Home | Society | Genova i tronditi të gjithë urat tona, po shtetin?

Genova i tronditi të gjithë urat tona, po shtetin?

image
Le të ndërtojmë urat e bashkimit Evropë-Ballkan, vendet e Evropës i lidhin shumë ura me SHBA-në...

 

 

 

  

Nga Bardhyl Bejko

 

 

 

 

Vendi ynë ka një rrjet të gjerë urash. Shumë prej tyre janë nyje të rëndësishme që lidhin zona të tëra, qytete, fshatra e krahina nga veriu në jug. Për vet konfiguracionin që ka Shqipëria, terrenin malor dhe lumenjtë e shumtë e të rrëmbyeshëm që përshkojnë territorin në tërë gjerësinë e gjatësinë e saj, i kanë bërë të domosdoshme ndërtimin e urave, jo vetëm sot, po që në thellësinë e shekujve. Urat janë simboli i bashkimit. Dhe jo vetëm në kuptimin e bashkimeve fizike, të luginave, përrenjve, maja malesh, ngushtica detare, ishujsh, po edhe simbolike. Le të ngremë një urë midis nesh. Të lidhemi me një urë. Ta mbajmë një urë lidhëse. Të mos i shembim urat e miqësisë. Dhe kjo simbolikë me urat e për urat është futur natyrshëm në leksikun e përditshëm mes bashkëbiseduesve të zakonshëm, individëve të thjeshtë, por edhe mes politikanëve dhe vet burrave të shteteve. 

Le të ndërtojmë urat e bashkimit Evropë-Ballkan, vendet e Evropës i lidhin shumë ura me SHBA-në, dëgjon të thuhet kudo e nga cilido në deklarata dhe fjalime të udhëheqësve e zyrtarëve të çdo rangu. Mjafton të përmendim këtu faktin që në politikën mes shteteve kur bie fjala për minoritetet, vëmendja dhe respekti ndaj tyre shprehet në tog-fjalëshin “Minoritetet, janë ura të bashkëpunimit mes shteteve.” Kështu ka ndodhur në tërë historinë njerëzore. Tregimet, kuriozitetet, legjendat me ndërtimin e urave, materialet me të cilat janë ndërtuar deri hiperbolat për to, i kanë shndërruar në simbolika që popujt për vet nevojën që kanë ndjerë për t’i pasur, të thurin këngë, të tregojnë histori pa fund. Dhe e gjitha kjo nuk është se ka lindur nga kurioziteti. Përkundrazi është formësuar nga lidhja e pazgjidhshme e nevojave për ura fizike e shpirtërore dhe më e rëndësishmja, për vetë vlerën që ato kanë për lëvizjen e njerëzve që nga prehistoria deri në ditët tona.

Që kur lindi nevoja për të lëvizur, njerëzit me kafshë,me karroca, me këmbë, me mjete motorike, me intensitetin e ndërtimit të rrugëve që në shekujt e hershëm, u shoqëruan me ndërtimin e urave. Nuk ka rrugë pa urë. Dhe prej kësaj nevoje jetike, lindën urat me harqe. Me tre e gjashtë, nëntë, 12 harqe, me gurë të latuar e beton, me konstruksione hekuri, me derdhje, të varura deri tek ato më modernet që arrijnë gjatësi dhe lartësi të frikshme për të cilat janë zbatuar teknologji nga më të sofistikuarat. Çdo vend ka urat e veta. Ashtu siç ka historikun e legjendat e thurura për to. Janë të shumta, katalogët, projektet, skicat, përvojat inxhinerike në arkivat e muzeve të ndërtimit, si dhe emrat që i projektuan dhe i ndërtuan. Dhe në këtë garë të ndërtimit të tyre lindën ndër vite urat më të larta dhe të gjata në botë. Përditë në kronikat e lajmeve njoftohet për ura të reja. Dhe kështu lindën urat e shënuara në librat Gines. Të cilat janë mrekulli të teknologjisë dhe shkencës. Jo më bashkime mes brigjeve të lumenjve, po edhe deteve dhe pjesëve të shteteve, duke shkurtuar distancat dhe lehtësuar trafikun gjigant të kohës sonë. Dhe kuriozitetet për ndërtime të tilla kanë zënë vend në tregimet e bisedat mes njerëzve. 

Dhe ne kemi historinë tonë shumëshekullore të ndërtimit të urave, ashtu siç kemi pasur edhe mungesën ulëritëse të tyre ku rrebeshet e përmbytjet i kanë ndarë e veçuar krahina e qytete, duke i mbajtur të izoluara. Nuk ka qytetarë në vendin tonë të mos ketë dëgjuar për “Urën e Zogut” mbi lumin Mat, “Urën e varur të Dragotit” “Urën e Leklit”. Ura e Dragotit ndërtuar 80 vjet më parë që lidh zonën e Tepelenës me Përmetin, Leskovikun deri në Korçë e më tej. Po gjeografia e urave, shtrihet në tërë territorin e vendit. Janë urat që bashkojnë brigjet e Drinit, Shkumbinit, Bunës, Semanit, e dhjetëra lumenjve anembanë vendit. Jo më kot për urat, dobinë e rëndësinë e tyre, janë shkruar romane e tregime. Janë krijuar poezi. Tregohen legjenda e janë thurur këngë. Për mbrojtjen e tyre janë marrë vendime të rëndësishme. Që kohë më parë në mbrojtje të tyre janë dhënë jetë për t`i ruajtur nga hedhja në erë apo shembja. Në ruajtjen e tyre kanë qëndruar për vite të tëra reparte ushtarake dhe roje të armatosura që nuk ishin vetëm për të ruajtur një objekt të tillë, po për të shpëtuar qindra jetë njerëzore të cilat rrezikoheshin në rast se abuzohej apo një dorë keqbërëse, aq më shumë për shkaqe natyrore mund të shembeshin. Kontrollet dhe riparimet kanë qenë të programuara dhe kontrolli permanent. 

Po sot a bëhet kujdesi i duhur për mbrojtjen, ruajtjen e urave të shpërndara anembanë vendit?

Nga statistikat e botuara dhe treguesit që evidentohen, gjendja e urave në vendin tonë nuk është rozë. Përkundrazi shumë prej tyre janë të rrezikuara nga shembja për vjetërsinë e tyre, materialet e përdorura, shkatërrimin e baseneve të lumenjve, mungesën e kontrollit dhe përdorimit të tyre pa kriter. Nëse u hedhim një vështrim sipërfaqësor urave nëpër zona edhe me sy të lirë kupton spostime, çarje, deformime, heqje pa asnjë mëshirë të mbajtësve dhe elementeve të sigurisë. Shumë prej urave u hiqen hekurat e kambarët mbështetës, duke i shndërruar ato në figurina të shëmtuara. Në hyrjet e daljet e tyre mungojnë sinjalistika e përcaktimi i tonazhit të lejueshëm. Dhe në një urë me aftësi mbajtëse deri në 10 ton kalojnë mjete të rënda deri në 40 ton. Në të njëjtën kohë mbi urë mund të gjenden dhjetë e më shumë mjete njëherësh, mjafton që të kalojnë me shpejtësi dhe të mos presin drejtuesit e tyre, duke rrezikuar seriozisht objektin nga përdorimi pa asnjë kriter. Rreziku i shembjes së urave tek ne është i përminutshëm. Shumë më serioz se në shtetet e tjera. Kujdesi për to është minimal. 

Askush nuk e ka problem që të punojë nën urë në shtretërit e lumenjve, duke i gërryer deri në themelet e këmbëve të tyre për tu nxjerrë rrënjët e hekurta në sipërfaqe. Me qindra mjete të rënda pasi mbushen nga ekskavatorët me rërën që mbath këmbët e urave dhe i ruan nga gërryerja i ngulin dhëmbët e hekurt dhe kafshojnë pambarimisht deri tek themelet e këmbëve të urave. Po nuk është vetëm kjo. Nëse sigurimi teknik përcakton saktë sesa duhet të jetë numri i mjeteve që lejohen të kalojnë mbi urë dhe kufizimet përkatëse, papërgjegjshmëria shtetërore dhe e agjencive që i kontrollojnë dhe monitorojnë nuk duan t`ia dinë nëse shfrytëzimi bëhet i pamëshirshëm. Mjafton të kalojmë nëpër lugina e brigje dhe të ngjiten mbi bazamentet e urave mjete shumë-tonësh pa le të ndodhë ç’të ndodhë. Askujt aq më pak specialistëve të mbrojtjes dhe kontrollit të këtyre veprave inxhinerike me rëndësi kombëtare nuk iu bie ndërmend të kontrollojë. Në një kohë kur duhet të kishte kontrolle periodike gjatë suferinave, përmbytjeve, rrebesheve, plotave ujore, të shoqëruar me ndërhyrje emergjente për t’i mbajtur në efiçencë. 

Tragjedia e Genovas e një shteti që ka lindur bashkë me ndërtimin dhe që shquhet për epërsi të teknologjisë së ndërtimit ishte një kambanë alarmi për gjithë botën. Shembja e urës 90 m e lartë, ndërtuar në vitin 1960 e cila u shoqërua me 39 jetë njerëzore të flijuara në themelet e saj, si dhe dhjetëra të zhdukur, tronditi mbarë opinionin ndërkombëtar. U desh kjo tragjedi që shtet të tilla si Franca, Italia vet, Bullgaria dhe radhazi shumë të tjerë të rishikojnë me përgjegjësi gjendjen e tyre anembanë vendit. Nga verifikimi i bërë, Franca konkludon se 30 përqind e urave në shkallë vendi janë të dëmtuara dhe të rrezikuara. Në Bullgari edhe më shumë. Po nuk janë vetëm këto vende që kërcënohen nga shembja e urave. Secili vend ka rrezikun e vet, i cili nëse ndodh, shoqërohet me humbje jetësh njerëzore dhe dëme të pariparueshme materiale. Në Shqipëri të gjithë kemi vënë re sa ura janë të dëmtuara dhe disa prej tyre gati për tu shembur. Urat e varura nëpër lumenj ose të ashtuquajturat urat pasarela janë një rrezik i shkallës më të lartë. Të tilla ura edhe era i lëkund si lavjerrës. Po jo vetëm kaq. 

Sa ura janë shembur gjatë përmbytjeve këtu tek ne. Le të kujtojmë urën në Laç e sapo ndërtuar atë mbi Bunë e cila ishte e zhveshur tërësisht dhe ishte bërë e pakalueshme. Po jo vetëm ajo. Mungesa e urave në rrugën më të njohur atë të kombit, autostrada që lidh dy shtetet shqiptare e cila konsiderohet si krye-rrugë dhe krenaria jonë kombëtare në ndërtimin e rrugëve u lanë pa ndërtuar shumë prej tyre. Prej vitesh urat në këtë rrugë janë si krahët e zogjve të vrarë. E kur i referohemi një simboli rrugor, tregohet saktë gjendja reale e këtyre veprave inxhinierike. Vetëm dy ditë gjatë përmbytjeve të Vjosës pamë si u bllokuan fshatra të tërë në zonën e Fierit, ku u desh të punohej nga shërbimet e ushtrisë, repartet e xhenjos ditë-natë për të vënë situatën nën kontroll. Ose ndërtimi i urave të shumta me konstruksione metalike nga ana e forcave të armatosura ndër vite flet jo vetëm për arritjet, po edhe për mungesën e tyre si dhe nevojën për një kontroll të rreptë nga institucionet. 

Një shtet serioz pas ngjarjes së dhimbshme të ndodhur në Genovën pranë duhet të kishte filluar nga verifikimi, evidentimi dhe përcaktimi i prioriteteve për riparimin e urave nga Konispoli në Vermosh. Genova i lëkundi brenda një sekonde si një tërmet tërë urat në vendin tonë. Dhe fatkeqësia italiane është një kambanë alarmi. Katastrofat qëndrojnë pas portës edhe për ne. Ndaj pushteti qendror, ai lokal, specialistë të fushës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës në radhë të parë, Policia e Qarkullimit Rrugor, tërë hallkat shtetërore duhet të ngrihen në këmbë për të mbajtur nën kontroll çdo urë, kudo që ndodhet. Nëse Genova lëkundi tërë urat në botë, në Shqipëri i tronditi nga themelet. Ndaj kërkohet që këto lëkundje t`i ndjejë së pari shteti ynë, organizmat e tij. Të gjithë duhet të qëndrojnë me sytë nga urat tona. Ato janë përherë një rrezik potencial. Ndaj edhe reagimi më i fundit i shtetit tonë për t’i parë urat me prioritet është efekt i rezonancës së tragjedisë që erdhi nga shembja e urës në Genovën fqinje! 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0