Kur tymueset shiten si trëndafila mbi drejtësinë
Ligjin. Moralin. Propagandën. Kushtetutën. Etikën...
Nga Bardhyl Bekjo
Drejtësia edhe kur do të bëjë punën e vet has në mijëra pengesa. Nuk mjaftojnë sigurimi i fakteve dhe provave, dëshmitarëve, ballafaqimi me ligjin. Goditjet i vijnë nga tërë anët. Vullneti i ligjit zbehet. Cilindo opsion të zbatojë, etiketohet: Nuk dënon gjyqësori. E korruptuar. Dënon. E politizuar. Liron. E trembur. Detyrim paraqitje. Gjyqësor i përdorur. Gjyqtar gjysmak. Më e theksuar kjo, kur në mes futet politika. Fatkeqësisht, kur politika kërkon të mbrojë ‘kauzat’ e veta, agresiviteti depërton edhe brenda mureve të gjyqësorit dhe shtrihet deri tek kompjuterat e regjistruesve të procesit prek edhe kodet. Kur është në kërkim të përfitimit politika dhe përpiqet të shtojë një grusht vota, të rrisi aksionet e saj në sy të popullit, politikanët nuk pyesin për pengesa. Për ta nuk ka kufizime. Nuk njihen semaforët. Shuhen vijat e bardha. Nuk ekziston askund sinjali stop. Qëllimi për të arritur objektivin prevalon mbi të gjitha. Ligjin. Moralin. Propagandën. Kushtetutën. Etikën. Dhe vet njerëzillëkun. Dihet se roli i gjykatave është përcaktues në dhënien e fajësisë ose pafajësisë. Një drejtësi e pavarur dhe profesionale nuk ka pse të tronditet nga sjellje të tilla. Përkundrazi. Duhet të bëjë detyrën edhe më me korrektesë. Po a e kemi në këtë nivel drejtësinë?! Jo vetëm ndaj subjektit në gjykim, po edhe ndaj atyre që guxojnë të ndikojnë në vendimmarrjen e gjyqësorit, ka shtrembërime të dukshme. Këto nuk duhet të ndodhin. Po deri sot, kjo nuk është një praktikë në veprim. Subjektivizmi dhe ‘trembja’ nga bosët e politikës, ata që janë të paprekshëm dhe imunë ndaj ligjit dhe kanë të drejta të pakufizuara për shumë vite kanë ndikuar në vendimmarrje sipas interesave të tyre. Interesa që shumë herë nuk ka as cak as masë. Edhe pse shtrëngimi dhe imponimi është i dënueshëm, jo vetëm ndaj drejtësisë, po kudo që ushtrohet, askush nuk vihet para përgjegjësisë. Kjo vijë sjellje e ka nxitur veprimtarinë e shumë politikave për t`u bërë tutorë të saj. Këtu nuk është fjala për t`u paraqitur para bankës së akuzës, po së paku një qortim moral nuk ka pse të mungojë. Ky do ishte reagimi i mirëpritur, së pari nga opinioni qytetar. Po deri sot, ky reagim ka munguar plotësisht. Ka mbetur vetëm zëri i politikanëve. I vetmi zë që është dëgjuar. Janë ata që kanë vendosur. Herë në skenë. E shumicën pas skene. Fatkeqësisht kanë folur edhe në emër të drejtësisë. Tipike është sjellja e muajve të fundit në skenën politike të vendit tonë.
Pas luftës kundër Reformës në Drejtësi dhe dorëzimit përballë seriozitetit dhe këmbënguljes deri në ekstrem të SHBA dhe BE për ta shpënë deri në fund këtë reformë, e cila ka tani edhe “kurbanët” e vet, janë përdorur të gjitha format. Që me luftën indirekt të bërë nga forcat politike me justifikime herë parimore e në emër të sovranitetit, duke hedhur në veprim shoqatat e gjyqtarëve që luanin sipas muzikës së politikës dhe ecnin në gjurmët e politikave që projektonin dështimin e vettingut dhe ligjet e domosdoshme, tani është çelur një front i ri lufte. Po edhe një stil e formë e re luftimi. Janë lënë mënjanë shtyrjet. Eleganca. Janë flakur maskimet. Janë hequr dorezat. “Shpatat” janë nxjerrë nga milli. Dhe gjuha e simbolikave, është zëvendësuar me gjuhën e forcës. Në ring kanë zbritur deputetët “gladiatorë”. Ish ministrat. Deputetët e sulmit. Skifterët e opinioneve të zymta. Njësh me militantët për të detyruar drejtësinë të hedhi valle sipas muzikës së opozitës, justifikuar me të drejtën e njeriut dhe mbrojtjen nga dhuna shtetërore e policore, kanë flakur çdo etikë. Kjo histori nuk është e re. Nuk ka fillim ditën e sotme. Për të mbrojtur mosndëshkimin. Për të ruajtur të paprekur “monumentet” e “garantët” që mbyllnin të gjitha shtigjet për të shpëtuar “kompetentët”, ka vite që ka nisur. Kjo, lufta “demokratike” ndryshe, ka vetëm forcën.
Për të analizuar idenë se si luftojnë “moskotierët” tanë të politikës, le të hedhim një vështrim të shpejtë, vetëm në këto pesë muaj të fundit. Në 18 dhjetor, pas një zhurme të papërmbajtur dhe motorrëve të ndezur në mbrojtje të statuskosë së prokurorisë dhe posaçërisht, Adriatik Llallës, aksioni i PD dhe LSI-së i cili ishte i drejtpërdrejtë, kundër largimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, iu vu zjarri parlamentit. Për herë të parë modeli kosovar u importua në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Mjete të shumta piroteknike u hodhën mbi kokat e deputetëve. Pa numëruar veshjet elegante e të kushtueshme, të cilat ishin qershia mbi tortë mes tërë “armëve” të tjera kundër kësaj zgjedhje. Luftë për të ndalur ikjen. Betejë për të penguar ardhjen. Po kjo revoltë edhe pse pa thelb dhe antikushtetutë u shit nga bashkëkryetarët e “Frontit të Bashkuar” Monika e Lulzimi, si aksion për të shpëtuar demokracinë e luftuar autokracinë. Ata që kërkonin votim korrekt sipas kushtetutës, ishin autokratët. Ndërsa ata që e pengonin, ishin “korifenjtë e lirisë”, “mbrojtësit” e paepur të demokracisë. Se këtu tek ne ka tjetër logjikë dhe matës në përcaktimin: “I mirë”, “I drejtë”. “Korrekt”, “Ligjor”, “Antiligjor”. Kriteri është i qartë. Kush shkatërron e godet është burri i mirë. Ai që zbaton ligjin është horr. Kriminel. Sikur të ishte vetëm 18 dhjetori, ky atentat i vetëm kundër drejtësisë, kjo do ishte e keqja më e vogël. E papërfillshme. Po dhjetori ishte asgjë. Një ditë kalendarike. Mbeti në hije pas ngjarjeve që ndodhën më vonë. Pas demostrimit me një protestë e cila përfundoi në dhunë e shkatërrime në “Rrugën e Kombit” për kundërshtim të tarifës së caktuar që në gjykimin tim ishte një veprim i nxituar dhe jo transparent që kaloi pa bërë rrugën normale për detyrime të tilla që janë për herë të parë në vendin tonë dhe arrestimit të 27 protestuesve, revolta kundër drejtësisë ishte shumë e ashpër. Jo për mbrojtje të kuksianëve. Po për interes të politikës, ditën e gjykimit të të ndaluarve për ato ngjarje, deputetët e PD dhe LSI-së në zbatim të mbrojtjes me çdo kusht të veprës së tyre se ajo që ndodhi ishte nxitur prej frontit opozitar, gjoja për t`i dalë zot të ndaluarve, sulmoi Gjykatën e Tiranës. Sulmoi jo me fjalë. Po me dhunë. Godina e gjykatës, është institucion i veçantë. Është i shenjtë. Atje bëhet drejtësia. Edhe pse e njohin këtë, deputetët sulmuan pa mëshirë. Kërkuan të vendosin diktat mbi gjyqtarët. Dhe thyen e vijuan të shpien në fund atë që mbeti nga protesta e “Rrugës së Kombit”. Të maskuar pas protestuesve dhe ndalimit të tyre, deputetët dhe liderët e opozitës i bënë shërbimin më të keq drejtësisë. Dhe vetë të ndaluarve. E qëlluan në zemër sistemin. Goditën në kokë gjyqtarët e prokurorët. Me këmbëngulje dhe pa asnjë arsyetim të bazuar kërkonin qeverisë të lironte të ndaluarit. Ia kërkuan edhe Mogherinit. Kuptohet për t`i thënë se këtu drejtësia është bisht i qeverisë. Duke i trajtuar si të dënuar politikë të ndaluarit, dërguan shumë mesazhe tek shqiptarët. Se ata harrojnë veprat që kanë bërë kur është cënuar kushtetuta dhe si kanë zbatuar, jo ligjin, po kanunin. Dëshmia është 21 janari. Ata e dinë më mirë se cilido se të ndaluarit kishin punë me drejtësinë dhe jo me qeverinë. Po për ta, kalaja nuk është drejtësia. Koka është qeveria. Pa marrë përsipër të cënojmë asnjë prej kuksianëve protestues, edhe unë do isha bashkë me ta, nuk mund të mos evidentohet lufta e paprinciptë e shtabit opozitar të revoltës. U hodhën shumë akuza. U goditën muret. U thyen portat. Po aksioni kundër gjykatave nuk përfundoi këtu. Për karshillëk dhe për t`u dukur si mbrojtës të popullit, deputetët e PD dhe LSI-së organizuan të njëjtën revoltë edhe para Gjykatës së Aapelit në Shkodër, pa folur për politizimin edhe të një ndeshje futbolli në shkallët e stadiumit në Kukës, ku dukej sikur ishte miting e jo futboll. Ajo që u pa në mjediset rreth Gjykatës së Shkodrës dhe brenda saj, flet më shumë se një mijë fjalime e dhjetra shkrime. Atje u bënë bashkë, politikanët opozitarë të Tiranës me ata të kryetares së bashkisë, Voltanës. Bashkë për të luftuar kundër gjykatës. Dhe gjyqtarët ishin duke bërë detyrën. Presion i paparë. Sharje e tymuese. Molotov e parulla si të ishin përballë ushtrisë së armikut.
Sikur në atë sallë, gjyqtarët ishin të deleguarit e qeverisë dhe jo të drejtësisë. Paragjykim është pak. Imponimi dhe urdhërimi janë evidentimi më i saktë i aksionit opozitar kundër gjykatave. Me ç`të drejtë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, hartuesit dhe votuesit e ligjeve, garantët e kushtetutës e shndërruan qytetin verior në një xhungël, ku vetëm armët luftarake munguan? A justifikohet ky aksion opozitar? Dhe a nuk është një goditje në thelbin e drejtësisë? Sigurisht. Edhe pas vendimit të gjykatës, “trimat” që kishin marshuar nga Tirana në një paradë mode, kush të kishte çantën më të bukur, kollaron më të shtrenjtë, xhipin më elegant, orët më shndritëse u “telendisën” për të mbrojtur të varfërit. Po për atë taborr nuk ishte halli për kuksianët. Atyre aq u bën. Le të mbeten në burg. Të lirohen. Të dënohen. Për frontin opozitar janë vetëm sa për kauzë. Asgjë nuk mendojnë për ta. Mesazhi që dërgojnë është fare i qartë: Drejtësia të mos bëjë drejtësi! Gjyqtarët të bëjnë kujdes. Ndryshe, ja ku është “ushtria” dhe e dinë ç`i pret!. Ky aksion anti gjyqësor, kishte edhe shumë mesazhe të tjera. Ishte vetëm pak orë pas çeljes së negociatave nga Komisioni i BE-së. Duhej dërguar atje një sinjal i fortë. Pa qëndrestarët nuk ka BE! Për t`u thënë atyre: Ja këtu në Shqipëri, si është kjo drejtësi. E komanduar nga ky kryeministër. Lufton kundër popullit. Ndaj edhe tymueset mos i keqkuponi. Duhet t`i vlerësoni si trëndafila mbi drejtësinë dhe Shqipërinë. Ndryshe, na paragjykoni!
Comments (0 posted)
Post your comment