Mes ëndrrës dhe makthit
Prej vitit në vit, Kosova shënon reduktim të numrit të banorëve rezidentë...
Agron Bajrami
Prej vitit në vit, Kosova shënon reduktim të numrit të banorëve rezidentë. Faktorët kryesorë për këtë janë nataliteti në rënie dhe migrimi në rritje. Por derisa shifrat janë dramatike, shteti sikur nuk shqetësohet fare për krizën e heshtur...
Lajmet nuk janë të mira.
Kosova tashmë shënon rënie të ndjeshme të numrit të popullsisë. Sipas shënimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, Kosova ka 1.78 milionë banorë rezidentë. Kjo është përreth 350.000 më pak se vlerësimi i së njëjtës organizatë për vitin 2008, kur vendi thuhej se i kishte 2.13 milionë banorë rezidentë.
Një situatë të tillë shumëkush me të drejtë do të mundë ta cilësonte edhe si dramatike, ndërsa shteti është e nevojshme ta vlerësojë si situatë krize, dhe të ndërmarrë masa urgjente. Të humbasësh 350.000 banorë për vetëm 10 vjet nuk ka si të mos quhet krizë. Sepse nëse trendi vazhdon, përgjigjja në pyetjen se sa banorë mund të ketë Kosova pas 10 apo 20 vjetësh është tronditëse.
Sigurisht, ka të ngjarë që shënimet e AKS-së nga viti 2008 apo këto të fundit nuk janë edhe aq të sakta. Dhe ndoshta Kosova nuk ka pësuar rënie kaq dramatike të popullatës siç na del nga këto të dhëna.
Por, sidoqoftë, trendi ekziston, gjë që vërtetohet edhe nga shënimet e lindjeve dhe ato të migrimit.
Sipas shënimeve të AKS-së, në vitin 2017 në Kosovë janë lindur 4.341 fëmijë më pak se në vitin 2012. Për pesë vjet, gati 5.000 të lindur më pak. Dallimi me vitin 2000 është edhe më dramatik – rreth 16.000 më pak të lindur në vit tani krahasuar me periudhën para 18 vjetëve.
Në anën tjetër, kemi migrimin.
Gjithë këto vite të pasluftës trendi i ikjes drejt Perëndimit ka vazhduar. Edhe pas krizës së viteve 2014-2015, kur dhjetëra mijëra kosovarë morën rrugën e daljes ilegale në vendet e Bashkimit Evropian, situata nuk është shumë më e mirë. Dallimi është se tani kemi një migrim të heshtur, dhe në masën më të madhe legal.
Andaj, edhe ata që nuk preferojnë t’i quajnë këto trende dramatike, nuk mund të mos pajtohen se janë shqetësuese.
Por a po shqetësohemi vërtet?!
* * *
Sigurisht, tashmë është e qartë për këdo që është sado pak i informuar, brenda apo jashtë institucioneve dhe politikës, se kjo tkurrje e popullsisë së Kosovës vjen si pasojë e dy faktorëve kryesorë: natalitetit në rënie dhe migrimit në shtim.
Si rezultat i rënies së numrit të lindjeve dhe migrimit të heshtur, por gati se masiv, ka kohë që Kosova nuk i ka ata 2 milionë banorë që ishin pjesë shpjeguese e gati secilit raportim ndërkombëtar për vendin tonë që nga vitet ‘90.
Po ashtu, duhet të jetë e qartë, për këdo, se me apo pa liberalizim të vizave, kosovarët do të vazhdojnë të braktisin vendlindjen për një jetë më të mirë, më të qetë, më stabile, të ardhme ekonomikisht më të qëndrueshme, diku në Perëndim.
Ajo që mbetet ende e paqartë është se pse kjo situatë na shqetëson kaq pak? Nuk jemi të vetëdijshëm për pasojat afatgjata të një tkurrjeje të tillë të popullatës, apo thjesht nuk çajmë kokën?
Dhe që është po ashtu e paqartë dhe shumëfish më shqetësuese, pse institucionet e këtij shteti, prej Kuvendit dhe Qeverisë e deri tek institucionet e tjera të shoqërisë nuk shfaqin asnjë përpjekje aktive për të zbutur këtë trend, për të shuar këtë krizë?
Pse lajmi që në Gjermani tashmë janë evidentuar më shumë se 400.000 banorë me prejardhje nga Kosova nuk nxit asnjë lloj debati politik dhe shoqëror në Kosovë? Apo lajmi se janë rreth 112.000 banorë të Zvicrës me shtetësi kosovare, dhe ndoshta më shumë se 250.000 që kanë shtetësi zvicerane, por kanë prejardhje nga Kosova? Pse debatet tona politike dhe shoqërore, prej Kuvendit e deri në Facebook, kryesisht nisin e përfundojnë me tre-katër emra politikanësh e zyrtarësh problematikë e tre-katër akronime partish, agjencish e institucionesh jofunksionale?
Sepse, siç kemi vërejtur tashmë, nuk ka shqetësim.
Po të kishte, do të shfaqej së pari në formë debati publik e politik. Më pas në formë analizash të faktorëve relevantë që ndikojnë në këtë trend, dhe politikave që do të mundë ta ndryshonin situatën. Dhe në fund përmes përpjekjes së koordinuar shtetërore e shoqërore për të vënë në funksion masat e nevojshme që të adresohet situata, para së gjithash në domenin e migrimit.
* * *
Është e rëndësishme të përqendrohemi në migrimin, sepse aty Kosova humb më së shumti resurse të vlefshme njerëzore.
Sot, pothuaj secili i ri ëndërron për një jetë jashtë Kosovës. Dhe secili prind ëndërron të njëjtën për fëmijën e vet. (Them pothuaj, sepse nuk përjashtohet se një pakicë familjesh, kryesisht në majat e pushtetit dhe që përfitojnë nga të qenit afër kësaj maje jetojnë shumë më mirë në Kosovë kështu si është sesa që do të mundë të jetonin kudo tjetër në botë - por kjo është një temë që kërkon adresim të veçantë).
Kjo ëndërr kosovare është po ashtu pasojë e një realiteti të pritjeve të papërmbushura dhe zhgënjimeve nga stagnimi politik, ekonomik, social, kulturor e demokratik. Është rezultat i ndërtimit të një sistemi politik-shoqëror klientelist dhe të kontrolluar politikisht, i cili e ka mbytur çdo ide të meritokracisë. Është ëndërr e individëve të shtypur që gradualisht po shndërrohet në makth të një shteti, që destinimin final e ka në një kolaps masiv të sistemit, dikur kur trendi i tkurrjes së popullatës të arrijë nivelet edhe më të larta, mbase për 5-10 vjet.
Që e gjithë kjo situatë të përmbyset, dhe gjithçka të kthehet në drejtimin pozitiv për vendin, është e nevojshme që Kosova qysh tani të merret me çështjen demografike, e cila për nga pesha aktuale duhet të konsiderohet shumëfish më e rëndësishme sesa, shembull ta zëmë, dialogu me Serbinë.
Tek e fundit, Kosova si shtet i pavarur ka arsye të ekzistojë vetëm nëse ka një popullsi të saj. Dhe nëse ajo popullsi ka një shtet, në të cilin mund t’i realizojë aspiratat dhe ëndrrat e veta./koha
Comments (0 posted)
Post your comment