Pogradeci, dritë-hijet pranë Liqenit të Ohrit
" Perëndimi i vagëlluar mbi liqenin pa kufi, po përhapet dal-nga-dal një pëlhur si një hije", ndërsa vëzhgoja se si natyra, me magjinë e saj kishte ndërthurur mjaft bukur malet, kodrat dhe vijën e liqenit, i cili njihet nga të gjithë, si shtëpia e 40 specieve, ndër më të rrallat dhe më të rëndësisshme në botë.
Arbi Fortuzi
- Pogradeci, qyteti i Nositit të Lasgush Poradecit dhe prozave të Mitrush Kutelit, një qëndër turistike, e cila krahas ngrohtësisë dhe qetësisë me pamjen e saj piktoreske buzë liqenit, lë shumë për të dëshiruar disa dhjetra metra më tutje.
Gjatë një udhëtimi përgjatë brigjeve të "gjolit" sic e quajnë liqenin banorët e zonës, ndërkohë që dielli pak nga pak po humbiste ndërmjet maleve, u ndjeva tepër i emocionuar pasi në mëndje më erdhën disa rreshta të shkruara nga poeti më i dashur për mua, Lasgush Poradeci, " Perëndimi i vagëlluar mbi liqenin pa kufi, po përhapet dal-nga-dal një pëlhur si një hije", ndërsa vëzhgoja se si natyra, me magjinë e saj kishte ndërthurur mjaft bukur malet, kodrat dhe vijën e liqenit, i cili njihet nga të gjithë, si shtëpia e 40 specieve, ndër më të rrallat dhe më të rëndësisshme në botë.
Ndërsa nga krahu tjetër, syri ndeshej me valët e ujit teksa përplaseshin ne breg, me pushues të të gjitha moshave, të cilët shijonin freskin e ujit, luanin, qeshnin, tentonin të kapnin ndonjë peshk, si dhe mund të ndjeje flladin e erës së lehtë e të freskët, qe me ëmbëlsi të përkedhelte fytyrën, si dhe të shijoje dritat që shkëlqenin si xixëllonja atje tutje në horizont në Strugë apo Ohër.
Por, fatkeqësisht, ky pesaizh i mrekullueshëm dukej si një vegim teksa i largohesha Liqenit për të hyrë në rrugën kryesore, pasi pamja ishte për të ardhur keq, rrugë të lëna në mëshire të fatit, me gropa të shumta të cilat ishin një kosto më shumë për mjetet me të cilat udhëtonin pushuesit. Pluhuri, i cili ngrihej në lartësine e njeriut dhe dukej sikur të shoqëronte si një "mik" besnik në cdo hap tëndin, me format e tij, të cilat nxisnin edhe fantazinë më të shkretë, për të krijuar imazhe sipas dëshirës.
Pyetje të shumta natyrshëm më lindën, shumë përse, të cilave nuk dija t'i përgjigjesha...Megjithatë, në kërkim të një hoteli për të kaluar natën (të cilin e gjeta vetëm mbas disa orësh kërkim), u ndjeva tepër i lumtur kur kuptova se në Pogradecin tonë (pasi Pogradeci nuk është vetëm i atyre që kanë lindur atje, por është i të gjithë shqiptarëve), ishte tepër e vështirë për të gjetur një vend ku mund të kaloje natën, pasi në të gjithë hotelet, dhomat ishin të prenotuara nga pushues vendas dhe të huaj.
Pasi u akomodova në dhomën e hotelit, zbrita në holl për të porositur një kafe, në pritje të së cilës, shihja turistë të huaj nga Holanda (siç më konfirmoi një nga punonjësit e hotelit), të interesuar për dhomë, cka më bëri të ndihesha tepër krenar. Po ashtu, vura re një televizor 40 polsh të një marke tepër cilësore në mes të hollit dhe një mobilim të të njëjtës natyrë, ndërkohë që jashtë hotelit, ndodhej një lulishte e vogël me disa karrike plastike të cilat mezi qëndronin në këmbë dhe pak më tutje, aty ku përfundonte kufiri i hotelit, qëndronin tepër krenar "malet me dhe" apo plehrat e hedhura kudo sa andej këndej, cka rriti akoma më tepër dhimbjen time për të kuptuar, përse ?....
Ashtu i zhytur në mendime, kisha humbur sensin e kohës, kishin kaluar rreth një orë e gjysëm dhe kafja për të cilën dola në holl, nuk kishte ardhur ende. Mendova se ishte një rastësi, si rrjedhojë e kërkesave të shumta, por që shumë shpejt kuptova se e kisha gabim, pasi në qytetin e bukur të Pogradecit, ku shtrihet një nga liqenet më të vjetra në botë, personeli i pothuajse i cdo lokali ishte në gjum letargjik.
Menjëherë më lindën një mori pyetjesh, po holandezët cfarë duan këtu? Në një qytet ku parajsën dhe ferrin e ndan vetëm një vije e hollë, ku smogun e qytetit e ndan vetëm një vijë ndërtesash nga ajri i pastër dhe i magjishëm i ofruar nga Liqeni? Përse, Përse? Dhe shumë e shumë përse të tjera të cilat rritën me tej kërshërinë time për të kuptuar përse ekzistonte ky paradoks.
Në ndihmë të kureshtjes time më erdhi debati për një pjesë të liqenit, të të njëjtit liqen, i cili shtrihet edhe në Pogradecin tonë, është vlerësuar nga UNESCO, Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, si trashigimi botërore, konkretisht ajo pjesë e liqenit që përkon me Maqedoninë dhe qytetin e Ohrit.
Pikërisht ky informacion, më bën të kuptoj shumë nga përset e mia, ndërkohë që përsëri mëndja më shkon tek holandezët, çfarë duan vallë këtu? Pse nuk shkojnë në Maqedoni, Ohër, i cili ndodhet vetëm pak kilometra më tutje?
Në kërkim të ndonjë përgjigje, për të shuar kurreshtjen time, kuptoj se holandezët, spanjollët..etj, vlerësojnë bukurinë tërheqëse dhe piktoreske të pjesës sonë të liqenit, ata vlerësojnë atë pjesë të natyrës, e cila ka mbetur ende e "virgjër". Ata e bëjnë këtë, duke anashkaluar keqmenaxhimin e qytetit, me rrugët e amortizuara, pluhurin, infrastruktuën e prapambetur dhe më keq akoma, duke anashkaluar dhe ndotjet që mund të hasësh në liqen. Keqmenaxhim, që herët a vonë, fatkeqësisht do t'i largojë holandezët e spanjollët nga vendi ynë, për një destinacion tjetër.
Comments (0 posted)
Post your comment