Home | Society | Më rastësisht, se "rastësorët" mund të drejtojnë!

Më rastësisht, se "rastësorët" mund të drejtojnë!

image
Njerëzit rastësorë në pushtetin e demokracisë, janë shumë më dëmprurës dhe shkatërrimtarë të shoqërisë. Katapultimet me preferenca krahinore, gjinie, religjioni, lagjeje, fisi, sigurisht janë më pak të dëmshëm...

 

 

 

Nga Besi Bekteshi

 

 

 

Ka një barsoletë në Shkodër, për njerëzit e rastësisë të cilët ju “bie lotaria” për të drejtuar pushtete në të gjitha kohët. Dikur një i ri nga Puka, (me origjinë nga fshatrat e bukura dhe të mbushura me pyje dhe natyrë të bukur nga ky vend) kishte mbaruar shkollën e lartë në Shkodër dhe e kishin emëruar në zonën e tij. Sigurisht që nuk ja kishte shumë dëshira, sepse tashmë për katër vite kishte mësuar dhe vlerësuar jetën urbane dhe kulturore të qytetit të madh. Dilte i shkreti në xhade – rrugë të makinës, dhe duke qenë se makinat ishin shumë të rralla, kishte vendosur që në çfarëdo drejtimi të vinte makina e parë, ti nxirrte dorën. Në fakt, makina e parë ishte një “BÇ” kineze, me dy persona brenda që u ndalën. Po ata vinin nga Shkodra, e shkonin në Fushë Arrës. I riu hipi dhe mbasi u përshëndet me dy personat, ju sqaroi kur e pyetën “ku po shkonte” se “nëqoftëse ata shkojnë në Fushë Arrës, edhe ai aty po shkonte”? Natyrisht ai nuk i njihte personat në makinë dhe folën gjatë gjithë rrugës, ku i riu demostroi si ishte një person me dijeni, i ri komunist i devotshëm, me parime të mbrujtura mirë, me mësimet e partisë dhe të shokut Enver?! Për të mos e zgjatur historinë, personat në makinë kishin qenë Sekretari i Parë i Partisë në Shkodër, me shoferin në një inspektim rastësor. Ikën ditët dhe pak më vonë, Sekretari Partisë kujtohet për të riun që hipi në makinë dhe e sjell me rekomandim në “Komitetin e Rinisë së Rrethit” e më vonë i riu u rrit akoma dhe mori poste të rëndësishme në parti dhe pushtet. Ku është thelbi i problemit në këtë rast?! Sigurisht që ka njerëz që janë “fat i rastësisë politike dhe jetësore”?! Janë produkt i rastësisë dhe mendimit të tyre që i nxjerr “ në rrugë” ku ju vjen fati, si rast i shfrytëzuar! Në ato kohë kaq ishte dhe shumë shumë, hynte dhe servilizmi – por jo më tepër se sa kaq?! Problemi i njerëzve “rastësorë” të pushtetit sot, apo “individit rastësorë” është më i koklavitur?!

Sigurisht sistemi atëhere i kalonte në sitë më mirë gjërat, sepse në fund të fundit, ideologjia dhe shteti i “ashpër” i bënte këto dhe katapultimi ishte një cilësi – por sigurisht me disa të dhëna që përputheshin me punën, që nesër do drejtoje?! “Individët rastësorë” që shpesh herë janë në pushtete medemek të zgjedhura, por kryesisht të emëruara, në kohët moderne nuk kanë lidhje, nuk kanë merita, nuk kanë profesionalizëm, dhe nuk kanë as aftësi për të bërë pikërisht punën e lartë të pushtetit në zgjedhje apo dhe emërim! Njerëzit rastësorë në pushtetin e demokracisë, janë shumë më dëmprurës dhe shkatërrimtarë të shoqërisë. Katapultimet me preferenca krahinore, gjinie, religjioni, lagjeje, fisi, sigurisht janë më pak të dëmshëm, në fajin e madh që sjellin “rastësorët” e lekëve dhe korrupsionit që katapulton individë në mënyrë tragjike - shkatërrues vlerash qytetare dhe morale. Kjo sëmundje e madhe e këtyre 26-të viteve, filloi me ngjashmërinë ndaj regjimit të mëparshëm dhe nga fundi, ka bashkuar atë marrëzi politike me kriminalitetin korruptiv të kohës në medemek demokraci?! E të gjitha këto përmbyllen me termin “tranzicion” në Shqipëri?!

 

Sidomos në pushtet vendor dikur, por dhe me komunat e shumta dhe bashkitë po ashtu – rastësia e individëve pa asnjë rekord dhe biles me rekorde të dyshueshme, ka sjellë kohën që përjetojnë sot një pjesë e bashkive të vendit që sërish kanë në majë njerëz të rastësisë apo katapultimit korruptiv në majë të drejtimit. Një tjetër “rastësi” është dhe modeli “grua e mirë apo burrë i mirë” për njerëz që sigurisht nuk kanë lidhje me drejtimin, as me daljen në majë të piramidës drejtuese me aftësitë e treguara në drejtim. Më e vogla është kjo, sepse sigurisht janë interesat aspak të mira që i bëjnë të ngjiten deri aty, ku sigurisht nuk janë ngjitur me aftësi. Shumica e “rastësorëve” dhe “katapultuarve” bëjnë punën e tyre që nuk ka lidhje me drejtimin e një qyteti apo dikasteri, dhe si pa kuptim, konsiderohen dhe “të zot” për çfarë kanë bërë. Ka shembuj kaq shumë, sa është e kotë të merresh me emrat se sa ka rëndësi me fenomenin. Imitojnë partinë dhe sekretarin e dikurshëm me “BÇ”, por kësaj rradhe kanë “Mercedes” të fundit, dhe janë në pluralizëm së paku me letra?! Këto individë shkojnë shpesh herë dhe dëm. Por kjo është për tu diskutuar. Por “rastësorët” bëjnë një dëm shumë të madh, sepse pengojnë njerëzit e vërtetë të punës dhe profesionit! Mund të ekzagjerohem, por pengojnë dhe njerëzit e saktë, të mirë ditur dhe mirë qartësuar politikisht. Pengojnë njerëzit e vizioneve dhe mendjes së kthjellët, pengojnë në fund të fundit “individët që e kanë seriozisht dhe sinqerisht”?!

 

Pengojnë dhe bëjnë dëme të mëdha, duke zvarritur shoqërinë monopateve dhe honeve, duke mos gjetur kurrë drejtimin e duhur qytetar dhe urban. Kudo në Shqipëri kjo gjë ( ka vite e vite), por duke qenë se njoh më mirë Shkodrën dhe e njoh thellësisht që nga kohëra të largëta si qyteti i vetëm i madh shekullor, gjithmonë në qytetërim – flas më tepër për të!

 

 Ka një urë të re mbi Bunë ky qytet. Sigurisht me një projekt retro dhe aspak i bukur, por ja që e ka! Në fund të fundit, asnjë qytet tjetër nuk e ka një të tillë?! Ka më tepër se gjashtë muaj që vetëm “Ura e Bunës e Re” nuk ka ndriçim?! Jo jo - asnjë lloj ndriçimi. Po ashtu ka muaj që e ka (kjo urë) tabelën elektronike të prishur dhe askush nuk kujtohet! Ka mbetur i vetmi qytet i madh në Shqipëri që vazhdon të jetë “një fshat i madh ku shitet nëpër rrugë dhe trotuare”?! Tentojnë gjithmonë ta rregullojnë këtë gjë, por po si gjithmonë në saj të “rastësisë” kthehet po e njëjta gjendje! Ka mbetur i fundit qytet i madh në Shqipëri, që mbledh më pak taksa për sasi të reale të bisneseve! Tani është qyteti i vetëm (Pogradeci thonë se e kaloi këtë fazë) që të “ndytat e qytetit” i lëshon në liqen dhe lumin Buna?! Ka mbetur qyteti i vetëm i madh në Shqipëri, ku trafiku është një kaos i madh urban pa arsye, (jo si raport i sasisë të madhe të makinave) dhe me sidomos tabelizim e rreth rrotullime gabim, por dhe detyrim qarkullimi anapulla?! Ka mbetur qyteti i madh i vetëm në Shqipëri, ku tarabat në treçerekun e qytetit ulen mbas orës 15:00?! Qyteti i vetëm, ku shitet sërish në rrugë dhe pse është dyqani - i cili nuk ka dyer, por vetëm tarabë mbyllëse dhe kjo gjë pothuaj deri në qendër të qytetit. Ka mbetur qyteti i vetëm i madh ku nuk ka parkime dhe vendet e biçikletave si kalim, jo vetëm që janë gabim, por nuk lejojnë (zënë vendin pa kuptim) as parkimin e mjeteve tanimë në vështirësi ku të parkohen?! Është qyteti i madh që nuk ka rregulluar kurrë tregjet e shitjes! Qyteti që edhe kur ndërtohet një supermarket ai nuk ka vende për makina?! Qyteti dikur i parqeve të shumtë që tani i ka prishur dhe i rrugëve që akoma të pa përfunduara – janë amortizuar!? Qyteti që nuk zbukurohet dot ndryshe, sepse nuk ka lekë, ose dikush nuk do që njerëzit të gëzojnë, për të jetuar një mërziti edhe më të madhe se sa vetë koha është?!

 

Patjetër ky qytet, ka dhe shumë e shumë të tjera akoma më të rënda probleme - por u mora me ato probleme që edhe një “rastësor” do të mund ti zgjidhte?! E kjo është e keqja e madhe, sepse drejtohet akoma më rastësisht se sa “rastësorët” mund të drejtojnë?! Prandaj shkon “jo rastësisht” drejt periferisë akute dhe provincionalizmit periferik. Po për fat të keq, kështu po ndodh.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0