Home | Society | Kodi për t'i kuptuar shqiptarët

Kodi për t'i kuptuar shqiptarët

image
Hipnoza kolektive shqiptare duhet të kalojë. Ndoshta një vdekje mund të jetë shkas...

 

 

Nga Veton Surroi

 

 

Në shtetet shqiptare pushteti shërben për ceremoni, diplomatët amerikanë për tualete portative e vdekja e Robert Elsiet për të treguar se sa të varfër jemi në njohuri.

1.

Kur vdiq Ibrahim Rugova u themelua një Këshill për varrim. Këshilli për varrim ishte i trishtueshëm, dinjitoz dhe ceremonial. Kjo i shihej në fytyrë kryetarit të Këshillit. Ai përgatitej, disa momente para se të dilte në opinion publik, që të tregonte se Këshilli ishte i trishtueshëm, dinjitoz dhe ceremonial. Kur dikush merrte mundin të pyeste, vendor a i huaj, për ndonjë hollësi ai merrte përgjigje të trishtueshme, dinjitoze dhe ceremoniale.

Ato ditë bënte acar i madh dhe duhej menduar se si do të bëheshin nderimet publike, të qytetarëve dhe diplomatëve e të tjerëve që vinin për të dhënë përshëndetjen e fundit dr. Rugovës. Këshilli i varrimit, i trishtueshëm, përgjigjej se nderimet duhej të bëheshin në formë dinjitoze dhe ceremoniale.

Kryediplomati amerikan në Prishtinë nuk arriti të kuptojë se çfarë kuptimi operativ kanë fjalët "dinjitoze" dhe "ceremoniale". A ishin kode të fshehura për veprime logjistike: sigurimin e transportit nga aeroporti, protokollin për tubimin qendror, homazhet publike, private dhe shtetërore? Pastrimin e borës dhe akullit? Vartësit e tij shkuan për të pyetur vartësit e kryetarit të Këshillit dhe morën të njëjtën përgjigje: të jeni të sigurt se do të jetë e trishtueshme, dinjitoze dhe ceremoniale.

Kryediplomati amerikan e konfirmoi me komandantin amerikan të KFOR-it se nuk bëhej fjalë për kode, Këshilli për varrim tregonte me sinqeritet se do të paraqitej me fytyrë të trishtë, dinjitoze dhe ceremoniale. Me detajet e tjera do të merrej tjetërkush.

Dhe tjetërkushi duhej të ishte kryediplomati amerikan. E vendosën së bashku me komandantin e KFOR-it që ceremonia qendrore do të ishte në Sallën 1 Tetori. E vendosën se salla i kishte ca dritare të thyera që duhej të zëvendësoheshin, pastaj se duhet blerë ca perde të mëdha në mënyrë që ceremonia të jetë, pra, ceremoniale. Ah, po dhe që salla ishte e ftohtë, nuk kishte ngrohje të veten, andaj duhet sjellë ca ngrohëse të mëdha industriale.

Kryediplomati u mor edhe me protokollin, edhe me kush do të mbante fjalim, edhe me përcaktimin e një koordinimi sigurie për tërë ato ditë.

Dhe, u mor edhe me një çështje që nuk hyn në përshkrimin "trishtë,dinjitoz,ceremonial". Ndërsa shihte se si bëhej radha e qytetarëve në sheshin “Nënë Terezë” për t'i dhënë nderimet e fundit trupit të pajetë të dr.Rugovës, nuk kishte menduar kush se në atë acar prej minus 20 gradësh shpeshtohen nevojat fiziologjike. Kryediplomati kërkoi nga Kampi i Bondsteelit që të vendosen tualetet portative.

2.

Brenda ditëve të kaluara me veprimet e diplomatëve amerikanë në Tiranë e Prishtinë, më ra në mend diplomati, ndoshta më i miri që qëndroi në mision në Kosovë, si metaforë e trekëndëshit shteti-politika e shqiptarëve-Ambasadori.

 

Brenda ditëve të kaluara, në Shqipëri, ambasadori amerikan doli me një fjalim në të cilin përshkroi me thjeshtësinë e një paragrafi kapjen e shtetit nga krimi i organizuar. Krimi i organizuar në Shqipëri-që merret me drogë, prostitucion, armë-janë katër klane dhe 20 familje. Një strukturim i këtillë nënkupton "habitat", do të thotë territor dhe liri veprimi, në mënyrë që të ndërtohet një ndërmarrje e organizuar kriminale. Lirinë e veprimit e krijojnë institucionet e shtetit; sa më i organizuar krimi, aq më i nënshtruar shteti.

Në Kosovë, pas një pauze trejavore të paarsyetuar dhe të paarsyetueshme, Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë, por vetëm pasi një ditë përfaqësuesja e BE-së u deklarua publikisht se Kuvendi e kishte për obligim të mblidhej dhe, më me rëndësi, të nesërmen këtë mesazh e përsëriti ambasadori amerikan.

Në Shqipëri e Kosovë, shtetet mund të jenë "dinjitoze" dhe "ceremoniale", kur duhet bëhen të trishta e kur duhet të gëzuara, por punën për to ende duhet ta bëjë ambasadori amerikan.

 

3.

Në Shqipëri, ambasadori amerikan gjatë një mandati me dy veprime ka bërë diagnostifikimin e dobësisë së skajshme të shtetit. Herën e parë u dha partive kryesore politike listën me emra të njerëzve që nuk mund të kandidonin në zgjedhje për shkak të lidhjeve me krimin. Me këtë tregoi se në Shqipëri ekziston tolerancë ndaj krimit- institucionet e rendit dhe ligjit, partitë politike,udhëheqësit e partive e të shtetit-por ambasada amerikane duhet të hyjë si faktori korrigjues përfundimtar. Herën e dytë doli për të thënë atë që nuk e kanë thënë udhëheqësit e shtetit, se në vend ekzistojnë katër klane dhe 20 familje të krimit të organizuar. Në terminologjinë e kulturës perëndimore të njëqind vjetëve të fundit katër klane e 20 familje e vendosin Shqipërinë në hapësirën mes Chicagos së viteve të prohibicionit dhe Kolumbisë së Pablo Escobarit.

Ah, po, në pauzën mes dy paraqitjeve, ambasadori amerikan po ashtu bindi Parlamentin e Shqipërisë që të adoptojë legjislacionin e vettingut, me të cilin, pak a shumë, njerëzit e FBI-së që dinë bukur shumë për Kolumbinë e Escobarit mund të nuhasin me sy të mbyllur se cili prej prokurorëve e gjyqtarëve në Shqipëri është i gatshëm të lirojë nga ndjekja a burgu anëtarin e njërës prej 20 familjeve.

Në Kosovë, rrëfimi për nevojën e veprimeve të diplomatëve amerikanë filloi që me ndërhyrjen për ta çliruar vendin e mbajtur për dore për t'u pavarësuar. Kush do që ka menduar se fëmija i quajtur shtet i Kosovës është rritur, ka mbetur i zhgënjyer me nevojën që ambasadori amerikan, duke përkrahur fjalët e ambasadores evropiane, ta detyrojë Kuvendin e Kosovës që të mbajë seancë. Në analogjinë me fëmijë, t'i thuash Kosovës se ka nevojë të mbajë mbledhje Kuvendi është njëjtë sikur t'ia përkujtosh fëmijës se duhet të shkojë në shkollë.

 

4.

Ndarja e punës -shqiptarët të merren me dinjitetin dhe ceremoninë e shtetit, e amerikanët me tualetet e duket se po e mbërrin fundin me ndërhyrjet e fundit. Nuk do pritur që ambasadori në Shqipëri të marrë jelekun antiplumb dhe të niset në operacionin e kapjes së njërës prej 20 familjeve. Nuk do pritur që ai në Kosovë të bëhet edhe kryetar Kuvendi dhe t'i thërrasë seancat.

 

Hipnoza kolektive shqiptare duhet të kalojë. Ndoshta një vdekje mund të jetë shkas. Përderisa ambasadori në Tiranë merrej me katër klanet dhe 20 familjet e ai në Prishtinë me nevojën që deputetët e Kuvendit të Kosovës mundësisht të mbajnë një mbledhje Kuvendi, nga kjo botë shkoi Robert Elsie. Përgjatë dyzet vjetësh mblodhi trashëgimi shqiptarësh,ua shpjegoi të përkthyer të tjerëve, ndërsa shqiptarëve u dha incizime ninullash arbërore ukrainase e siciliane, fotografi kontësh austriakë me barinjtë-dashnorë shqiptarë, letra të përsëritura befasie të bujarëve evropianë me egërsinë magjepsëse të shqiptarëve dhe tokave të tyre.

 

Shqiptar, jo nga lindja por nga pasioni për të qenë i tillë, do të përsëriste në të gjallë se nuk do të kishte qejf të jetonte në Shqipëri. Ishte jetë tepër e avashtë dhe e çrregullt për shijen e tij. E kishte kuptuar se në ndarjen e punëve, ai duhej të ishte Instituti virtual albanologjik, ndërsa shqiptarët, të ulur me biseda të gjata me kafe duhej të ishin ata që me ceremoni dhe dinjitet do të ceknin zbulimin e djeshëm, të sotëm dhe të nesërm se janë kombi më i vjetër në këto treva. /koha

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00