Home | Society | Korruptokracia, si "monument" i mbrojtur!

Korruptokracia, si "monument" i mbrojtur!

image
"Korruptokracia" në universitete, është pothuaj si ajo e "sistemit të drejtësisë" dhe...

   

 

Nga Besi Bekteshi

 

 

Një nga shfaqjet më të qarta televizive dhe mediatike ishte takimi mes kryeministrit dhe rektorëve të universiteteve në prani dhe të ministres tashmë pa ndonjë inisiativë të foluri! Padyshim, përfundimi i një takimi dhe fjale të tillë dha në publik qartësinë se sistemi është një rrëzim i qartë si administrativ dhe politik! U pa qartë mbas akuzave dhe definicioneve të KM-së se rektorët e Shqipërisë nuk kanë asnjëri aty guximin, as moralin, t’i thonë njeriut të parë të qeverisë "stop" sepse ky diskurs nuk bën për mua! Asnjëri! E para, se në korruptokracinë vertikale dhe horizontale, askush (ose pak kush) nuk është i papërlyer dhe e dyta, askush nuk ka guximin ta ndajë veten nga të tjerët, apo nga shumica! Ishte një shfaqje, e cila të lë të kuptosh se sistemi universitar në Shqipëri është diçka fantastike imorale dhe amorale njëkohësisht! "Korruptokracia" është ves mesa duket (model pothuaj trashëgimie) i yni! Ajo ndyn, bën pis gjithë sistemin, që nga poshtë deri lart dhe në të gjitha anët e shtrirjes horizontale! Mu kujtuan disa relacione të kohës së "Vilajetit të Shkodrës" nga 1850-1908-të, ku janë ndërruar (larguar) një numër impresionant valinj-sh, sepse pothuaj të gjithë korruptoheshin menjëherë, ndërtonin piramida administrative korrupsioni, të cilat ishin realisht - korruptokraci! Nuk kishte hallkë të ndershme në administratë nga baza e gjerë e piramidës deri në majë! Në taksa, dogana, zyra juridike, gjykata, ushtri, administratë dhe kudo! Tipikisht një "korruptokraci masive", e cila detyronte dikur Portën e Lartë të ndërronte valiun, por që nuk ndërronte dot vesin! Tipikisht si sot në çdo qelizë të sistemeve përfshi dhe universitetet, por po kështu është shëndetësia, arsimi në përgjithësi, drejtësia po e po, administrata pushteti vendor, etj., etj! Një fiasko e madhe e parullës në fushatë elektorale të KM-së në 2013-tën që thoshte: Fajin e ka sistemi dhe jo njerëzit! Kishte parasysh sistemin tipikisht oriental, sulltanor, kleptokrat të Sali Berishës! Cilësisht në kleptokraci! Padyshim, një sistem me njerëz që merrnin për ves dhe për sëmundje çfarë t’ju zinte syri dhe dora! Meqë "na i paska pasur fajet sistemi" mbas 2013-tës u ndërruan shumë sisteme dhe nga "kleptokracia" u kalua në "korruptokraci" fantastike, kur njerëzit e rinj tashmë e kanë bërë sistemin të "flasë me vete" duke e batërdisur dhe shkatërruar atë nga fillimi deri në fund! Një nga këto sisteme është shkolla e lartë! Universitetet sot janë një "korruptokraci" e cila "mbrohet nga shteti" dhe këtu nuk ka pse të pikojë asgjë! Kjo korruptokraci ka mbi 20 vite që ju jep diploma politikanëve dhe drejtuesve të shtetit apo dhe partive dhe padyshim dhe drejtorive e ministrive! Ju jep statuse "intelektualizmi" njerëzve me dyshimin e madh që nuk kanë lexuar dot një libër, ose nuk dinë të lexojnë asgjë! Ju ka dhënë juridikun një dore të madhe "kleptokratësh dhe korruptokratëve" në Shqipëri! I kanë marrë këto diploma dhe doktoratura në Tiranë, Shkodër etj, por dhe Tetovë, duke ja kaluar dhe "plepisteve të Berishës" sepse ato kanë shkuar disa herë në Durrës, kurse këto nuk kanë shkuar aspak në fakultete dhe kanë diplomën e juridikut dhe ekonomikut e militojnë në parlament, ministri, drejtësi, gjykata dhe kudo! Ky sistem, i madh i "korruptokracisë" ka kthyer provimin në valutë dhe aulat në vende punësimi për studentë që ose mbajnë presionin e notës dhe paguajnë ose vuajnë për dije! Është një kalbje jo vetëm e sistemit, por dhe vertikales në drejtim, senateve dhe bordeve në mirëqenien e "madhe" që të japin pagat të cilat në të vërtetën e sotme në bazë, janë barazuar me mësuesit e shkollës së mesme (padrejtësi e madhe) për të dalë të doktoraturat e çmendura të dhëna në mënyrë po aq të çmendur! Kjo "korruptokraci" ka vite që ka lënë universitetet pa moralin e vërtetë shkollor ose besimin te publiku, studentët dhe shoqëria se janë thjesht vende dije dhe mësimi! Rruga me vajtje ardhje pedagog student me pagesa korruptive, mungesa e madhe e kushteve, vlerat e shtuara në taksa, laboratorë dhe zhvillim shkencor i munguar, studentët një pjesë në kafe e pagesa dhe një pjesë të lodhur nga korrupsioni janë më e vogla e sistemit të rënë universitar! Universitetet nuk bëjnë më kërkim shkencor që bëhej në diktaturë dhe kjo është një marrëzi e madhe e "korruptokracisë shqiptare"!

 

Pastaj universitetet private, të cilat janë një "oligarki shitmendëse" akoma jo e pastruar nga sëmundjet e klientelizmit dhe që nuk mund të jenë shembull mbi asgjë në shkollën e lartë!

 

"Korruptokracia" në universitete, është pothuaj si ajo e "sistemit të drejtësisë" dhe tetë pikat e studentëve janë vetëm një diçka që shërben ti hiqen disa "peta lakrorit"! Nuk ka bisedë, dialog, monolog që rregullon kërkesën e premtuar në vitin 2013, që është "arsimi 5%" të buxhetit të shtetit! Këtë shifër e para që nuk e lejon dhe nuk e implementon "korruptokracia"! Këtë shifër nuk mund ta negociojë askush në Shqipëri! Në "korruptokraci" sa më tepër rriten fondet aq më tepër vidhen ato! "Korruptokracia" është seriozisht në universitete dhe në shumë sisteme të tjera në Shqipëri një "monument që mbrohet" nga vetë shteti dhe për fat të keq kultivohet nga shoqëria, në një pjesë të rëndësishme të saj! Gati-gati, jemi si në kohën e 50 valinjve të Shkodrës që vinin, vidhnin dhe iknin, në saj të degradimit të plotë moral dhe administrativ të një Perandorie në vdekje tashmë të plotë!

 

Nuk është e vështirë ta shikosh këtë "korruptokraci" në universitete! E shikon te gradat e pamerituara shkencore pa bërë asnjë shkencë, biles duke vjedhur dhe punime! E shikon te dekanë, rektorë të tashëm, kaluar, që kanë ngritur "juntën" universitare, shpesh herë me prapavije politike! Atë "juntë" e cila lëviz nga PD dhe PS dhe LSI, nëpër maxhoranca dhe katapultime rektorësh dhe dekanësh! Në mbrojtjen politike, e cila i shërben "korruptokracisë" për të sunduar aulat, diplomat, titujt, fondet dhe ngritjen e bordeve kleptokrate pa fund! Shikohet te pasuritë marramendëse të rektorëve, dekanëve, që kanë ikur një pjesë, që janë, por dhe dekanët e doktorë profesor me një shtrirje të madhe gjeografike nga Tirana në rrethe! Sigurisht nuk janë të gjithë kështu! Por në fakt, ato që janë normal, konsiderohen anormal në këtë "korruptokraci" kriminale e lejuar nga politika, e shfrytëzuar po nga ajo, pothuaj njësoj si gjyqësori tashmë i ditur për korrupsionin fantastik! E më e bukura është se janë këto "universitete që kanë nxjerrë" shumicën e "juridiksave" në gjykata e prokurori, të cilat u pasuruan në mënyrë kriminale, duke mohuar drejtësinë ose vonuar atë! Të dy sistemet që ndihmonin njëri tjetrin ai "universitar dhe ai i drejtësisë" tashmë janë të sëmurë me "korruptokraci" dhe është vështirësi e madhe ti rregullosh.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0