Qejfpolitikë në kohë kolere
Politika, arti i ndërtimit dhe funksionimit të një shoqërie dhe shteti, ka plot hapësirë për të harmonizuar interesat e popullit me të individëve, mirëqënien e të dy palëve. Po ashtu edhe atë të ambicieve për pushtet të politikanëve, për vetëpasurim...
Nga Ylli Polovina
Po fryn “Era e të djathtës” po i thonë në Shqipëri asaj që ngjan përreth nesh, në SHBA, në Britaninë e Madhe, në Itali së fundi. Disa e emërtojnë kështu me shpresë se mos ajo merr me vete dhe rrëzon nga karrigia e kryeminisrit Edi Ramën. Por përse erërat e kontinentit, që vijnë djathtas apo majtas, fryjnë në Shqipëri të paktën një vit më vonë dhe prej kësaj ndodh një ndryshim “gjoja”? Domethënë shkëmbehet i njëjti.
Sepse ushtrimi i politikës partiake tek ne më shpesh nuk kryhet në përputhje me çfarë për progresin shoqëror rezulton se është e nevojshme dhe në përputhje të natyrshme me rrethanat reale. Politikë ushtrimi kryhet sipas dëshirës, asaj që protagonistët e luftës së ndërsjellë për pushtet dëshirojnë personalisht, pra kanë qejf të bëhet.
Kjo mund edhe të quhet QEJFPOLITIKË.
Politika, arti i ndërtimit dhe funksionimit të një shoqërie dhe shteti, ka plot hapësirë për të harmonizuar interesat e popullit me të individëve, mirëqënien e të dy palëve. Po ashtu edhe atë të ambicieve për pushtet të politikanëve, për vetëpasurim apo edhe vetëm rol historik. Pas votimit referendar të ngushtë në rezultat të britanikëve për të dalë nga Bashkimi Evropian, zgjedhjes me dy milionë vota popullore më pak se konkurentja Klinton, por sipas ligjit amerikan me më tepër vota elektorale, e presidentit të ri të SHBA Donald Trump, humbja e thellë me njëzetë pikë diferencë e kryeministrit italian në ikje, Mateo Renci, e ka gjallëruar në Shqipëri idenë e një “ere të së djathtës”, e cila konsiderohet globale dhe kontinentale.
Sigurisht tërmetet politike që po ndodhin njëri pas tjetrit, ndërsa ka vëzhgues të cilët i parashikojnë të ngjajnë edhe në vetë motorin e BE-së, dyshen Gjermani-Francë, janë një realitet, një dukuri me forcë ndryshuese tepër të madhe. Pse jo edhe përmbysëse. E thënë gjakftohtësisht ndodhemi para një cunami politik dhe social të jashtëzakonshëm. Në shekullin e shkuar në Evropë momente të tilla janë shfaqur në fillim me shfrimin nacionalist, Luftën e Parë Botërore. Për pasojë edhe të kërcimit njëri pas tjetrit në pushtet të bolshevizmit rus dhe të fashizmit italian. Në prag të mes shekullit të shkuar me krizë të rëndë ekonomike globale u nxit revanshi i nazizmit që shkaktoi jo një gjakderdhje lokale, por vetë Luftën e Dytë Botërore. Shfrimi i tretë i cunamit politik në rruzull ndodhi në 1989, kur pjesa e tij më e madhe gjeografike në Euro-Azi, u shëmb me rrapëllimë.
Duke qenë se tani mund të ndodhemi para po kaq potence ndryshuese me kahje edhe regresive, është mirë të jemi mjaft të matur në analizat, gjykimet dhe sidomos veprimet. Siç nuk luan dot me natyrën sepse ajo, po e deformove me ndërhyrjen kundër ligjësive të saj, të hidhet përsipër, ca më fort ky rregull është edhe me dinamikën shoqërore.
Në botë dhe në Evropë nuk po fryn asnjë erë e të djathtës. Është e ekstremit të saj, ultrasit. E djathta në Gjermani është Merkeli, në Francë kandidati me më shumë mundësi për t’u bërë president, Fransua Mijon. E djathta shqiptare, ajo që e merr tonin prej më të vjetrit politikan të krahut të saj, Sali Berisha, shtyhet përpara prej Lulzim Bashës dhe mes bluve vihet në lëvizje edhe nga disa figura të tjera interesante, nuk është aspak as modeli i Le Penit në Francë, as i Bepe Grilos apo Mateo Salvinit në Itali. Për fat, edhe pse me imazh të shumëdëmtuar si pothuaj tërë politikanët, të mësipërcituarit janë për një shoqëri shqiptare mjaft më të emancipuar.
Kështu ata nuk duhet ta kompromentojnë rolin e tyre me iluzionin se mos të skajshmit në revanshin kontinental, rrëzojnë Edi Ramën. Po e inkurajuan këtë gjoja ndihmë do të shohin se ata që po vijnë dhe duhen ndalur, janë kundërshtarët e tyre imediatë. Kanë për t’u zënë rrugën menjëherë. Do të vijnë nga hijet dhe do t’i likujdojnë shpejt e shpejt. Edi Ramës ose çdo tjetri që vjen nga e majta, rradha do të jetë e dyta.
Gjermanët e rivotuan si kryetare partie të së djathtës së tyre zonjën e hekurt Merkel, sepse vetëm ajo mund t’i ndalë ekstremistët e gjallëruar për t’u bërë kancelarë. Vetëm Fijon në Francë që të mos shndërrohen në presidentë. Të gjithë duhet të përkrahim këtë front lufte, qofshim të çdo ideje e kombi evropian. Pasi të zgjidhet kjo çështje le të vijojë beteja mes “klasikëve” të majtë e të djathtë.
Veç ne shqiptarët ca më tepër se të tjerët përreth kufijve tanë, llogaritë i bëjmë sipas qejfit, edhe aleancat taktike po ashtu. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në përmasë globale Ruzvelti, Çërçilli dhe Stalini përcaktuan rrezik të parë Hitlerin dhe kur e hoqën qafe, mëkëmbën Luftën e Ftohtë, në viset tona stili i veprimit të një prej organizatave politike kombëtare më të mëdha në historinë tonë, u krye në të anasjellën.
Pra, stërprapthi. Kështu që edhe rezultati u erdhi allasoj.
Comments (0 posted)
Post your comment