Home | Society | Vettingu po shemb praktikat e mendësitë feudale

Vettingu po shemb praktikat e mendësitë feudale

image
  “Më i pasur nga të gjithë është ai që ka guximin ta shohë të ardhmen në sy”.

 

 

 

Nga Bajram Peçi

 

 

 

Pas një interviste të zotit Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, publiku u informua se me mbarimin e vetting-ut në sistemin e drejtësisë, procesi i pastrimit do vijojë të kryhet më pas për politikanët. Përfshirja e elitës politike nuk do të gjente një të dytë lajm më të mirë e shpresëdhënës, që popullit mund t’i jepej. Dhe kur të jetë kryer kjo, Shqipëria do ja ketë siguruar vetes të ardhmen në paqe sociale e shpresën në mirëqenje, do ta ketë kapërxyer njëherë e mirë praktika e mendësi, që i përkasin shoqërive të sistemit feudal.

 

Feudalizmi dallon me pronësinë mbi tokën, por dhe me mënyrën se si ushtrohen pushtetet. Në Shqipëri ky rend përfaqësohej me familjet e mëdha feudale, të cilat kryesisht ishin otomane, u kishin shërbyer me devotshmëri turqve dhe ishin shpërblyer për këtë me toka. Vetëm shtatë prej këtyre familjeve zotëronin feude me mbi 5000 hektarë tokë. Monarku ndante e përdorte pushtetet me ta. Këta feudalë dhe sistemi, u pranua të kishin rënë me reformat në sistemin komunist.

 

U pranua në tekstet shkollore, sepse në të vërtetë ai shfaqej rëndom në shoqëri, ku tërë pushtetet ndodhen në duar të pak njerzve, kupolës komuniste. Përveç të tjerave, që shqiptarët nuk e kaluan sistemin kapitalist, por u hodhën nga feudalizmi në të ashtuquajturin socializëm, duke kapërxyer hallkën më formuese të staturës së shtetit ligjor, kapitalizmin, me tiparin e tij thelbor, sundimin e ligjit, shoh një nga shkaqet që dukuritë feudale të vreheshin edhe më pas.

 

Civilizimi europian, për të mbërritur këtu ku është, e pati domosdoshmëri edhe atë periudhën e kapitalizmit të egër, sepse përmes tij shoqëria mësoi shtypjen, shfrytëzimin dhe revoltën, pozitën dhe opozitën, respektin ndaj ligjit dhe pushteteve, rrugën dhe luftën për demokratizimin e institucioneve.

 

Patjetër që do t’i vinte një ditë fundi edhe sistemit komunist. U zëvendësua ai me formacionin ekonomiko-shoqëror të kapitalizmit, sistem i instaluar në shumëllojshmëri ngjyrash në Europë, ku ëndërruam dhe deshëm njëzëri të shkojmë. Por kapitalizmi europian është një makineri komplekse. Parasëgjithash, përshkohet nga industrializimi dhe prodhimi i mallrave, ku administrata e lartë shtetërore drejtohet nga meritokracia, ku pushteti legjislativ ka aty përfaqësuesit më të mirë dhe drejtësia është e jepet, duke i trajtuar shtetasit si të barabartë para ligjit (!?).

 

Tërësia e tyre duhej të vepronte brenda kuadrit ligjor demokratik dhe të një shoqërie po demokratike. Asgjë nga këto s’ndodhi. Prodhimi i mallrave, pasi u shkatërruan egzistueset si jo rentabël, u zëvendësuan nga fasonet, krijesa këto që i shërbejnë eksportuesve të huaj të teknollogjisë për shfrytëzim të lirë të krahëve të punës; administrata vuajti tërë kohën nga nepotizmi; në parlament erdhën nga të dy krahët pasanikët e “të fortët”, të cilët përfaqësojnë atje vetëm interesat e bizneseve të tyre; në sistemin e drejtësisë, katedrat e gjykimit u shndërruan në feude në miniatyrë, ku vendimet merreshin në procesin e instaluar të allishverisheve, avokat-prokuror-gjyqtar, në shpërdorim të hapur të pushtetit që u jepte detyra. E tërë kjo përbën një sistem të ngjashëm me feudalizmin dhe nga e gjithë kjo, në këto 25 vjet, ka vuajtur veçse ajo pjesë e popullit që është më e dobta, më e varfra, më në nevojë, por sidomos Shqipëria e ngratë.

 

Është e pa besueshme se çfarë i kanë bërë këtij vendi?! Prokurori dhe gjykata që u përdorën haptas për hakmarrje politike; palët në një proces, penal apo civil qofshin, u kthyen në gjah, në të cilin morën pjesë hordhi feudale që përfshinin sistemin: seksesrët-avokatë, sekretare, bodigardët, madje dhe shoferët.

 

Duke i vënë vetes qëllimin e pasurimit, shumë prej tyre shërbyen si nxitës e përshpejtues të rrënimit të besimit te drejtësia. Deri më tani, organet kanë gjykuar përpos se mbi ato çka subjekti në gjykim ka deklaruar, pa u futur në kontrolle të tjera pasurore. Dhe të mendosh se, “Të heqësh mënjanë”, një porosi kjo e lashtë, që shërbente për mirëqenjen familjare, nuk do të thotë se ushtrohet vetëm përmes veprimeve bankare, pavarësisht përcaktimeve ligjore.

 

Rrethanat e kësaj gjendjeje e sjellje feudale ishin dëshpëruese. Askund nuk dukej rrugëzgjidhje, deri kur u bë e mundur të bëheshin organe kushtetuese ato struktura që do kryenin operacionet e thella të pastrimit. Në gëzimin e pasurimit e shkujdesjen profesionle, hullia e qetë dhe e ëmbël e jetës familjare dhe vetjake të gjyqtarve e prokurorëve të korruptuar, u trondit. Zuri fill një kthesë që askush nuk besoi se do rrënonte e shembte përfundimisht këtë sistem të ndyrë, që përdhosi vëndin e jetën qytetare. Vetting-u u pa shtrëmbër nga ata që e instaluan, nuk besuan se kryetari “fisit” do ishte i pafuqishëm për t’i shpëtuar. Armiqësinë ndaj këtij organi kurrë nuk e fshehën, pavarësisht nga dukuria e shtirur e mirësjelljes.

 

Në thelb, aleanca e kundërshtarëve me kreun e partive kundërshtuese, e kish humbur autoritetin dhe dinjitetin e opozitës dhe akuzat kishin shterur, deri kur dyfytyrëshave u erdhi në shteg argumenti se organet e larta të drejtësisë kanë pushuar së qeni. Arsyeja e shëndoshë, për këta njerëz të dobët që përtypin mëndjelehtësinë, na mëson se ata harrojnë që pallati i shembur i drejtësisë, për më keq akoma, mund t’i kish zënë brenda (por, sapo ka nisur, asgjë nuk ka përfunduar!? Të presim!)

 

Opozitës, ata që kundërshtuan deri në fund kodifikimn e vetting-ut, nuk ja falin vetes që ranë në “grackën” e pastrimit të ushtarëve që kishin në drejtësi. Prej kësaj, s’u shqitej marazi! Me bllokimin e miratimit të listave të Shkollës së Magjistraturës, çfarë shprese ushqejnë vallë? Papritur e kujtuar, ata u shfaqën me një vendosmëri idiote aq të pazakontë dhe shpalosën një karakter që i la të gjithë (përfshi dhe ndërkombëtarët) gojë hapur. Ske se si të mos habitesh (epse për këtë e kishin dhënë njëherë votën në parim) me përpunimin e ndryshimin e sjelljes. Shumica e shqiptarëve e ka të qartë arsyen që i udhëheq: të pengojnë me çdo kusht këtë ligj, ta pengojnë nga inati, ndonëse e dinë se ska forcë që pengon rrëmetin që i ka vënë përpara.

 

Duket açik që synohet bllokimi i vetting-ut, siç po kaq qartazi duket se qëndrimi ska lidhjet me interesat e vendit. Për këtë soj njerëzish atdheu është e mbetet vetëm fshati i tyre. Siç u panë të rriten përmasat e besnikërisë ndaj fisit, ashtu u pa se si krahina dhe fshati u bë atdheu i tyre i vogël, në zyrat e gjykatave dhe prokurorisë sollën fshatin e tyre dhe i shndërruan ato në zyra biznesi. Detyrimi për ruajtjen të pastër të figurës ishte veçse një dokër ndërsa përdhosja e funksioneve të larta nuk jua skuqte faqen.

 

E quaj me vend, lexonjës i nderuar, të kujtoj se caktimi në detyra i zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve, ka qenë bërë pjesë debati që në lashtësi. Mes filozofëve grekë, një ndër më të shquarit e tyre është Platoni. Ja ç’na ka lënë të shkruar për gjyqtarë e zyrtarë: “…se ata duhet të tregonin hovin e dashurisë së tyre për atdheun, qoftë në të mirë qoftë në të keq dhe të mos e linin veten që t’i kapnin duke e përbuzur këtë parim as në punë, as në rreziqe”. Më tej thotë se “…duhej caktuar si zyrtar i lartë ai që kishte për të dalë nga këto prova i kulluar si ar i provuar në zjarr”.

 

Virtyte të tjera Platoni u përmend aftësinë për të mësuar, të kenë kujtesë, të jenë të mprehtë, të kenë gjallëri e qendrueshmëri si dhe të jenë shpirtmëdhenj”. Meqënese një bashkim të tillë prirjesh Platoni e quante një gjë të rrallë, këshillonte marrjen në provë të tyre. Filozofi, për virtytet kishte patur edhe një përcaktim tjetër: për t’u kujdesur për t’i patur ato, duhej të kishe të siguruara më parë mjetet e jetesës.

 

Të tillë burra të denjë për shtetin e tyre kërkoheshin e viheshin në funksionet e larta. Këto kërkesa kurrë ndonjëherë nuk u respektuan tek ne. Ata që deshën të pasurohen, duke bërë grabitësin feudal, tani që po përzihen poshtërsisht nga sistemi, ngushëllojnë veten si të korruptuar, duke akuzuar se janë viktima të “komisarëve politikë të Edi Ramës”. Le të ngushëllohen! Më e mira do kish qenë të jepnin dorëheqjen vullnetarisht kur ju kërkua. I këshilluan keq dhe i morën më qafë, s’patën kohë të nxënë urtësinë se “Më i pasur nga të gjithë është ai që ka guximin ta shohë të ardhmen në sy”.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00