Home | Society | Kush është gjenerata e re e shoqërisë që duam?

Kush është gjenerata e re e shoqërisë që duam?

image
Por si shpjegohet që fluksi i rinisë dhe qytetarisë po ikin e ikin?

    

 

 

 Nga Hyqmet Zane

 

 

 

Gjenerata e re e një vendi është thjesht një shprehje se për ta bërë atë kërkohet kohë dhe mund, kërkohen vepra dhe jo fjalë. Të besosh tek e ardhmja e vendit tënd, është një shpresë e nevojshme dhe një logjikë filozofike se një brez që vjen do jetë më i mirë se ai që ishte më parë. Në këtë kuptim, çdo komb ka gjeneratat e tij që nxjerr në brezat e popullatës së vet. Kështu edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto vitet e fundit është thënë e shkruar shumë për gjeneratën e re.

 

Për cilën gjeneratë është bërë fjalë, cila është kjo gjeneratë, ku ndodhet kjo gjeneratë, ka lindur apo pritet të lindë? Pyesim kështu sepse çdo gjë po shohim në këtë vendin tonë, por veç gjeneratë të re nuk po shohim, edhe pse e dëshirojmë shumë që ta kemi. Ndoshta varet edhe nga këndvështrimi dhe filozofia për krijesën “gjenerata e re”.

 

Si investigues më dalin përpara në ditën për diell djem e vajza që rrinë me orë të tëra në kafe, si një modë e kohës, hajt ku shkojmë e shkojmë në kafe ku edhe bëhen llafe dhe merren nëpër gojë të tjerët me të gjitha, që nga veshja dhe marrëdhëniet me njerëzit e ç’nuk lakohet në biseda. Në këto kafe shikon edhe femra që kanë rekorde për pirjen e duhanit, veshje femërore gjysma lakuriqe apo veshje provokuese, mundësisht shumë të shtrenjta.

 

Shumë prej tyre janë edhe në punëra të mira në institucione të shtetit dhe pushtetit, shkojnë apo nuk shkojnë në punë, varet nga preferenca e tyre dhe atyre që i kanë marrë në punë si rekomandime shefash të mëdhenj. Jo pak e pinë kafen në baret pranë institucionit ku punojnë. Edhe nëse i kërkon kush, detyrimisht do të duhet t’i gjejnë ulur në kafe këmbë përmbi këmbë pa e vrarë mendjen se janë në punën e shtetit për të cilën edhe paguhen nga taksapaguesit dhe duhet të jenë në institucion.

 

Ato presin shoqëri apo “myshteri” pazaresh për ndonjë punë të rëndomtë. Koleget e tyre që rrinë në zyrë, kur i pyet se ku ndodhet shefja e zyrës apo ndonjë punonjëse apo punonjës tjetër, të thonë si në kor “nuk është për momentin”. Hajt ta kuptosh se për cilin moment bëhet fjalë, për atë që duhet pritur apo për atë që nuk ekziston, por që është një justifikim për të mos thënë se “mos e prit kot se është në qefin e tij apo të saj”. Model gjenerate e re?!

 

Edhe nëse ke ndonjë punë të thjeshtë, ajo bëhet e vështirë me qëllimin e caktuar që qytetari të kuptojë se çfarë duhet të bëjë paraprakisht që të zgjidhë hallin e tij. Brenda institucioneve lokale në tërësi është i njejti model që përcillet nga një shoqëri në tjetrën si urtësia e prindërve për fëmijët për të mësuar të “fshehtat” e zanatit të të bërit ndonjë lek. Bile edhe nëse bëhesh kërkues në të drejtën tënde dhe kjo kuptohet nga punonjësi apo punonjësja, ata bëhen edhe harbutë, gjejnë fjalët më të paduhura për njeriun që nuk i meriton dhe shikimi me urrejtje të bën të ndjehesh keq, a thua se bëre ndonjë krim apo kërkove ndonjë të padrejtë.

 

Si me thënë kjo është në një farë forme gjenerata e re e konceptuar sipas modelit që e tha me fjalën e tij ish ministri se “kjo është policia që duam” (si me thënë gjenerata e re e policisë) dhe ajo polici doli më keq se dashuria e ministrit për policinë e tij, sepse ikën ata që ishin profesionistë dhe që e dinin mirë sistemin e lidhjeve dhe erdhën ata të gjeneratës së re, me “porosi” tek veshi, më militantizëm tek shefi, me spiunllëqe të kryetari dhe me paaftësi të theksuar profesionale dhe njerëzore.

 

Edhe nëse je një profesionist i mirë për një punë të caktuar dhe je shkolluar për atë që ke pasur edhe dëshirë, privatisht punë nuk gjen shumë, ndërsa të tentosh për në ndonjë institucion, kjo është mesele tjetër. E them kështu se të bëhet biografia se me kë parti je, me kë rri e me kë pi kafe, shkurt të bëhet radiografia politike dhe mandej të jepet një përgjigje stampë “do e shikojmë me përparësi dhe do t’ju lajmërojmë”. Edhe nëse ke bërë një test apo je futur në provën e portalit, ti nuk fiton i pari se atë e dinë ata që organizojnë atë se kë venë të parin dhe kë marrin në punë. Informaliteti edhe në këtë drejtim ka marrë rrugën e emërtesës së një gjenerate që thuhet se është e re, por që as e vjetra nuk ka qenë në këtë gjendje.

 

Një ditë, një shefe institucioni e sapofutur në punë, nuk e dinte mënyrën se si të bënte një shkresë përcjellëse. Jo se është e zorshme për ta mësuar, por për çfarë ka ardhur në punë, kush e ka pikasur, çfarë “veprash” militante kishte bërë kjo shefe me paaftësinë e vet? Me bindje të plotë ajo dinte të bënte një “letër përcjellëse” spiunllëku tek drejtori apo tek deputeti apo tek shefi që i detyrohej për emërimin. Se nuk i thonë shaka, është shefe e gjeneratës së re dhe ato dinë se çfarë bëjë, veç jo punë.

 

Nuk di se kujt i përkasin dhe të çfarë gjenerate futen ata që diplomat i kanë blerë me para dhe që të shkruajnë me stilolaps një shkresë, nuk dinë të shkruajnë shqip, ca shkronja të mëdha me ca të vogla në mes të fjalës dhe fjali të palidhura dhe pa strukturë sintaksore. Vura duart në kokë kur e pashë një letër të tillë të konceptuar nga një punonjës i gjeneratës së re.

 

Një drejtues institucioni të pushtetit vendor më tha në konfidencë se “90 përqind të punonjësve i ka të paaftë”. Ishte një pohim i sinqertë, por shumë i trishtë që flet hapur e hapur se kështu janë mbushur institucionet me militantë të “provuar” në fushata partish dhe të sprovuar në sheshe luftrash politike. Gjithçka mund të bëjnë ata, veç punë të një gjenerate të re nuk mund ta konceptosh se si është kjo punë.

 

Nën këtë siglën “gjenerata e re” që e kanë cituar shpesh ministra dhe vetë kryeministri dhe disa përfaqësues të kësaj gjenerate, asgjë tjetër nuk kanë këtu e 5 vite të shkuara dhe kur kanë kaluar këto vite, një ministre apo edhe vetë kryeministri flet tamam, tipik si ata të gjeneratës së re, me gënjeshtra dhe me lojra fjalësh, flasin me PPP që vodhi e vodhi dhe nuk ka të sosur edhe pse thuhet se është rritur niveli i jetesës dhe është ulur papunësia. Duket se edhe këtë e thonë në emër të qeverisjes për gjeneratën e re.

 

Disa harrojnë se në këto 5 vite, në opinionin publik dhe në shkollat publike janë servirur edhe “gjenerata e re e LGBT që po marrin flamurin e të drejtave të njeriut dhe të elitës së gjeneratës së re. Mos o Zot çfarë ke krijuar në këtë rruzullim!

 

Por si shpjegohet që fluksi i rinisë dhe qytetarisë po ikin e ikin? Kanë frikë nga gjenerata e re apo nuk kane besim, nuk e kuptojnë apo nuk e besojnë? Ndoshta ikin ata që nuk duan të bëhen palë më këtë gjeneratë tipike alla Rilindje që erdhi më pompozitet për ta bërë Shqipërinë dhe po bëjnë gjithçka që po thuhet poshtë e lart se në çdo qelizë të jetës është futur e keqja, mashtrimi, gënjeshtra, trafikimi, korrupsioni dhe vrasja e vjedhja me të madhe.

 

Kur një pushtet bie, rrëzohet me votat e një populli, gjithnjë mendohet se ata që vijnë dhe që mendohet se janë më të mirët, krijojnë të tilla vizione për gjeneratat sa të vjen turp të mendosh se kjo është shpresa që kërkojnë shqiptarët. Kur një nënë zonjë shtëpie kërkonte të bënte brumë për bukë, e shkreta nënë lodhej së mbrujturi brumin se duhej punuar mirë brumi që të vijë dhe të bëhet për tu pjekut. Nëse nuk e bën këtë gjë buka del çyryk. Ata që nuk dinë të bëjnë brumë, tundin sitën tërë ditën, se atë gjë dinë të bëjnë më mirë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00