Loja e plehrave dhe politika e plehrave!
Në gjithë këtë zallamahi, Europa hesht. Ambasadori Lu e quan protestën qytetare si të manipuluar. Pra shqiptarët kësaj radhe, nuk i kanë në krah partnerët ndërkombëtarë. Nuk kanë më aleatë kundër plehrave. Jo vetëm të atyre që do importohen, por dhe të atyre që duan t’i sjellin këto plehra.
Nëse e shohim legjislacionin shqiptar në përgjithësi konstatojmë se shumë kode ligje VKM e akte nënligjore, janë prodhimi i një kaosi të vërtet ligjor. I gjithë ky kaos ka ndodhur për faj të politikës. Politika, jo rrallëherë ka prodhuar ligje jo vetëm kaotikë, por dhe anti- kushtetuese. Raste të shfuqizimit të ligjit nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka mjaft. Përgjegjësia ka mbetur gjithmonë e pandëshkueshme për ata që e propozojnë vetë ligjin.
Ndryshimi i Kushtetutës nga një Kuvend i përfolur nga të gjitha drejtimet. E aq më keq. Me një duartrokitje e vota 100%, nuk pret asgjë më shumë se sa një katrahurë ligjore deri në diktaturë. Nëse Shqipëria do kishte një vizion të qartë. Do kishte një politikë kombëtare dhe demokratike, situata jo vetëm që s'do ishte e tillë, por nuk do vazhdonim këtë tranzicion të tejzgjatur.
Ligji i plehrave nxori në sipërfaqe majën e ajsbergut, pasi pasojat i vuajnë shqiptarët që varfërohen çdo ditë e më shumë këtu në Shqipëri. Politika për ta futur vendin në një kolaps të pazgjidhshëm, do sigurimin e vazhdimësisë së qeverisjes. Koalicioni qeverisës po kërkon rrugë për të bërë manipulimin e rradhës.
Pika e rradhës është Kodi Zgjedhor, ku kërkohet të vazhdohet me manipulimin e votës së emigrantëve. Politika në përgjithësi, po luan me kartën e të drejtës së votës. Luan kartën e të ardhurave që sjellin ata. Por nga ana tjetër, ata nuk deklarojnë manipulimin që bëjnë vetë partitë politike me votën e tyre.
Kur u ndryshua Kushtetuta, emigrantët as nuk ishin në dijeni të këtij ndryshimi, e jo më të merrej mendimi i tyre. Ata dhe sot e gjithë ditën nuk dinë se çfarë Kushtetute ka në Shqipëri. E gjithë tymnaja që ngrihet për të drejtën e tyre, për të votuar është thjesht një tymnajë politike. Nëse emigrantët nuk do vinin për të votuar sot nuk do kishim as këtë Kuvend, e as këtë kabinet qeverisës. Si rrjedhojë nuk do kishim as këtë ndryshim kushtetues. Vota e emigrantëve nuk është asgjë më shumë, se sa diktati i pakicës mbi shumicën si dhe lënia e një rruge të gjerë manipulimi politik ditën e zgjedhjeve.
Kjo është e vërtetuar katërcipërisht dhe askush nuk mundet ta mohojë.
Në të gjitha protestat kundër Qeverisë apo Kuvendit, asnjë grupim emigrantësh nuk merr pjesë, çka do të thotë se vota e tyre përkthehet në një votë pro qeverisëse.Nëse do shohim ndër vite, jeta e emigrantëve ka qenë inaktive në aspektin politik. Ata transportohen nga politika me çdo mjet, duke paguar me lekët e korrupsionit biletat e tyre. Por nuk mungojnë dhe marrëveshjet me qeveritë e vendeve të tyre. Këtu kam parasysh marrëveshjet me grekun. Nëse emigrantët do ishin akti (gjë që realisht nuk mund të ndodhë) atëherë po. Por për sa kohë do kemi vetëm votën e tyre të manipuluar, atëhere do vazhdojmë të qeverisemi nga qeveritë jo "legjitime".
Qeveria sot po kërkon me ngulm që emigrantët të votojnë. Madje shkojnë dhe më tej në idiotësinë e tyre patetike. Të votojnë elektronikisht apo me postë. Kësaj i thonë, ti që jeton jashtë kufirit shtetëror vendos për shqiptarët që jetojnë këtu, se kush do i qeverisë. Këtu nuk po marr rastet kur vijnë vetëm kartat e identitetit e personi nuk vjen. Pasi kjo është dhe më skandalozja. Po, a kanë të drejtë emigrantët të votojnë!? Po! Në shtetin e së drejtës, po! Në një shtet demokratik, po! Në një shtet ku vota nuk blihet si mall tregu, po! Por, jo në një vend si ky i yni, që vazhdon prej 25 vjetësh në tranzicion. Ku ndjenja kombëtare ka nivelin më minimal. Ku përgjegjësia qytetare përkthehet me interes partiak. Ku administrata zgjedhore është tejet e politizuar. Ku në ditën e zgjedhjeve bandat vërshojnë nga të katër anët. Ku njerëzit kanë frikë të deklarojnë lirshëm vullnetin e tyre. Ku vota ju kërkohet e fotografuar nga sekseri partiak. Ku mafia drejton vetë shtetin në këtë vend. Ka vetëm manipulim dhe jo votë të pastër popullore. Prandaj dhe vota sot tek ne nuk ka vlerë reale.
Duke ardhur në pushtet me votë të manipuluar qeveria është "dorë lëshuar" në paraqitjen e ligjeve. Ajo tashmë kontrollon të gjithë pushtetin pasi ky quhet pushtet i blerë. Nëse do kishim një qeverisje të pamanipuluar atëhere do kishim dhe një dhënie llogarie tjetër. Sot Kryeministri mburret me një milion shuplakat e dhënë qeveris së mëparshme. Por asnjëherë nuk mundet ti identifikojë qoftë në një moment të vetëm real, këta votues. Arsyeja e thjeshtë, shumica nuk jeton në Shqipëri. Duke luajtur me votën e tyre të blerë, sot arrihet që Kuvendi jo vetëm të ndryshojë Kushtetutën, por të shes çdo aset kombëtar. Të ndryshojë apo aprovojë çdo ligj sipas interesave të saj.
Ministrat e kabinetit nuk kanë asnjë integritet për të pasur atë detyrë. Gjithkush vepron me urdhra partie. Ata nuk kanë asnjë vizion për vetë ministrit që drejtojnë. Këtu nuk flitet vetëm për ligjin e plehrave. Flitet dhe për VKM të ndryshme, si ai i djegies së gomave ku, kryeministri apo Ministri i Mjedisit nuk e përmendin megjithëse është një plehër më e rrezikshme se plehrat e tjera.
Tashmë vendi u bë një kazan plehrash. Por kush janë plehrat në këtë rast? Populli që do mbytet nga plehrat? Apo qeveritarët, shtetarët e politikanët që votojnë ligjin për t’i sjellë plehrat e botës në Shqipëri? Me sa duket, plehra janë ata që votuan ligjin e plehrave, të cilët i bëjnë qefin plehrave që kërkojnë me insistim ti sjellin plehrat në këtë vend. Heshtja dhe apatia e një populli të varfër, mosekzistenca e sindikatave ka bërë të mundur që Kryeministri të deklarojë me mburrje nëpër Evropë. "Ejani në Shqipëri, investoni aty ç'të doni se aty nuk ka sindikata". Me sa duket e paska pasur për investimin e plehrave. Si industria më fitimprurëse që komandohet nga mafia. Sot me të drejtë çdo shqiptar ndihet i pasigurtë. Jo vetëm për sot, por dhe për të nesërmen.
Ligji i plehrave aprovohet nga ai biçim Kuvendi, kur në të gjithë territorin e vendit lulëzon droga. Tërheqja e vëmendjes nga fenomeni i drogës "detyroi" qeverinë e Kuvendin të aprovojë ligjin e plehrave. Të bindur se reagimi do ishte i madh dhe se droga do anashkalohej me politikën ditore, droga nuk përbën më lajm. Mediat tashmë janë fokusuar tek plehrat, emisionet bëhen nga njerëz të cilët luajnë lojën sa të qeveritarëve aq dhe të politikanëve.
Në këtë moment kaq delikat, presidenti i cili nuk ngurroi të dilte në protestë për parkun e lodrave tek liqeni, sot hesht. Hesht me motivacionin se do flasi me veprim për ligjin. Zoti na ruajttë, e nuk largohet për vizita zyrtare jashtë vendit. E ligji kalon me miratim në heshtje. Jo për gjë, por çudirat shqiptare nuk kanë të sosur.
Gjithsesi, unë besoj në reagimin popullor. Besoj se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se politika nuk është në mbrojtje të tyre. Se qeveria nuk ka interes për jetën e tyre, por për interesat korruptive të saja
Kjo do të thotë se. Ndryshe nga lëvizjet e para. Kthimi i ligjit për rishqyrtum në Kuvend nga presidenti, do nxjerrë zbuluar çdo politikan apo marrëveshje të fshehtë. Do duken qartazi tashmë çdo qëndrim e çdo deklaratë që është bërë pa miratim të këtij ligji. Por, do shihet dhe çdo prapaskenë e qeverisë pasi sot, qeveria ka hedhur në treg të gjithë arsenalin e saj, për të mbajtur pushtetin, i cili i duhet kryesisht për të mbyllur aferat e saj korruptive.
Kjo Qeveri e politikë është e gatshme të helmojë një popull të tërë. Të shkeli mbi çdo kufomë. Mjaft që të përfitojë çdo qindarkë tashmë dhe nga plehrat. Është e kuptueshme, kjo politikë 25 vjeçare i vodhi këtij vendi çdo gjë, e ktheu vendin në një mjerim. Me politikën e këtyre viteve u krijua një borxh kolosal. Çdo fëmijë i lindur sot, lind me një borxh 300 USD. Po nuk mjafton kjo. Ai duhet të lindë dhe në një kazan të madh plehrash.
Kryeministri po bën të pamundur të luajë me lojra fjalësh. Po krijon çdo alibi se këto janë mbetje e jo plehra. Po mundohet ti quajë dhe lëndë të parë. Po deklaron me paturpësinë e tij se ky qenka dhe biznesi që do pasurojë vendin, ku shqiptarët do punësohen në këtë industri plehrash. Me pak fjalë, kryeministri ynë kërkon që shqiptarët jo vetëm të punojnë si plehraxhinj por dhe ta kthejnë vendin në kazanin e botës.
E gjithë loja e kësaj qeverie është një lojë, e cila në çdo moment kërkon të largojë vëmendjen nga një skandal tjetër. Të vazhdojë me kaosin politik, duke nxjerrë në pah, dëshirën e saj të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht deri në zgjedhjet kuvendare. Çudirat e qeverisë, politikës e vetë kryeministrit do jenë nga më të paparashikueshmet.
Tashmë është detyra e gjithsecilit të reagojë. Reagimi duhet të jetë jo vetëm për plehrat, por për politikën që po ndiqet në këtë vend. Koha e reagimit është reale. Nëse nuk reagohet fuqishëm sot, koha e një diktature të re është mjaft e përshtatshme për t’u ricikluar në këtë vend. Tamam siç kërkojnë të riciklojnë dhe plehrat e botës.
Në gjithë këtë zallamahi, Europa hesht. Ambasadori Lu e quan protestën qytetare si të manipuluar. Pra shqiptarët kësaj radhe, nuk i kanë në krah partnerët ndërkombëtarë. Nuk kanë më aleatë kundër plehrave. Jo vetëm të atyre që do importohen, por dhe të atyre që duan t’i sjellin këto plehra. /SOT
Comments (0 posted)
Post your comment