Home | Society | Shqiptarët dhe sëmundja e kapitalizmit, ose depresioni!

Shqiptarët dhe sëmundja e kapitalizmit, ose depresioni!

image
Marrëzitë e momentit të sotëm dhe shpërthimeve raptus me vrasje dhe vetëvrasje si brenda dhe jashtë familjes, sidomos për arsyet e gjendjes së përgjithshme, janë modelet e sëmundjes së madhe të kapitalizmit ose depresionit shoqëror!

 

 

 Nga Besi Bekteshi

 

 

 

Marrëzitë e momentit të sotëm dhe shpërthimeve raptus me vrasje dhe vetëvrasje si brenda dhe jashtë familjes, sidomos për arsyet e gjendjes së përgjithshme, janë modelet e sëmundjes së madhe të kapitalizmit ose depresionit shoqëror! Shqiptarët në fakt, kanë filluar ti njohin më vonë se të tjerët të tilla gjendje shoqërore dhe psikologjike, duke qenë se kanë dalë nga e vetmja shoqëri e super izoluar ideologjike dhe e varfër skajshëm në kontinent. Sot kanë dalë sondazhe se shqiptarët duan Enverin mbi 50% dhe mbase është e vërtetë, por Enveri dhe klika e tij, kishin diçka që me sa duket, e kishin studiuar mirë dhe “bukur” për këtë shoqëri! Ato e mbanin skajshëm të varfër, sa që në të vërtetë, kishte një lloj barazie! Njerëzit “vuajnë për pak barazi shoqërore” dhe Enveri dhe PPSH-ja apo Nexhmija dhe të tjerët pas saj, kishin gjetur çelësin e duhur për të mos i bërë me “stres dhe me kolisterol” shqiptarët?! Në të vërtetën e kohës, stres mund të kishte vetëm 2% e shoqërisë që mbase ishte ndryshe, por të gjithë të tjerët ishin pothuaj barabar. Të gjithë ishin në punë dhe pagat ishin deri dy fish më të mëdha – jo më tepër. Sot nuk janë në punë të gjithë dhe pagat apo fitimi më mirë të them është dhjetra fish o ndoshta qindra fish më i madh në dallim nga i varfëri - te i pasuri?! Dje një hajn-hajdut që mund të ishte i pakët nuk jetonte më lart me nivel kurrën e kurrës, sot është një lartësi madhore duke bërë kontrast ekselent.

Dje pra dhe në kohën e Enverit - një i “korruptuar” megjithëse regjimi nuk lejonte, por të themi një fatorino apo banakier, shitës, taksist apo drejtor ekonomie diku, sa do të ishte i pasur, kishte mundësi shumë të pakta për diferencë të madhe në pasuri. Prona jo e jo që nuk bënte diferencë në pasuri! Administrata ishte më mirë ekonomikisht, por nuk mund të pasurohej dhe kishte vetëm një raft më të mirë apo mund të bënte pushimet më mirë – por vetëm kaq?! Vrasjet nuk ishin, vjedhjet nuk ishin, gjakmarrje nuk kishte, (e kam fjalën në përmasa si sot) policia ishte mbase e veshur keq, por ishte dhe kur polici të vinte dorën - ju e kuptoni vetë?! Njerëzit nuk ishin në rrugë, por në punë dhe shkollë, ose aksion dhe sport. Punohej dhe ditën e shtunë dhe djemtë në moshën 18-vjeç shkonin ushtar dhe merrnin aty një disiplinë rregulli nëqoftëse nuk kishte mundur t’ja jepte familja?! Dakord dhe kjo sipas meje sot është mangësi sidomos për shtresa akoma jo të dala në qytetërim. Trafik rruge nuk kishte, se nuk kishte makina, kishte stres vetëm kur nuk të dilte talloni (imagjinoni një paketë gjalpë në muaj) ose kur nga një kile qepë gjysma ishin të kalbura ashtu sikundër dhe mollët?! Por ishin të gjithë kështu ose pothuaj të gjithë barabar të varfër?! Mund të kishe stres nga brigadieri, por dhe ai e kishte të shkurtër nëqoftëse prodhonte shumë stres – as ai nuk kishte biçikletë ndryshe teje. Spitalet ishin për të gjithë dhe nuk ja mbante kujt shumë të bënte numra, biçikleta ishte për të larguar stresin dhe kaloritë që ti jepte një bukë me vezë që mund të haje në mëngjes?! Në shkollë e hiqje stresin po të ishe në orën muzikore ose të fiskulturës dhe grupet amatore apo dhe të rinisë dhe pionierëve! Të guxoje mos dilje me kilota dhe brekë të shkurtra dhe në erë të ftohët – por kjo në vend që ta shtonte stresin ta hiqte, sepse ishte për të gjithë barabar! Por dhe mbasdite shkoje në ekip sportiv apo dhe në lagje të luaje top me shokët e me shoqet?! Nuk kishte stres sepse një, dy, tre, modele pardesyje ishin, dhe nuk kishe stres se kostumet e banjës i qepje vetë, ose ishin vetëm tre modele!? E kam fjalën të izoluar me botën dhe të varfër në mënyrë të barabartë, nuk kishin pse ta vrisnin veten, sepse “na kishte vrarë si zoti dhe qeveria apo partia psikologjikisht” dhe jetonin duke lexuar ndonjë libër apo biseduar kush kishte mend- filozofikisht?! E sigurisht dhe kjo nuk ishte stresante! Ishin fibër dhe nuk kishim bark, femrat ishin jo të pudrosura dhe jo të hequra vetullash dhe gjërash të tjera, por tulat ju vinin më vonë, sepse nuk i linte puna dhe nuk kishin mundësi jo vetëm të rrinin pa lëvizur, por nuk kishin dhe kalori të tepërta për të vënë dhjamë?! Pastaj kishin dhe 15 ditë zbor!?

 

Kjo ishte koha dhe sigurisht ishte një maskarallëk, por i barabartë për pothuaj të gjithë?! Edhe sot është një maskarallëk i madh dhe kjo nuk ka dyshim – por është i pabarabartë?! E për këtë njerëzit janë në stres?! Sot sigurisht që një i pa punë dhe i varfër - merr kalori më tepër se sa një në punë në fund të diktaturës, por ndjehet vërtetë i varfër, i përmbysur, i harruar dhe i përçmuar, sepse shikon, ka sistem krahasimi edhe po të jetë i marrë - çmendur?! Sot mund të jetojnë me një batanije më të bukur se dikur dhe mund të ketë dhe frigorifer dhe televizor që mund edhe t’ja falin por skajshmëria e pabarazisë e bën në stres të jashtëzakonshëm. Jo vetëm atë, por dhe shoqërinë më lart dhe shtresën e varfër dhe të mesme, por dhe të pasurën, e cila mund të jetë e tillë, por heq realitetin jo qytetërues që kemi?! E këtë gjë e kemi prej 25 vitesh rresht?! Pabarazia streson pensionistët dhe te ne - ata janë shumë. Më shumë se në kohën e Enverit. Pse? Po sepse Enveri kishte mbyllur kufijtë dhe ishin brenda forcat e reja prodhuese të moshave. Kurse sot, të gjithë pleqtë e shkretë janë në Shqipëri dhe një pjesë e madhe e moshës së re dhe asaj për punë - ka shkuar jashtë?! Shqipëria është plakur menjëherë! Pensioni i tyre që nga fillimet e demokracisë stresante është një tallje mendereje, por në fakt edhe pagat ashtu kanë qenë, dhe vetëm nga fundi ose sot, po shikohet një lloj rimodelimi i tyre. Imagjino t’ju sigurosh shërbime dhe modele falas 600.000 pensionistëve në këtë vend?! Po pra, ku 900.000 janë nën moshë që nuk duhet të punojnë se janë të vegjël, kurse 600.000 janë në pension dhe bëjnë së bashku 1 milion e 500 mijë - kur brenda në Shqipëri sot ka 2 milionë e 700 mijë banorë?! Vendi ishte dizenjuar për të mos pasur automobila dhe pastaj në saj të Berishizmit dhe të tjerëve pas tij - u ndërtua pa rregull urban dhe sot nuk ke as rrugë, as rregull urban, dhe as modele të qarkullimit urban në Shqipëri, duke kthyer në stres dhe kaosin për të gjithë trafikun?! Ju duket ekzagjerim? E keni gabim - është 40% e stresit ditor qarkullimi miqtë e mi?! Stresi për sigurinë në punë? Po ky është vrastar dhe ka më tepër se dy dekada që mbizotëron?! Stresi i përfundimit të shkollës dhe mos gjetjes së punës – por ky është stres i sigurtë te të rinjtë dhe prindërit e tyre. Stres për pasurimin me anën e krimit? Ky është pastaj fundi i botës, sepse e përjetojnë të gjithë në lagje dhe deri në shkallë e shtëpi?! Stres për “akuzat dhe rritjen e krimit politik dhe të së thënës ulëritëse politike ashpër dhe zhurmshëm” – po kjo është përditë dhe vret jo veshët, por dhe zëmrat e shqiptarëve, sytë e tyre dhe shkatërron mendjet e fëmijëve, pa dalë akoma në jetë si adoleshentë të dëmtuar nga politika vrastare e fjalës kriminale në ringun politik?!

 

E fundit, shqiptari i izoluar dhe ideologjikisht i sunduar dhe munduar - u zgjidh zinxhirësh për të fituar një palë zinxhirë të tjerë, kësaj rradhe pa pasur nevojë e diktatorit, por në saj të vetes. Ai lëshohet në pasurim, pa rregull, pa moral dhe sidomos me nxitjen e brendshme dhe shoqërisë së sëmurë për të kompensuar gjysmë shekulli varfëri të barabartë?! Punoi por dhe trafikoi, u mundua por dhe mundoi, u fut në punë dhe në burg, me ndjenjën për tu pasuruar menjëherë dhe kjo gjë vinte vetëm kur i shkoje rrugës së antiligjit?! Në një anë prishi moralin duke përdorur drogën dhe prostitucionin, armët, vjedhjen e grabitjen, në anën tjetër, la tokën e tij pa punuar dhe punoi atë të grekut dhe italianit, por pastroi dhe haletë e Zvicrës, njëkohësisht me shpërndarjen e drogës kur kishte e mundësinë e parë. Sigurisht jo të gjithë, por një shumicë po?! Nga shteti i fortë dhe gjithçka sundues - ai tashmë jetonte me shtetin më anapulla dhe injorant, por dhe inekzistent me ligjin që mund të bëhej në Europë?! Shqiptarët mësuan të bëhen të pa barabartë dhe të kuptonin se kush ishin klasat?! Shikonte shqiptari se si idiotët analfabetë që kishin shpërndarë drogë - blinin pallate, ndërtonin restorantet dhe hotelet dhe futeshin dhe në politikë, blinin zgjedhje dhe ushtronin presion, duke bërë dhe stresin e madh politik të kohës?! Tashmë shqiptarët kanë një gjë të barabartë mes tyre – janë me stres të gjithë?! E ky është kapitalizmi premordial i tyre, model 1700 i zbatuar në kohë celulari me bekimin e demokratit të madh doktorit të zemrës?! Por në të gjithë të tjerat janë krejt të pa barabartë. Prandaj kanë filluar të “kujtojnë ose kërkojnë Enverin” sepse ai i bënte të ishin, ndiheshin të barabartë, duke ju a kruar kurrizin shpesh herë kur ju kruhesh, por dhe kur nuk ju kruhesh. A ka bërë mirë apo keq – kjo gjithmonë do të ketë kohën e vet për tu diskutuar?! Por ajo që shikohet qartë tani mbas 25 vitesh në demokraci është se nga “barabar të varfër, jemi barabar në depresion”?!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00