Si shoqëri, e urrejmë modelin Jobs!
Megjithëse një pjesë e madhe e rinisë, por dhe e moshës më të madhe gëzohen me “Iphone” dhe shpikjet madhështore të modelit Steve Jobs, në fakt si shoqëri, kemi bërë një hap pas “dhe nga diktatura” për kreativitet dhe guxim në punë! Kemi ndryshuar jo për mirë duke “ja lënë kreativitetin”...
Nga Besi Bekteshi
Megjithëse një pjesë e madhe e rinisë, por dhe e moshës më të madhe gëzohen me “Iphone” dhe shpikjet madhështore të modelit Steve Jobs, në fakt si shoqëri, kemi bërë një hap pas “dhe nga diktatura” për kreativitet dhe guxim në punë! Kemi ndryshuar jo për mirë duke “ja lënë kreativitetin” vetëm modelit tregtar “blej lirë dhe shit shtrenjtë” dhe anuluar prodhimin dhe rritjen e fitimit, pasurimit dhe mirëqenies, në saj të punës kreative dhe fitimtare në treg. Në modelin çdo gjë “lehtë” dhe antiligj – gjetëm (nuk shpikëm) hashashin apo kanabisin, dhe ky është kreativiteti më i madh i shoqërisë tonë, me përjashtim të njerëzve të veçantë që nuk qëndrojnë në këtë vend. Nuk e kam fjalën vetëm te shteti, ai është një pjesë e shoqërisë – por sidomos te iniciativa private prodhuese dhe gjeneruese, e të mirave materiale dhe biznesit fitimprurës ?! Ne jemi një shoqëri sot – pikërisht në këtë kohë si “anti Jobs” dhe sigurisht anti kreativitet dhe anti respekt për njerëzit e modelit Jobs!? Po po, dhe kryesisht në biznes dhe akademizëm, por si pasojë dhe art e kulturë. Nuk jemi më mirë aspak se popujt në rajon në këtë drejtim dhe padyshim kemi sot konkurente të fortë dhe Kosovën disi më mirë se sa ne. Por nuk është ky qëllimi i shkrimit. Qëllimi është të tregoj modelin të cilin nuk e duam dhe mënyrën e shprehur nga vetë Steve Jobs.
Një nga mizerabilitetet ose shqip – varfëritë - e shoqërisë tonë, është se në mënyrë gjysëm orientale dhe gjysëm dembele, afrojmë gjithmonë atë që kërkon konsumatori dhe nuk indikojmë dhe drejtojmë tregun. Jobs thotë: disa thonë “jepini klientit atë që do”, por kjo nuk është mënyra ime. Puna jonë konsiston në atë që duhet imagjinuar çfarë klienti do të dojë, akoma më përpara se ta bëjë vetë ai! Nuk gaboj kur një ditë Henri Ford (prodhuesi i makinave Ford) ka thënë “po ti kisha pyetur klientët se çfarë do të donin, do të më përgjigjeshin një kalë më të shpejtë”?! Në përgjithësi njerëzit nuk dinë se çfarë duan, deri sa nuk ja bën ta kuptojnë atë. Prandaj nuk i kam besuar realisht kërkimet mbi tregun, sepse detyra jonë është të lexojmë gjërat përpara se të shfletojmë faqen?! Nuk ka shprehje më të qartë dhe më revolucionare, por që ka të qartë filozofinë e punës sot dhe kreativitetin – ku në fakt, te ne si shoqëri bëjmë të kundërt në “një majmunizim imitues” dhe kaq. Blejmë të gjithë një modë dhe model, hamë të njëjtën supë dhe dëgjojmë të njëjtën këngë idiote që – tregu i marrosur kërkon, duke mos bërë sundimin e të ardhmes dhe modelin Jobs. Dakord?! Na shtyn fitimi i lekëve të atyre që kërkojnë të njëjtën gjë dhe që nuk ndryshojnë – duke siguruar kështu humbjen në ndryshim.
Jobs-i e bën këtë, sepse dyshonte dhe i rebelohej dhe zotit, duke thënë se: nëqoftëse ngre gishtin – zoti e di kë gisht do të ngre, përpara se unë ta ngre?! E nejse, një e thënë e tillë, ka të bëjë me atë ndryshim radikal, gati gati inatçor, jo më “Zotin si Zot”, por me shoqërinë që beson qorrazi dhe dorëzohet plotësisht përballë dogmave, cilado qofshin ato. Jobs, pëlqen ato që shoqëria jonë nuk pëlqen dhe nuk i do. Ai pëlqen dhe respekton – të gjithë të frymëzuarit deri në marrëzi, rebelët, ato që nuk adaptohen, ata që nuk qëndrojnë me një diçka që ka shumë kohë që nuk lëviz. Me ata që duken gjithmonë jashtë kohës dhe vendit ku realisht janë. Po pra, Jobs thotë se jam me ata që i shikojnë gjërat në mënyrë të ndryshme. Ata që nuk adaptohen qartë me rregullat dhe nuk kanë respekt për “statusquo-në”?! Jobs thotë se të tillë njerëz “ju mund ti glorifikoni ose ti përflitni për keq”! Por e vetmja gjë që nuk mund ta bëni është ti – injoroni?! Sepse ato ndryshojnë gjërat thotë Jobs. Të tillë njerëz, shtyjnë racën njerëzore përpara dhe nëqoftëse dikush ju thotë jeni të “marrë” – ne i konsiderojmë gjenialë?! Ka qenë kundra këtyre modeleve njerëzore gjithmonë kjo shoqëri. Biles dhe kur dilte dikush, një drejtor, ministër apo dhe biznesmen, apo dhe mësues e njeri që kishte në dorë - e bezdisnin dhe e bezdisin deri sot, sepse e konsiderojnë gabim?! Ne jemi një shoqëri që shumë shpesh “kreativit dhe gjeniut” i themi – idiot?! E jemi ajo shoqëri që “të poshtrit, kriminelit, përfituesit, mashtruesit – ju themi të zgjuar, të fortë dhe gjenialë?! Apo jo?!
Një nga shprehjet (në fund të fundit, siguria për to është nga shtypi) të Jobs është kjo: Nuk ka kuptim të punësosh njerëz të zgjuar e t’u thuash çfarë të bëjnë; ne punësojmë njerëz të zgjuar me qëllim që të na e thonë ata çfarë të bëjmë. Nuk ka shprehje më lapidare se sa kjo. Kjo është dhe modeli jo vetëm Jobs, por dhe e një pjese të madhe në praktikat e botës së qytetëruar. Nuk është vetëm ai, por dhe Mark Zuchenberg, Bill Gates, etj etj - dhe pse një pjesë e madhe “armiq” të Jobs në kreativitet. Por unë i përmenda si emra të lartë. Problemi është se shoqëritë aty, nuk janë pengesë kryesore. Mbase mund të jetë një pjesë e saj, apo një pjesë e një lloj burokracie, apo e një lloj sistemi tipik “statusquo”, por jo shoqëria e gjitha. Këtu te ne me keqardhje e them - është shoqëria me mendim retro dhe e pa kultivuar estetikisht dhe po ashtu kulturalisht që bën kundrapedalin, jo vetëm kundra njerëzve të tillë, por dhe frymës që shpesh herë vjen nga jashtë. Ne si shoqëri vetëm pësojmë në shumicën e rasteve si kulturë dhe kreativitet të të tjerëve dhe nuk prodhojmë vetë. Sigurisht ka që e bëjnë, por në këtë vend pikërisht - nuk respektohen. Deri te biznesi – njerëzve kreativë, një injorant “padron” ju thotë se çfarë duhet të bëjnë dhe jo të shfrytëzojë dijenitë dhe kapacitetet e tyre, për të avancuar dhe përfituar në fund të fundit. Imagjinoni pastaj vështirësinë kudo në organizma privat dhe shtetëror.
Me këtë mentalitet fitues dhe të madh, Jobs arriti të thoshte për PC-të apo personal kompjuterat kështu: personal kompjuterët do të bëhen si kamionat. Ato do të qëndrojnë në xhiro, por do të jenë të përdorshëm nga pak persona?! A mos vallë nuk është kështu?! Nuk deshi pra - as të fyejë as të zhvlerësojë “armikun e tij Gates”, por koha sa vjen dhe vërteton këtë gjë. Tanimë bota i ka kompjuterat në dorë (smartphone dhe laptop) dhe në prehër si shpikje të Jobs?!
Gjithsesi ne duhet të kujdesemi që të largojmë “qerren” tonë nga idea se ajo vlen, e kjo është pikërisht qerrja shoqërore në “mendim – kreativitet”, e cila sigurisht në kohën e sotme është një pengesë e madhe për zhvillim.
Comments (0 posted)
Post your comment