojnë fillimisht rrëzimin e një avioni, duke besuar se ishte ukrainas, e më pas duke raportuar nga vendngjarja, ata konstatojnë se avioni i rrëzuar ishte civil. Sidoqoftë, fakti i paraqitur nga pala ukrainase, nuk arrin të nxjerrë në mënyrë eksplicite goditjen apo urdhrin për goditje të avionit nga ana e separatistëve, por është një provë e rëndësishme për t’u vënë në dispozicion të hetimeve. Në një fjalim para biznesmenëve, Kryeministri i Ukrainës, Arsenij Jacenjuk, tha se separatistët prorusë, që ai i quajti “banditë”, nuk i kishin lejuar hetuesit ukrainas të shkonin në vendin e rrëzimit të avionit. “Ne kemi filluar një hetim të pavarur dhe u bëj thirrje qeverive të vendeve të tjera të ndërmarrin një hetim ndërkombëtar rreth kësaj tragjedie, që është pa dyshim një akt terrorizmi”, theksoi Jacenjuk. Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Yurij Sergejev, tha se Ukraina do të paraqesë fakte për atë që ai thotë se ishte përfshirje ushtarake ruse në rrëzimin e avionit, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të mbajtur dje me këtë rast. Por Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se fajtore është qeveria e Ukrainës, e cila i ka rifilluar operacionet ushtarake në lindje të vendit. Ai tha se kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur, nëse në rajon do të kishte pasur paqe.

 

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, duke mbajtur një minutë heshtje në kujtim të viktimave, ka bërë ndërkohë dje thirrje për hetime të plota e të pavarura ndërkombëtare të rrëzimit të aeroplanit malajzian, me 298 njerëz në bord. OKB po ashtu, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’u sigurojnë hetuesve, akses në vendin ku është regjistruar edhe rrëzimi i avionit. Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, ka thënë ndër të tjera se SHBA nuk e hedh poshtë mundësinë që personeli rus të ketë ndihmuar në rrëzimin e aeroplanit.

 

Po ashtu, nga Shtëpia e Bardhë mbërriti dje rikonfirmimi i Presidentit Obama në lidhje me përpjekjet për të gjetur se kush e goditi avionin malajzian që udhëtonte të enjten në mëngjes, nga Amsterdami për në Kuala Lumpur dhe gjithashtu në këtë fazë akoma po hetohet nëse, krahas shtetasve të tjerë nga Europa, në avion të ketë pasur edhe shtetas amerikanë. Duke folur në Uashington, ai po ashtu ka thënë se separatistët kanë marrë vazhdimisht armë nga Rusia, përfshirë edhe armë antiajrore. Obama ka thënë se Ukraina, Rusia dhe separatistët pro-rusë duhet të dakordohen për një armëpushim të menjëhershëm dhe të mos ndërhyjnë në hetimet ndërkombëtare të rrëzimit të aeroplanit. Presidenti amerikan ka thënë se “sytë e botës janë në lindje të Ukrainës”. “Do të sigurojmë që e vërteta të dalë në shesh”, ka thënë Obama. Shtëpia e Bardhë tha dje se Presidenti Obama foli edhe me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe e siguroi atë se ekspertë amerikanë do të ofrojnë menjëherë ndihmën e nevojshme. Të dy presidentët theksuan rëndësinë që të gjitha faktet të mbeten në Ukrainë. Kryeministri malajzian, Najib Razak, i cili gjithashtu foli me Presidentin Obama, tha se nuk mund të konfirmojë që avioni është rrëzuar pasi është qëlluar, por shtoi se piloti nuk dërgoi ndonjë sinjal për të shprehur shqetësimin. Në deklaratën e saj me këtë rast, Shtëpia e Bardhë bën thirrje për një hetim “të plotë, të besueshëm dhe të papenguar ndërkombëtar sa më shpejt që të jetë e mundur”.

 

Autoritetet amerikane të zbulimit, besojnë ndërkohë se avioni është rrëzuar nga një raketë tokë-ajër, por pa dalë në përfundime konkrete. Sipas “Zërit të Amerikës” që citonte dje një zyrtar anonim nga zbulimi amerikan, vlerësimet amerikane të zbulimit thonë se gjasat më të shumta janë që avioni të jetë rrëzuar nga separatistët pro-rusë apo nga vetë rusët, sesa nga forcat qeveritare të Ukrainës. Zyrtari thotë se avioni me sa duket ishte vënë në shënjestër qëllimisht nga dikush që mund ta ketë marrë për një aeroplan ushtarak transporti. Shtëpia e Bardhë shprehet se ndonëse ende nuk mund të dihen të gjitha faktet e rrethanat, “incidenti ka ndodhur në kontekstin e një krize në Ukrainë që është nxitur nga mbështetja e Rusisë për separatistët, duke përfshirë mbështetjen me armë, materiale dhe trajnim”. 

 

 

A do t’i mbijetojë linja ajrore “Malaysia Airlines”?

 

 

Agjencia e transportit “Malaysia Airlines” po vuante ende pasojat e zhdukjes së fluturimit MH370 në mars, kur doli lajmi për përplasjen në Ukrainë. Tani shumë pyetje po ngrihen mbi faktin nëse kjo kompani do të arrijë t’i mbijetojë tragjedisë së dytë në kaq pak kohë.

 

“Është një tragjedi e pakrahasueshme. Në historinë e aviacionit, asnjë linjë ajrore nuk ka përjetuar dy tragjedi në një periudhë katërmujore”, – tha Mohsin Aziz, një analist aviacioni në Maybank.

 

avioni qe u sulmua (3)“Pa ndodhur ende incidenti i dytë, kisha dyshime nëse kompania do t’i mbijetonte falimentit deri në gjysmën e dytë të vitit 2015. Po pësojnë humbje të mëdha. Kjo me siguri do t’i fundosë. Nuk ka rëndësi se i kujt është faji. Perceptimi i publikut është ‘nuk dua të udhëtoj me ‘Malaysia Airlines’ dhe beteja nuk është e lehtë”.

 

Aksionet e kompanisë ranë menjëherë të premten, me 11 për qind në mesditë në tregun e Kuala Lumpur. Brenda këtij viti parashikohet që vlera e kompanisë të ulet me 35 për qind.

 

Pyetje janë ngritur edhe mbi itinerarin e kompanisë ajrore, pas lajmit se shumë transportues të tjerë e kanë shmangur atë zonë për muaj – ndonëse shumë kompani po fluturonin në të njëjtën zonë dhe e ndryshuan rutinën pas katastrofës së të enjtes.

 

Kompania dhe qeveria malajziane kanë marrë kritika të forta për mënyrën si po e përballojnë zhdukjen e MH370, sidomos në Kinë, që humbi 150 shtetas të saj.

 

Ndryshe nga mënyra si do ta përballonin linjat e tjera ajrore, ajo e Malajzisë ka shpërndarë informacion kontradiktor te familjarët dhe nuk ka mbajtur përgjegjësi të plotë për veprimet.

 

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se në aeroportin ndërkombëtar të Kuala Lumpur të enjten në mbrëmje u mblodhën turma të acaruara të afërmish që kërkonin informacion për pasagjerët, por asnjë zyrtar i “Malaysia Airlines” nuk është gjetur.

 

Teksa dy katastrofat janë të ndryshme, misteri do t’i mbështjellë të dyja.

 

“Ka ndodhur në një hapësirë të vogël kohore, në të njëjtën kompani, me të njëjtin model avioni. Ka ndodhur jashtë rutinës së përplasjeve të linjave ajrore të mëdha: shumica e aksidenteve ndodh pranë zonës së uljes apo menjëherë pas ngritjes. Të dyja kanë një element misteri dhe paligjshmërie”, vëren Sidney Dekker, një ekspert i sigurisë së aviacionit në Universitetin Griffith.

 

“Nëse publiku ka dëshirë t’i trajtojë si të veçuara dhe të thotë se kanë pak ngjashmëri dhe se nuk është faji i ‘Malaysia Airlines’, ka gjasa që kompania të mbijetojë”, – tha ai.

 

Por kjo është një pikëpyetje e madhe. Megjithatë katastrofa mund të përballohet edhe duke marrë certifikatë operimi në një aeroport të ri ose duke ndryshuar emrin e kompanisë.

Ministri i Transportit i Malajzisë, Liao Tiong Lai, mohoi të jepte një koment mbi të ardhmen e kompanisë ajrore. Përpara zhdukjes së MH370, “Malaysia Airlines” kishte humbje, por po bënte përmirësime. Po pakësonte koston e operimit dhe po shiste më shumë bileta.

 

Me dy aksidente në shpinë, tani siguria në këtë kompani ka humbur. Sipas Lidhjes së Transportit Ajror Ndërkombëtar, në periudhën 2009-2013, ka pasur mesatarisht 517 vdekje në vit. Tani një linjë e vetme ajrore e ka tejkaluar këtë shifër.

 

“Njerëzit mund ta zgjedhin pas kësaj ‘Malaysia Airlines’ vetëm nëse biletat do të jenë shumë, shumë të lira”, – tha Mohsin. Për më tepër, kompania është përballur me kosto shtesë në ndihmë të viktimave, familjarëve dhe shpenzimet në treg.

 

“Nëse kompania do të zhdukej plotësisht, do të ishte një humbje për krenarinë e Malajzisë”, – tha analisti Maybank. Me shumë gjasa qeveria do të ndërhyjë direkt ose nëpërmjet fondit Khazanah.

 

Linja të tjera ajrore si “Singapore Airlines” apo “China Eastern” fluturonin mbi zonën ku ndodhi tragjedia, por ndaluan sapo u mor vesh lajmi. “Çfarë nuk shkon me ‘Malaysia Airlines’? kjo nuk është një pyetje që duhet bërë. Është rastësi. Të hënën fluturova mbi atë zonë me vajzën time, mund të na kishte ndodhur neve”, – tregon eksperti i aviacionit Dekker.

 

Ndonëse pilotët kanë të drejtën të refuzojnë të fluturojnë mbi një kurs të veçantë kur kanë shqetësime, ata nuk mund të përcaktojnë itineraret. Këto vendosen në bazë të faktorëve të shumtë, ku përfshihen ndryshimet në hapësirën ajrore dhe shpejtësitë e erërave, por edhe siguria e fluturimit.

 

Teksa Autoriteti Federal Amerikan i Aviacionit ka paralajmëruar transportuesit amerikanë të mos fluturojnë mbi Gadishullin e Krimesë, nuk kishte paralajmërim për zonën ku u rrëzua MH17. Zyrtarët ukrainas kishin mbyllur hapësirën ajrore deri në 9750 metra, ndërsa MH17 po fluturonte 304 metra mbi këtë kufi.

 

“Pyetja është: a mund të biem në marrëveshje më të dobishme ndërkombëtare mbi ndalimin dhe lejimin e fluturimit në zona të caktuara?” – tha Dekker. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0