Me vepra, jo me fjalë për diasporën
Por, të përpiqemi t’i integrojmë në një vend ku talentet po shterin çdo ditë dhe hendeku me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian...
Ilir Kalemaj
Duke qenë se këto ditë po zhvillohet i shumëtrumbetuari samiti i dytë i diasporës, i cili kushton rrumbullak 670 milionë lekë, ku vetëm skenografia kushton 170 milionë sikur do rinovohet nga e para Pallati i Kongreseve dhe kancelaritë 150 milionë, u thua pjesëmarrësve do u ndahen stilolapsa diamanti në shenjë kujtimi nga mëmëdheu, mirë është të shohim pak përtej katundit tonë se si e kanë stimuluar disa vende të tjera në tranzicion diasporën e tyre. Me vepra, jo me fasadë.
Për të mos e rritur pjacën deri në nivel Kroacie, e cila kishte deri vonë 1-2 ministra të rëndësishëm që vinin nga diaspora, përfshirë fjala vjen ministrin e rëndësishëm të Mbrojtjes, hidhemi njëherë andej nga Kaukazi dhe shohim që Gjeorgjia, e cila ka plot 22 për qind të territorit të saj de facto të pushtuar nga Rusia, i pret të diplomuarit e saj në aeroport dhe u ofron mundësi punësimi sipas zgjedhjes në shtet apo privat me rroga super konkurruese ndërkohë që si pozita, ashtu edhe opozita, mundohet t’i afrojë pranë vetes si burime njerëzore të pazëvendësueshme. Aq më tepër nëse vijnë nga universitete elitare. Fjala bie, ndër tre veta që kishin mbaruar Columbia Law School, një ishte caktuar në Gjykatën e Lartë, tjetra ambasadore në Washington, dhe i treti dekan i Fakultetit të Drejtësisë. Të kishe një MBA në Harvard, ministër ekonomie me fast track. E njëjta gjë me Azerbajxhanin, që u ofron bursa të plota shtetërore dhe punësim të garantuar në shtet apo privat (sipas preferencës) studentëve ekselentë në universitete prestigjioze ndërkombëtare. Jo rastësisht këto dy vende renditen shumë lart përsa i përket qoftë lehtësisë së të bërit biznes dhe derregullimit (rasti i Gjeorgjisë), qoftë rritjes impresive vjetore ekonomike – i dyti në botë pas Katarit, rasti i Azerbajxhanit. Ndërkohë, fqinji tjetër Armenia, ka rregullisht 3-4 ministra që vijnë nga diaspora.
Shteti fqinj, Maqedonia e Veriut ka të rezervuar tre deputetë nga diaspora e këtij vendi në botë. Ndërkohë, diaspora kontribuon në mënyrë shpërpjesëtimore në ekonominë e këtyre vendeve. Fjala vjen, diaspora malazeze, e cila është rreth dy herë krahasuar me popullsinë e këtij vendi dhe kjo shifër sa vjen e thellohet në rastin e popullsisë shqiptare, ka kontribuar plot 348 milionë euro vitin që lamë pas në një vend që e ka Prodhimin e Përgjithshëm Bruto rreth tri herë më pak se të Shqipërisë. Mesatarja e remitancave apo dërgesat financiare të emigracionit për Maqedoninë e Veriut janë 185 milionë dollarë në një vend ku prodhimi i përgjithshëm bruto është 11.46 miliardë dollarë. Shqipëria që e ka 15 miliardë dollarë vjel ndërkohë rreth 785 milionë dollarë në vit nga remitancat. Ndërkohë edhe në rastin e Maqedonisë, diaspora shqiptare atje kontribuon në mënyrë shpërpjesëtimore, krahasuar me sllavo-maqedonasit dhe etnitë e tjera edhe për shkak të emigracionit më të hershëm, diasporës më të konsoliduar, lidhjeve më të forta më familjet e lëna pas dhe faktorët ekonomikë lokalë.
Ndërkohë që në rastin e Shqipërisë, dukshëm emigrantët dhe diaspora në tërësi kanë kontribuar financiarisht por edhe me njohuri, kapital dhe punësim të gjeneruar në strukturën ende të pakonsoliduar ekonomike, pa model të qartë zhvillimi, pa strategji koherente dhe e varur në masë të madhe nga konsumi dhe shërbimet. Një ekonomi që nuk prodhon dhe që sa vjen dhe thellon hendekun mes një dore oligarkësh që shfrytëzojnë dhuratat bujare në formën e partneriteteve pirat-plaçkitëse apo koncesioneve të pakërkuara që prishin garën reale apo konkurrencës së pandershme nga paratë e pista që kanë infektuar sistemin. Dhe ku diaspora ka një rol të çmuar përsa i përket kontributit të vyer që sjell me kapital dhe ekspertizë, për dërgesat financiare dhe gjenerimin e standardeve adekuate të punësimit, për patriotizmin dhe stoicizmin. Minimumi që mund të bëjmë në kthim, është të paktën mos t’u fyejmë inteligjencën me ‘show’ të tipit fasadë. Por, të përpiqemi t’i integrojmë në një vend ku talentet po shterin çdo ditë dhe hendeku me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian tashmë ka shkuar një treçerek shekulli. Kjo sa dyfishi i kohës së Ismail Qemalit, ku do burra të urtë dhe me atdhedashuri të spikatur lanë rehatinë e ofiqeve që kishin dhe hodhën themelet e një shteti, që ende sot është në kërkim të vetvetes. Nuk kemi pse shpikim rrotën, thjesht të mësojmë nga eksperienca e vendeve përqark apo me histori të përngjashme me ne dhe nuk do ketë nevojë të ecim nëpër monopate theqafje apo shtigje të pashkelura.
Comments (0 posted)
Post your comment