Home | Society | 13 Shkurt 2019

13 Shkurt 2019

image
Trishtueshëm më duhet të epilogoj me të vdekurit…

 

Nga Dr. Arben Taravari

 

 

Vdekja nuk zgjodhi sipas etnisë viktimat e saj, ajo mori nga të gjithë… Le të jetë kjo leksion për ne që jemi ende gjallë që mos zgjedhim të japim respekt sipas etnisë apo fesë, por vetëm në emër të humanizmit!

 

 

Një tragjedi e rëndë goditi vendin tonë të mërkurën e 13 shkurtit. Një autobus me udhëtarë që rrugëtojnë nga Shkupi për në Gostivar, ka dalë nga rruga në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë, në afërsi të fshatit Llaskarcë.

 

Si pasojë e devijimit të autobusit i cili është rrotulluar disa herë deri sa është përmbysur, janë lënduar 32 udhëtarë dhe deri tani që shkruaj janë deklaruar zyrtarisht 14 viktima, por nuk e di nëse numri do të jetë i njëjtë kur do të botohet shkrimi, pasi disa prej të lënduarve ndodhen në gjendje kritike për jetën! Uroj që ky numër të mos shtohet! Në fakt lutem mos shtohet, disa se kur tragjeditë janë të këtyre përmasave edhe mjekëve ju mbetet t’i drejtohen vetëm Zotit, disa nga tmerri se jetë të tjera do të shuhen e disa nga frika se mund të jetë një tjetër i njohur imi, e kur i ke njohur ata që vdesin, dhimbja bëhet edhe më e fortë. Se për fat edhe më të mbrapshtë gati se të gjitha viktimat e këtij aksidenti ishin nga Gostivari. Të gjithë sytë u kthyen nga qyteti im i shtrenjtë, nga të mirët e të mundurit gostivaras.

 

Shteti shpalli dy ditë zie, telegrame ngushëllimi fluturuan nga e gjithë bota, sepse fatkeqësia ka ritualet e saj, por dhimbja…dhimbja nuk ikën me protokoll! Ajo është futur në portat e shtëpive të qytetit tim, është vulosur dhimbja në sytë e fëmijëve që nuk kanë më nënë, në sytë e babës i cili djalin që donte ta bënte mjek, tash e ka një emër të shkruar në listën e viktimave, që askush nuk mund t’a largojë! Apo të babës dhe nënës që prisnin atë ditë në shtëpi dritën e syve, djaloshin që luante basketboll, e që në fakt morën vetëm kumtin e vdekjes.

 

Sytë e vogëlushëve që prisnin nënën e tyre…në fakt të gjithë të tmerruar janë sepse kanë humbur më të shtrenjtit! Të gjithë një për një kanë lënë një histori trishtimi! Kështu Gostivari po nxin këto ditë, edhe kur dielli është vendos në kupë të qiellit, nuk mund të çojë asnjë fije ngrohtësi tek pamjet e errëta të lagjeve të Gostivarit, të të munduarit Gostivar!

 

Vetëm se e ndjej për detyrë që pikërisht në këtë sezonë të rëndë, në emër të jetës, në emër të atyre që janë gjallë e që kanë shpëtuar mrekullisht, me fol për heronjtë e kësaj dite, dhe do filloj me fshatin e Llaskarcës. Banorët e tij, kanë vrapuar të parët në ndihmë viktimave. Kanë transportuar në spital sa kanë mundur, dhe ende sot janë të vajtur nga masakra që kanë pa me sy! Nuk do harrohet kurrë fytyra e burrit fisnik të Llakarcës, i cili duke treguar përballë kamerës se si ka ndihmuar bashkë me të tjerë për të shpëtuar udhëtarët, shpërthen në lot dhe nuk mundet më të vazhdojë.

 

Nuk do të harrojë kurrë Gostivari djaloshin nga ky fshat i cili po zbardh natën vullnetarisht duke çuar çaj e kafe për të lënduarit sot e gjithë ditën që po shkruaj këto rreshta. Banorët rreth spitaleve, shqiptarë, maqedonas, turq, të cilët liruan banesat e tyre për familjarët e të prekurve nga kjo fatkeqësi.

 

Të gjithë ata që dhuruan dhe vazhdojnë ende të dhurojnë gjakun e tyre për këtë rast të tmerrshëm, duke mos pyetur çfarë kombësie kanë të lënduarit e duke dhënë gjakun e humanizmit! Falënderojmë me gjithë zemër banorët e Llakarcës dhe çdo njeri që ka ndihmuar të shpëtohen jetë nga autobusi i vdekjes. Falemnderoj në emër të banorëve të Gostivarit të gjitha mantelat e bardha të Spitalit Shtetëror dhe “8 Shtatori” që kanë punuar me dedikim maksimal duke bërë gjithçka për të shpëtuar sa më shumë jetë! Nuk falemnderoj, por përçmoj skajshmërisht të gjitha deklaratat anti-njerëzore që janë bërë me këtë rast, dhe ftoj organet kompetente t’i japim ndëshkimin e duhur ligjor rasteve që kërkojnë të diskriminojnë edhe të vdekurit!

 

Unë jam takuar me familjarët e të gjithë viktimave, dhe ju dëshmoj që sytë e tyre, edhe pse të ndryshëm, disa maqedonas, disa shqiptarë, disa turq, dukeshin sy të njëjtë: sy të tmerruar! Mbi të gjitha aty nuk vdiqën shqiptarë, maqedonas apo turq, aty vdiqën djem dhe vajza të qytetit tonë, dhe vdekja e tyre është një tragjedi epike, e cila nuk është as dënim dhe as ndonjë hakmarrje koincidenciale, është thjesht Fatkeqësi që mjerë aty ku bie! Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen, por nuk bëj keq nëse them se gjithsesi duhet kontrolluar shpejtësia me të cilën udhëtoni, kushtet teknike të automjeteve që ngasni, do të jeni më të mbrojtur!

 

Trishtueshëm më duhet të epilogoj me të vdekurit… Do të kujtohet kudo kjo tragjedi, por aty në Gostivar tashmë është gdhendur 13 shkurti i 2019-ës, në familje, në lagje e fshatra, në të gjithë ne!

 

Mesazhi i vetëm që mund të marrim është se vetëm kur e humb diçka, ja kupton vlerën e vërtetë, ndoshta mund të bëhemi të mënçur e të mos lejmë që t’a duam njëri-tjetrin vetëm pasi e kemi humbur, le të duam sa jemi gjallë, do kemi më pak pengje…do jemi më të fortë!

 

I përhershëm qoftë kujtimi i viktimave! Zoti i lehtësoftë sa më shumë zemrat e tyre, i qofshim falë Vullnetit të Tij!

 

Vdekja nuk zgjodhi sipas etnisë viktimat e saj, ajo mori nga të gjithë… Le të jetë kjo leksion për ne që jemi ende gjallë që mos zgjedhim të japim respekt sipas etnisë apo fesë, por vetëm në emër të humanizmit! /Koha.mq

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0