Aplikim, Vetting, Llotari?!
Gara për vetingun, për një vend në strukturat e posaçme nuk të siguron vetëm një pagë astronomike. Ajo shoqërohet me shumë...
Nga Bardhyl Bejko
Vetingu është tanimë fjala më inflacioniste për gjithë shqiptarët. Prej tre vitesh ka zëvendësuar përshëndetjen “mirëmëngjes”, “punë të mbarë”. Dhe pak dhe ka mundësi do të bëhet njësh me ajrin që thithim. Aq shumë citohet kjo fjalë nga mosha tre deri në njëqindvjeçarët, sa po humbet kuptimin real. Nuk ka njeri në Shqipëri të mos e ketë dëgjuar një mijë herë. Gati-gati po na bëhet si fjala “Zot”, “Mesia”, “bukë”, “ujë”. “nënë”, “motër”, “vëlla”. Dhe nga gjithë kjo përmendje në vend që të vlerësohet, duket se zhvlerësohet. Njerëzit e kapërdijnë gjithë këtë histeri, vetëm me shpresën që kanë se “vetingu” do jetë rregullatori i drejtësisë, aq shumë të dëshiruar për të gjithë shqiptarët që nuk kanë njohur në jetën e tyre asnjëherë një drejtësi të pavarur, të drejtë, ligjore, të paanshme. Po nëse vetë fjala “veting” nuk përbën asnjë problem dhe mund të kapërcehet sepse tek e fundit një emërtim leksikor është, pavarësisht nga pesha dhe përmbajtja që ka dhe simbolika që përfaqëson, këto ditë ka marrë një përmasë të re. Është bërë gati mitike. Si jo, tokësore. Është llogaria sa do kushtojë një nëpunës i rekrutuar për të bërë punën për të studiuar dhe për të verifikuar gjithë dokumentacionin për ata që do të jenë objekt i punës së “vetingut”. Së fundi u mësua numri i nëpunësve që do rekrutohet për t`i shërbyer këtyre organeve që fillojnë me “SPAK” e “KLGJ” dhe emërtime të tjera me përdorimin e gjithë shkronjave të alfabetit shqiptar, duke huazuar edhe nga alfabeti i gjuhëve të tjera, pasi shqipja nuk ia del dot të përmbushë tërë këto emërtime. Jo pak po 184 punonjës të kualifikuar, mesatarë, shumë të kualifikuar, kërkohen për t`u vënë në dispozicion të organeve të zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Nuk jemi ne që vendosim, as që bëjmë llogaritë se është një numër korrekt, më shumë apo më pak, numri njëqind e tetëdhjetë e katër. Fakti që diskutohet dhe ka gjykime të ndryshme në komisionin e ligjeve dhe një ndarje deputetësh “pro” dhe “kundër”, flet se ka vend për analizë të thelluar. Për të bërë llogari. Se pas numrit vijnë shpenzimet marramendëse. Se kërkesat janë të fryra e llogaritarët dorëlëshuar, dhe numri goxha i fryrë edhe përtej mundësive të buxhetit të shtetit tonë dhe ekonomisë së këtij vendi. Duket se gjykohet: - Hë mo, se është vetingu. Kush kursen për vetingun. Kujt ia mban. Kërko, se askush nuk thotë dot, jo. Vendos se asnjërit nuk ia mban të thotë, si shumë duken. Dhe listat do miratohen aq sa kërkohen. Një logjikë, që në realitet nuk është korrekte. Këtu nuk u bë deti kos dhe hajde të rrëmbejmë lugët se ka kaq shumë sa kurrë nuk mbaron. Edhe numri i nëpunësve kërkon studime të thelluara. Kërkon vendosjen e normave të punës për një nëpunës. Edhe një tornitor apo bukëpjekës ka një normë të caktuar. Edhe për ata ka tregues rendimenti. Do paguhesh për aq sa bën. Janë disa tregues, që nuk mund të kapërcehen as nuk mund të shkelen. Edhe pse nëpunës për vetingun. Edhe për vetingun nuk ka arsye të veprohet ndryshe. Thuhet se është reforma e reformave dhe nuk ka pse të vihen kufij. Lekët për këtë punë janë. Po tek e fundit edhe vetingun, njerëzit do ta bëjnë. Nuk do jenë supernjerëz. As vetëm shkencëtarë çudibërës. Dhe për ta kërkohet një normim dhe llogaritje për produkt/ orë apo për ditë e muaj. Kështu që nëpunës pa doganë dhe pa kriter, vetëm se do t’i shërbejë vetingut, në emër të hijes së tij, prej frikës së tij dhe organeve të tjera të reformës në drejtësi nuk ka pse të bëhemi kaq hovardarë dhe dorëlëshuar.
Po nëse numri i punonjësve është një shifër që ha diskutim, mund të negociohet e të tolerohet, ndryshohet pas debateve edhe përllogaritja për kohë pune, produkt, vështirësi, impenjim, studim, shfletim dosjesh e dokumentash, udhëtime e shërbime, dhe të vendoset të shkurtohen, njëherësh edhe të justifikohet se përcaktohen si punonjës, kryesorë, ndihmës, sekretarë, këshilltarë, AIT-i, arshivistë, protokollistë, etj., ajo që habit e të bën të lëvizësh nga vendi është paga marramendëse, që kërkohet për të shërbyer në organet e Reformës në Drejtësi. Një pagë e punonjësit pranë atyre që do bëjnë VETING-un është as më shumë e as më pak, plot 1.1 milion lekë. E që të mos ketë keqkuptime se tek ne bëhen llogari në të vjetra e të reja, këtu është fjala për lekë fiks të reja. Ose në sistem krahasues. Një vetingas do barazohet me gjashtë presidentë. Tetë ministra. Tridhjetë mësues. Tridhjetë e pesë mjekë. Njëqind infermierë. Tridhjetë e pesë policë. E nëse do vijonim me punonjës privatë, krahasimet do të çmendeshin. Dikujt do t`i dukej portofoli lugat e një tjetri lubi. Dikush tjetër do ta flakte portofolin në lumë. Dhe gjithë të tjerët do mbeteshin pa gjumë. Askujt nuk do t`i hynte puna e paga në sy. Madje do të mbeteshim të gjithë pa sy, pa veshë e pa mend. Pagë koti si qëmoti kjo e jona! Dhe të gjithë do donim të punonim në veting. Përse nuk konkuruam. Humbëm një shans.
Pasi mëson për pagat astronomike të pakrahasueshme me ato këtu tek ne pyet: Është punë në veting, apo aplikim në loton më të madhe si të bëhesh milioner!? Një pagë kaq e lartë nuk ka asnjë vend për t`u justifikuar. E di që pagabërësit, ata që merren me këtë profesion aq më tepër ata që kanë përgatitur projektin për administratorët e organeve të reformës në drejtësi do thonë: - Ku dini ju se sa vështirësi do hasin e ç`luftë do bëjnë këta punonjës me bajlozët e krimit, me njerëzit me pushtet, me ata që të blejnë e të shesin, ata që kanë edhe gurin edhe arrën, me ata që mund të blejnë me gjithçka ke?! Do t`i ruajmë apo jo nga korruptimi vetingasit?! Do t’i ruajmë të paprekur? Do iu mbrojmë ndershmërinë? Do t’i bëjmë të ndihen të mirëpaguar? Po një logjikë e tillë është vërtetë fëminore. Pse, sa më shumë të paguhen aq më të imunizuar janë e kompetentë do të bëhen këta vetingasit?! Pse, paraja me shifra të llogaritura në miliona do jetë mburoja, koraca që do të pengojë goditjen nga rrebeshi i korrupsionit? Vetëm paraja do të jetë mbrojtja nga krimi, veshja e padepërtueshme nga shitblerja, anësia, rrumbullakosja, fshehja e së vërtetës, që ata të punojnë me ndershmëri dhe të bëjnë një punë korrekte dhe të drejtë?! Këta nëpunës që do të jenë nga njerëzit tanë, rritur dhe edukuar këtu, shkolluar këtu, deri dje punonjës si gjithë të tjerët, bashkëvuajtës e bashkëfitues, miq të një bange, një tavoline, një zyre, dikush i aftë e një tjetër më i aftë apo fare i paaftë do të jenë qelibar vetëm nëse u paguan shumë? Kjo nuk do të ndodhë. Ata nuk janë aq imunë. Kriteri për të qenë i ndershëm nuk është vetëm paraja. Sa më shumë para, aq më i ndershëm. Kjo shkallë vlerësimi, që në gjenezë është e kompromentuar, nuk është fare kriter. Ndershmëria është karakter. Atdhedashuri. Idealizëm. Natyrisht edhe pavarësi ekonomike. Se tek e fundit, edhe ata qenie njerëzore janë. Dhe do ta kenë shkelur ndonjëherë. Nuk janë imunë. Nuk është se do të jenë të drejtë vetëm se do paguhen me shifra kaq astronomike. Madje kjo pagesë iu ka zënë kokën me derë që tani. Se këto paga nuk kanë asnjë krahasim me asnjë pagë tjetër.
Nuk dimë në botë se cilët janë të krahasueshmet. Po këtu tek ne vërtetë është e papërfytyrueshme një pagë e tillë, që tek e fundit është tatim - taksa jonë, që është kontribut i gjithë shoqërisë. Nuk është fjala për të mos u diferencuar vetingasit. Po jo për t’u bërë brenda vitit milionerë. Se kështu i bie që për dy tre - vite të kemi edhe nja dyqind milionerë të tjerë. Dhe me pagë. Jo me biznes. Se të ishte për biznes, le të merrnin edhe një milion euro në muaj se puna e djersa e tyre është. Këta ekstra buxhetorë do të jenë vërtetë në një front të vështirë. Po sa punonjës janë në ballë të rrezikut. A nuk janë përballë me vdekjen forcat RENEA, çdo aksion në grykën e pushkës së keqbërësve dhe kriminelëve? A nuk janë minatorët me qefinin mbi kokë? Po policët? Po prokurorët e thjeshtë? Po oficerët gjyqësorë? Po aviatorët? Po pastruesit e lëndëve kimike? Janë qindra profesione, që për shkallën e rrezikut barazohen, jo vetëm me vetingasit, por edhe i kapërcejnë ata. Janë të rrezikuar në çdo hap. Jetojnë me vdekjen në çdo sekondë. Përse të mos paguhen edhe ata në të njëjtën pagë? A nuk janë njerëz. Familjarë. Të barabartë para rrezikut, nevojave dhe zotit? Jo dikush pagë milioneri e gjithë të tjerët për bukën e gojës. Ideja se, sa më shumë lekë aq më pak rrezik nga korrupsioni, aq më të mbrojtur janë, është një përfytyrim i gabuar. Pa sens. Që asgjë nuk rregullon. Asgjë nuk zgjidh.
Gara për vetingun, për një vend në strukturat e posaçme nuk të siguron vetëm një pagë astronomike. Ajo shoqërohet me shumë benefice. Me shtëpi të garantuar. Me jetën e fëmijëve të siguruar. Me punë për gruan ose burrin. Për një punë të tillë s’ka ç’e do t’i futesh aventurës së llotarisë për t’u bërë milioner. Mjafton të arrish të shënosh emrin në këto struktura dhe pas një viti je vërtetësisht miliarder. Po pas pesë vitesh do fiksohesh në dhjetëshen e më të pasurve. Lum si vetignasit! Ato po do të jenë mbi njerëz. Sikur të ishin Batman.
Pagat kaq të larta, beneficet dhe privilegjet pa fund, duket sikur duan t’i japin këtyre strukturave një kategorizim mbinjerëzor. Ekstra. Si gati të paarritshëm. T’i paraqesin si figura mbi të gjithë. Po pse paraja do ua sigurojë një vend të tillë?! Atëherë është e vërtetë se paraja e hedh ujin përpjetë?! Sikur do jenë në luftë. Dhe heroizmin që do bëjnë, duhet t’ua shpërblejë shoqëria. Po shoqëria vetë, nëse pyetet a do të ishte dakord me shifra të tilla astronomike, që as në ëndrrat më të guximshme nuk do të mendonte askush t`i shikonte!? Se të tilla shifra e përfitime, jo vetëm që të lënë pa ëndrra, por edhe pa gjumë, sepse nuk janë të përtypshme në logjikën ekonomike të rrogëtarëve tanë. Një pagë e tillë është një “shok”. Një “shok” që lë pa frymë edhe më të mirëpaguarin. Sa kanë mësuar pagën astronomike, bërë të ditur përmes debateve, gjatë diskutimeve në komisionet e kuvendit edhe më indiferentët pyesin: - Mos e kemi dëgjuar gabim? Edhe unë e dëgjova katër - pesë herë dhe përsëri nuk jam ekzaktësisht i bindur se është paga mujore apo vjetore apo e gjithë viteve. Edhe vjetore duket e habitshme. Me pritmërinë që ka shoqëria jonë me vetingun edhe deri tani dukej sikur do të bëhet çudia. Se do arrijë në majë drejtësia. Se nuk do kemi më padrejtësi.
Se gjyqtarët do jenë peshorja e korrektesës. Po tani që njohëm pagat për punonjësit, që do i bashkohen reformës, pretendimet e shoqërisë u qindfishuan. Dhe nëse pritshmëritë nuk do arrihen, dështimet do jenë jo vetëm spektakolare, por edhe tronditëse. Se me gjithë këtë pritmëri, me gjithë këtë shpresë, më tërë këto paga e privilegje kërkesat e njerëzve qindfishohen. Nëse drejtësia do mbetet atje ku ishte, atëherë “u mbars mali e polli një mi”, por që në këtë rast duhet thënë “polli një dyzinë me milionerë”! Dhe të çudit debati mes deputetëve. Jo numër i vogël, jo pagë e vogël, jo pagë e madhe, tamam sikur të kenë hyrë në garë kush e ka më xhan dhe kush e do më shumë vetingun. PD, LSI apo PS?!
Comments (0 posted)
Post your comment