Familja, qeliza bazë e shoqërisë njerëzore
Familja, në shoqërinë e industrializuar po përjeton krizën e shpërbërjes. Në shumë vende të zhvilluara të botës, është rritur...
Nga Prof. Dr. Ago Nezha
Familja, në shoqërinë e industrializuar po përjeton krizën e shpërbërjes. Në shumë vende të zhvilluara të botës, është rritur numri i divorceve dhe pakësuar numri i lindjeve.
Popullsia e vendeve të BE(EU-28) duke bërë krahasimin me vitin 1960, ku rritja ishte 406 milion, ndërsa në 1 Janar 2017 rritja është 511.8 milion. Shohim se ka një rritje relativisht të vogël. Rritja në 2016 është 1,5 milion në krahasim me vitin 2015. Megjithë tendencën në rritje në përmirësimin e standardit të jetesës, rritja vjetore e popullsisë shënon rënie. Po ta krahasojmë me vitet 1960 ku rritja mesatare ka qenë 3,3 milion, në vitet 2015-2017, rritja mesatare është 1,5 milion në vit. Në vitin 2015, për herë të dytë qysh nga viti 1961, vdekjet ishim më shumë se lindjet duke rezultuar me ulje të lehtë natyrale të popullsisë. Në këto kushte rënia ose rritja e popullsisë në 28 vendet e BE, varen nga prurjet e migrimit. Në këtë këndvështrim po të shohim disa statistika për Shqipërinë në vitin 2014-2015 rezulton se: ndryshimet natyrore janë respektivisht 5,2 për 100 persona dhe 3, 6. Ndryshimi total është 1,3 dhe 2,2. Emigrimi neto dhe ndryshimet statistikore janë 6,5 në 2014 dhe 5,7 në 2015.
Zhdukja e funksioneve të familjes
Shthurja e familjes, është kthyer në një epidemi, që ka prekur shumë vende të botës së qytetëruar. Këtij virusi nuk i ka shpëtuar dot as shoqëria shqiptare, ku ankthi dhe frika janë prezent në vatrat tona familjare.
Lëvizjet kaotike që kanë ndodhur dhe po ndodhin fshat-qytet, emigrimet e pandërprera të rinisë në vendet të ndryshme të botës, kanë krijuar raporte të reja sociale në marrëdhëniet djalë-vajzë, burrë-grua dhe prind-fëmijë. Emigrimi i rinisë Shqiptare në botën perëndimore i pa orientuar, në mënyrë pirateske i prezantoi ata si njërës xhunglash, pa dinjitet dhe personalitet shoqëror. Ky imazh bëri që një pjesë e të rinjve të trajtohen nga pronarët në mënyrë çnjerëzore, të depersonalizohen dhe të humbasin dhe ndjenjat dhe dashurinë njerëzore. Nuk janë të rralla rastet që shumë të rinj të kenë pësuar kriza nervore dhe kur janë kthyer në Shqipëri, kanë treguar papërgjegjshmëri në familje e shoqëri, duke shkaktuar dhe drama familjare e shoqërore. Dramat familjare, që po përjetojmë sot, siç ishte dhe rasti i fundit makabër në fshatin Farkë, ku djali vret babain, që s’është rasti i vetëm, veç të tjerave e kanë bazën në kushtet e reja social-ekonomike, si dhe humbjen e funksionit të familjes si bashkësi edukuese dhe formuese, si qeliza më e rëndësishme e shoqërisë njerëzore.
Ndryshimi i sistemit të centralizuar dhe kalimi në kapitalizëm kaotik, u bë në rrugë agresive, duke humbur privatësia e individit dhe e familjes. Shkatërrimi i ndërmarrjeve ekonomike, kooperativave, institucioneve social-kulturore, bëri që familjet të shkëputen nga prona dhe marrëdhëniet shoqërore në prodhim. Kalimi në ekonomi private me ligjin famëkeq 7501, ku tjetërsoi pronën dhe ja mohoi atë pronarit të ligjshëm, i varfëroi ata shpirtërisht dhe i largoi njerëzit nga njëri tjetri. Për rrjedhojë të rinjtë humbën kontaktet, bazën e njohjes, shoqërinë e gjerë. Ata nuk i njohin cilësitë morale, intelektuale apo tradicionale të njëri tjetrit.
Duke u çoroditur në ekonominë e tregut, ku pasiguria për të jetuar, mungesa e punës së garantuar, banesës dhe perspektiva e zymtë, i ka bërë të rinjtë të jenë pesimist dhe të pavendosur për të krijuar familje. Ky difuzion shpirtëror ka tronditur familjen dhe ka humbur roli i saj determinues. Përplasja e zakoneve, traditave, kulturave të ndryshme e ka zbehur funksionin e familjes. Familja në vitet e demokracisë gradualisht ka humbur një koefiçentë të lartë si bashkësi edukuese e formuese. Duke qenë se burri ka një ngarkesë të madhe dhe angazhim në punë larg familjes, gjithë barra e edukimit dhe dashuria dhe ngrohtësia familjare reduktohet te përkujdesja e nënës. Prandaj flitet shpesh për një “ matriarkat të ri në qytetet e mëdha”, për një “ qeverisje të grave”, si pjesë e formës moderne në metropolet e vendit. Gradualisht në qytetet e mëdha ka ardhur duke zbehur edhe dashuria e fëmijëve për prindërit, motrat, vëllezërit dhe gjyshërve, pa folur më për farefisin dhe fisin, që po e humb rolin e tij edukues. Afria mes vëllezërve dhe motrave ndikojnë reciprokisht në edukimin e njëri tjetrit. Fëmijët kanë uri për dashurinë e prindërve, por distanca mes tyre ka bërë që të shihen rrallë dhe humbasin dhe respektin për njëri tjetrin. Mungesa e shtrimit të tavolinës tokësore të përbashkët, ka bërë që të largohet dhe tavolina shpirtërore në familje. Në këto marrëdhënie komunikimi mes prindërve dhe fëmijëve, shtëpia kthehet në një qendër muzeale për pjesëtarët e familjes. Familja e parë në profilin biologjik dhe moral, është qeliza bazë e shoqërisë, që duhet të forcohet dhe konsolidohet. Një popull që e ka shthurur familjen, është i destinuar që herët a vonë të asimilohet si njësi kombëtare.
Familja tradicionale dhe ajo sociale
Popullimi i qyteteve nga zona të ndryshme rurale, me familje me mentalitet patriarkal, ku prindi dikton çdo veprim mbi fëmijët, ka krijuar kontradikta brenda familjes në sfondin e një mjedisi të qytetëruar. Familjet, që kanë ardhur nga fshatrat e zonës verilindore dhe janë integruar me fëmijët e qyteteve, apo mikroqyteteve, në periferi të Tiranës, si Kamëz, Laprakë, Babrru, në Durrës në zonën e Kënetës, apo Spitallës, janë përballuar me ndryshime thelbësore në aspektin moral, kulturor dhe zakonor.
Situata ekonomike, mungesa e punës dhe e profesionit, ka bërë që një pjesë e të ardhurve nga zonat rurale të Veriut apo të Jugut, të zhgënjehen dhe deziluzionohen nga realiteti i ri jetësor. Ka mjaft fëmijë, që e kanë braktisur shkollën dhe shesin rrugëve të qyteteve kinkalerira për të siguruar bukën e gojës. Të tjerë dalin në tregun e punës me mëditje, pa pasur asnjë siguri për të gjetur punë. Lëvizja e lirë, pa garantuar punë për pjesëtarët e familjes, ka krijuar plagë të rënda sociale. Në kronikat e zeza mediatike, shikojmë, dëgjojmë e lexojmë, raste flagrante, të kriminalitetit, prostitucionit, dhunës fizike dhe seksuale, fenomene këto që i ndeshim më gjerë brenda komunitetit, por në raste të rralla edhe në gjirin e familjes e të fisit.
Mbipopullimi i qyteteve, pa kriter, ka bërë që të krijohet një terren e klimë e favorshme për t’u shfaqur dukuri, që e konsumojnë funksionin e familjes. Këto familje që janë larguar nga fshati i tyre, duke braktisur shtëpinë, tokën, bagëtinë, vetëm e vetëm se duhet të shkojmë në qytet, kanë humbur pavarësinë e tyre ekonomike dhe ecin në një rrugë pa krye, si çifutët në shkretëtirë.
Në fshatin e vet, çdo familje, me pasurinë familjare që dispononte, ishte ekonomikisht autarkike në masën më të gjerë, sepse prodhonte atë, për të cilën kishte nevojë dhe konsumonte atë që prodhonte pa krijuar kriza familjare. Në kushtet e qytetit, funksioni i familjes me origjinë fshatare shndërrohet në një njësi jo më administruese, qeverisëse e ekonomisë së vet, por e një bashkësie të shpërbërë, që del në rrugë për të kërkuar punë, e fituar para, si mjet jetese. Shoqëria e periudhës industriale karakterizohet nga familja si një kështjellë ekonomike, morale e fetare, ku shteti nuk merr përsipër plotësimin e nevojave të saj.
Familja mbetet qelizë e shtëpisë dhe një vlerë e pazëvendësueshme dhe në erën industriale, megjithëse pozicioni i saj ekonomik është bërë i paqëndrueshëm. Duke qenë se ajo nuk është më vend prodhimi, nuk shfaqet si subjekt të ardhurash dhe në shoqërinë e komercializuar, vetëm individi fiton me punën e tij si konsumator. Kjo bën që një numër i madh fëmijësh të jenë barrë në kurriz të prindërve. Shoqëria preindustrial nuk e njeh politikën e vërtetë familjare. Sot kjo është bërë një kërkesë social-politike. Barra e rritjes së brezave të rinj në qytet u bie prindërve, ndryshe në fshat, që ata punojnë dhe sigurojnë të ardhura në pronën e tyre vetjake.
Një tendencë, që po stigmatizohet në këto 27 vjet të pseudodemokracisë, siç u propagandua në median vizive është ulja drastike e lindjeve dy vjetët e fundit 2016-2017, dhe çiftet, po bëhen më egoistë për një rehati dhe jetë mondane. Kjo ka bërë që në këtë periudhë të shtohen arkivolet dhe të pakësohet djepet. Kjo situatë çon në deklasimin shoqëror të familjes së madhe.
Standardi i zakonshëm i jetës midis shtresave të ndryshme të popullatës, me të njëjtin nivel përcaktohet nga sjellja e familjeve, që nuk kanë fëmijë ose kanë maksimalisht një ose dy fëmijë. Familjet fshatare, që kanë zbritur në zonat urbane përgjithësisht janë me shumë fëmijë. Pasojat janë të kuptueshme, me kushte më të këqija banimi, ushqim, veshmbathje, me cilësi të dobët, me më pak mundësi shkollimi, formimi dhe kulturimi. Në këto kushte, pasoja e shumë fëmijëve, sjell varfëri, sepse nevojat familjare shtohen, të ardhurat pakësohen. Pra, nevojat dhe të ardhurat rriten në përpjesëtim të zhdrejtë.
Kjo zbrazëti shpirtërore ka bërë që shumë fëmijë të gjejnë prehje sociale në ritet fetare. Arrihet deri aty që të vetëflijohen duke shpresuar te një jetë në amshim. Një masë e të rinjve që kanë pësuar zhgënjim nga ëndrra utopike për të zbritur në qytet pa asnjë bazë ekonomike, janë bërë pre e krimit, hajdutërisë dhe prostitucionit, si mjete të domosdoshme për ekzistencën e tyre.
Nëqoftëse procesi i ridimensionimit të familjes vazhdon, ka rrezikun, që pas pak dekadash të mos jemi në gjendje për të siguruar produktin e nevojshëm social. Rritja e shkallës së automatizimit të proceseve të punës, sjell pakësimin gradual të nevojave për fuqi punëtore. Kjo i tremb familjet intelektuale që kufizohen në ripërtëritjen e jetës me lindjet e fëmijëve. Një familje më shumë fëmijë në shoqërinë e sotme s’ka asnjë privilegj social. Kërcënimi që i kanoset pakësimit të familjeve, kërkon një qëndrim më të favorshëm.
Shteti dhe shoqëria, domosdoshmërisht duhet të përcaktojë disa norma juridike, që mbrojnë punëtorin apo intelektualin, me shumë fëmijë, ndaj rrezikut të pushimit nga puna, pakësimi i taksave sipas numrit të fëmijëve, lehtësimi nga detyrimet shoqërore dhe ndihmat sociale.
Ndikimet negative në shoqëri, predispozita të shthurjeve të familjeve me shumë fëmijë, gjejnë një teren më të favorshëm, krahasuar me familjet me një fëmijë. Vullneti për të lindur ose jo, duke përjashtuar ato raste të ashtuquajtura njerëz asocialë, nuk nxitet thjesht nga pasuria, por nga konceptet që kanë bashkëshortët për martesën dhe familjen. Një trajtim më i drejtë i familjes nga strukturat përgjegjëse, mund dhe duhet të ketë vetëm qëllimin për të realizuar drejtësinë sociale, në shoqërinë e sotme demokratike.
Familja është fytyra e një shoqërie në miniaturë. Nga morali, mirëqenia dhe bashkësia e saj varet qëndresa, ekuilibri dhe siguria e shoqërisë njerëzore.
Comments (0 posted)
Post your comment