Home | Society | Shqipëria nuk bëhet dot pa diasporën

Shqipëria nuk bëhet dot pa diasporën

image
Po çfarë është  diaspora? Në rastin e Shqipërisë është një diell që na ngroh më pak se ҫ’e lejojmë. Nëse nuk do të ishte diaspora dhe kontributi ekonomik i emigrantëve, Shqipëria do ishte një vend shumë më i varfër.

 

 

 

Ben Blushi

 

 

Po flitet shumë këto ditë per diasporën. Po çfarë është  diaspora? Në rastin e Shqipërisë është një diell që na ngroh më pak se ҫ’e lejojmë. Nëse nuk do të ishte diaspora dhe kontributi ekonomik i emigrantëve, Shqipëria do ishte një vend shumë më i varfër.

 Emigrantët kanë  qenë,  janë dhe do te jenë një nga dy motorrët e zhvillimit ekonomik dhe demokratik te Shqiperisë.

 Duke ikur, ata i kanë  dhenë  vendit po aq shumë sa ata që  kanë  qëndruar dhe këtë  e them pa hezitim. Ne që  jetojmë ketu përfitojmë nga kontributi i tyre.

 Dikush më ka thënë se nëse ata shqiptarë që kanë  ikur janë të  marrë,  ne që i kemi detyruar të ikin jemi të ҫmendur. Duhet të jetë  e vërtetë.

 Të marrët kanë  ndihmuar që ҫmenduria jonë të jetë  më pak e dëmshme.

 Emigrantët  kanë  furnizuar ekonominë tonë duke punuar kudo nëpër botë, edhe për ti dhënë shpresë këtij vendi pa shpresë.

 Por para se të flas për diasporën, dua të them dy fjalë  për emigracionin që vazhdon dhe vazhdon pa u ndalur.

 Pse ikin shqiptarët më shumë  se kushdo tjetër nga vendi i tyre?

 Çfarë  i shtyn të emigrojnë në këtë masë? Çfarë i mungon Shqipërisë? Uji, toka, ajri, dielli malet, deti, mineralet,lumenjtë?

 Perkundrazi! Të gjitha këto i kemi në masën e duhur. Ajo që na ka munguar dhe do të na mungojë është shpresa për një qeverisje te mirë.

 Shqiptarët nuk ikin nga thatësira, as nga uria, as nga lufta.

 Ata ikin si viktima të qeverive të tyre.

 Vitin e kaluar ikën 100 mijë.

 

Nëse ikja vazhdon dhe lindjet bien nën nivelin e mesatares evropiane, sigurisht që ne do te jemi një vend më i vogel në disa dekada. Fatkeqësisht, Shqipëria po zvogelohet. Ajo po emigron ose po përton të shtohet. Shifrat flasin për nje popull që  vjen duke u tkurrur. Ne 25 vjet kemi humbur 1 milion, ne 50 vitet e ardhshme mund të humbim dhe gjysëm milioni nëse vazhdojmë me këto ritme.

 Nëse para dhjetë vitesh kemi patur numrin më të lartë  të lindjeve ne Evropë, gati 16 në 1000 banorë, tani jemi pothuajse në 11 fëmijë për një mijë banorë dhe nëse nuk duam të zvogëlohemi më shumë se kaq, duhet të bëjmë dy gjëra: të frenojmë emogracionin duke nxitur kthimin e disporës dhe të shtojmë apo stimulojmë lindshmërinë me cdo formë dhe cdo mjet, pa dyshim edhe financiar. Më pak shqiptarë do të thotë më pak punë, më pak të ardhura dhe më shumë varfëri.

 Disa ditë më parë isha në Kukës. Ky qytet është realisht simboli i zbrazjes së Shqipërisë. Aty e kupton se ҫfarë i ka bërë qeverisja e keqe një populli që ka vetëm një bisedë, nga mëngjesi deri në darkë: si te ikim. Kur takoj njerëz kaq pesimiste nga veriu në jug, më duket sikur Shqipëria është kthyer në nje burg për të varfërit. Ata duken si të zënë në ҫark, si të mbyllur në një kafaz.

 Megjithatë, ҫështja sot për ne është kjo:

 Emigrantët nuk na duhen vetëm per vota! Ata na duhen për të ndryshuar Shqipërinë. Ne ankohemi se në vend kemi punë por nuk kemi fuqi puntore të kualifikuar.

 E dini kush jane shqiptaret me te kualifikuar?

 Janë emigrantët.

 

Jeta i ka detyruar të mësojnë zanate të cilat në vendin e tyre, ndoshta nuk do ti merrnin kurrë. Emigracioni është shkolla më e mirë profesionale e shqiptarëve. Prandaj them se ҫështja është si ti bindim këta njerëz të kthehen. A ka mundësi që një pjesë e tyre të kthehen dhe të investojnë këtu? Une them se po.

 Nëse 7 në 10 shqiptarë që jetojnë në Shqipëri duan të ikin nga Shqipëria, të paktën 6 emigrantë ne 10 duan të kthehen.

 Nëse qeverisim më mirë Shqipërinë, emigrantët kanë më shumë arsye të vijnë. Nëse inkurajojmë  investimet e tyre, ata mund ti grumbullojnë thërrmijat  e kursimeve të jetës e të ndërtojnë këtu në turizëm, bujqësi dhe në shërbime.

 Une besoj se ka ardhur koha për një adsministratë disporike. Djem dhe vajza të rritur apo të shkolluar jashtë,  mund të jenë pjesë e administratës sonë. Nëse do të ishte për mua,  një  pjesë e gjykatësve dhe prokurorëve të rinj që do të ndryshohen për shkak të reformës në drejtësi, duhet të ishin detyrimisht nga dispora.

 Ata kanë të drejtë të venë drejtësi në një vend që i zboi për shkak të padrejtësisë.

 Sensi i tyre i drejtësisë nuk ka mundur të deformohet për shkak të allishverisheve tona tradicionale.

 Ata vijnë nga vende të lira dhe mund të na ndihmojnë ta bëjme Shqipërinë një vend më të mirë dhe më të lirë.

 A e dini cfarë fuqie ka diaspora nëse thirret nën armë?

 Ja një rast:

 Eshtë Kombëtarja e Shqipërisë. Pa asnjë dyshim, suksesi i saj shkëlqen mbi të gjitha sukseset tona menaxheriale. Por ҫfarë eshte Kombëtarja jonë? As me shumë dhe as më pak,  është nje produkt i pastër diaspore. Djem te rritur në Evropë u bashkuan nën një flamur për të na dhënë suksesin më të madh sportiv në histori. Ata nuk na bënë  vetëm krenarë por na treguan se si mund të administrohet një projekt shqiptar me kontribut dispore. Këta djem jane shqiptarë që jetojnë në emigracion.

 Dispora ka fuqi të ndalë zbrazjen e vendit. Kthimi i tyre do ta bënte Shqipërine më të madhe dhe do ti hiqte shumë të rinjve dëshirën per të vrapuar jashtë Shqipërisë, pa e kthyer kokën prapa.

 Mendoj pra se ka ardhur koha që ti bindim dhe ti frymëzojnë të kthehen. Jam i bindur se ata skanë marrë kurrë ofertën e duhur.

 Ne duhet ti ftojmë duke i dhënë fillimisht të drejtën e mohuar të votës, duke i integruar në administratë sa më shpejt si dhe duke stimuluar dhe mbrojtur investimet e tyre financiare. Shqipëria nuk bëhet dot pa diasporën dhe diaspora nuk jeton dot pa Shqipërinë!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00