Home | Society | Kriza financiare e 2008-ës: Ku shkuan gjithë ato para?

Kriza financiare e 2008-ës: Ku shkuan gjithë ato para?

image
Kriza financiare e vitit 2008, e pati origjinën e vet në tregun e shtëpive, që kanë qenë ndër breza guri themeltar simbolik i prosperitetit amerikan.

 

 

Nga Eric Rauchway

 

 

Shenjat paralajmëruese të një krize epike financiare, po shfaqeshin në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit 2008. Sigurisht, për ata që po i kushtonin vëmendje të madhe. Një element? Sipas bazës së të dhënave të “ProQuest”, fraza “që nga Depresioni i Madh” u shfaq në gazetën Nju Jork Tajms, pothuajse 2 herë më shumë në 8 muajt e parë të atij viti, në krahasim me 1 vit të tërë të zakonshëm.

 

Në fillim të shtatorit, këto referenca nervoze nisën të shtohen ndjeshëm, duke u shfaqur në kolonat e faqes së parë të gazetave. Në mes të shtatorit katastrofa shpërtheu, në mënyrë dramatike dhe në një pamje të plotë publike. Lajmet financiare u bënë kryelajmi, ngaqë qindra punonjës të bankës “Lehman Brothers” mësynë trotuaret e Seventh Avenju në Manhatan, duke bartur orenditë e zyrave të tyre, duke duke u përpjekur t’u shpjegonin gazetarëve të etur kthesën tronditëse të ngjarjeve.

 

Pse pse një bankë investimesh 158 vjeçare, një bankë e Uoll Stritit, do të falimentonte? Dhe çfarë do të thoshte kjo për shumicën e planetit? Vlerësimet sipërfaqësore nga politikëbërësit e Uashingtonit, nuk ndihmuan në qartësimin e situatës. Sekretari i thesarit, Henk Poson, kishte deklaruar se “sistemi financiar, mund t’i mbijetonte rënies së Lehman”.

 

Me fjalë të tjera, qeveria amerikane vendosi të mos veprojë për shpëtimin e bankës, ashtu siç kishte bërë me konkurrentët e Lehman, Merril Lynch, gjigantin e sigurimeve American International Group (AIG) ose në pranverën e vitit 2008, me bankën e investimeve Bear Stearns.

 

Lehman, mendonin ata, nuk ishte një bankë shumë e madhe që të falimentonte.

 

Presidenti i atëhershëm Xhorxh W.Bush, nuk kishte shpjegime. Ai mund të nxiste vetëm kurajon. “Në një periudhë afatshkurtër, rregullimet në tregjet financiare, mund të jenë të dhimbshme – si për njerëzit e shqetësuar për investimet e tyre, ashtu edhe për punonjësit e kompanive të prekura”- tha ai, duke u përpjekur të shuajë panikun potencial në Main Street.

 

Privatisht, ai dukej më pak i sigurt, duke u thënë këshilltarëve: “Një ditë do të më duhet të më tregoni se si kemi përfunduar me një sistem të tillë… Nuk po bëjmë diçka të drejtë, nëse jemi të mbërthyer tek këto opsione mjerane”.  

 

Dhe për shkak se sistemi ishte bërë i ndërvarur globalisht, kriza financiare amerikane u përshkallëzua në një kolaps ekonomik mbarëbotëror. Pra, çfarë ndodhi?  Kriza financiare e vitit 2008, e pati origjinën e vet në tregun e shtëpive, që kanë qenë ndër breza guri themeltar simbolik i prosperitetit amerikan.

 

Politika federale, e përkrahu realisht ëndrrën amerikane të pronësisë së shtëpive që nga viti 1930, kur qeveria amerikane filloi të mbështeste tregun e pasurive të patundshme. Ajo vazhdoi më tej pas Luftës së Dytë Botërore, duke u ofruar veteranëve shtëpi me kredi të lira, përmes një projektligji të posaçëm të miratuar nga qeveria.

 

Politikëbërësit arsyetuan, se mund të shmangnin rikthimin në kushtet e rënda të paraluftës, përderisa territoret e pazhvilluara përrreth qyteteve mund të mbusheshin me shtëpi të reja, dhe shtëpitë e reja me pajisje të reja, dhe rrugët e reja me makina të reja. Të gjitha këto blerje të reja, nënkuptonin punë të reja dhe siguri për gjeneratat që do të vinin.

 

Dhe kjo deri vetëm gjysmë shekulli më pas, kur tregu i shtëpive po “shpërthente”. Sipas Raportit Përfundimtar të Komisionit Kombëtar për Shkaqet e Krizës Ekonomike dhe Financiare të Shteteve të Bashkuara, midis viteve 2001-2007, borxhi për blerjen e banesave të reja u rrit gati po aq sa kishte në pjesën e mbetur të historisë së kombit. Njëherazi, çmimet e shtëpive u dyfishuan.

 

“Ushtritë” e shitësve të pasurive të patundshme, u përpoqën që amerikanët të huazonin më shumë para për shtëpitë – ose edhe për shtëpitë e mundshme. Shumë shitës nuk i kërkuan huamarrësve asnjë dëshmi të të ardhurave, punës apo atë çka mund të linin si kolateral.

 

Pastaj shitësit u zhdukën, duke lënë një debitor të ri që mbante në dorë çelësat e një shtëpie të re, me ndonjë dyshim të zbehtë nëse marrëveshja ishte shumë e mirë për të qenë e vërtetë.

 

Shitësit mund t’i bënin këto marrëveshje, pa hetuar aftësinë e një huamarrësi ose vlerën e një prone, sepse huadhënësit që përfaqësonin nuk kishin ndër mend të mbanin për vete barrën.

 

Ata do t’i shisnin më tej këto tituj pronësie; bankierët do t’i “paketonin” ato në letra me vlerë, dhe do t’ia shpërndanin investitorëve institucionalë të etur për fitimet që tregu amerikan i shtëpive, kishte dhënë në mënyrë të qëndrueshme që nga vitet 1930.

 

Pronarët e fundit të një banese, do të ishin shpesh mijëra kilometra larg, dhe as që ishin në dijeni të asaj që kishin blerë. Ata dinin vetëm se agjencitë e vlerësimit, u kishin thënë se prona e tyre e re ishte po aq e sigurt sa kishin qenë gjithnjë shtëpitë, të paktën që nga koha e Depresionit.

 

Për të parandaluar përsëritjen e Depresionit të Madh, qeveria amerikane i vuri bankat nën një  rregullim të rreptë. Frenklin Ruzvelt kishte bërë fushatë për këtë çështje si pjesë e “Neë Deal” të tij në vitin 1932. Ai dhe partia e tij e mbajtën këtë premtim.

 

Në fillim, ata siguruan bankat tregtare dhe depozituesit nëpërmjet Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave (FDIC). Pastaj, me Aktin Bankar të vitit 1933 (Akti Glas-Stigëll), ata i ndanë këto institucione të reja të sigurta nga bankat e investimeve, që morën pjesë në nisma financiare më të rrezikshme. Për dekada të tëra, një rregullim i tillë kufizues funksionoi.

 

Ky gjendje e qëndrueshme, vazhdoi deri në fund të viteve 1970, kur politikanët që shpresonin të gjallëronin një ekonomi në stanjacion, nxitën liberalizimin. Gjatë disa dekadave, politikëbërësit u distancuan nga Akti Glas-Stigëll. Pjesa më e madhe e asaj që mbeti prej tij, u shfuqizua në vitin 1999 me aktin e Kongresit, që lejonte bankat e mëdha tregtare, të ishin “mëma” të institucioneve financiare më të vogla dhe më të specializuara.

 

Këto të fundit, kërkonin tani mënyra më të rrezikshme dhe më të ndërlikuara për të fituar. Kongresi u garantoi një mënyrë për ta bërë këtë në vitin 2000, me Aktin e Modernizimit të Mallrave të Ardhshme, ku në thelb dy palë mund të bien privatisht dakord për çmimin e një aseti.

 

Por në një spirale gjithnjë e në rritje, letrat me vlerë të shtëpive të blera humbën vlerësimet e tyre AAA, dhe bankat falimentuan. Presidenti Xhorxh W.Bush ishte një republikan konservator, që së bashku me shumicën e të emëruarve të tij, besonte tek virtytet e liberalizimit.

 

Por me një krizën që përfshiu sistemin, Bush dhe “ushtarët” e tij, veçanërisht Sekretari i Thesarit Polson dhe kreu i Rezervës Federale Ben Bernanke, vendosën të mos rrinin duarkryq. Megjithëse nuk i kërkohej nga ligji për të shpëtuar Bear, Fannie ose Freddie, ata e bënë këtë për të shmangur katastrofën.

 

Fundjavën e 13-14 shtatorit të vitit 2008, Lehman u rrënua përfundimisht, me ndoshta dhjetëra miliardë dollarë asete të mbivlerësuara në bilancet e saj. Çdokush që zotëronte ende letrat me vlerë të Lehmanit, me supozimin se qeveria do ta shpëtonte, do të gënjente veten.  /history.com /bota.al

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0