Home | Travel | Afër qiellit, pranë diellit

Afër qiellit, pranë diellit

image
Të ecësh është një gjendje shpirtërore në fluturim e sipër. Kësaj radhe fillimisht duhej përshkuar me automjet udhën nga Gjakova në Grykë të Valbonës. 

 

 

 

 

Enver Robelli 

 

 

 

 

I.

 Të ecësh është jo vetëm lëvizje e këmbëve. Të ecësh është një gjendje shpirtërore në fluturim e sipër. Kësaj radhe fillimisht duhej përshkuar me automjet udhën nga Gjakova në Grykë të Valbonës. Duke dalë nga qyteti nuk të bie në sy ndonjë ndryshim nga vizitat e mëhershme, ende qëndrojnë gërmadhat e fabrikave nën Çabrat, ku dikur punonin mijëra njerëz, dhe kishte nisur të krijohej shtresa e mesme e Kosovës, shtylla që e mban shoqërinë. Atë ditë të ngrohtë shtatori tre furgonë (një fjalë e huazuar nga italishtja për të përshkruar një autobus të vogël) me rreth 30 bjeshkatarë kaluan kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë brenda më pak se dhjetë minutave. Dikur, ta zëmë para 30 apo 40 vjetësh, patriotë të flaktë nga Gjakova “dilnin matanë”, kalonin kufirin ilegalisht, duke iu shmangur policisë dhe ushtrisë jugosllave dhe përfundonin në ferrin komunist të Enver Hoxhës. Shqipëria që e shihnin nuk ishte ajo që përshkruhej nga Radio Tirana, e cila dëgjohej ditë e natë në Gjakovë. Moderatorë me vrull të pionierëve të partisë recitonin lajme mbi sukseset në realizimin e planit pesëvjeçar, tregonin se Shqipëria ishte fanar i lulëzimit ekonomik në botë, njoftohej për grumbujt e limonëve të vjelë në Ksamil, për korrjen e grurit në Myzeqe dhe për minatorët e vyeshëm të Selenicës.

 

 E vërteta ishte se njerëzit në Shqipëri vuanin nga uria, siç vuajnë sot banorët e Koresë së Veriut. Shqiptari i vitit 1990, të cilin e shihnim duke u ngjitur në anije në Durrës për të ikur drejt Italisë, ishte truphollë e barkbosh. Në Shqipërinë komuniste ai e merrte mishin me racion dhe vetëm një herë në javë, në rastin më të mirë. Te shqiptari i vitit 2013, ndërkaq, kanë lënë gjurmë bërxollat, bifteku, qoftet dhe kofshët e pulës. Sa i madh është dallimi i Shqipërisë së sotme me Shqipërinë e kuqe? Ja një shembull, që së fundi në një kryeqytet evropian e tregoi një ambasador shqiptar: “Zgjoheshim herët në mëngjes dhe prisnim në rend për qumësht dhe artikuj të tjerë ushqimorë. Pleq, të rinj, nëna me fëmijë, gjyshe që mezi qëndronin në këmbë duronin e duronin me orë të tëra. Skena më bizare ishte kjo: një grua la djalin e saj në rend dhe u kthye në shtëpi për të kryer ca punë. Kur erdhi sërish pa se i biri i saj kishte braktisur rendin dhe po luante me kalamaj të tjerë. Nëna e zemëruar bërtiti: “Sovjetik, përse e ke lëshuar rendin?”, Sovjetik quhej djali”. – I humbur në këto mendime pashë që furgoni kishte kaluar Bajram Currin dhe po ecte Grykës së Valbonës përpjetë. Rruga është e shtruar pjesërisht me asfalt. Buzë rrugës ende qëndron një shenjë prej druri, që tregon në drejtim të Liqenit të Xhemës (ose James Lake, siç e ka përkthyer një hokatar i sertë).

 

II.

 Shtegu nga Fusha e Gjesë në Grykë të Valbonës deri në Theth (16 kilometra) kalohet për afërsisht shtatë orë ecje. Është një trevë e bukur. Dhe ka një shpjegim pse ka mbetur kaq e bukur: këtu në kodra ende nuk ka arritur dora e shqiptarit barbar i periudhës së transicionit të ashtuquajtur demokratik, i cili aty ku sheh ndonjë mundësi të vogël (për)fitimi hedh beton, ngre ndonjë pallat të shëmtuar dhe e mbush me bërllok mjedisin. Ndoshta pas një viti rruga që lidh Bajram Currin me Fushën e Gjesë në Grykë të Valbonës do të asfaltohet plotësisht. Atëherë nga Prishtina në Valbonë mund të udhëtohet për më pak se tri orë. Por, atëherë mund të ekzistojë rreziku që rruga të bllokohet nga kamionët që do të sjellin beton për të ndërtuar hotele e motele, bujtina e godina të tjera nga perandoria e marrëzisë arkitektonike shqiptare. Në fakt dhe për fat të keq marrëzia veçse ka filluar edhe në Grykë të Valbonës, ku po ndërtohen hotele e shtëpi pa plan. Shteti këtu pothuajse nuk është i pranishëm. Simboli i vetëm politik shpesh është një flamur i kaltër i një partie politike që valëvitet nëpër bahçe. Gjetiu janë flamuj të partive të tjera, nën hijen e të cilëve shkatërrohet gjithçka në emër të ndërtimit – dhe për këtë mjafton të shihet shëmtia prej betoni e quajtur Ksamil, grumbulli i madh i betonit i quajtur Durrës, rrëmuja urbane e quajtur Vlorë.

 

III.

 Gjatë rrugës malore dhe shkëmbore drejt Thethit mund të shihet një Shqipëri tjetër, burimore. Edhe gjuha që flasin banorët e atjeshëm është një shqipe që u ka shpëtuar ndikimeve të huaja. Atje s’ka as “merhaba”, as “tung, tung”. Atje thonë: “Mirë se u ka prue Zoti” ose, në ndarje, “Njefsha mirë për ju”. Kështu na tha një burrë hollak që në malin mbi Theth erdhi drejt nesh mbi kalë dhe duke mbajtur në duar një pushkë gjuetie që sapo kishte dalë nga fabrika. Ishte një pushkë e markës së njohur “Beretta”. Me këtë armë dolën në fotografi disa bjeshkatarë. Gjatë rrugës për në Theth gjenden disa burime. Udhëtarët po ashtu mund të freskohen në dy restorante që duken si kasolle: “Kafe Simoni” dhe “Te krojnat”. Shërbimi duhet të përmirësohet ende dhe do të ishte në të mirën e zhvillimit të turizmit sikur të ndërpritej praktika e mashtrimit të turistëve. Për këtë isha pavullnetshëm dëshmitar: në njërën nga këto lokale mali për një pije freskuese pagova 200 lekë, ndërsa dy turistë anglezë paguan për të njëjtën pije nga 300 lekë.

 

 Gjatë rrugës pamë e takuam turistë jo vetëm anglezë, por edhe gjermanë, zviceranë e italianë. Një përfaqësues i organizatës gjermane GIZ (shoqata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar) na zbuloi një fshehtësi: “Punoj këtu ngaherë dhe angazhohem për zhvillimin e turizmit. Ndoshta do të shkruaj një libër për Thethin dhe rrethinën”. Natyrisht gjermani ishte i njoftuar se një zviceran dhe një zvicerane (Christian Zindel dhe Barbara Hausammann) para disa vjetësh kanë shkruar një ciceron për bjeshkatari në rajonin e Thethit dhe Kelmendit. Ka disa vjet që GIZ i përkrah familjet në Theth në krijimin e kushteve për pranimin e turistëve. Rruga nga Valbona në Theth është e shënuar mirë, mos u frikësoni: s’do të humbni edhe po shkuat vetëm. Banorët e Thethit kanë meremetuar shtëpitë, kanë ndërtuar objekte të reja, kanë hapur lokale. 

 

 Gjatë verës në Theth vijnë mijëra turistë – nga Amerika e Gjermania, Izraeli e Franca, Britania e Madhe e Zvicra, nga Çekia dhe Serbia (këta të fundit Thethit i thonë Tet, për shkak se alfabeti i tyre nuk e ka shkronjën “th”). Dy të rinj gjermanë, të cilët flinin në tendë në oborrin e Arben dhe Violeta Marashit, treguan se ishin për herë të parë në Theth e rrethinë dhe po largoheshin me shpresën se ky nuk do të jetë qëndrimi i tyre i fundit në këtë pjesë të Shqipërisë. Natyrisht në Gjermani, Zvicër, Austri e gjetiu në Evropë ka plot vende të mrekullueshme për bjeshkatari e alpinizëm, por mbase askund në Evropë nuk mund të gjendet jeta burimore si në Theth e rrethinë. Këtu pak gjëra kanë ndryshuar në 500 apo 1000 vjetët e kaluar.

 

 Në hyrje të Thethit në drejtim tonin vjen një njeri me kmesë në dorë, e cila nga distanca duket si shpatë e rrezikshme. Ka banorë të Thethit që me krenari e bartin mbiemrin Harusha. Këtu ende ligj është Kanuni, ka shkruar para disa vjetësh një gazetë e mirë gjermane. Kur përmendet Kanuni me gjasë detyrimisht duhet të përmendet arsenali i klisheve: gjaku, gjakmarrja, hakmarrja, krimi, dhuna. Por, banorët e Thethit shikojnë në ardhmëri, jo në të kaluarën. Arben Marashi është kthyer nga Lezha në tokën e stërgjyshit të tij, ka ndërtuar një shtëpi, e cila ka kushte mjaft të mira. Pasi keni ecur shtatë orë kodrave e maleve të mrekullueshme një dush me ujë të nxehtë është një hap drejt parajsës. Hapi tjetër drejt parajsës është mëngjesi i përgatitur nga duart e vyeshme të Violeta Marashit: reçel e mjaltë, djathë e gjalpë, qumësht me ajkë e bukë që të shkrihet në gojë. Nata ishte e ftohtë dhe po qëlluat dembel për të ecur tre hapa për të marrë një jorgan tjetër, atëherë ngrirjen e keni merituar. Nata qe e gjatë. Kur del njeriu në bjeshkë me gati 30 gjakovarë zemërartë është si kur e merr me vete një orkestër. Pothuaj të gjithë këndojnë. Repertori i tyre të kthen prapa, thua se je duke dëgjuar Radio Tiranën në vitin 1978. Ka disa që jo vetëm këndojnë, por edhe dinë të tregojnë anekdota me talent pothuaj teatral.

 

IV.

 Vetëm një bjeshkatar na mungoi në Theth. Fahredin Meqa. Kësaj radhe kishte preferuar të qëndronte në Gjakovë. U njoha me të në fillim të gushtit, kur me anëtarët e Shoqërisë Bjeshkatare Alpiniste Pashtriku u ngjitëm drejt Gjeravicës nga ana e Deçanit. Fahredin Meqa është një fenomen i gjallë - dhe i rrallë! Para disa javësh i ka mbushur 80 vjet. Ai nuk e huq pothuaj asnjë shëtitje që e organizon Shoqëria Pashtriku nga Gjakova. Dashamirës i madh i natyrës, ish-profesor gjeografie, veteran i arsimit në Gjakovë, Fahredin Meqa është përherë inspirim për të gjithë bjeshkatarët, të rinj dhe të tillë që kanë mbetur të rinj falë karaktereve të tyre të hareshme dhe besimit të palëkundur se njeriu mund të jetojë në harmoni me natyrën dhe aty mund të mbushet me plot energji pozitive. Dita kur u ngjitëm bjeshkëve të Junikut ishte aq e freskët, saqë nuk mërdhije. Ishte aq ngrohtë, saqë mund të ecje me bluzë të hollë. Dhe të hidheshe në Liqenin e Zemrës, i cili, dorën në zemër, ishte akull i ftohtë. 

 

 Fahredin Meqa është një burrë me plot rrëfime. Tregoi atë ditë se si në vitin 1952 kishte shkuar me biçikletë nga Gjakova në Grykën e Deçanit, aty ku punonte një sharrë me ujë. Tregoi se Gjakova ishte elektrifikuar në vitin 1938 dhe solli kujtime të bukura për mësuesit e tij nga Shqipëria, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore i kishin dhënë mësim në Gjakovë. “Njëri prej tyre”, tha Fahredin Meqa, “ka qenë Dhimitër Fullani. I biri i tij, Ardiani, sot është guvernator i Bankës Kombëtare të Shqipërisë”. Më 1948 shoku Enver u prish me shokun Tito, të cilin e akuzoi se e tradhtoi komunizmin dhe shokun Stalin. Kësaj grindjeje mes shokëve ia panë sherrin arsimtarët nga Shqipëria, shumica e të cilëve u përzunë nga Kosova. Tregoi pastaj Fahredin Meqa për një udhëtim të paharrueshëm. Në vitin 1970, ai dhe kolegët e tij nga fusha e arsimit zunë vend në një autobus (“me shofer gjakovar”, siç nënvizoi Meqa jo pa ironi) dhe udhëtuan e vizituan Sofjen bullgare, Izmirin turk, Alepin dhe Damaskun sirian. Nga atje vazhduan për në Bejrut të Libanit, aty ku gati ishin shkrirë bota arabe dhe ajo perëndimore, aty ku flitej arabisht dhe frëngjisht. “Kush udhëton, mëson”, kishte shkruar shkrimtari gjerman Johann Wolfgang von Goethe pas udhëtimit të tij në Itali, atëherë kur në një çast entuziazmi të pafrenueshëm kishte pëshpëritur: “Shih Napolin dhe vdis”. Sot, në vitin 2013, gjenerata e arsimtarëve të Kosovës pikën më të largët që mund ta vizitojë është Durrësi i betonuar. Izolimi shumëvjeçar nga bota ndikon edhe në izolim mendor. Gjenerata e Fahredin Meqës ka pasur pak më shumë fat se kjo e tanishmja e arsimtarëve dhe e profesorëve, të cilët pushtetarët e sotëm përpiqen t’i mashtrojnë duke ua hedhur përpara një vegsh me fasule në shkëmbim të votës në zgjedhje. Kishte Fahredin Meqa edhe rrëfime të tjera, ta zëmë për Velipojën, plazhin dhe detin. E nganjëherë ai recitonte edhe poezi të thurura prej tij.

 

V.

 Po u zgjove në Theth, atëherë ke dy alternativa: të pish kafe a çaj dhe të shijosh mëngjesin duke shikuar se si rrezet e diellit përkëdhelin kreshtat e maleve. Ose mund ta kaloni paraditen duke vizituar ujëvarat në rrethinë, lumenjtë dhe Syrin e Kaltër të Thethit. Dikush nga grupi pyeti me shaka: “A e ka Toskëria a Gegëria Syrin e Kaltër më të bukur?” Kur u kthyem në oborrin e Arben Marashit sikur t’i kishim porositur hasëm në një grup vlonjatësh, me të cilët u zhvillua një debat gati filozofik për dashurinë e shqiptarit postkomunist për mishin në hell. “Qenka me të futme ky debat për mishin”, tha njëri nga vlonjatët që punonte në Kretë të Greqisë. Ashtu siç e tha ishte skenë e mirë edhe për një film të shkurtër në youtube. Pastaj vlonjati shakaxhi tregoi se si njëherë bashkë me disa shokë kishte porositur mish në restorant – dhe “derisa erdhi mishi, or vëlla, na sollën nga këto pisllëqet”. Kur vërejti habinë në fytyrat tona, ai shpjegoi se pisllëqe i quante domatet e lakrat, barishtet e tryezës dhe djathin. Zemërgjerë si shumica e shqiptarëve, edhe ky me bujari na ftoi për vizitë në Kretë. Një keqkuptim e sqaruam menjëherë. Vlonjatët e ardhur në Theth me gjasë kishin menduar se Gjakova është një nga katundet e Kosovës. Kur mësuan sa banorë ka, reaguan me habi: “Obobo, qenka qytet i madh”.

 

VI.

 Nëse mendoni të ktheheni në Kosovë pasi të keni kaluar një natë në Theth, atëherë është mirë të niseni jo më vonë se në mesditë nga Thethi drejt Grykës së Valbonës. Ata që përtojnë të bartin strajcat mund t’i bashkojnë mjetet financiare dhe një djalosh nga Thethi do t’ua çojë ato në Valbonë – për 40 deri 50 euro. Me kalë, natyrisht. Ata që nuk kanë kondicion mund të kthehen me kalë në Valbonë (çmimi: 40 euro). Atë ditë të gjithë u kthyem në këmbë, në një marsh prej shtatë orësh. Në Valbonë na priste Uka, i cili dikur ka luftuar për lirinë e Kosovës dhe sot mbijeton falë punës si taksist. Na solli në Gjakovë Uka duke na argëtuar me rrëfime mbi dallimet mes “neve” dhe “atyre”, por pastaj edhe mes hasjanëve dhe tropojanëve. Asgjë e pazakonshme kur i ke të njohura shpotitë mes banorëve të rajoneve të ndryshme të Zvicrës. Jetojmë edhe me klishe për njëri-tjetrin dhe pikërisht udhëtimet e tilla na shërbejnë që klishetë t’i shndërrojmë në humor që na bashkon. – Kur të mbërrini në Gjakovë pak para orës 21:00, të lodhur, të djersitur dhe të lumtur, atëherë do të gjendeni para një vendimi të lehtë: të vazhdoni rrugën për në Prishtinë (ku ndoshta nuk ka ujë për të bërë dush) apo të ndaleni në hotelin “Çarshia e Jupave”, ku, siç e tha një ndërmarrës zviceran këto ditë, shërbimi, kushtet dhe çmimi janë në harmoni si rrallëkund në Ballkan. “Gjumi për njeriun është si kurdisja për sahatin”, kishte thënë filozofi gjerman Arthur Schopenhauer. Të nesërmen, pas gjumit të thellë te “Çarshia e Jupave”, udhëtimi drejt Prishtinës të duket sa një hap maçoku. Të ecësh është jo vetëm lëvizje e këmbëve. Të ecësh është një gjendje shpirtërore në fluturim e sipër, sidomos kur brenda dy ditësh ke kaluar gati 40 kilometra.

 

 

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00