Home | Society | Fatkeqësia siriane e Putinit

Fatkeqësia siriane e Putinit

image
Dhe kërcënimi i ISIS po bëhet strategjik. Flukset masive të refugjatëve nga Siria dhe Iraku që ka shkaktuar ISIS e kanë shtyrë Bashkimin Europian që të nisë të mbyllë kufijtë e brendshëm dhe të kufizojë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe ndoshta edhe të disa mallrave – pikërisht e kundërta e asaj për të cilën u krijua blloku.

 

 

 

Nga Thomas L. Friedman

 

 

Kur Presidenti Vladimir Putin i Rusisë deklaroi se po përgatiste një bazë ajrore në mes të Sirisë për të luftuar Shtetin Islamik dhe për të mbështetur presidentin Bashar al-Assad, mjaft analistë e lavdëruan strategjinë e tij brilante dhe energjike, duke thënë se Putini ishte dinak si një dhelpër. Disa nga ne menduan se ishte thjesht i çmendur.

 

Dakord, pas dy muajsh, le të bëjmë pak matematikë: Deri tani, aventura siriane e Putinit ka sjellë hedhjen në erë të një avioni civilësh rus që kishte 224 persona në bord, me sa duket nga milicët pro-Isis-it që veprojnë në Siani. Turqia rrëzoi një avion bombardues rus pasi kishte hyrë në territorin turk. Dhe më pas rebelët sirianë vranë një prej pilotëve i cili ishte hedhur me parashutë për në tokë dhe një prej marinsave rusë që ishin dërguar për ta shpëtuar atë. Shumë prej rebelëve anti-Aassad në atë zonë janë turkmenë etnikë, që kanë lidhje të forta kulturore me Turqinë; Turqia nuk ishte e kënaqur nga bombardimet e Putinit ndaj fshatrave turkmene në Siri, sepse kjo e dobësonte aftësinë e Turqisë për të ndikuar në të ardhmen e Sirisë.

 

Ndërkohë, në Krime të Ukrainës, të cilën Putini e aneksoi, tartarët pro-turqë kanë prerë furnizimin me energji elektrike, duke e zhytur Krimenë thuajse në një errësirë të plotë. Dhe në tetor me dhjetëra klerikë sauditë bënë thirrje për një “luftë të shenjtë” kundër qeverive në Siri, Iran dhe Rusi.

 

Në total, lëvizja “dinake” e shahut nga Putini e ka lënë atë me shumë më tepër rusë të vdekur; ka krijuar mosmarrëveshje të reja me Turqinë dhe Iranin; e ka dobësuar në Ukrainë; e ka bërë të sillet si avokati mbrojtës i Assadit, të kthehet në një vrasës masiv të myslimanëve sunitë, të njëjtët myslimanë sunitë si ata që ka Putini në Rusi; dhe pa asnjë avantazh të vërtetë ndaj ISIS-it.

 

Përveç kësaj, ka qenë një sukses i madh.

 

Të them të vërtetën, unë uroj që Putini të ketë sukses. Kjo do të na hiqte një mori telashesh të gjithëve, sepse ISIS nuk është “skuadra J.V”, sikurse e quajti një herë Presidenti Obama. Hëpërhë ajo është skuadra “All-Star” xhihadiste. Ajo ka përzier eficencën ushtarake të oficerëve irakianë ish-Baathistë me fanatizmin fetar dhe izolimin e rremë prej të burgosuri të “Caliph Abu Bakr al-Baghdadi-t,” të saj, ekspertët e rrjetit të mijëvjeçarëve arabë dhe thirrjet drithëruese për të rinj e poshtëruar myslimanë, që nuk e kanë prekur kurrë pushtetin, një punë të denjë, apo dorën e një vajze.

 

Dhe kërcënimi i ISIS po bëhet strategjik. Flukset masive të refugjatëve nga Siria dhe Iraku që ka shkaktuar ISIS e kanë shtyrë Bashkimin Europian që të nisë të mbyllë kufijtë e brendshëm dhe të kufizojë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe ndoshta edhe të disa mallrave – pikërisht e kundërta e asaj për të cilën u krijua blloku. Kjo vetëm sa do ta ngadalësojë rritjen ekonomike të BE-së dhe do të nxitë nacionalizma më të mëdha që do të rrezikojnë unitetin e tij. BE-ja është partneri më i rëndësishëm i Amerikës në menaxhimin e sistemit global. Nëse dobësohet ajo, dobësohemi edhe ne.

 

Por që të shkatërrohet përfundimisht ISIS-i duhen kuoptuar tre gjëra: 1) Ai është prodhim i dy luftërave civile; njëra qe ndërmjet sunitëve të moderuar dhe ekstremistë dhe tjetra qe midis sunitëve dhe shiitëve. Dhe ato nxitën njëra-tjetrën. 2) E vetmja mënyrë për ta mposhtur ISIS-in është që të minimizohet përplasja midis sunitëve dhe shiitëve dhe të forcohen aftësitë luftuese të sunitëve të moderuar kundër atyre ekstremistë. Dhe 3) luftimet duhet të udhëhiqen nga arabët dhe myslimanët por të mbështeten fort nga Amerika, BE-ja dhe, po, Rusia.

 

Nëse qëllimet e Putinit janë të paqarta, dhe ndoshta të kufizuara te mbrojtja e regjimit të gjymtuar të Assadit, Obama don ta mposhtë vërtetë ISIS-in. Po aq e rëndësishme është se ai don ta bëjë këtë pa qenë Putin apo George W. Bush, por diçka midis tyre.

 

Por nuk është e qartë nëse ekziston një qasje e mesme, duke i lënë mënjanë opsionet fantazioze të shumë prej kritikëve të Obamës, si ajo e Donald Trumpit “të bombardojmë (boshllëkun) e tyre”. (Si nuk na kishte shkuar ndërmend më parë!). Të gjithë duan ta mposhtin ISIS me “Ndërhyrjen e Papërlyer”: më tepër bomba nga ajri apo trupat, çizmet rreziqet apo transformimet politike të dikujt tjetër.

 

Më vjen keq, por që të mposhtet përfundimisht ISIS duhet përforcuar bashkarisht koalicioni. Duhet që Arabia Saudite dhe fuqitë kryesore fetare suite ta delegjitimojnë agresivisht narrativën islamiste. Duhen trupa terreni arabe, kurde dhe turke – të mbështetura nga fuqia ajrore e SHBA-ve dhe NATO-s dhe nga forcat speciale, me mbështetjen konstruktive të Rusisë – për ta çrrënjosur ISIS-in derë më derë.

 

Duhet që Irani të nxitë qeverinë me udhëheqje shiite në Bagdad që të krijojë në “Sunistan” gjysmë-autonom në zonat e kontrolluara nga ISIS, duke iu dhënë irakianëve të moderuar sunitë të njëjtat pushtete të zhvilluara si të kurdëve në Kurdistan në mënyrë që të kenë një alternativë politike ndaj ISIS-it. Dhe duhet që Irani të pranojë një tranzicion politik në Siri që të mund ta zëvendësojë Assadin.

 

Me pak fjalë, duhet ose një një zgjidhje e fuqishme politike që ta pranojnë dhe ta garantojnë të gjithë aktorët, ose një forcë e armatosur që ta shtypë ISIS-in dhe më pas të qëndrojë në rajon pafundësisht, në mënyrë që ISIS-i të mos kthehet më. Obama nuk mund ta garantojë të parën dhe nuk dëshiron ta bëjë të dytën. Këtë nuk e do as populli amerikan dhe as kritikët e Obamës, pavarësisht se çfarë mund të thotë ndonjëri prej tyre.

 

Mund të thuhet se kur vjen puna te ISIS dhe Siria, Obama ka bërë një punë të pamundur keq, dhe disa gjëra të tjera mund të ishin bërë më mirë. Por do të vazhdojë të jetë një punë e pamundur për sa kohë që aktorët kryesorë në rajon do t’i përcaktojnë interesat e tyre në kuptimin “o këtë, o rash e vdiqa” dhe për sa kohë që shumica e demokratëve të vërtetë në atë rajon do të jetojnë jashtë. / The New York Times

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0