Home | Travel | Nëpër Luginën e Valbonës

Nëpër Luginën e Valbonës

image
Uji i kaltër përzihej me gjethet që sa kishin nisur të zverdheshin, duke na lënë pamjen e bukur ndër sy.

 

 

 

 

Pranvera Kola 

 

Rrugëtimi drejt alpeve të veriut na shpalos mozaikë të pafundmë ngjyrash, ku tradicionalja dhe modernia flenë së bashku.

...Veçoria e relievit, ngritja e majave të njëpasnjëshme, shumëllojshmëria e resurseve ujore, pasuria e peizazheve me koloritet nga më impresionueset, e radhisin Luginën e Valbonës si një ndër masivet më unike të turizmit malor në vend. E konsideruar si një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare, “Lugina e Valbonës” ngadalë po shndërrohet në një destinacion të fuqishëm për lëvrimin e turizmit malor për të gjitha stinët e jo vetëm për një sezon. Me të drejtë Ministria e Turizmit dhe Unioni i Operatorëve Turistikë të Shqipërisë organizuan udhëtimin treditor me përfaqësues të medias së shkruar dhe asaj vizive, me qëllim njohjen dhe promovimin e vlerave kulturore-historike që përmbledhin këto zona, duke faktuar vijueshmërinë e ekzistencës shqiptare ndër shekuj. Falë ndryshimeve të bëra në infrastrukturën rrugore, na u deshën vetëm pak orë për të mbërritur nga Tirana në Koman, rrugëtim i cili më parë përveçse zgjaste shumë, të dhuronte edhe lodhje për shkak të rrugës së keqe.

Mbërritja në Koman do të vijohej me rrugën drejt tragetit, që do të na çonte në pjesën tjetër të veriut. Tradicionalja, primitivja dhe modernia ndërthureshin aq bukur me njëra-tjetrën, duke të lënë përshtypjen e zhvillimit që ecën gradualisht, ndërkohë që të dhuronin kënaqësinë e një peizazhi madhështor. Teksa ecnim në tunelin e errët të ndriçuar tek-tuk me ndonjë llambë të thjeshtë, kuptuam se përkrah asaj që prisnim të shikonim kishte ende shumë për të bërë. U deshën vetëm pak metra për të dalë sërish në dritë dhe për të parë peizazhin e mrekullueshëm që të ofronte liqeni i Komanit, së bashku me malet hijerënda që ngriheshin pranë tij. Trageti na priste për të vijuar më tej rrugëtimin tonë. Bashkë me të ftohtët që kishte mbërthyer zonën e erën që na shoqëronte në çdo hap u ngjitëm në tragetin e vjetër, që do të na çonte drejt Bajram Currit, e më pas drejt Luginës së Valbonës. Ndonëse i konsumuar dhe i vjetruar prej përdorimit të përditshëm, udhëtimi me traget të përballte me një mozaik peizazhesh që kundronin nga ngjyra e kaltër e ujit dhe e qiellit. Për rreth dy orë ne u bëmë bashkudhëtarë të tërë atij mozaiku të pafundmë ngjyrash. Bashkudhëtarë me ne ishin edhe disa turistë të huaj sllovakë, të cilët të mbledhur në grup kishin mbërritur prej dy javësh për të vizituar vendin tonë, e veçanërisht alpet shqiptare. Ngjyra e gjelbër e pemëve bëhej njësh me ujin e kaltër të liqenit dhe ndriçimin e diellit, që dhuronte nuancat e tij të bukura, duke na dehur edhe me erën e tij të thatë. Zbritëm nga trageti dhe morëm rrugën drejt qendrës, Bajram Currit.

Ndalesa tek kulla 200 vjeçare e heroit Mic Sokoli

Ndalesa e parë ishte në fshatin Bujan, ku ndodhet edhe kulla e heroit Mic Sokoli, që është një monument i kulturës shqiptare. Kjo është edhe ndalesa e parë për të gjithë vizitorët që vijnë në këto anë. Ndërtesa karakteristike me gurë, e ngritur 180 vjet më parë, qëndron e pamposhtur përballë mozaikut të larmishëm të ngjyrave të natyrës, majave të larta dhe qiellit të kaltër. Prej vitesh kjo godinë është ruajtur me fanatizëm në mënyrë vullnetare nga të afërmit e heroit, të cilët e kanë shndërruar kullën në një muze, ku gjithkush, pa asnjë farë pagese, mund të mësojë nga historia e heroit. Teksa ngjiteshim nga shkallët e drunjta brenda në godinë, vumë re se çdo gjë qëndronte ashtu siç ishte e zakonit. Divanhanja dhe oda e burrave qëndronin ngjitur më njëra-tjetrën. Ky muze i papagueshëm mbart në vete shumë nga relikte e kohës së heronjve. Jo vetëm kujdesi i treguar për vlerat historike të saj, por edhe përçimi i njohurive te vizitorët e shumtë që ndalen për ta vizituar, kanë bërë që kjo kullë të shndërrohet në një monument kulture. Deri më sot është mirëmbajtur nga stërnipi i Mic Sokolit, Hamdi Mulosmani, i cili asnjëherë nuk është lodhur duke bërë edhe udhërrëfyesin vullnetar për vizitorët e shumtë që paraqiten aty. Në katin e dytë ndodhet dhoma e miqve, ku burrat mblidheshin për të pleqëruar rreziqet që i kanoseshin vendit nga pushtuesit e huaj. Ndërsa në korridorin e gjatë, ku shtrihej edhe divanhanja, ku uleshin anëtarët e familjes, ndodhej busti i heroit i rrethuar nga dy flamujt: ai shqiptar dhe ai i shtetit më të ri Kosovës. Kjo shtëpi e mirëmbajtur ka nevojë për rikonstruksion, por hera e fundit që është vënë dorë mbi të nga shteti ishte viti 2005.

Pas vizitës në kullën e heroit, rrugëtimi ynë do të vazhdonte drejt qendrës së Tropojës, në Bajram Curr. Fshatrat që përshkruam gjatë rrugës karakterizoheshin nga shtëpitë karakteristike të kohës, ku kulla dy apo më shumëkatëshe qëndronte e vendosur nëpër faqet e maleve apo rrafshinat rrëzë malit.

Komuna Margegaj, mozaik gastronomie

Edhe pse ishin munduar të ruanin traditën e tyre, ndërtimet e reja ndesheshin tek-tuk, por si të vetmuara përballë kalvarit të banesave karakteristike. Mbërritëm në Bajram Curr, ku na priste dhe kryetari i Bashkisë, Nuredin Ahmetaj, i cili përveçse u bë bashkudhëtari ynë përgjatë gjithë rrugëtimit në Valbonë, na njohu edhe me investimet apo projektet e realizuara dhe ato në zhvillim që do të prekin gjithë rajonin. “Por ne si bashki, si qytet, duke qenë në hyrje dhe në kufi me të, jemi pritësit e parë ku turistët marrin rrugën drejt alpeve. Kushtet e krijuara kanë bërë që këto vite Tropojën ta vizitojnë mbi 5 mijë turistë, midis të cilëve edhe shumë të huaj”, shprehet kryetari i Bashkisë, duke shtuar se gjatë viteve të fundit, falë punës së bërë, nuk është shënuar as edhe një incident me turistët, që mund të ndikonte negativisht në zhvillimin e turizmit malor. Ndërmjet kësaj pasurie natyre që të ofrojnë alpet veçohet Lugina e Valbonës, drejt së cilës ne u nisëm pas pak çastesh. Një tjetër ndalesë e rrugës ishte ajo në komunën Margegaj, me 15 zona të mbrojtura, ku një ndër to është edhe lugina. I gjithë fshati kishte dalë para të na priste. Mes këngëve karakteristike të zonës, ne shijuam edhe mozaikun e gatimeve tradicionale, të cilat vinin në dukje vlerat gastronomike të krahinës. Në përbërje të menysë gjendeshin gatimet tradicionale, si: flija, çervishi me lëng pule, ngjyem specash, pite me mazë, të gjitha llojet e djathërave, leqenik me ujë të ftohtë, gështenja e misra të zier, mjalti i mbi një mijë metrave lartësi, boronicat e thara, arrat etj. Gjithashtu udhërrëfyesi na vuri në dukje se pranë këtyre zonave mblidhen edhe shumë bimë medicinale, ku veçohen boronicat apo çaji i malit, që njihen për vetitë e tyre shëruese. Ky rajon njëkohësisht dallohet edhe për faunën e tij të pasur, ku vlejnë të veçohen kafshët, si: ujku, dhelpra, dhia e derri i egër, zardafi, ketri rrëqebulli, po ashtu edhe shpendët, si: shqiponja, stërqoka e malit, lauresha etj. Në Margegaj ne u njohëm edhe me strategjinë e komunës 2008-2015, së bashku me ndryshimet e realizuara dhe projektet që janë në realizim e sipër.

Valbona perla e bukurisë shqiptare .

Teksa vijuam rrugën në hyrje të luginës së bukur të Valbonës, kuptuam se përpara do të na shfaqej një perlë, të cilën kaltërsia e kishte mbërthyer, ndërsa shkëmbinjtë e bardhë hidhnin vallen rreth saj, duke e lejuar ujin e kaltër të bëjë lojën e tij lozonjare. Ndonëse rruga ishte pak e vështirë për t’u ngjitur, ajo çfarë na shfaqej para syve nuk kishte të përshkruar. Shtëpitë që shtriheshin përgjatë luginës ishin të veçuara nga njëra-tjetra, ndërkohë që para tyre ishin të stivuara drutë e shumta, të cilat tregonin se Lugina e Valbonës po bëhej gati për të pritur stinën e ftohtë të dimrit. Hanet dhe ndërtesat e vizitorëve kishin filluar përgatitjet për pritjen e turistëve që do të vinin në sezonin e dimrit, mbase për të bërë edhe ski. Uji i kaltër përzihej me gjethet që sa kishin nisur të zverdheshin, duke na lënë pamjen e bukur ndër sy. Përgjatë gjithë rrugës ne mësuam edhe për legjendat, si dhe ngjarjet historike që e shoqëronin këtë zonë. Ngjarjet me trimëritë heroike nuk mund të zhvilloheshin gjëkundi tjetër veçse në alpet e thepisura që shtrihen në veriun e vendit tonë. Banorët e zonës na tregojnë se ashpërsia e relievit, kontrasti i thyer mes maleve e luginave që shtrihen rrëzë tyre, kanë tërhequr turistë të shumtë gjatë viteve të fundit. Disa prej tyre ne i ndeshëm edhe vetë. Çifti sllovak pas 20 vjetësh kishin mundur të vinin për të vizituar mrekullitë e alpeve shqiptare, nga të cilat janë impresionuar së tepërmi, duke veçuar Luginën e Valbonës, e cila shtrihet në rrëzë të malit të Jezercës me 2692 metër mbi nivelin e detit. Po ashtu, rrugës mësuam edhe vendndodhjen e majave të tjera të larta që përbëjnë masivin e alpeve, si: gryka e Kollatës, Popllukës, Maja e Shenikut, Ismet Brucajt. Shtrirja e luginës përgjatë masivit të Bjeshkëve të Namuna, mbart mbi vete mallkimin e një nëne për djalin e vdekur në luftë (vajtimi i Ajkunës për Omerin e vogël). Më tej ndodhej edhe shpella e Dragobisë, ku mendohet të ketë vdekur heroi kombëtar Bajram Curri. Shpella shtrihej përgjatë një terreni të vështirë për t’u arritur dhe i izoluar nga pjesët e tjera, ndërkohë që gjelbërimi shkurret dhe pemët e kishin mbuluar pothuajse fare. Mbërritëm pranë bujtinës ku do të kalonim natën. Drejtuesit e kishin pagëzuar me emrin “Fusha e Gjësë”. Tryeza e darkës po ashtu përmbante gatimet tradicionale të zonës, të shoqëruara këto me rapsodi dhe kërcimet karakteristike nga valltarët, siç është “vallja e Tropojës”. Megjithatë, darka na njohu edhe me këngën e kushtuar Kryeministrit Sali Berisha, që mbetet ndër personat më popullorë në zonë. Drejtoresha e turizmit në Ministrinë e Kulturës, Majlinda Lami, na tregoi se po bashkëpunohet edhe me PNUD-in, për të mundësuar edhe ngritjen e tri haneve të tjera në këtë zonë. I pranishëm me ne në këtë rrugëtim ishte edhe përfaqësuesi i PNUD-it, David Milne, i cili na njohu më nga afër me projektet që do të realizoheshin në bashkëpunim me banorët e qarkut si dhe sipërmarrjet e vendit, për të forcuar dhe zhvilluar më tej turizmin malor në këtë zona.

Nisja drejt shtetit më të ri në Ballkan

Më tej udhëtimi ynë vijoi drejt shtetit më të ri, Kosovës, ku dhe aty për rreth dy ditë me radhë vizituam rajonet më turistike, si: Brezovica, ndalesa në kompleksin e Sharrit, që ishin me të vërtetë shumë mbresëlënëse.

“Hapësira e bukur natyrore, lartësia adekuate, shtigjet e përshtatshme për ski, ajri i pastër shërues për sëmundjet e zemrës dhe të frymëmarrjes, janë veçori dhe fakte reale për zhvillimin e turizmit dimëror sportiv dhe shëndetësor në luginën e Prevallës, përgjatë së cilës shtrihej edhe kompleksi i bukur i Sharrit. Në terrenet e hapësirës malore të Prevallës 1500m dhe të Sharrit 2750 m ekzistojnë me kilometra shtigje për zhvillimin e sportit të skive. Bora në këto anë është prezente nga muaji tetor deri në maj. Këtu vlejnë të veçohen terrenet me pjerrësi të lehta dhe shtigjet ekzistuese, të cilat mund të përdoren për zhvillimin e alpinizmit dhe shëtitjeve malore me biçikleta. Ruajtja e vlerave kulturore dhe arkitektonike, si dhe stili i vjetër i ndërtimit e joshin pushuesin dhe ofrojnë atraksione që pak vende të tjera në Kosovë mund t’i ofrojnë. Gjithashtu, afërsia me malin e Sharrit (Prevalla dhe Brezovica), por edhe komplekset e restoranteve dhe hoteleve e bëjnë Prizrenin qytetin më të frekuentuar në Kosovë. Hotelet dhe bujtinat plotësojnë të gjitha standardet e kërkuara për zhvillimin e turizmit gjithëstinor.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00