Shqiptarët po e zgjidhin vetë anëtarësimin në familjen evropiane
Tashmë hyrja individuale në BE po zgjerohet gjithnjë e më shumë...
Nga Riza Hoxha
Tashmë shqiptarët që kanë humbur krejtësisht besimin te klasa e tyre politike kanë nisur ta zgjidhin vetë anëtarësimin në familjen evropiane. Aq sa edhe urimin e parë të këtij fillim viti të gjithë e kanë për njëri tjetrin: “Uroj të bëhesh pjesë e familjes evropiane sa më shpejt”. Një urim që konsiderohet nga shumica e shqiptarëve si shpëtim nga varfëria që i ka pllakosur, si shpëtim nga nepotizmi idiotesk politiko – familjar, që ua ka zënë frymën shumicës së shqiptarëve.
Njëherësh zgjidhja personale e hyrjes në familjen evropiane tregton nivelin e lartë të mosbesimit që shqiptarët kanë te klasa politike, e cila deri tani prej afro 30 vitesh e pandryshuar thuajse fare ka sjellë vetëm varfëri dhe nepotizëm, aq sa shumicën e shqiptarëve i ka bërë ta shohin dheun amë me mosbesim. Këtë e tregon edhe fakti që më shumë se 1,5 milion shqiptarë tashmë janë larguar përfundimisht nga dheu amë. Njëherësh sot shqiptarët e dinë mirë se BE nuk ka asnjë besim te klasa politike, ndaj e zvarrit fillimin e bisedimeve për hyrjen në paradhomën e BE-së. Aq sa tashmë edhe vetë shqiptarët e kanë humbur gjithë besimin se një ditë me këtë klasë politike që kanë BE do t’ua hapë dyert.
Kjo ka bërë që shumë shqiptarë të kërkojnë në mënyrë individuale rrugë për t’u bërë shtetas të BE-së. Si një zgjidhje efikase për të ardhmen e fëmijëve. Sot janë mijëra shqiptarë që pasi kanë flakur në hale mashtrimet e klasës politike, kanë mundur të realizojnë ëndrrën e tyre dhe janë bërë shtetas të BE-së. Kësisoj kanë tërhequr edhe vëllezërit, motrat e të afërm të tjerë, aq sa në ndonjë cep të Londrës kanë krijuar “mëhalla të shqiptarëve”, siç i quajnë me njëri tjetrin.
Problemin që nuk po arrin t’ua zgjidhë klasa politike, shqiptarët po përpiqen ta zgjidhin vetë. Prej afro 30 vitesh nga fillimi i erërave të demokracisë, shqiptarët kanë mbetur në tranzicion, sa sot po u duket një rrugë e pambarim dhe e përjetshme. Deri sot, kjo klasë politike që asgjë nuk di të ndryshojë, ka mundur të realizojë vetëm vjedhjen e pasurisë kombëtare pa i hyrë gjemb në këmbë. Pasi ka ditur që të vendosë në Drejtësi plazhistët e Durrësit që sot rezultojnë mbrojtësit militantë të politikanëve hajdutë, ndërsa vetë tregojnë se janë bërë milionerë me paratë që ua kishin falur gjyshet e gjyshërit, kunetërit e vëllezërit, bile ndonjërit edhe dashnoret, apo duke luajtur bixhoz. Edhe pse me justifikime të tilla ekstremisht idioteske, këta plazhistë deri tani Vetingu vetëm i largoi nga sistemi, pa u hyrë gjemb në këmbë. Se ç’klasë politike kemi ne shqiptarët na e tregoi edhe ky Vetting gjysmak, që po zbatohet nën mbikqyrjen e miqve ndërkombëtarë. Se po të ishte për klasën tonë politike, plazhistët e Durrësit thjesht do të dekoroheshin për plaçkitje të mirë të shqiptarëve.
Kjo është arsyeja që kjo klasë politike është e pabesueshme jo vetëm nga shqiptarët, po edhe nga miqtë ndërkombëtarë që e kanë nën mbikqyrje. Në asnjë lëvizje nuk i besojnë. Miqtë vetëm nënqeshin kur dëgjojnë artikulimet e palo-politikanëve tanë që përpiqen të na gostitin me lugë bosh siç ndodhi verën e kaluar, kur na thanë se miqtë kanë pranuar t’i nisin bisedimet për pranimin në BE. Kur në realitet, në gjë e tillë nuk ndodhi as në dhjetor, as sot e gjithë ditën. Bile vështirë se do të ndodhë edhe verën e ardhshme, kur BE është përfshirë për zgjedhjen e parlamentit të ri evropian në muajin maj. Dhe deputetët e rinj vështirë se do ta nisin punën me shqiptarët që aq shumë i kemi çuditur, siç ndodhi në fund të vitit të shkuar, kur deputetët tanë të opozitës shkuan në Bruksel vetëm për të ngrënë një drekë. Idiotizma të tillë vetëm na largojnë nga BE.
Në këto kushte shqiptarët po duan ta zgjidhin vetë problemin e hyrjes në BE, që e kanë një ëndërr të kahershme. Dhe shumë prej tyre ia kanë arritur qëllimit duke u bërë qytetarë të denjë të BE-së. Pa i marrë leje kësaj klase politike albaneze që prej afro 30 vitesh, siç thamë, nuk ka bërë një gjë të hajrit.
Tashmë hyrja individuale në BE po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Kësaj rruge shumë shqiptarë ia kanë parë hajrin duke zgjidhur jo vetëm problemet e veta familjare, po edhe duke ndihmuar edhe fisin.
Tashmë këtë rrugë po e ndjekin gjithnjë e më shumë shqiptarët. Njëra nga rrugët është marrja e shtetësisë greke. Jo nga shtetasit minoritarë grekë, po nga shqiptarët safi. Janë jo të paktë shqiptarët, bile nga veriu dhe verilindja e Shqipërisë që e kanë ndërruar emrin nga Muhamet në Panajot, nga Ali në Aleksandër, nga Zenel në Andreas etj., etj. Këtë e sheh sot kushdo edhe në listat e votuesve. Dhe nuk çuditet. Kështu ka ndodhur vite më parë kur emri ndërrohej me vendim të këshillit bashkiak, apo komunal, kështu po ndodh edhe tani kur emri po ndërrohet me vendim gjykate. Dhe të gjithë këta shtetas “grekë”, pasi kanë qëndruar me vite në Greqi, sot janë larguar nga Greqia e zënë ngushtë nga kriza ekonomike, në Angli, apo në vende të tjera të BE-së. Janë larguar pa i penguar kush, pasi janë anëtarë të familjes evropiane. Ata vijnë e na vizitojnë në prag të festës së vitit të dhe sërish largohen si anëtarë të familjes së BE-së.
Në rrugë tjetër efikase është ajo e kthimit të shumë shtetasve shqiptarë në shtetas bullgarë. Një rrugë që po i kthen në shtetas bullgarë të gjithë banorët e krahinave të Gorës (Kukës) dhe të Gollobordës (Bulqizë). Në të vërtetë banorët e këtyre krahinave prej vitesh kanë përfituar shtetësinë bullgare. Po tashmë kjo dukuri po kthehet mirëfilli në një biznes fitimprurës në shërbim të një grupi trafikantësh. Goranët dhe gollobordasit vërtet kanë fituar statusin e pakicës bullgare, por për të fituar shtetësinë bullgare u duhet të paguajnë 150 euro vetëm për të legalizuar certifikatën e lindjes te një person nga Strebleva, tashmë i njohur nga të gjithë si drejtues i një shoqate minoritare. Qesharake është se nuk i besohet vulës së gjendjes civile të shtetit shqiptar, por këtij streblevasi, banor i Tiranës prej vitesh, që nuk e di nga bie Gora, por jep viston se cilët janë banorë nga zona e Gorës duke e paguar atë me 150 euro. Kjo është rruga që është ndjekur ndër vite për përfitimin e shtetësisë bullgare nga banorët e këtyre dy krahinave, po deri tani është heshtur nga zyrtarët shtetërore të të dyja palëve.
Bile, problemi ka shkuar duke u mahisur edhe më shumë. Tashmë për ta fituar shtetësinë bullgare më shpejt duhet të paguash 800 euro. Përndryshe puna mund të vijojë të zvarritet ashtu si më parë deri në kalendat greke. Gjithsesi, përmes kësaj rruge nuk janë të paktë banorë të këtyre krahinave që janë tashmë qytetarë të BE-së dhe lëvizin lirisht në çdo vend të BE-së. Ndaj nuk u bën asnjë përshtypje indiferenca e pushtetarëve tanë, nuk u bën përshtypje as çfarë llomotisin lloj-lloj politikanësh se nesër, apo pasnesër do të hyjmë në BE. Sepse ata anë pjesëtarë të familjes së BE-së, anë të regjistruar në zyrat e punës në vendet e BE-së, bile edhe marrin përkrahje sociale.
Janë të shumtë shqiptarët që i ka kanë arritur ta zgjidhin vetë dëshirën për t’u bërë qytetarë të BE-së. Pa pritur vargun e pafund të mashtrimeve të politikës albaneze, një politikë që qartësisht duket se po i çon shqiptarët nga humbja në humbje. Sa humbja ka mbetur e vetmja krenari e kësaj klase politike që nuk di të lëshojë vendin askujt tjetër.. Sepse vetëm kështu i shpëton ndëshkimit që meriton për çfarë u ka shkaktuar shqiptarëve gjatë këtyre afro 30 viteve të kësaj demokracie të mbetur në tranzicion, të kësaj demokracie që ngriti vetëm një pushtet krejtësisht nepotiko – politiko – familjar.
Është për të qeshur me këtë klasë politike që kemi, po ajo as sot e gjithë ditën nuk e di sa prej 1,5 milion shqiptarëve të larguar janë sot shtetas të BE-së, sa prej tyre sot janë biznesmenë në vendin e ri etj. Kjo klasë politike nuk di asgjë me vlerë për Shqipërinë.
Ndoshta nuk do t’ia arrijmë të ngremë struktura qeveritare në shërbim të popullit, pa i kaluar në sitën e Vettingut. Kësisoj na u dukën edhe ndryshimet e fundit qeveritare. Të gjithë ministrat e larguar nga posti u lavdëruan aq shumë sa të gjithë ne shqiptarët pyetëm njëri tjetrin: kur ishin kaq të mirë pse kjo klasë politike i largoi? Apo të mirin vetëm ne shqiptarët nuk dimë ta vlerësojmë? Ndoshta kështu është. Sepse edhe kryeministri na tha se, ministri i ri i Jashtëm paska lexuar libra më shumë se të gjithë shqiptarët e tjerë që i mbushnin sallën e konferencave të shtypit. E vërteta është se tashmë gjithë shqiptarët e dinë mirë se, libra nuk lexojnë as të shkolluar, as të pashkolluar në këtë vend. Aq sa edhe libraritë janë të pakta. Të pakta sa sot ka qarqe të tëra ku nuk gjendet për farë një librari. Ndaj për të lexuar një libër ndonjë lexuesi të paktë i duhet të udhëtojë drejt Tiranës për të blerë një libër. Është kjo arsyeja që krahasimi i ministrit të Jashtëm se lexoka libra është qesharak. Se lexon libra nuk do të thotë se do të mund të na përshpejtojë pranimin në BE, bie fjala, problem që shqiptarët kanë nisur ta zgjidhin vetë.
Comments (0 posted)
Post your comment