Home | Society | Dashnorët e shpifjes

Dashnorët e shpifjes

image
Shpifja ka mbërthyer, jo vetëm politikën dhe politikanët, por ajo  është shtrirë në media, ka zënë vend tek biznesi, shoqëria civile, intelektualët, analistët...

 

      

 

 Nga Bardhyl Bejko

 

 

 

Në Shqipëri, shpifja është shndërruar në institucion. Nuk ka politikan të këtij vendi që të mos ketë shpifur të paktën njëqind herë. Dhe kaq është fare pak. Shpifja ka mbërthyer, jo vetëm politikën dhe politikanët nuk janë të vetmit shpifarak. Është shtrirë në media, ka zënë vend tek biznesi, shoqëria civile, intelektualët, analistët, opinionistët. Është shndërruar përfundimisht në jetën tonë të dytë. Ashtu si tek skeçi i Luftar Pajës në muajt pas ngjarjeve të 1997, ku qytetarët nuk jetonin dot pa lajme dhe aktorët e humorit deklaruan “vetëvrasje” nëse do vijonin t’u mungonin njoftimet në televizione pasi ato ishin jeta e tyre dhe nuk kishte kuptim pa emtimet televizive edhe shpifarakët tanë , në jetën reale tani dhe jo në skeç nuk mund të jetojnë dot asnjë minutë pa shpifur. Për ta më mirë t`u mungoj, buka, uji,veshja, shkolla, rruga, fisi, familja, ajri, dielli, se sa të mos shpifin. Ky zakon është kthyer në një traditë pa të cilën nuk jetojnë dot. Politikanët tanë e kanë ngjitur në art të shpifurit. Kur janë në hall edhe shpifja është më e madhe.

 

Gati e papërballueshme, e cila shkakton tërmet në psikologjinë e tërë shoqërisë. Kur duan të godasin kundërshtarët, therë ajo kthehet në hiperbolë ose bëhet kryeshpifje, si të thuash, topshpifje. Dhe në këtë zallamahinë shpifarake, të gjithë duket sikur janë vënë në garë për të dale në krye të toplistës, për të zënë vendin e kampionit edhe pse gara është dramatike. Po shpallja e vendeve të para për gjetjen e shpifjes më pikante dhe shpifësit kampion nuk është e lehtë edhe për një juri ndërkombëtare deri tek ato më të sofistikuarat që akordojnë çmimin “Nobël”. Se ky zanat këtu tek ne është sofistikuar e strëholluar, është bërë i padukshëm, transparent, i fshehtë i padëshifrueshëm. Sa më i madh lideri politik në hierarkinë partiake aq më e guximshme shpifja. Sa më i kualifikuar në këtë fushë, aq më e sofistikuar, duke krijuar idenë se jetojmë në legjenda e derrat më të guximshme. Përditë e njejta histori. Nga Dibra vjen haberi përmes qytetarit dixhital. Nga Shkodra e-maili i një peshkatari që ka hedhur grepat në liqen dhe i duket sikur peshkon krokodilë në një liqen ku ka vetëm peshq.

 

Nga Konispoli dikush nxiton të dërgoj para “komisionit të klasifikimit” të thashethemeve, një top shpifje me idenë se do dali fitues. Nga Durrësi nxiton dikush që të shpjerë në pallatin e leximit të ëndrrave shpifjen më të madhe të shekullit. Po nuk mbetet pas tepelenasi që nga Bënça të nisë mesazhin se këtu ka mbërritur Kryeministri i Shqipërisë për të nxjerrë nga burgu kriminelët për zgjedhje. Dhe radhazi nga Drenova një tjetër lajm. Kryelajm. Një bujë e madhe dhe një njoftim i padëgjuar vjen nga Nikla, fare pranë Tiranës. Nga Laçi një tjetër kryeshpifje. Më pas e ka radhën Kurbini. Lezha dërgon shpifja e shekujve: - Është ngritur nga varri Skëndërbeu. Nga Bilishti një tjetër lajm i rrallë-Kanë zbritur ufot. I ka pritur Peleshi në një stan të braktisur. Dhe radha e gjatë e lajmeve të bujshme bie mbi ne si breshëri në dhjetor.

 

Dhe nga tërësia e shpifjeve mbushet Vjosa e pëlcet Buna, fryhet Drini, del nga shtrati Shkumbini. Të gjithë lumenjtë nuk shpien në turbinat e HEC-eve ujë, po shpifje. Në përfundim nuk ndriçohemi nga drita elektrike me fotoelement, po nga neutronet që prodhojnë shpifjet. Të tjera rreze na bien mbi shpinë. Ikandeshent që të verbojnë jo vetëm sytë, po edhe të shpojnë tej e tej si shigjeta të drejtuara nga mllefi i perëndive nga dora e Paridit për të shembur mbi dhe Akilin. Pra për ta goditur në vendin e vdekjes, tek thembra, akilët shqiptarë që nuk janë lagur nga uji i pagëzimit.

 

Po këtu në vendin tim, thembra e zbuluar para sulmit të shpifjeve është e tërë shoqëria dhe dora e Paridit gjithë politikanët që mbajnë nëpër duar, jo harkun e thjeshtë prehistorik, po topat që gjuajnë me baltë e fëlliqësira, duke kontaminuar, jetët. tokat, qiejt, detet, burimet, shpirtrat e trupat njerëzorë, mendjet dhe besimin, perspektivën e entuziazmin për të jetuar. Dhe shpërthejnë vrasjet. Vetëvrasjet. Djegiet. Mbytjet e vetëmbytjet. Dhe epidemia e shpifjes merr dhenë e mbërthen tërë shtresat e shoqërisë, të cilët e shprehin zemërimin, dikush duke ikur nga sytë këmbët, një tjetër duke iu nënshtruar fatit, të tjerët duke pritur rastin për të dalin në Gjermani apo Itali, Spanjë apo Zvicër. Dhe lënë pas vetes shtëpi, pasuri, tërë njerëzit e shpirtit të tyre, varret e të parëve, gjithçka që është fryt i djersës dhe mundit, shkollimit dhe lodhjes. Mjafton të mos i lagë rrebeshi i shpifjes. T`u ikin shpifarakëve. Del në podium në selinë e PD, kryetari Lulzim Basha. Lexon deklaratën e radhës:

 

-Qeveria komplot kundër Xhisielës! Banda qeveritare rivrau vajzën e pambrojtur në Nikël! Flet ai që më parë ai ka gjetur pronarin e tre milionë e gjysëm eurove të toyotës së ardhur në Durrës. 730 kg kokainë që mbërriti në Manëz. Berisha dhe Basha gjeti në një sekondë pronarin. Ishte Olsi Rama. Berisha deklaron për të sqaruar opinionin shqiptar se pas bandës së Bajrëve të Shkodrës fshihet ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ose Ditëziu siç e ka pagëzuar Berisha. Pa mbaruar këto komente, fap i mbërrin në smartfon një tjetër haber bombë. Fushat e mbjella me kanabis në Tepelenë. Është droga e qeverisë. Lulzon hashashi nëpër lugina. Po fusha në fotografi është sa Myzeqeja dhe pamja i takon Kolumbisë. Po ç`rëndësi ka?! Ajo është një foto që u duhet shitur shqiptarëve si një e vërtetë absolute, si një krim shtetëror.

 

Dhe vazhdon furia e shpifjeve. Po shitet shkolla në një fshat të Elbasanit. Dhe deputetët opozitarë, secili vihet në garë. U vranë fëmijët. U godit qytetërimi. Mbaroi shkollimi! Radhën për të shpifur e ka Enkelejd Alibeaj. Ndryshe nga të tjerët, ai fjalëve u jep tonacion spikeri televiziv dhe argumentave status juridik. Nuk kursen askënd. Me krismat e fjalës sikur të zbrazi karikatore fishekësh i bën të njohur publikut shqiptar, si drejtor Çepja, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm Ard Veliu, kanë fshirë qindra pamje nga kamerat e stacionit të policisë së Fushë Krujës dhe bizneseve përreth për të zhdukur fytyrën e komplotistit Taulant Balla, Rrahjes, Bushit e kërcënuesve të tjerë. Doemos ai e ka bërë, po me porosi të Ramës dhe në dijeni të plotë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

 

-Të shfaqen pamjet e kamerave, të mësojnë të vërtetën shqiptarët, si banda në pushtet, në një komplot të mirëorganizuar është vënë në mbrojtje të “Xhepit”! Të shikojnë se deputeti i Niklës është marionetë e qeverisë. Vodhi votat dhe u bë deputet, duke lënë mënjanë faktin se ky deputet, tre legjislatura radhazi është zgjedhur po në këtë zonë kryetar i komunës dhe askush nga qytetarët e kësaj zone nuk e shau, nuk e akuzoi. Po fshatarët nuk dinë asgjë sipas Alibeajt. Janë të trembur, u mungon guximi i Alibeajt të denoncojnë dhe shyqyr që është ky burrë i dheut që shpalos disa të vërteta para shqiptarëve, se të ishte për fshatarët e Niklës, askush nuk do guxonte. Dhe akuza nuk është vetëm një shpifje llafazanësh, po një kumtim politikanësh dhe aq më tepër një zë deputeti që është dhe jurist, dhe e njeh jo vetëm efektin ligjor të shpifjes, po edhe peshën juridike të përgjegjësisë, së paku morale të shpifarakut që flet në mllef dhe urdhër për të nxirë e baltosur cilindo.

 

“Dashnorët e shpifjes” në Shqipëri, janë kthyer në profesionistë klasikë, të mirëkualifikuar, të stërvitur, të pandalshëm në rrugëtimin e tyre që fillon e nuk mbaron. Që ecën e nuk ndalet. Që flasin e nuk stepen për të analizuar efektet negative që sjellin përmes stuhisë së shpifjeve dhe fjalëve që vrasin sa majtas e djathtas. E keqja e shpifarakëve, këtu tek ne është se u mungon, jo vetëm etika për ato që akuzojnë, dhimbsuria për ata që godasin, po edhe përgjegjshmëria për të kërkuar ndjesë kur u vërtetohet se është një gënjeshtër e kulluar. Shikon qëndrimin që mbajnë regjisorët e aktorët e “Video Babales” që shoqërohet nga “Video Nuhu”. Sapo prokuroria e gjykata nisin të bëjnë detyrën, ata hidhen përpjetë dhe e mbysin me fjalë tërë opinionin shoqëror. Ngrenë zërin në qiell dhe nxjerrin nga goja xhevahire që s’i ke dëgjuar tërë jetën. Shesin përrallat e hiperbolat si të vërteta absolute. Është detyra e shpifarakëve ti bëjnë konak fjalës, edhe pse pa asnjë bazë, edhe pse pa asnjë logjikë e pa u bazuar tek as një fakt.

 

Po për ta nuk ka asnjë rëndësi. Ata mjafton t`i hedhin në opinion ato që kanë për zemër. Të shpalosin politikat e veta që vrasin e infektojnë cilindo që i prek e dëgjon. Që të lënë pa frymë dhe të bëjnë mosbesues. Dhe qytetari i ndershëm pyet veten: -Vallë, mos kanë të drejtë shpifarakët tanë? Vret mendjen se cila është kjo kuzhinë që gatuan pa u ndalur shpifje, duke e mbushur menunë e mëngjesit, drekës e darkës vetëm me sallatë shpifjesh, përzierje që sa e provon, të bën të vjellësh. Dhe të thuash në dreq të shkojnë ata që shpifin dhe ata që i dëgjojnë! Në skëterrë ata që i besojnë! Janë mijëra shpifarakët që janë bërë specialistë të shpifjes. Janë qindra që bëjnë kreyeshpifjet. Dhe top-lista e shpifarakëve shtohet. Të vjen keq se janë ata që kërkojnë të na udhëheqin nesër që me mënyrën e sjelljes së tyre nuk na shpien në Eurpë, po drejt e në gropë. Askush nuk i honeps shpifarakët dhe shpifjet. Po ç’të bëjmë? Të mbyllim veshët? Të nxjerrim sytë? Të humbasim ndjeshmërinë? Të shkatërrojmë emocionet? Të vrasim ndërgjegjen? Të braktisim inteligjencën, të shuajmë kujtimet? Të zbehim psikologjinë? Ku ti transferojmë tronditjet që na shkaktojnë shpifarakët tanë? Në cilin landfill ti groposim?Të arratisim ndërgjegjen tonë, apo të arratisemi vetë? Emrat e atyre që shpifin nuk kanë kufij partiak. Dhe nuk janë ekskluzivitet vetëm i një partie. Përkundrazi janë fatkeqësisht të shpërndarë kudo. Shpifësit nuk veshin vetëm kostumin politik.

 

Nuk kanë të njejtin rrobaqepës e nuk kanë vetëm një shkollim. Zanatçinjtë shpifës mbajnë të njejtin intensitet në punën e tyre të përditshme. Top-listës i shtohen emra të rinj. Vijnë nga sektorë të ndryshëm. Disa dalin nga fundi i dheut. Të tjerë mbinë mes nesh. Të njohur e të panjohur. Nga radhët e policisë e prokurorisë, gjykatave e administratës. Nga ALUIZNI e kadastra. Nga radhët e shkencëtarëve e filozofëve. Profesorëve e doktorëve. Nga spitalet, shtëpitë e pushimit. Ej, dëgjoni: - E pashë filanin me filanen. Të bardhin me të ziun. Pikaloshin me pullaliun. Hasanin me Shyqiriun. Të majtin me të djathtin. Luftarakun me pacifistin. Ishin këtu, shkuan atje, ishin në tokë, u ngjitën në re, zbritën nën dhe. Ishin te liqeni. Ishin në plazh. Hynë në motel. Fjetën në hotel. U blenë me miliona. Janë parat tona. U bënë milionerë. U bënë gangster. Janë oligarkë i kanë parat me gjak. Ishin në restorant. Në pastiçeri. I vajtën në shtëpi. Dhe vërshojnë deklaratat dhe ngrihet në qiell stuhia. Dhe bëhet hit historia. Dhe ngrihen e ulen në top-listë nga vendi i parë në të tretë, herë Berisha ngjitet e herë Lulzimi zbret dhe Monika zë vendin e tretë. 

 

Kur nuk mbushet e tërë shoqëria nga fjalomania, hyjnë në ring trimëria. Nisin historitë me Dashin deputet, Nardin siç di vetë, Nokën flamurtar, Palokën, Manjanin, Salinjanin sqimëtar. E në radhë tërë shpifarakët që për mëngjez na servirin meny shpifjen e natës. Në drekë një tjetër kryeshpifje. Dhe e mbyllin mbrëmjen me top-shpifje. Dhe burimi i shpifjeve është bërë lumë dhe shpifarakët janë shtuar shumë e më shumë. Po kur kërkohet pak frenim me shpifjen dhe ndalim të shpifarakëve aq më shumë bëhet propozim për ndalim e dënim si për çdo shkelje ligji dhe kapërcim etike askush nuk do t`i dalin zot fjalës. Dhe ligjin duan ta pështyjnë. Në asnjë mënyrë dënim për shpifarakun! Duan të na shkelin lirinë! Në asnjë mënyrë të bëhet drejtësi. Shpifja le të vejë e të vijë. Pyesin të habitur: -Ky Rama është apo nuk është në terezi, si është e mundur që për një shpifje, që është edhe zanati i tij të kërkojë të bëhet drejtësi?

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00