Home | Sport | Maradona: Mafia kontrollon futbollin

Maradona: Mafia kontrollon futbollin

image
Nëse në futboll duhet të gjesh personat e duhur për të thënë të vërtetat e këtij sporti, Diego Armando Maradona kryeson listën. I pakompromentueshëm dhe i drejtpërdrejtë si gjithnjë. Ikona e këtij sporti akuzon ashpër se mafia po kontrollon gjithçka.

 

 

   

 

 

Nëse në futboll duhet të gjesh personat e duhur për të thënë të vërtetat e këtij sporti, Diego Armando Maradona kryeson listën. I pakompromentueshëm dhe i drejtpërdrejtë si gjithnjë. Ikona e këtij sporti akuzon ashpër se mafia po kontrollon gjithçka.

 

Duke përdorur menaxherët, sipas tij, po vendosen trajnerë të paaftë në klube të mëdha dhe kështu është e pamundur që sporti të evoluojë. Ai kritikon ashpër Platininë, ndërkohë që nuk mendon se Serxhio Ramos dhe Pike janë mbrojtës të nivelit të lartë, por thjesht me fat që luajnë në ekipe të tilla…

 

Me çfarë po merret aktualisht Maradona?

 

Po kaloj një periudhë të mrekullueshme, jam i lumtur. Po qëndroj me njerëzit që dua, fëmijët e mi dhe nipin Benxhamin. Jam duke përjetuar një moment paqeje dhe po miqësohem shumë me Franciskiton, Papa ynë. Sa i përket futbollit, kam folur me Infantinon (presidenti i FIFA-s) dhe i kërkova që të lobojë që ky sport t’u kthehet futbollistëve dhe jo drejtuesve.

 

Cila do të ishte gjëja e parë që do bënit, nëse do ishit president i FIFA-s?

 

Nuk mund të jetë drejtues një person që s’i ka rënë asnjëherë topit me këmbë dhe të vendosë fatet tona, të njerëzve që kanë luajtur futboll që fëmijë dhe që u kemi dhuruar emocione të tjerëve. Boban, Trezege, Hugo Sançez, Ruxheri… kam folur me të gjithë dhe jemi gati për të luftuar për futbollin. Infantino thotë që do të bashkëpunojë…

 

Ka qenë Platini një zhgënjim për ju?

 

Po, nuk i ka sjellë asgjë futbollit. E humbëm respektin për të. Nuk na prezantoi dot asnjëherë dhe, mbi të gjitha, s’na dedikoi as një minutë.

 

E keni lënë pas dore karrierën tuaj si trajner? Klubi i fundit që drejtuat ishte Al Uasl në vitin 2012…

 

Jo, aspak. Kam shumë motivim. Por, në futboll ka një mafie shumë të madhe. Nuk duket, por ekziston gjatë gjithë kohës. Bota e trajnerëve është e dominuar nga menaxherët dhe promovohen njerëz të paaftë. Ka shumë menaxherë që, nëse nuk i paguan, atëherë nuk merr dot drejtimin e asnjë ekipi. Kështu ndodh. Duhet të themi të vërtetën. Unë nuk i pranoj dot kurrë këto kushte.

 

Mendoni se është një pozicion ku mund të keni vështirësi?

 

Unë kam luajtur futboll dhe mendoj se mund të mësoj të tjerët si trajner. Për këtë arsye, jam i hapur për të punuar në një pozicion të tillë, por pa paguar askënd që të më gjejë punë. Është një rrjet që ka krijuar trajnerë që shkojnë nga Valencia te Reali, nga Barcelona te Siti dhe nga Siti te Junajtid. Është e pabesueshme. Ka 15 vite që te Reali ose nga Milani, shkon pa asnjë problem, pasi tani drejtojnë interesat e ndërlidhura të këtij rrjeti. Rafa Benitezi, për të cilin kam shumë respekt, dështoi te Reali. Nuk dua t’i fajësoj aspak futbollistët. Ishte faji i tij. Por, menjëherë sapo dështoi totalisht te një klub i madh, i dhanë mundësinë që të firmoste për tre vite me Njukasëllin. Mund të ma shpjegojë njeri këtë? Është diçka normale?!

 

Florentino vendosi që t’ia besojë pankinën Zinedin Zidanit. Shpresoni që një prej klubeve ku keni luajtur gjatë karrierës t’iu japë një mundësi të ngjashme?

 

Mbase unë nuk jam gati për Barcelonën ose për një klub të madh, por mund të kem mundësinë që të luftoj me ekipe të tjera. Në kohët e sotme, me sa duket, nuk është e nevojshme të kesh qenë futbollist i mirë për të qenë trajner i suksesshëm. Unë lumturohem kur shikoj Zidanin që të fitojë, pasi nëse ai do dështonte, drejtuesit do thoshin: “Ka qenë lojtar i mirë, por nuk mund të bëhet dot trajner”. Johan Krujf u dha mesazhin e duhur të gjithëve. Pasi shkëlqeu në fushë, fitoi gjithka si trajner.

 

Duke qenë se po flasim për trajnerët, besoni se Diego Simeone meriton të fitojë një Champions?

 

Po bën një punë të madhe dhe e respektoj shumë si person. Me Riverin, ai provoi të jetë nga kampion, në vendin e fundit. Nga triumfi në dështim brenda pak muajsh. Ndërsa tani qëndron në nivel të lartë me Atletikon, duke sfiduar klube si Reali dhe Barcelona. Dy finalet e Ligës së Kampioneve i humbi sepse nuk hoqi dorë nga filozofia e tij. Besoi te vetja dhe ndonjëherë jo gjithçka nuk preket.

 

Shumë e akuzojnë se praktikon një futboll agresiv dhe mbrojtës…

 

Epo, ku janë ekipet që dhurojnë spektakël? Po, Ajaksi është i bukur, por nuk fiton asgjë. Bajerni i fiton të gjitha në Gjermani, por gjërat komplikohen kur largohet 100 kilometra nga vendi i tij.

 

Guardiola jep spektakël…

 

Pep është një djalë fenomenal, por nuk dua që të më bindin se “tika-taka”- n e krijoi Guardiola. Unë e njoh mirë dominimin e qarkullimit të topit dhe atë e krijoi Krujf. Ai është pionieri i asaj filozofie.

 

Si e shikoni rivalitetin Mesi-Ronaldo në ditët e sotme?

 

Unë i shikoj të gjithë kampionatet. Vërtet. I ndjek kampionatet kryesore. Leo dhe Kristiano janë superiorë ndaj të gjithëve. Kristiano më kënaq kur e shikoj, pasi lufton në maksimumin. Ndërsa për Leon e kam thënë shumë herë dhe më bezdis fakti që duhet ta përsëris: ai nuk ka nevojë për të ngritur Kupën e Botës që të konsiderohet fenomen.

 

Thonë se nuk ka personalitet apo se nuk këndon himnin…

 

Duhet ta lënë të qetë! Ai ka të gjithë të drejtën të heqë dorë nga Kombëtarja, ashtu siç bëri këtë verë. Të gjithë të drejtën.

 

Mendoni se mund të vazhdojnë edhe për shumë vite në majë?

 

Besoj se po. Mua ma kanë nxjerrë nga konteksti atë që kam thënë për Mesin pak kohë më parë. I pata thënë Pelesë, që në kohën e tij, kishte në ekip pesë apo gjashtë futbollistë me personalitet, të cilët e ndihmonin shumë. Diferenca nuk bëhet dot vetëm. Ose minimalisht, trofetë nuk fitohen dot vetëm. Për shembull, Brazili i Pelesë ka pasur futbollistë të tjerë si Tostao, Rivelinjo, Karlos Alberto, Klodoaldo apo Zharzinjo…

 

Mesi ka fituar kampionatin dhe Kupën e Spanjës, ndërsa Ronaldo ngriti Champions-in dhe kampionatin europian. Mendoni se portugezi duhet të fitojë “Topin e Artë”?

 

Për mendimin tim, “Topi i Artë” nuk fitohet gjithnjë nga ai që e meriton më tepër. Për shembull, unë nuk jam mik me portierët, por në vitin 2014, kur finalistë ishin Ronaldo, Mesi dhe Nojer, fitues duhet të ishte gjermani dhe jo Kristiano. Nojer kishte fituar Kupën e Botës! Sa i përket krahasimit të këtij edicioni, nuk besoj se ky trofe do t’i diferencojë Leon me CR7. Më pëlqejnë të dy dhe nuk do guxoj kurrë të them se njëri është më i mirë se tjetri.

 

A është Nejmar në të njëjtin nivel me ta?

 

Mendoj se Leo dhe Kris janë të paarritshëm për momentin. Por, pa dy nuk ka tre. Nejmarin e shikoj dhe argëtohem. Më pëlqen, pasi është një futbollist që driblon, dhuron spektakël dhe, mbi të gjitha, nuk ankohet, pavarësisht se mund të marrë 200 shqelma gjatë një ndeshje.

 

Kush ju ka tërhequr më tepër vëmendjen te Reali i Madridit?

 

Modriç është super. Dominon në qarkullimin e topit, kalon linjat e fushës, pason, shënon dhe ka personalitet. Një lojtar i tillë nuk zëvendësohet dot kollaj. Alvaro Morata gjithashtu më pëlqen, pasi është i ri dhe ka të ardhme. Por, e ka të nevojshme që të luajë më tepër.

 

Të flasim për mbrojtësit. A është Serxhio Ramos një lojtar i klasit maksimal sipas jush?

 

Sipas meje, nuk është një yll. Sigurisht që e respektoj shumë, pasi ka personalitet. Por, mendoj se brezi aktual i mbrojtësve të qendrës është shumë larg atyre të kohës sime. Ka pasur mbrojtës si Barezi, Vierkvud, Aleksanko, Migeli… Ata ishin mbrojtës super, vërtet…

 

Po Piken ku e vendosni?

 

Më duket një shkallë më sipër nga Ramos. Ka më tepër dominim në qarkullimin e topit dhe më tepër qartësi në fushë. Gjithsesi, për të dy ata, duhet theksuar se pothuajse asnjëherë nuk kanë sulmuesit e duhur përballë. E kanë të lehtë të jenë mbrojtës, duke pasur në sulmin e tyre Ronaldon, Mesin apo Nejmarin. Kush ekip do guxonte t’i vinte kaq shumë në vështirësi këta mbrojtës?! Edhe me kombëtare luajnë te Spanja, që mbrojtja sërish ka shumë pak përballje direkte me sulmuesit kundërshtarë…

 

Çfarë i duhet Argjentinës momentalisht?

 

Së pari, që mbrojtësit të jenë më të përfshirë në lojën e skuadrës. Repartet ndahen në mënyrë të pabarabartë në fushë dhe kjo i jep mundësinë kundërshtarit që të gjejë hapësira. Dibala, Higuain apo Aguero janë të shkëlqyer, por pa Mesin nuk japin dot maksimumin e tyre.

 

Si e shikoni Kombëtaren, pasi Mesi t’i japë fund futbollit të luajtur?

 

Sinqerisht jam i shqetësuar. Nga brezi i ri nuk kam parë asnjë fenomen. Kanë talent, por as personalitet dhe as aftësinë për të qenë lider në fushë. Duhet të luftojmë që të mos rriten në botën e menaxherëve…

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00