Home | Society | Dje frikё nga shteti, sot frikё nga mungesa e shtetit!

Dje frikё nga shteti, sot frikё nga mungesa e shtetit!

image
Njerzit nuk duan tё jenё nostalgjikё, por ja qё nё kushtet e “dimrit tё acartё” tё ditёve tё sotme, sikur “ngushёllohen” kur kujtojnё ato pak “rreze tё ngrohta” tё “dimrit” qё lamё pas! 

 

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi   

 

 

 

Dikur, kur kishte shtet, njё Safet ruante njё qytet, kurse sot, edhe njëqind policё nuk ruajnё dot asnjё rrugicё! Ёshtё rastёsore qё rimon shprehja, por nuk e kam aty qёllimin se sa tek realiteti qё jetojmё, kur ёshtё fjala pёr rendin... Safet, quhej njё kapter i plotfuqishëm nё njё nga lagjet e qytetit, por kjo nuk do tё thotё qё e kishin frikё kapterin, por kishin shtetin, i cili qёndronte prapa Safetit! Shteti qёndronte prapa tё gjithёve, edhe prapa mёsuesit, edhe prapa punëtorit qё kishte dinjitet, edhe prapa punonjësit tё administratës edhe prapa edukatores sё çerdhes e kudo... Çdo shtet ka ligje dhe ligji ёshtё frika, pёr atё qё hiqet “trim” e del mbi ligjin!

 

Nё kohёt e sotme, ndryshe nga dje, pa bёrё moral se çse çfarё shteti kishim, krahasuar me kohёn e sotme nё kohёn e njё shteti formal, ka njё ndryshim tё madh. Mё mirё njё shtet e t ‘i bindemi qoftё edhe nga frika, se sa njё shtet qё askush nuk i bindet, tё gjithё kёrkojnё nga ai e askush nuk pёrfiton, tё gjithё e shajnё e ai “dremit” nё “parajsёn” demokratike! Sa mё shumё koha kalon, aq mё shumё njerzit zhgënjehen, humbasin besimin se nё tё ardhmen do tё vijnё ditё mё tё mira. Ёshtё bёrё zakon tashmё, qё krahasimet tё bёhen me tё kaluarёn, me sistemin qё lamё pas. Si pёr inat, kohёt kalojnё e sistemi i djeshёm vjen “mё afёr”, ai sistem qё ёshtё bёrё e modёs ta shajmё, ta shpёrfillim, ta ndёshkojmё, por pse jo, edhe ta kujtojmё pёr ato pak apo shumё gjёra pozitive qё kishte. Nuk ka ardhur ndonjё e keqe nga nostalgjia pёr tё kaluarёn, pёrkundrazi, e keqja po na vjen nga mungesa e besimit pёr tё sotmen, mungesa e besimit pёr tё ardhmen. Njerzit nuk duan tё jenё nostalgjikё, por ja qё nё kushtet e “dimrit tё acartё” tё ditёve tё sotme, sikur “ngushёllohen” kur kujtojnё ato pak “rreze tё ngrohta” tё “dimrit” qё lamё pas! 

 

Ende pa zbardhur dita e deri nё orёt e vona tё natёs, njerëzit shohin e dёgjojnё vetёm tragjedira, vrasje, krime brenda apo jashtё familjes, vjedhje, drogё, tё arrestuar e tё aksidentuar, aq sa krijohet idea se jemi mё shumё se nё kushte lufte. Hapen e mbyllen kronikat lajmeve televizive e faqet e shtypit me arrestime, vrasje, vjedhje e ç’nuk tjetёr. Vetёm njё gjё tё mirё nuk dёgjon, vetёm njё gjё pozitive nuk dёgjon, vetёm pёr njё akt human nuk dёgjon. Ёshtё bёrё e modёs tani, qё edhe shteti nё ato pak statistika tё “bytymta” qё jep, kёrkon tё justifikojё punёn e tij me “mё pak tё vrarё nga e njёjta periudhё e vitit tё kaluar”, “me mё pak vjedhje krahasuar me tё njёjtёn periudhё tё vitit tё kaluar”, “me mё pak tonelata me drogё, krahasuar me tё njёjtёn periudhё tё vitit tё kaluar”! Sa mё shumё “kosaxhinjtё” policё korrin bimё narkotike, aq mё shumё drogё e tё gjitha llojeve transportohet nga toka, ajri e nga deti! 

 

Tek dёgjon vetёm tё tilla “arritje” tё mёdha, nuk ka se si ata tё ashtuquajtur nostalgjikё, tё mos bёjnё krahasimin me tё kaluarёn, qё pёr hir tё sё vёrtetёs, duhet thёnё qё qeveritё postkomuniste, i marrin “tё keqen” Diktaturёs! Le tё marrim atё mё kryesoren, kujdesin pёr jetёn e njerzve. Pёr tё gjitha tё tjerat do ta bёjmё fajtor. A vriste shteti i djeshёm? Vriste, nuk thotё kush qё nuk vriste. Por, duhet tё themi edhe atё qё ai vriste, por mё parё tё paralajmëronte! Çfarё paralajmёrimi tё bёnte? “Mos mё shani, thoshte, mos bёni propagandë kundёr meje, sepse nё tё kundёrt, unё do t’ju fus nё burg, apo sipas shkallёs sё fajit, edhe ju vras! Ky ishte paralajmёrimi qё i bёnte shteti qytetarёve tё vet, tё sanksionuara nё ligje. Por, a ishin tё mira ligjet? Sigurisht që nuk ishin, por ato nuk shihen me syrin e sotёm. Ai “stan”, atё “bylmet” kishte, ishin “mjetet” qё justifikonin qёllimin e tij. Donin apo nuk donin njerëzit, ato ligje qё ishin, ato do tё zbatonin, sepse “murit me kokё, nuk mund t’i bije”, ose nё tё kundёrt, do tё pёrfundonin nё burg!

 

Por, a e deshёn diktaturёn njerëzit? Pёr tё qёnё mё realistё, e deshёn vetёm ata qё u siguronte privilegje, e deshi njё pakicё, shumica tjetёr e deshi nga frika sepse nuk kishin ç’tё bёnin tjetёr. Kishte edhe njё shtresё tjetёr, qё me gjithё “paralajmërimet” qё ju bёnte diktatura, tё thёna e tё shkruara nё ligj, pёrsёri i kundёrviheshin asaj dhe pёrfundonin nё burg. Ёshtё pёr t’u respektuar ajo shtresё, qё nuk janё tё pakёt, qё u dergjёn e u torturuan burgjeve e internimeve, me tё gjithё pjestarёt e familjes, tё afёrmit dhe farefisin e tyre, pasojat e tё cilёve do t’i vuanin edhe brezat pasardhёs. Shoqёria e sotme i heq “kapelen” atyre “tё marrёve” qё ju kundёrvunё diktaturёs, qё luftuan pёr njё rend tё ri, qё kishin nё gjak demokracinё dhe si tё tillё edhe shoqёria duhet t’i nderojё e t’i shpёrblejё, sepse nё fund tё fundit, ata e meritojnё si “dallëndyshet” e demokracisё qё kërkonin liri. Por, nga ana tjetёr, a mund tё quhen demokratё, ata qё u futёn burgjeve pёr vjedhje, ata qё u futёn burgjeve pёr krime, ata qё u futёn burgjeve pёr vepra penale tё ndryshme? Nё cilin vend demokratik sot, nuk futen nё burgje ata qё shkelin ligjin? A mund tё quhet i persekutuar sot ai hajdut biçikletash, qё “vidhte biçikletat e komunistëve, pёr tё mos shkuar ata nё punё” siç shprehet njё i “persekutuar” i sotёm qё merr shpёrblim? A mund t’i zёrё vend fjala atij mёsuesi nё Librazhd qё u fut nё burg sepse vodhi njё gomar dhe sot si Kryetar i PD, kёrkon dёmshpёrblim pёr “vuajtjet”nё Diktaturё, apo ai kuadёr qё vodhi lopёn e kooperativёs nё njё fshat tё Korçёs qё sot hiqet si i pёrndjekur, apo ai qё i vuri zjarrin stallave tё kooperativёs? Tё tillё njerёz, sot hiqen mё tё “persekutuar” nga ata qё kanё qenё me tё vёrtetё tё persekutuar, bile kёta, janё ata qё bёrtasin mё shumё nga ata qё meritojnё tё shpёrblehen. Shteti i djeshёm nuk pёrzihej fare me vjedhёsit qё vidhnin fjala vjen njё thes me misёr. Kёtyre u bёhej gjyqi nga vetё brigada, apo skuadra nё kooperativё dhe ndёshkohej. 

 

Sot vjedhin edhe njeriun e rritur dhe e shesin si “thes me misёr” sepse ja kanё “pirё lёngun” shtetit tё munguar! Nga partitё, merren mё mbrojtje lloj-lloj njerzish nё rrugё e forma tё ndryshme duke u “qarё hallin” kёtyre “tё vuajturve” nё burgjet e diktaturёs! Njёzet e pesё vjet ka, qё tё gjithё, media e shkruar dhe ajo vizive u “qan hallin” kёtyre “tё vuajturve” se sa “kёste” kanё marrё e sa “kёste” kanё pёr tё marrё! Forcat politike, nё opozitё dhe media pranё tyre “nxijnё” kёstet qё ata do tё marrin, kurse forca politike nё mazhorancё “zbardh” kёstet qё do tё marrin, qё asnjёherё nuk kanё pёr t’i marrё, por qё kёto janё vetёm “shou” pёr tё fituar vota, pёr tё fituar njё “cikё” pushtet me spekullime. Qё t’i biem shkurt, tё keqen dje, qytetarёt e prisnin vetёm nga shteti, i cili vriste ata qё nuk u bindeshin atyre ligjeve qё ai kishte. Shteti djeshëm vriste si ai “ushtari” i bindur qё shkrepte armёn vetёm kur merrte urdhёr! Pёr gjithçka tjetёr, shteti tё dilte zot, tё dilte garant pёr shёrbime, pёr kujdes. Meqё ra fjala pёr armёt, shteti i Diktaturёs kishte siguruar pёr çdo banor tё Shqipёrisё, tё kishte tre armё, tre gryka zjarri tё çfarëdo kalibri. Por askush nuk i pёrdori kёto armё pёr tё vrarё njёri-tjetrin. Tё vijmё tek shteti i sotёm, tek periudha qё jetojmё. Shteti i sotëm i ngjan atij ushtarit “bashibozuk” qё qёllon havadan e nuk dihet cilin vret, cilin plagos e cilin e lё noksan. Nё mungesё tё kёtij shteti, askush nuk e di se nga vjen e keqja. Vjen e keqja nga arma, vjen nga tritoli, vjen nga zjarri nё pallat ku nuk ka asnjë masё sigurimi, vjen nga bombulat e gazit qё ngarkohen mbi karroceritё e makinave sikur tё ishin “rrangulla” qё shkojnё pёr skrap. Kur ndodh pastaj e keqja, qё nuk janё pak raste me humbje jetё njerëzish, na dalin disa “specie-listё” shtetarё, e na japin udhёzime se si t’i pёrdorim kёto bombola gazi! 

 

Nga kush tё ruhen qytetarёt sot? Kush ёshtё mё e keqja? A ёshtё mё keq kur e di nga vjen plumbi apo kur nuk e di nga tё vjen e keqja? Edhe vetё shteti qё “vritet” nuk e di se si vret qytetarёt e vet. Shteti vret me indiferentizёm, me papёrgjegjshmёri, me mungesё kontrolli, me aksidente, me rrugёt “mesjetare” qё nuk ka fonde, me korrupsion, qё paraja “bёn” kontrollin teknik tё automjeteve, vret me fukarallëk, e nё fund tё fundit tё detyron apo tё lё nё mёshirё tё fatit qё tё vdesёsh! Shteti sot, nuk ruan dot as paratё e tij, ku edhe njё fshatar nga Kёrraba, me “shkopin” qё godet gomarin i hap kasafortat dhe i vjedh thesarin, i vjedhin bankat qё kёto janё djersa e qytetarёve, jo e shtetit! “Vaj medet” se ç‘bёhet me banesat e qytetarёve e jetёn e tyre nga hajdutёt qё janё mbi shtetin! Ky ёshtё ndryshimi i shtetit tё djeshёm qё vriste, me shtetin e sotёm qё vritesh! Shteti i sotёm as qё e ka mendjen fare se ka qytetarё e ata duan kujdes. E keqja, nё mungesёn totale tё kёtij shteti, nuk ёshtё vetёm nga ajo qё thashё mё lart, por edhe duke filluar qё nga uji i pijshёm qё mbushet nёpёr pellgaçet e Erzenit nё Kryeqytet, nga ushqimet e skaduara, nga ilaçet e skaduara. I gjithё ambienti nё Kryeqytet, ёshtё njё infeksion i gjallё, dhe imagjino se ku do tё shkojnё tё sёmurёt, kur Beqja nuk ka as urgjencё! Jo vetёm pylli qё digjet nё rast zjarri, por edhe nё mes tё Kryeqytetit, njeriu vdes nё rast zjarri, sepse nuk futet as zjarrfikësja e as ambulanca. A kanё masa sigurimi dhe mjetet e nevojshme banesat qё ndёrtohen si gjithё bota? Askujt nuk i shkon ndёrmend! E vetmja gjё qё i shkon ndёrmend kёtij “pak” shteti qё ka mbetur, ёshtё se si vjedhi e as qё i bёhet vonё se ç’bёjnё tё tjerёt poshtё qё ndёrtojnё, shesin prodhojnё, (gjithçka jashtё standardeve) vetёm e vetёm pёr tё fituar e pёr tё “rrjepur” qytetarёt fakirё qё askush nuk i mbron nga e keqja sepse jetojmё kohёn e mungesёs absolute tё shtetit. 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00