Home | Society | Voluntarizmi i Nietzsche-s si pohim i jetës

Voluntarizmi i Nietzsche-s si pohim i jetës

image
Vullnetit ka filluar të trajtohet në mënyrë metafizike qysh nga sofisti Kalikle, i cili, është nga të parët që e ka parë vullnetin si esencë të çdo gjëje. Pikëpamja se vullneti është parësor mbi çdo sferë të jetës, duke e determinuar njeriun në veprimtarit e racionalizmit, intelektualizmit dhe emocionalizmit...

 

 

Voluntarizmi i Nietzsche-s si pohim i jetës

 



Nga Arian Musa


Vullnetit ka filluar të trajtohet në mënyrë metafizike qysh nga sofisti Kalikle, i cili, është nga të parët që e ka parë vullnetin si esencë të çdo gjëje. Pikëpamja se vullneti është parësor mbi çdo sferë të jetës, duke e determinuar njeriun në veprimtarit e racionalizmit, intelektualizmit dhe emocionalizmit, emërohet tek më vonë nga Ferdinand Tönnies; si voluntarizëm. Ky determinizëm nga vullneti, që të pranohet si esencë e çdo gjëje, shprehur nga sofisti i lartpërmendur, u trashëgua në mesjetë tek Aureli Augustin e që më vonë erdhi edhe tek Arthur Shopenhauer. Ky i fundit shihet si klasiku i voluntarizmit. Schopenhauer, për dallim nga filozofët para tij, kthehet në pozicionin kundërshtues ndaj varëshmërisë nga vullneti, ngase e konsideron vullnetin si të verbër dhe të paarsyeshëm për të na udhëhequr në jetë. Vetëm me luftimin dhe ngadhënjimin mbi çdo motiv që pason nga vullneti, sipas tij, ne do ta arrijmë lirinë autonome. Andaj jo rastësisht Schopenhauer shkon në atë pikë të fundme të pesimizmit dhe mohimit të jetës. Dhe vetëm pas këtij voluntarizmi shopenhauerjan, na vije voluntarizmi niçean, që do ta trajtojmë me theks më të veçantë.

Pas Schopenhauer-it, tani, Friedrich Nietzsche e kthen pesimizmin shopenhauerjan në dëshirën e madhe për jetë, duke nxjerr vullnetin si fenomenin kryesor të botës; tani si vullnet për fuqi. Këtë theks të veçantë mbi voluntarizmin niçean, do ta trajtojmë në gjetjen e përgjigjes lidhur me atë se: A ka vullnet të lirë? Apo, ndoshta, vullneti i lirë është një kërkim i vjetruar nga mos kuptimi i vet vullnetit?

Po të shprehesha në gjuhen niçeane mund te them se vullneti i lirë është një krijim ngase mund të jetë vetëm një koncept i trilluar që ka nisur kryesisht nga nevoja për ta bërë përgjegjës njeriun (subjektin) për veprimet e veta. Shpallja e çdo individi si vullnet i lirë erdhi nga mesjeta, që ti jepej e drejta kishës, për t’i gjykuar ata për veprimet e tyre, pa e prekur vullnetin e Zotit. Ndoshta është një interpretim një-dimensional ama, pasojat me vendosjen e vullnetit të lirë na arsyetojnë këtë përfundim të nxjerr. Pavarësisht arsyeve, kjo nismë e trajtimit të vullnetit është bërë një prej temave shumë domethënëse në filozofi, duke shtruar pyetje nga më të ndryshmet lidhur me të. Vullneti tashmë lidhet ngushtë me lirinë dhe vetëm përmes vullnetit tani mund t’i jepet kuptim lirisë apo mos-lirisë.

Është më rëndësi ta trajtojmë vullnetin përmes ndërtimit të filozofisë së Shopenhauer-it, që tutje të kapim mendimin e Nietzsche-s. Ngase është e rëndësishme se si Nietzsche e ndërton filozofin e tij mbi gjenialitetin e Shopenhauer-it. Nietzsche është dakord me Shopenhauer-in sa i përket asaj, që vullneti është ai burimi i vetëm që vë në lëvizje lokomotivën tonë drejt çdo lëvizje qoftë afrim apo largim. Do të theksoja rastin spinozian sa i përket determinizmit si fillim, që e pason filozofinë perëndimore deri tek mendimi i Schopenhauer-it, i cili, lirinë e kupton si arritja e vetëdijes për afektet, ku me këtë ai e lidh ngushtë lirinë me intelektin. Por, kjo mendësi spinozijane me Shopenhauer-in dyshohet, ngase ky i fundit mendon se, njeriu edhe pse shihet si “kafshë racionale” ku racionaliteti paraqet veprimtarinë autonome, mbrapa tij gjithmonë qëndron irracionalja apo vullneti. Vetëm në dukje është, ajo që, intelekti udhëheq ndërsa vullneti pason. Në të vërtet, intelekti është ashtu sikur një udhërrëfyes që udhëheq zotërinë e tij, apo siç e thotë Schopenauer në mënyrë metaforike: “koka me flatra e një engjëlli të pa trup”. Me Schopenhauer-in vullneti bëhet tërësia e asaj që jemi, ku mbi të ndërtohet gjithçka duke pretenduar se vije nga vendimi jonë personal. Prandaj me këtë vullnet, Schopenhauer nuk ndihet fare miqësor. Madje i shpallë luftë, duke mos pranuar komandimin nga vullneti i verbër që nuk ka asgjë personale në të. Rrjedhimisht, një shpirt i lirë s’ka se si të pranoj të udhëhiqet nga një vullnet i verbër, ngase udhëheqja nga vullneti nuk jep autonomi të vendimit tonë individual.

Andaj Schopenhauer nuk i gëzohet fare zbulimit të tij mjeshtëror e psikologjik, të gjetjes së dejit të fundmë që zë fill gjithçka. Ngase siç u pa më lartë ai na paraqitet si nihilist i vullnetit. Kjo rrjedh e këtij mendimi të voluntaristit Schopenhauer ndryshon me ardhjen e Nietzsche-s, edhe pse, edhe ky si filozof i vullnetit, tani trajta e trajtimit të tij mbi vullnetin na nxit një këndvështrim të ri për jetën. Ashtu siç e potencuam edhe më lartë Nietzsche bëhet pohues i jetës. Dhe si ana e tjetër e medaljes, ai, me këndvështrimin e tij mbi vullnetin, na sjellë vetëafirmimin e tij të madh; “vullnetin për jetë”. Por, shtrohet pyetja çka e bënë Nietzsche-n të merr një pozicion të kundërt me Schopenhauer-in? Dhe me anë të kësaj përgjigje le ti futemi më në rrënjë trajtimit të vullnetit tek këta dy filozof dhe të nxjerrim dallueshmëritë mes tyre.

Gjersa për Shopenhauerin instinkti i fundmë (ai nxitësi kryesor i gjithëçkafit) është vetëruajtja ashtu siç ishte edhe tek gjithë filozofët tjerë që merren me këtë gjë; tek Nietzsche instinkti i parë është dëshirimi për forcë. Pra, sa i përket instinktit të fundmë, për Nietzsche-n nuk është instinkti i vetëruajtjes por instinkti për forcë (gjallëri, jetë) që manifestohet në gjithçka si “rruga drejt forcës”. Ndërsa instinkti i vetëruajtjes duke përfshirë të gjitha instinktet tjera, janë vetëm pasojë e instinktit të parë. Me këtë Nietzsche e përqafon këtë pranimin e kësaj barre që e rëndon në supe Shopenhauer-in, i cili, e hidhte tutje duke dashur një çlirim nga vullneti.

Tjetra është që Nietzsche kur flet për të bukuren e nxjerr në pah edhe filozofin e Shopenhauer-it lidhur me këtë temë, se si ky i fundit, e lartëson të bukuren si një gjë e pa përcaktuar nga vullneti i verbër. Kjo prirja e Shopenhauer-it për ta vendosur të bukuren jashtë dëshirës seksuale dhe prirjes për tu riprodhuar nuk është e rastësishme, ngase i duhet ajo streha e fundit ku do të çlirohet nga “vatra e vullnetit”, duke e parë si shpëtimin e tij të fundit nga kjo barrë e madhe e kësaj urtësie mbi vullnetin.

Sa i përket kësaj strehës së fundme të Schopenauerit, se “e bukura” është tej vullnetit apo seksualitetit. Nietzsche kur flet për të bukuren në veprën “Perëndimi i idhujve” ndër të tjera shton se: E bukura në vetvete është thjesht një fjalë dhe aspak një koncept. Tek e bukura, njeriu e vendos veten si masë të përsosmërisë, madje në disa raste të veçanta ai adhuron veten si të tillë.” Ja kështu, për Nietzsche-n bëhet e dukshme se e bukura del nga vet individi. Duke pasqyruar veten tek gjërat dhe duke e ngarkuar natyrën me bukuri. Ku nga ky bollëk bukurie që e vendos vet individi, i duket se aty e ka gjetur. Madje Nietzsche, është i bindur se në veshin e një skeptiku mjafton vetëm të pyetet se mos është bota e bukur ngase njeriu e konsideron të tillë? Dhe ai do të bindet se asgjë nuk na vije nga qielli këtu mes nesh. E shëmtuara dhe e bukura nuk janë gjë tjetër veçse pikëpamje fiziologjike, ku e para e dobëson dhe e ligështon njeriun duke ia sjellë ndërmend kalbëzimin, rrezikun dhe pafuqinë. Ndërsa e dyta ja kujton të kundërtën e tyre duke i ngjallur ndjenjën e forcës dhe dëshirimit për jetën. Gjithashtu sa i përket kësaj teme, Nietzsche i referohet edhe “Platonit hynor” duke ironizuar me këtë emërim, që i ka bërë vet Schopenhauer-i kur e lartësonte atë. Por që prapëseprapë sa i përket “të bukures” kanë pozicione të kundërta mes veti (mes Platon-it dhe Schopenhauer-it) , kur është në pyetje burimi i saj: “i cili [Platoni] me autoritetin e tij mbështet një pozicion tjetër [nga ai i Shopenhauerit], që çdo bukuri të shtyn drejt riprodhimit, që pikërisht ky është proprium i efektit të saj, që nga sensualiteti më i ulët deri te shpirtërorja më e lartë…” Nietzsche për këtë kundërshti të tij që ka, sa i përket mundësisë se e bukura është jashtë vullnetit, shton – duke na kujtuar letërsinë klasike franceze që dëshira për të bukuren është zhvilluar në terrenin e interesave seksuale, duke thënë se te letërsia klasike franceze: “Te ajo mund të kërkohen kudo galanterie [dashuriçkë], ndijimet, lufta seksuale, “gruaja” – dhe nuk do të kërkohen më kot…”

Tek Shopenhaueri në veprën e tij “Metafizika e dashurisë” gjejmë se dashuria është turpi më i madh i një gjeniu që ka arritur një stad të thellë vetëdijesimi, e kjo vetëm pse vije nga vullneti. Po tani nëse shtojmë edhe këtë vështrim të Nietzsche-s për të bukurën që edhe kjo i ka rrënjët po aty tek vullneti, atëherë edhe kërkimi i të bukures, apo streha e fundit e Schopenhauer-it, duhet të jetë turp i madh për të. Por tek Nietzsche ky këndvështrim i Schopenhauer-it konsiderohet si monedhë false e një pohimi dekadent. Dekadent në atë kuptimin se është si një pohues i kalbëzimit dhe sëmundjes. Prandaj, ne nuk kemi pse turpërohemi nga pohimi i jetës dhe duhet dashur gjithçka që shpreh vullnet për fuqi. Madje individi duhet çmuar veten vetëm në bazë të këtyre vijave rritëse apo zbritëse të jetës, duke u lartësuar në shprehjen e egoizmit të tij. Ja pikërisht këtu tek vullneti për fuqi gjendet e mira dhe e keqja e shumë kërkuar. Derisa ka rritje të kësaj force nuk ka asgjë që mund të konsiderohet e keqe, gjithashtu dhe anasjelltas. Vetëm kjo mund të jetë e pranueshme për ne, ngase nuk mund të gjendet tjetër gjë përtej egoizmit tonë. Prapë edhe pas këtij pohimi ndoshta mund të na vije një turbullim për pranimin e kësaj të vërtete se asgjë nuk ka përtej egoizmit, dhe kjo krejt për faj të keqkuptimit që e bëjmë për atë se; çka është “individi”? Sipas Nietzsche-s deri sot “individi” nuk është kuptuar në mënyrë të drejt duke thënë se:

Njeriu i izoluar, “individi”, ashtu siç e kanë kuptuar deri tani populli dhe filozofët, është një gabim: ai nuk është asgjë në vetvete, nuk është një atom, as një “hallkë e zinxhirit”, as një trashëgimi e lënë nga kohët e shkuara – ai është e tërë vija e vetme rritëse e njerëzimit drejt vetes së tij…

Ndoshta nga një sqarim i këtij këndvështrimi niçean, se si duhet parë individin dhe se si nuk duhet parë, nxirremi nga kjo turbullirë e mos vlerësimit të egoizmit dhe e gjithë atyre vlerave që bartën në të. Te Nietzsche egoizmi është ajo flluska e fundit e mbetur nga qarja atomike e individit që bartë me vete vullnetin për fuqi, e që na udhëheq drejt çdo rritje të saj. Andaj edhe pyetjet çka është vullnet i lirë? Dhe a ka një të tillë? Të gjitha janë pyetje të shtruara gabim, këtu nuk ka të bëjë asgjë me vullnet të lirë. Vullneti i lirë është një ndër shpikjet më pa vend të cilat kanë mjegulluar shumë mendje të mëdha duke e marr vullnetin si diçka në vete. Sa që me Shopenhauer-in kulmon, duke shkuar deri tek mohimi i jetës për hir të kësaj shpikje. Nuk kemi çka besojmë doktrina të tilla që janë shpikur për qëllime ndëshkuese të individëve nga “zyrat” kishtare. Kur flasim për vullnetin sa i përket Nietzsche-s aty kemi të bëjmë me vullnet të fortë dhe vullnet të dobët, dhe asgjë tjetër. Se sa jemi në gjendje të vazhdojmë këtë vij rritëse të njerëzimit në ne, e përcakton fuqinë e vullnetit tonë qoftë si vullnet të dobët apo vullnet të fortë.

Një nga termat më të përmendur nga Nietzsche është dhe dekadenca ku me të shënjon gjitha përpjekjet që na shtyjnë drejt minimizimit dhe zhdukjes së vullnetit ashtu siç e cekem edhe më lartë. E kjo vije krejt për pasojë, do të thosha, të keqkuptimit të vullnetit si diçka në vetvete dhe trajtimit të instinktit të vetëruajtjes si thelbësor i vullnetit. Që nga ky keqkuptim mbyllen hapësirat që na drejtojnë drejtë një zhvillimi më të madh. Sepse çdo tejkalim i asaj që thirret për tu ruajtur, për ta, është humbje e vetvetes. Ngase vetvetja konsiderohej si diçka e paracaktuar dhe çdo përpjekje e humbjes së këtij përcaktimi duke shkuar drejt diçkafit të pa njohur është humbje e vetvetes. Do të theksoja nihilizmin e Shopenhauer-it që vije pikërisht për pasoj të këtij keqkuptimi të vullnetit; si diçka në vete. I cili me një shpirt krijuesi, ai dëshiron të ngrihet mbi të, duke e mohuar në tërësi, pa parë qartë se nuk ka asgjë të përcaktuar në të. Siç e trajton më gjerësisht në esenë e tij “Vullneti i lirë dhe fatalizmi” nga libri “Mbi natyrën njerëzore”, kur thotë se karakteri është i vendosur në vullnet si diçka e paracaktuar dhe e pandryshuar.

Me Nietzsche-n asgjë nuk ka të paracaktuar, gjithçka ndërtohet dhe se vullneti është veçse shoqërues i veprimeve tona. Brengosja jonë e vetme duhet të jetë vetëm realizimi i vetvetes në vijat më të larta rritëse të forcës sonë. Rruga më e mirë drejt vijës rritëse të vullnetit është pikërisht mos-bindja për të na përcaktuar si të tillë apo atillë, por e kundërta, kërkimi i shtigjeve të reja të krijimit më të lartë të vetvetes. Prandaj dhe thirrja e Nietzsche-s është që të mos e lëmë veten të bindemi nga tjetri, sepse të bindurit vetëm do na fashitë vullnetin, duke na humbur veprimin autonom. Kërkesa e tij nuk është që të ndalim raportin me gjithë njerëzit e mundshëm. Por përkundrazi të përballemi me këto tendenca, për tu aftësuar, që gjithmonë të arrijmë të lexojmë mes rreshtave të bindësit dhe asnjëherë të mos biem preh në sakrifikimin e vetes, për hir të një bindje, që nuk përkon aspak me vullnetin tonë. Edhe kur flet për dashurin, Nietzsche, e kupton si një luftë të vazhdueshme që bëhet mes shpirtrave njerëzor, duke ecur gjithmonë në arritjen e pasioneve më të larta. Kompromiset duhet të jenë të pa tolerueshme për një vullnet të fort, ngase aty pushon zhvillimi i pasioneve. Ata që nuk arrijnë këtë pikë vetdisimi, janë vullnete të dobëta apo siç i emëron Nietzsche, në shumë raste, si “kope”. Ato vullnete të dobëta kërkojnë ndalje për shkak të dobësisë së tyre. Ato dëshirojnë të rrafshojnë çdo gjë, duke mos lënë vend për pasione me të larta. Ky emërimi niçean i vullneteve të dobëta, për shumë kënd, mund të duket tendencioz dhe ofendues. Por nëse shohim qartë, këto vullnete të dobëta që vendosin të nënshtrohen nuk kanë ndonjë dallim nga një kope që udhëhiqet nga shkopi i një bariu. Forca e vullnetit tonë gjithmonë kërkon rrugë për tu ndjerë e realizuar, ndërsa të qenit kope është humbja e vetvetes. Nietzsche e potencon te “Perëndimi i idhujve” diçka të ngjashme, se ai që bindet nuk e ka aspak vetveten.

Thënë ndryshe ky sulëm niçean është thirrje ‘zgjimi’ për individët që kanë humbur veten e tyre nën këtë trysni tiranike. Kjo trysnia tiranike bëhet kur ne pranojmë që të vijnë autoritetet si forca të jashtme që të manifestohen në ne. Ky artikulim i këtij fenomeni mund të duket sikur të gjithë jemi të aftë të mbrojmë vetveten nga të tilla trysni që janë kaq të dukshme. Por ja që në të vërtet ajo që ndodh është e kundërta, ngase ne afektohemi duke mos e vërejtur veten fare. Trysni të tilla janë në çdo raport njerëzorë madje qysh nga prindërit, shoqëria, shkolla, ligji etj. sic e bën të dukshme më vonë edhe Foucault kur flet mbi pushtetin. 

Mësimi i Nietzsche-s është që të na vetëdisojë që të mos mësohemi të qëndrojmë gjithmonë në të mësuar si nxënës. Një shpirt i fortë është atëherë kur arrin të tejkaloj çdo bindje duke ngjizur vullnetin e tij krijues, drejt pasioneve më të larta të tij për jetën. Nietzsche njihet edhe si përçmuesi i vlerave dhe jetës kur në të njëjtën kohë konsiderohet dhe filozof i jetës. Duket një kontradikcion në vete ama nuk është i tillë, ngase mohimi i tij është kundrejt gjitha rendeve të vendosura që na qojnë në mohimin e gjitha instinkteve të forta për hir të sigurisë dhe rehatisë se kopesë. Mohimi i jetës nga Nietzsche nuk është mohim i saj si e tillë por, mohim i mënyrës se si njerëzit e asaj kohës kishin zgjedhur për të jetuar – duke ushtruar pushtet absolut mbi instinktet, deri në atë pikë të shfarosjeve të tyre. Ne, për të thënë që cila jetë është e jetuar, duhet parë nga këndvështrimi i këtij vlerësimi, që jeta e jetuar është atëherë kur e vendosim gjithë tërësinë e vullnetit tonë në plan të parë. Siç e thotë dhe Nietzsche:

Dhe atë që quajtët botë, duhet që vetë ta krijoni: arsyeja juaj, përfytyrimi juaj, vullneti juaj, dashuria juaj duhet të bëhet botë! Dhe vërtet, ky do të bëhet bekimi juaj, o kërkues të diturisë.


@ Klosi News

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00