Home | Society | Mbi protestat e studentëve dhe protestat e mëhershme

Mbi protestat e studentëve dhe protestat e mëhershme

image
Gjykoj se kjo protestë duhet t’i nxisë të gjithë për reflektim ndaj ...

 

 

Nga Fatos Lubonja

 

 

Mbi protestat e studentëve dhe protestat e mëhershme

Është folur shumë së fundi mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet e protestave studentore të këtij dhjetori me protestat e mëhershme, duke filluar nga ato të viteve ‘90-‘91. Janë krahasime që vlejnë sepse duhet edhe të mësojmë, edhe të motivohemi nga historia, por gjithmonë duke pasur parasysh se, sikurse thoshte Herakliti, “nuk lahemi kurrë në të njëjtin lumë”.

 

PROTESTAT DHE VITET ‘90-‘91

 

 

Meriton të ndalemi te dy elementë të rëndësishëm, që i bëjnë të ndryshme protestat e viteve ‘90-‘91 me ato të sotmet.

 

Së pari, në vitet ‘90-‘91 ishte vetë regjimi që, pas rënies së murit të Berlinit, u shtrëngua të bënte lëshime dhe ndryshime për të gjetur një tranzicion të butë – sepse nuk mund të mbahej dot më në këmbë – derisa arriti në pranimin e pluralizmit politik dhe të zgjedhjeve pluraliste.

 

Së dyti, i gjithë ky proces pati mbështetjen aktive politike e diplomatike të Perëndimit, të angazhuar për të shembur sistemin komunist. Pra, e ashtuquajtura lëvizja studentore, që sot mitizohet sikur ta ketë sjellë ajo ndryshimin, në fakt, u përdor thjesht si instrument i ndryshimit të sistemit, i kalimit nga regjimi i një bande kriminale në shtetin e së drejtës. Lëvizja e përshpejtoi sadopak këtë proces, por duke qenë e mbështetur nga një prapavijë e rëndësishme politike.

 

Sot, po të dëgjosh kërkesat e studentëve, veçanërisht me veshët e një ndërkombëtari, ato mund të konsiderohen si protesta kundër vendimmarrjes së një qeverie demokratike, që prek një grup të caktuar interesi. Madje, qeveria shfaqet e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre dhe, për këtë, kërkon dialog dhe negociata. Kështu e kanë interpretuar edhe disa ambasadorë ndërkombëtarë në vend, sikur në Shqipëri demokracia funksionon. Pra, sot as kemi ndonjë predispozitë nga njerëzit e regjimit për të ndryshuar strukturat e pushtetit të tyre dhe as kemi ndërkombëtarë që mund ta mbështesin këtë protestë për përmbysjen e një regjimi.

 

PROTESTAT DHE VITI ‘97

 

Pse ngulmoj të përdor fjalën regjim? Sepse, po ta lidhim protestën e studentëve me protestat e tjera që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vend, me skandalet e papara të korrupsionit dhe të grabitjes së pronës publike si dhe me faktin se këto bëhen në bashkëpunim me një Polici, Drejtësi dhe media të kapura, këto protesta – potencialisht – mund të konsiderohen si kundër regjimit të instaluar nga një pakicë kriminale. Me fjalë të tjera, kundër një aberracioni të rëndë të kapitalizmit dhe demokracisë që u vendos në letër më 1991. Po t’i shohim kështu, protestat po zhvillohen në një kontekst shumë më të ngjashëm me atë të fillimit të protestave të vitit ‘97. Edhe asokohe kishim aberracionin e idealeve të ‘90-‘91-shit në një regjim, ku, me gjithë ekzistencën e partive opozitare sundonte një parti e vetme që kontrollonte Drejtësinë, Policinë, mediat kryesore dhe, – vini re ngjashmërinë – kontrollonte edhe ekonominë që bazohej kryesisht në piramidat financiare, që vidhnin lekët e shqiptarëve, me një pjesë të të cilave paguhej edhe fushata elektorale e partisë në pushtet. Le të kujtojmë gjithashtu se ky regjim kishte edhe mbështetje ndërkombëtare.

 

 

Në vitin 1996, ky regjim grabiti votat dhe shtypi lehtësisht protestën e mekur të opozitës pa ndonjë reagim kushedi të ndërkombëtarëve. Një ngjashmëri tjetër me atë kontekst është fakti se, ashtu si sot, populli ndihej i pafuqishëm të reagonte politikisht, priste ndihmën e ndërkombëtarëve apo një “deus ex machina”, kurse opozita një, dy, e shkonte ankohej nëpër ambasada.

 

Si “deus ex machina” asokohe erdhi rënia e piramidave, që bëri që njerëzit të mobilizohen dhe të dalin në rrugë me thirrjen “duam paret tona!”. Opozita e përdori këtë pakënaqësi të madhe popullore për të rrëzuar qeverinë. Për këtë, partia më e madhe opozitare, PS, pranoi krijimin e një fronti të bashkuar opozitar, “Forumi për Demokraci”, që u dha drejtim protestave. Përmasat e protestave dhe dhuna kundër tyre rritën ndjeshmërinë perëndimore, duke sjellë gazetarë të huaj që u mirinformuan se çfarë po ndodhte dhe, me botimin e shkrimit të “The Independent”: “Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim” pati një rënie të ndjeshme të mbështetjes ndërkombëtare për regjimin.

 

Cili është ndryshmi më i madh me vitin ‘97? Dikush mund të thotë se piramidat ranë menjëherë dhe prekën një pjesë shumë më të madhe të popullsisë, kurse sot fuqia e protestave është shumë më e dobët dhe reagimi i regjimit shumë më pak i dhunshëm. Këto qëndrojnë, por në funksion të krahasimit, dua të vë në dukje një ndryshim tjetër që, për mua, mbetet thelbësor.

 

Ndryshe nga sot, asokohe nuk bëhej fjalë për “refuzim të politikës” d.m.th., të opozitës siç bëhet sot nga një pjesë jo e vogël; përkundrazi, bashkëpunimi i Forumit për Demokraci me protestuesit ishte i hapur. Berisha u përpoq të akuzonte Partinë Socialiste, duke kujtuar trashëgiminë e saj të keqe – ashtu siç bën sot Rama, duke iu referuar së kaluarës së PD-së dhe LSI-së – por kjo nuk ngjiti, pasi në atë lëvizje kishte edhe shumë ish-aleatë të Berishës si dhe pasi Partia Socialiste kishte bërë ndryshime themelore si përsa i përket vizionit, ashtu edhe përsa i përket udhëheqësisë së saj. Qenia e një force politike në krye të protestave të vitit ‘97 ishte determinuese për suksesin e saj, nëse mund të quhet “sukses” rrëzimi i qeverisë Berisha (nuk po hyj këtu të merrem me koston e kësaj përmbysjeje), si dhe disa ndryshime pozitive që solli në vend. Me sytë e sotëm mund të thuash se ndryshimi kryesor ishte se opozita përbëhej nga politikanë që nuk ishin provuar në pushtet; premtimet e të cilëve besoheshin edhe si vepra të tyre të ardhshme, siç, fatkeqësisht, nuk ndodhi.

 

PROTESTA KUNDËR SJELLJES SË ARMËVE KIMIKE

 

Refuzimi i partive të komprometuara në protestën e studentëve e bën atë më të ngjashme me protestën e nëntorit 2013 kundër vendimmarrjes për sjelljen e armëve kimike. Në atë protestë, si sot, kishte edhe shumë njerëz që e kishin mbështetur ardhjen e Ramës në pushtet. Por përsëri kemi disa ndryshime të rëndësishme. Vërtet vendimmarrja e Ramës fliste për rrezikun që paraqiste etja e këtij nje riu për pushtet, por ama si individ, jo si kryesuesi i regjimit oligarkik kriminal siç është bërë sot. Protesta, në fakt, nuk i prekte interesat e oligarkëve dhe krimit të organizuar, sepse askush prej tyre nuk përfitonte nga armët kimike, prandaj dhe Rama pati kundër thuajse krejt mediat e oligarkëve plus edhe aleatin e tij në koalicion LSI-në.

 

PROTESTA E KUKSIANËVE

 

Duke e trajtuar protestën e studentëve si të një grupi interesi kundër sistemit oligarkik dhe të lindur jo nga nxitja e opozitës, por nga halli i qytetarëve, protesta e studentëve është më e ngjashme me protestën e kuksianëve, paçka se më sensitive si çështje dhe jo lokale, por kombëtare.

 

Duke e trajtuar si të tillë, ka nga ata që thonë se, duke qenë protestë ku grupet e interesit i imponohen nga poshtë vendimmarrësve, kjo mund të jetë rruga më e mirë e forcimit të demokracisë. Sipas meje, kjo logjikë mund të jetë frytdhënëse në një sistem ku demokracia funksionon, ku ka drejtësi dhe media të pavarura dhe zgjedhje të lira. Në një regjim, kjo nuk funksionon siç e provoi edhe protesta e kuksianëve. Kam shumë më tepër mundësi që, në kushtet e një regjimi si ky i yni, protesta të tilla të shërbejnë për të kundërtën e demokracisë. Në ç’kuptim? Në kuptimin që historia tregon se pak trazira u bëjnë mirë regjimeve antipopull, pasi u shërbejnë si stërvitje për të forcuar muskujt, për të stërholluar strategjinë e sundimit, metodat e përçarjes, pikat ku duhet të ndërhyjnë për të blerë, korruptuar, frikësuar e me radhë. Lidhur me këtë mundësi krahasimi me protestën e Kukësit mbetet për t’u parë në vazhdim.

 

SI PËRFUNDIM

 

E përbashkëta e tërë protestave që përmenda është se, në një mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, populli nëpërmjet tyre ka kërkuar të bëhet vendimmarrës për fatet e veta, pra, ato kanë qenë përpjekje e tij për pushtet, d.m.th. demokraci. Duke i parë kështu mund të thuhet se edhe kur kanë arritur të kthejnë mbrapsht ndonjë vendimmarrje apo të rrëzojnë ndonjë qeveri, ato kanë realizuar pak ose aspak, përsa i përket demokracisë. Ato nuk kanë arritur t’i tregojnë vendin llojit më të keq të shqiptarëve: atyre që e kanë ndërtuar interesin e tyre në kurriz dhe kundër shumicës, jo në harmoni me të dhe në shërbim të saj. Në këtë kuptim ato kanë qenë “shanse të humbura”, (siç po e profetizojnë disa edhe fatin e kësaj lëvizjeje studentore). Por, a kanë qenë vërtet shanse të humbura apo shanse të pamundura për shkak të pafuqisë së shqiptarëve për t’u bashkuar për interesin dhe të ardhmen e tyre të përbashkët? Çfarë duhet bërë që këto protesta të sjellin demokraci dhe jo të ndërrojnë banditë në pushtet? Gjykoj se kjo protestë duhet t’i nxisë të gjithë për reflektim ndaj kësaj pikëpyetjeje. /Panorama/

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0