Home | Society | Dinjitet pa dalë nga varfëria?

Dinjitet pa dalë nga varfëria?

image
Papunësia dhe varfëria janë ato që e mbajnë të zbrazët përpjekjen për të treguar dinjitet në politikën e jashtme. Që deklaratave të veta në Beograd e gjetiu Rama t’u japë vlerën substanciale që meritojnë, ai duhet të forcojë politikën e brendshme në tri shinat kryesore, atë të administratës, të drejtësisë dhe të ekonomisë.

 

 

 Arbër Zaimi 

 

 

 

 

Në librin e tij të sapobotuar, “Black Prophetic Fire”, profesori i njohur i filozofisë, Kornel Uest (Cornel West) merret me shqyrtimin e situatës së zezakëve në SHBA gjatë epokës së Presidentit të parë afro-amerikan, Barak Obamës. Ai e quan gjendjen e komunitetit të vet një gjendje dëshpërimi, konfuzioni dhe kapitullimi.

 

Dëshpërimi ka të bëjë me rritjen e pabarazisë, fillimisht ekonomike e më pas edhe sociale, me ritme më të mëdha se më parë. E kjo pabarazi, në masë të madhe është edhe racore. Konfuzioni ka të bëjë me ngatërrimin e vazhdueshëm të simbolikes me përmbajtësoren, duke qenë se një president me ngjyrë qëndron aty si triumf i simbolizmit, si fitore e zezakëve në Amerikë, ndërkohë që komuniteti mbetet ende i diskriminuar, i getoizuar, i dhunuar e i sulmuar si në Ferguson, herën e fundit. Kapitullimi ka të bëjë me nevojën e këtij komuniteti për ta mbrojtur Obamën prej sulmeve të padrejta që i bëhen edhe me nëntekst racor, nevoja e komunitetit për të treguar solidaritet ndaj një presidenti edhe pse ky nuk i ka përmbushur pritshmëritë e atij komuniteti, përkundrazi. Kjo prodhon një situatë nihilizmi dhe dorëheqjeje nga shpresa.

 

Në këtë pikë do të doja ta nisja konsideratën për angazhimet e fundit të Edi Ramës për shqiptarët në rajon, jo nga pikëpamja e nihilistit, apo nga ajo e cinikut, por duke mos dëshiruar që pas disa vitesh të përfundojmë në të situatë analoge me atë të konstatuar nga prof. Uest.

 

Rama qartësisht është treguar një politikan pa komplekset e inferioritetit që kanë shoqëruar paraardhësit e tij, në raport me fqinjët e deri diku me Europën. Kjo performancë ka fituar shumë zemra shqiptarësh në rajon, të cilët tashmë kanë krijuar një besim e shpresë tek ai.

 

Por, që t’i përmbahemi predikatit të Kornel Uestit, nëse kjo performancë e Ramës e cila shkompleksoi shpirtra nuk nis të shkompleksojë dhe ekonominë e shqiptarëve në rajon, atëherë do të prodhohet dëshpërim. Po të ndodhte kështu do të dilte se ajo që paskëshim menduar për substanciale te Rama na paska qenë thjesht simbolike apo spektakolare, pra do të ishim konfuzë. Dhe në fund, ndoshta sërish do të ndiheshim të obliguar për ta mbrojtur Ramën vis-a-vis liderëve agresivë fqinjë, si “tonin”, ama kjo mbrojtje e sforcuar do të ishte shenjë kapitullimi publik. Prandaj shpresoj me forcë që të mos ngjasë kështu.

 

Kyçi është ekonomia. Për liberalët këtë e ka thënë Bill Klintoni (Bill Clinton), në vitet ’90, por kjo nënkupton të jesh ahistorik. Këtë aksiomë e kanë thënë shumë filozofë të rëndësishëm qysh prej fillimit të kapitalizmit, duke shtuar gjithashtu se ekonomia nuk mund të jetë gjë tjetër veçse politikë. Profesori i Kemmbrixhit, ekonomisti koreanojugor Ha-Joon Ccang e thekson këtë fakt gjithnjë, edhe sot e kësaj dite, nuk ka ekonomi tjetër veç ekonomisë politike, përkundër liberalëve që synojnë ta shohin ekonominë si shkencë objektive thuajse ekzakte.

 

Në një studim që i ka bërë rëndësisë së investimit publik, Çang dëshmon se tregjet janë mekanizma të fuqishëm që shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik, por ato shpesh nuk mbërrijnë të prodhojnë dinamizmin ekonomik dhe drejtësinë shoqërore për të cilën ka nevojë një zhvillim ekonomik i mbështetshëm. Ai në mënyrë metikuloze, me shembuj të detajuar nga vende të ndryshme të botës, në nivele të ndryshme zhvillimi, tregon se si tregjet si një sistem “një dollar – një votë” që janë, nuk ka gjasa të plotësojnë nevojat e më të varfërve. P sh. 20 herë më shumë para shpenzohen në hulumtimin e barnave për dobësim (elegancë) sesa për hulumtim të malaries, një sëmundje që vret më shumë se një milion njerëz çdo vit.

 

Këshillat e Çang do të duhet të merreshin parasysh për ekonominë e shqiptarëve, sidomos në Shqipëri e në Kosovë. Kjo ekonomi është tepër e dobët, edhe për shkak të privatizimeve masive që e lanë gjithçka në “dorë të tregut”. Mbyllja e fabrikave dhe shkatërrimi i prodhimit transformoi radikalisht ekonominë dhe shoqërinë tonë, duke na shndërruar në vende thuajse tërësisht tranzitore, ku sovraniteti gjithnjë e më shumë ka të bëjë vetëm me garantimin e korridoreve ku kalojnë mallra e fuqi punëtore prej prodhuesve të tjerë te tregje të tjera.

 

Pikërisht kjo lloj ekonomie “e re” shkakton si pasojë studimin e kaq shumë vetave për juridik, shkenca politike apo marketing, pasi të qenët avokat, menaxher, marketer apo “politikan” u bënë të vetmet punë “prodhuese” në ekonomitë tona. Po të kishim ende fabrika edhe ferma, do të kishim edhe inxhinierë e agronomë. Ekonomia ua jep formën ëndrrave dhe aspiratave personale, e para se të synonte reformimin e këtyre të fundit, Rama do të ishte mirë të konsideronte reformimin e vetë ekonomisë shqiptare.

 

Papunësia dhe varfëria janë ato që e mbajnë të zbrazët përpjekjen për të treguar dinjitet në politikën e jashtme. Që deklaratave të veta në Beograd e gjetiu Rama t’u japë vlerën substanciale që meritojnë, ai duhet të forcojë politikën e brendshme në tri shinat kryesore, atë të administratës, të drejtësisë dhe të ekonomisë.

 

Me administratën “Rama” deri tani ka pasur një sukses relativisht të vlerësueshëm, dhe duket se po instituon një burokraci më të rregullt, të ngjashme me atë të një vendi funksional. Te drejtësia përpjekjet po duken pozitive, edhe pse barrierat janë të mëdha. Duhet kuptuar se drejtësia nuk mund të reformojë, madje as të funksionojë pa një ndjenjë të fortë qytetarie e komunitarizmi, e cila gjithnjë ka një element nacionalizmi, apo që ta quajmë me një term më “të lehtë”, patriotizmi, të cilin Rama ka nisur ta vlerësojë e të investojë në të.

 

E për ekonominë, ende s’po duken shenjat. Për t’u rikthyer te Çang, ai rreshton dhjetëra shembuj të domosdoshëm për t’u marrë parasysh për ndikimin pozitiv të dy politikave disi të “harruara”, që janë investimi shtetëror (ndërmarrjet shtetërore) dhe politikat proteksioniste. Zhvillimi gjithnjë buron nga brenda dhe nga jashtë veç ndihmohet, pohon Çang.

 

Ndër shumë rastet kur investimet shtetërore kanë qenë kyç për zhvillimin e një vendi, Çang diskuton edhe vetë Korenë e Jugut dhe industrinë e famshme të çelikut që ka ky vend. Ai rrëfen se si në vitet ’70, ky vend ende i pazhvilluar, nuk kishte as traditë e as burime në këtë sektor, por as në ndonjë sektor tjetër. Asokohe u përpoqën të ngjallnin interes tek investitorët privatë, por situata gjeopolitike e atjeshme, si dhe mungesa e ndonjë avantazhi komparativ i mbajtën larg privatët, e po ashtu edhe kredidhënësit. Kështu që, drejtuesit politikë morën vendimin që t’i krijojnë vetë këto avantazhe krahasuese, duke themeluar një industri të përpunimit të çelikut, e cila funksiononte veç me lëndë të para të importuara, e cila prodhoi punësim, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, dhe një seri eksternalitetesh pozitive, ndër të cilët edhe rritja e fuqisë blerëse, që inicioi një treg konsumi i cili po ashtu u shndërrua në instrument për rritjen ekonomike.. Dekada më vonë, pasi ky sektor u stabilizua dhe nisi zhvillimi i sektorëve të tjerë të ekonomisë, shteti koreanojugor vendosi të privatizojë aksione të kësaj kompanie, por gjithnjë duke u kujdesur për këtë sektor strategjik, edhe përmes politikave proteksioniste.

 

Ne, ndoshta e kemi humbur hapin për të zhvilluar industri përpunuese (edhe pse historia tregon se kurrë nuk “humbet hapi” përfundimisht). Por, një farë patriotizmi ekonomik do të na bënte të mendonim më shumë në këtë drejtim, edhe për të zgjidhur problemin e punësimit si problem parësor, por edhe për të ngjallur e mbrojtur prodhimin vendor.

 

Zhvillimi i industrive të lehta, edhe përmes investimit shtetëror, edhe përmes dirigjimit të kapitalit, si dhe unifikimi i plotë i tregjeve dhe i politikave proteksioniste të Shqipërisë me Kosovën është një domosdoshmëri (jo për inat të Serbisë së Nikoliçit dhe Vuçiçit e cila në 2013 ka pasur bilanc tregtar shtatëfish në favor të tyre kur vjen puna te tregtia me Shqipërinë, e njëzetfish me Kosovën) por në të mirë të vetë shqiptarëve që kanë të drejtë të mos mbeten në këto nivele të larta të papunësisë e të varfërisë që janë shqetësuese edhe krahasimisht me rajonin. Të mos harrojmë se popujt rreth e rrotull vlerësohen “lart” apo “poshtë” në gradat europianiste pikërisht sa i përket aftësisë që kanë pasur për të ndërtuar ekonomi të forta kombëtare (edhe pse shpesh duke vjedhur, apo duke dëmtuar popuj të tjerë). Populli më europian në këtë hitparejd është Gjermania, e cila realizoi dhe bashkim kombëtar në emër edhe të ndërtimit të një ekonomie funksionale, që sot është lokomotivë e Europës. Përndryshe, fukarallëku i shqiptarëve do të mbetet maskarallëk, dobësi dhe ndarje, dhe prezantimet “heroike” të udhëheqësve do të duken si “sharlatanizëm”, faqe më faqe me situatën e popullit të cilit ia ngjallën e ia mëkuan shpresat. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00