Prespa
Liqeni i Prespës është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan...
Mali i Thatë. Dielli i nxehtë i verës dhe veriu i ashpër sa më s’ka e kanë përzhitur viganin. Ai lartësohet aty prej mijëravjeçarësh i gurtë, me bimë të rralla shkretinore që nuk e kalojnë gjatësinë e pëllëmbës së dorës. Nuk i lë veriu të rriten, por edhe vapa e beharit këtu është ekstreme. Pra Mali i Thatë, është vërtet i thatë, që i shkon për shtat emri që i kanë vënë. Vetëm Lagushi i famshëm e ka dashur dhe e ka dhelur këtë mal të nëmur, duke e vënë në sfond të poezive të tij të mrekullueshme me atë dashuri dhe shpirt që ka vënë edhe liqerin, burimet e Tushemishtit dhe vetë Poradecin.
Teksa udhëton në këmbë të Malit të Thatë të dalin përpara fshatrat me radhë: Nizhaveci, Vreshtasi, Korita, Shëngjergji deri sa arrin në Zvezdë, njëri prej fshatrave më të mëdhenj të krejt zonës. Por për të arritur te liqeni i Prespës duhet akoma rrugë, një rrugë jo fort e mire, por që të mahnit me peizazhet e shumtë të saj. Malet që e rrethojnë zonën i që i japin asaj një pamje të rrallë. Në 9 fshatra, të vendosur në gjoksin e maleve, që përbëjnë komunën e Liqenasit: Kallamas, Goricë e Madhe, Goricë e Vogël, Gollomboç, Diellas, Liqenas, Lajthizë, Zaroshkë e Cerje jetojnë afërsisht 4.500 banorë. Malet e lartë të bleruar, që e kalojnë lartësinë 2.000 m, lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar, krijojnë atë konfiguracion të papërsëritshëm.
Kështu, i mbushur me këto kontraste bukurish, me një kulturë të lashtë, me ushqim të mirë dhe një mikpritje – dhe, mbi të gjitha, një shpirt njerëzor, ndjehesh komod në Prespë. Këto kushte të favorshme klimatike, ujrat e pastra të burimeve, përzëmërsia e banorve janë joshëse dhe të krijojnë relaks në çdo stinë të vitit. Por bukuria e vërtetë e Prespës janë dy liqenet e tij, katër ishujt në dy liqenet e Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël.
Banorët e kësaj zone merren me bujqësi, blegtori dhe me peshkim. Nga zona e Prespës ka filluar një emigrim pas viteve të trazicionit, duke e ulur ndjeshëm popullsinë e kësaj zone. Tashmë në peshkim marrin pjesë shumë persona, të cilët duan të nxjerrin të ardhura për mbijetesë, por shpesh prodhimi dëmtohet nga mungesa e përpunimit, sepse tregun deri në Korçë e kanë larg dhe mundësi përpunimi këtu tek ata ende nuk ekzistojnë. Në Prespë janë bërë rreth 30 shtëpi model, që mund të presin turistë, por kjo shifër është shumë e vogël, krahasuar me mundësitë reale që ka kjo zone, e cila, me bukuritë e pafund, ka dhe liqenin në gji; ka mundësi që të presë mijëra e mijëra pushues çdo verë.
Në rast se do të përshkoni zonën e Prespës, mes rrugëve të ngushta, që ju çojnë pranë drurëve të mollëve përreth liqenit, tek strofullat e zogjve e më pas, lart në Galiçicë, ku rruga kalon nëpër livadhet e bukura, në majë të Malit të Thatë do të shikoni njëherazi të dy liqenet, të Ohrit dhe të Prespës.
Nuk mund të largohesh nga Prespa pa shijuar tavën e krapit të shijshëm apo peshqit e vegjël, të cilët vendasit i quajnë “cironja“. Këtu nuk gjen shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanet artizanalë të rakisë, të cilën vendasit e ruajnë për miqtë.
Kjo është Prespa, mes bukurive të pafund, një pritjejë bujare dhe një distance që ajo ka ende me mundësitë reale ndaj turizmit bashkëkohor.
Prespa ose Liqeni i Prespës është njëri ndër liqenet me ujëra të freskëta në Evropë që u takon tre shteteve Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë me një sipërfaqe të përgjithshme prej 313.6 km2 nga të cilat 190 km² i takojnë Maqedonisë, 84.8 km² Greqisë dhe 38.8 km² Shqipërisë.
Liqeni i Prespës është liqeni më i thellë tektonik në Ballkan me 853 metra thellësi. Prespa si tërësi ndahet në dy liqene: Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël.
Prespa e Madhe ndahet në mes tre shteteve: Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Prespa e vogël që ka shtrirje të përgjithshme prej 138 km² ndahet vetëm në mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Në liqen derdhen disa përrenj të vegjël, ndërsa ai vetë nuk ka rrjedhje sipërfaqësore. Liqeni rrethohet me male të larta mbi 2000 m lartësi.
Liqeni i Prespës, është një nga zonat tërheqëse turistike të Ballkanit, përveç bukurive të jashtëzakonshme natyrore shquhet për florën dhe faunën mjaft të pasur, por atë po e kërcënon një fenomen i rrezikshëm natyror. Një grup shkencëtarësh zviceranë dhe austriakë, gjatë një studimi kanë konstatuar se niveli i këtij liqeni ka rënë 10 m. Nga 54 m që ka qenë thellësia e liqenit, pas matjeve të bëra me mjete të sofistikuara dhe bashkëkohore, ka rezultuar se aktualisht thellësia e tij është 44 m. Jo vetëm kaq, por ata kanë vënë re një çarje në tabanin e liqenit, e cila ka sjellë humbjen e nivelit me dhjetë metra. Studiuesit pohojnë se rënia e nivelit të liqenit të Prespës do të ketë pasoja edhe për liqenin e Ohrit, i cili rreth 70 për qind të furnizimit me ujë e ka nga Prespa. Gjithashtu, nga kjo fatkeqësi natyrore do të preken edhe burimet e Tushemishtit dhe ato të Shën Naumit. Lajmi i dhënë nga shkencëtarët zviceranë dhe gjermanë ka shqetësuar qeverinë, por masat e marra janë minimale.
Comments (0 posted)
Post your comment