Pensionet suplementare, grabitje me ligj e taksapaguesve
Pensionet suplementare në mënyrën që jepen, përbëjnë një padrejtësi dhe abuzim që bëhet hapur për të përfituar pushtetarët dhe një kastë e pamerituar. Në këtë aspekt, të gjithë krahët e politikës janë krejtësisht të njëjtë.
Nga Nik Necaj
Në vitin 2015 u bë reforma në fushën e sigurimeve shoqërore, ose siç thuhet rëndom, reforma e pensioneve. Sa e lehtësoi ajo barrën e buxhetit të shtetit? Sa drejtësi vendosi? Ta themi që në fillim të analizës troç: ajo veçse e rëndoi më tej barrën e buxhetit, rriti më tej disnivelet mes qytetareve e pushtetarëve. Sot, mbi 50 % e pensionistëve marrin pension nën 16 mijë lekë (nën minimumin jetik). Pensioni i tyre u rrit më pak se 500 lekë, kur paga mesatare e punonjësve publikë u rrit 7.000 lekë, kurse ajo maksimale mbi 25 mijë lekë. Tregu është i njëjtë për të gjithë.
Me ligjin e pensioneve dhe me ligje të tjera shtesë, deputetët tanë kanë miratuar privilegje e favore për veten e tyre, për funksionarët shtetërorë, prokurorët, gjyqtarët, ushtarakët, agjensitë shtetërore etj. Këto favore janë në paga e trajtime të veçanta, në moshën e daljes në pension e pensionet suplementare. Janë rreth 200 funksione, me një numër të përafërt përfituesish prej 5500 vetë, pa përfshirë këtu policët dhe ushtarakët me grada të ulta ose pa grada. Në këtë mikroanalizë po trajtojmë vetëm aspektin e pensioneve suplementare. Këta përbëjnë më pak se 0,8 % të numrit të pensionistëve dhe marrin 8,3 % të buxhetit të pensioneve. Defiçiti i skemës së pensioneve suplementare për vitin 2016 ishte mbi 4 miliardë lekë, kurse për vitin 2017 mendohet të thellohet duke shkuar në më shumë se 4,8 miliardë lekë (afërsisht aq sa është ndihma ekonomike për 80 mijë familje të varfëra shqiptare). Këto janë paradokse që ndodhin në financat tona. Pensionet suplementare në mënyrën që jepen, përbëjnë një padrejtësi dhe abuzim që bëhet hapur për të përfituar pushtetarët dhe një kastë e pamerituar. Në këtë aspekt, të gjithë krahët e politikës janë krejtësisht të njëjtë. Kjo kastë në numrin që cituam më lart merr një pension mbi 70-120 mijë lekë dhe moshën e daljes në pension nga 55 e kanë bërë deri në 60 vjeç. Shuma e kontributeve suplementare është 5 deri 6 herë më e vogël se pjesa suplementare e pensionit! Kjo thellon gropën në buxhet. Kështu ritmikisht gropa do të thellohet, pra qytetarët e thjeshtë do të vazhdojnë të paguajnë pensionet e kësaj kaste të privilegjuar e më të pamerituar jo vetëm në rajon por shumë më gjerë. Kjo del qartë nga një llogaritje e thjeshtë.
Masa e kontributeve për një funksionar me pagë 100 mijë lekë për një periudhë 36 vjeçare, siguron një pension 70 mijë lekë vetëm për 9.4 vjet. Mosha mesatare është mbi 76 vjet. Për 8 vjet të tjera ku do merren parat! Po kur i njëjti funksionar ka derdhur kontribute suplementare jo për 36 vjet, por për 10-18 vjet (siç është realisht), për sa vjet mjaftojnë ato për pensionin suplementar? Vetëm për 4-5 vjet. Po për periudhën tjetër 10-15 vjet ku merren paratë për pensione të majme? Vetëm në buxhet, tek taksat tona, tek pakësimi i ndihmës ekonomike, tek pakësimi i investimeve në rrugë, shkolla, spitale etj. Kontributet e një punonjësi me pagë minimale për 36 vjet sigurojnë një pension pak më të lartë se pensioni minimal për një periudhë 18 vjeçare, kur mosha e daljes në pension është mbi 65 vjeç e jo si e të privilegjuarve 60 vjeç. Pse ndodh kjo? Dy janë arsyet kryesore. Së pari, deputetët kanë bërë ligjin për të privilegjuar veten, të afërmit e miqtë e tyre. Tek ne jo vetëm paaftësia por edhe nepotizmi e korrupsioni janë të shtrira gjerë e thellë. Së dyti, hartuesit e zbatuesit e kësaj skeme jo se nuk i njohin efektet në buxhet, por ju intereson për ta mbajtur mirë me ligjvënësit, pasi edhe vetë janë pjesë e funksioneve të privilegjuara. Skema e pensioneve suplementare duhet riparuar urgjentisht. Riparimi duhet të arrijë:
Së pari; masa e pensionit duhet të jetë vetëm aq sa janë kontributet dhe asnjë lekë më shumë. Me këtë i bie që për funksionarët masa e pensionit në tërësi nuk mund të jetë më e lartë se 30-35 % e pensionit mesatar të llogaritur.
Së dyti; mosha e daljes në pension për të gjithë funksionarët të jetë e njëjtë me qytetarët e thjeshtë.
Së treti; funksionarët kushtetues kur largohen nga detyra e nuk kanë moshën e pensionit të mos përfitojnë shpërblim përjashtuar Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit e Kryeministrit të vendit. Me këto përmirësime mënjanohet një padrejtësi dhe buxhetit i kursehen çdo vit mbi 4.5 miliard lekë që mund të përdoren për të ndërtuar çdo vit mbi 45 km rrugë të reja, ose për të dyfishuar masën e ndihmës ekonomike, ose për të rritur çdo vit pensionet në masën 6 % etj., etj. Kjo është kauzë e qytetarëve kundër mazhorancave e opozitave që interesin personal kanë të parin. Për këto e si këto duhet të ketë protesta e jo për pushtet të një klani apo të një tjetri. Ti bëhen barrierë e pakalueshme blerjes së ligjeve nga deputetët e biznesmenët për interesat e tyre e në dëm të qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi! Transparencë e ndershmëri për menaxhimin e taksave të qytetarëve!
Comments (0 posted)
Post your comment