Plloshtani: Maqedonasit nacionalistë, shqiptarët dëshpërues, politika s'ndalon së shkeluri Ligjet
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor nga 4 partitë politike, për votuesit e kontestuar, dhe heqja dorë e partive shqiptare për trupin ad-hok të monitorimit të mediave për zgjedhjet parlamentare, për njohësit e rrethanave politike në vend është një veprim i papërgjegjshëm politik.
Nga Bujar Plloshtani *
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, me gjasë që do të mund të mbahen me 11 dhjetor, gjithnjë e më shumë po shtohen dhe taktizimet e ndryshme të 4 partive politike parlamentare, të cilët njëherësh dhe kanë udhëhequr me Marrëveshjen e Përzhinës.
Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, paraprakisht në listë plotësuese do të vendosen 171.500 votues, kjo tregon se partitë politike në njëfarë mënyre përmes këtij ndryshimi aludojnë në mbrojtjen e votës, por realisht ky ligj është antikushtetues, dhe se e drejta e votës si kategori kushtetuese nuk mundet që partitë politike të bëjnë ligje të tilla që t'u ndalohet qytetarëve në vendlindje të mos shfrytëzojnë të drejtën e votës. Kjo tregon për një papërgjegjësi të partive politike negociuese në këtë krizë, ndaj të drejtës së votës së qytetarëve. Zhgënjimi më i madh vjen nga partitë shqiptare që janë pjesë e Parlamentit të Maqedonisë dhe me shumë përvoj në politikë, të cilët duhej në rend të parë të ishin më këmbëngulës në synimet e tyre për të mbrojtur të drejtën e votuesve shqiptarë kudoqofshin, dhe të mos bëheshin peng i politikave tinëzare të partive maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE.
Veprimi i partisë në pushtet i BDI-së dhe partisë tjetër që ndihmon pushtetin, i PDSH-së që kanë vendosur të heqin dorë nga monitorimi i mediave, paraqet vullnet jo të mirë të reprezantimit të modelit të përfaqësimit të shqiptarëve. Heqja dorë nga monitorimi i mediave përmes një kandidati për trupin Ad-hok, që realisht duhet të ndjekë punën e mediave përgjatë kampanjës zgjedhore, edhe njëherë tregon se partitë shqiptare BDI dhe PDSH nuk janë duke kryer misionin e tyre politikë sipas asaj të drejtë që kanë fituar nga besueshmëria e qytetarit, por janë krejt të paaftë në realizimin e qëllimeve dhe interesave të shqiptarëve ne vend.
* Shkrimtar
Comments (0 posted)
Post your comment