Dikujt i ka mbaruar koha për të ardhur në pushtet!?
Gjithmonë koha mundëson largimin ose ikjen e një qeverie!
Nga Besi Bekteshi
Normalisht që edhe Zajev do t’ju thoshte "kujdes" atyre që janë munduar ta imitojnë, por që nuk kanë të drejtën të barazohen kurrë me të! Në fakt Zajev, nuk ka qeverisur, nuk ka vjedhur, nuk ka bërë tendera, nuk ka shitur detin as tokën Greqisë, nuk ka vrarë në bulevard dhe nuk i ka plasur Gërdeci! Kështu që në Tiranë jua tha qartë atyre që duan të fillojnë një 97-të "moderne" se nuk jam si ju! Po ky nuk është kaq shumë problemi edhe pse në të vërtetë ka qartësi politike brenda! Problemi është se te ne "vijnë e ikin" jo në të drejtën e demokracisë! Gjithmonë koha mundëson largimin ose ikjen e një qeverie! Ose të një individi sipër saj! Po, koha mbush me fakte dhe rekorde, "biografinë" e një qeverie dhe një individi për mirë dhe për keq që justifikon ikjen! Ka katër pika të mëdha dhe të qarta që kjo qeveri dhe Kryeministri Rama mund të iknin (largoheshin me votë) nëqoftëse do të ishte një opozitë si e Zajevit në Shqipëri! E para: Rama dhe mazhoranca, premtuan të mos përsërisin fajet e Berishës! Përsëriten tenderat e dyshueshëm, grabitur dhe përdorur keq! Përsëriten mungesën fatkeqe të kontrollit mbi territorin si për hashashin dhe për administrimin! Përsëritën folklorizmin në administratë dhe pse me "pathos" sulmuan Berishën!
Sigurisht foklorizmit dhe partitizmit idiot, rrumpallizmit të Berishës, i shtuan "koklavitjen arrogante të no name no face" nëpër zyra! E dyta: "pathosin elektoral" të 300.000 vendeve të punës! Në fillim dhe vazhdim si mandat! Një raprezalje mendore te njerëzit që e dinë qartë se sa një qeveri ka aftësi të krijojë stabilitet ekonomik, financiar, politik, për të bërë mrekulli të tilla punësimi! Po pra dhe me përballë një opozitë si e Berishës me Bashën si "ufolog politik mbi të"! E treta: mos përfundimi reformës në pushtetin vendor! Një diçka që ka të keqen e varësisë akoma më shumë nga qendrori dhe rikapitullimin e feudalëve akoma më të mëdhenj mbi tashmë 61 Bashki! E katërta: Krijimin me anën e reformave të pa zonjat të plotësohen, të përfundohen pra, për të pasur plotësisht sukses, (arsim, shëndetësi, polici, drejtësi) pikërisht të një fryme pasigurie të madhe qeverisëse në vend! Ka dhe shumë të tjera, por në fakt këto zgjodha që të mos zgjatem më! Po të shtohen stresi me taksa dhe tatime, çmime, abuzime pastaj ..?! Ok, këto janë të mjaftueshme për të mbushur mendjen e njerëzve (një pjese, jo të rreshtuar në krah) që mund ti thonë dhe ik me votë Ramës, por ka ndodhur diçka që është ndryshe nga Maqedonia e Zajev!
Problemi i madh është se Berishës, Bashës, Monikës, Mehdiut dhe të tjerëve aty, ju ka mbaruar koha e ardhjes në pushtet! Ju ka ikur koha e mundësisë për të ardhur në qeverisje! Pse?
Po sepse janë anti perëndimorë në thelb! Janë kundër politikisht dhe strategjikisht BE-së dhe po luajnë keq me SHBA-të! Janë të inkriminuar me ndodhi dhe paudhësitë e tyre prej vitesh e vitesh qeverisje negative! Me mega skandale tenderash dhe rrugësh të lënë jo përgjysëm, por as në fillim! Me skandale të ÇEZ-it dhe financimi nga më absurdët që nga banka e Shqipërisë dhe toka bregdeti, apo "sipërmarrje një euro tip Fazlliç etj., etj"! Janë të krimbur me skandale në naftë dhe minerale, në biznese fantazma që kanë ardhur, kanë vjedhur dhe kanë ikur si mafiozë në Shqipëri! Po në hidrocentrale si Banja dhe rrugë apo TEC! Janë të krimbur me shkatërrimin e ujrave, detit dhe bregdetit, të maleve dhe lumenjve! Po i kaloj lehtë 21 janarin, Gërdecin, Kosta Trebickën, detin e Bakojanisit dhe Bashës! Janë të krimbur me vjedhjet e zgjedhjeve vetë dhe "edukatën" që i dhanë edhe PS-së së Ramës, për të përdorur të fortë dhe maskarenj si metodën e sundimit të elektoratit kryesisht rural dhe suburban! Kanë dhënë shembullin më të keq me Bashën si Kryebashkiak të Tiranës, si një dembel që kishte mungesë pune dhe afera korruptive! Kanë shëmbuj të Kryebashkiakëve "lumpen" si ai i Kamzës apo ajo e Shkodrës që bëjnë vetëm politikë dhe asgjë tjetër përveç aferave! Kanë në kohën e sotme dosjet që ju rrinë pranë në fillimin e drejtësisë dhe SPAK e BKH! Jo vetëm atyre sigurisht, por dhe këtyre majtas! Janë haptas kundër reformës në drejtësi, që nuk është realisht e Ramës, por e ndërkombëtarëve! Janë haptas pro dhunës dhe absurdit të rrëzimit të shtetit "si i Ramës" dhe në të kundërt të interesave integruese të shqiptarëve! Janë demagogët "lejefenistë" më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria dhe me karakter neobolshevik në drejtimin partiak të tyre! Si mundet një gjeneratë e tillë "LejFenësh modernë", por aspak të ndershëm si ai, të vijnë në pushtet!? Prandaj them, se mbase koha për të ikur ai në pushtet mund të jetë dhe ajo vjen sigurisht, por ka mbaruar koha e ardhjes në pushtet të këtyre monstrave të pushtetit dikur dhe akoma më keq, monstra opozite sot!
Për këtë gjë kjo shoqëri është nën stres! Prandaj një shoqëri e gjitha është ngritur për të ikur! Prandaj është çakërdisur fare në shumë drejtime! Sepse shikon se pushteti abuzon dhe nuk i kthehet relacionit që ka e majta europiane me popullin e saj e në anën tjetër shikon një opozitë që e ka konsumuar veten akoma më keq në opozitë, se sa në pushtet! E ky është halli i madh! Alternative e shoqërisë është ose t’i bindet pushtetit që e tepron, duke mos dëgjuar njerëzit, ose të çohen ta rrëzojë me dhunë për të ardhur Berisha edhe një herë në pushtet! Këtë të dytën sigurisht kjo shoqëri nuk e bën më! Atë e bëjnë aventurierët e lidershipit të inkriminuar opozitar sot dhe disa miltantë kryesisht në Kamzë dhe pak nëpër rrethe! Të tjerët bisedojnë çdo ditë se si iket nga Shqipëria! E kjo është alternativa e qartë e shumë njerëzve që nuk besojmë më absolutisht te klasa politike e sotme! Kjo është alternativa e tyre jashtë partive! E sigurisht nuk kanë shumë faj! Jo vetëm për këtë, por dhe për dëshpërimin që i ka pllakosur mbi këtë tranzicion kriminal të pa drejtë dhe rrënues që kemi peshqesh nga monstrat në politikë!
Comments (0 posted)
Post your comment