Andaluzia ose Esperidët
Arkitekturë spektakolare, festivale të gjalla dhe ...
Nga Marguerite Yoursenar/ Thoma Jançe
« Koha, ky skulptor i madh. »
Spanja jugore ka qenë thirrur me emra të ndryshëm. Betika në epokën romake, Kalifati i Kordovës, Mbretëri e Granadës e më pas Andaluzi, emërtim ky i vjetër, i kohës së dyndjeve barbare, që do të thotë: tokë e Vandalëve. Ndonëse më antiku i këtyre emrave mbetet më domethënësi: Esperide, porta e diellit perëndues.
Mesdheu ka dy porta: në lindje Helespontin, në perëndim Kolonat e Herkulit. Njohja e tij s'është e plotë, veçse duke hyrë në këto dy ngushtica, në krahinat që ato mbyllin apo hapin njeh shumëçka rreth tij. Në rripin më të largët të Spanjës, ashtu si në kufijtë e Azisë së Vogël dhe të Thrakës, Evropa shfaqet dhe mbaron në të njëjtën kohë. Kjo Lindje dhe ky Perëndim përkunden që prej njëzet shekujsh në të dy anët e peshores, shënjuesi i së cilës është Roma. Ashtu si në arkipelagun helenik, edhe këtu janë bërë e shpërbërë perandoritë, falë stuhive dhe rreziqeve të zbarkimeve. Spanja ka Trafalgarin siç ka Lindja Azion apo Lepanton. Në Granada ashtu si në Kostandinopojë na shfaqet pararoja e botës së tendës dhe të shkretëtirës, që ulet mu në prehrin e kopshteve të Evropës. Kadiksi, “Hadesi i Fundit”, i shërbeu botës greko-romake si portë mbi Atlantik, si Bizanti antik mbi Detin e Zi dhe mbi Azi. Edhe ajri i thatë e i lehtë i Seviljes, ritmi i saj i jetës, njëherësh kontinental e detar, të sjellin ndërmend të magjepsurën Athinë. Që prej kohëve parahistorike, Spanja përgjithësisht ka qenë e sulmuar nga ana e majtë ose nga maja, ç'ka ka qenë më me vlerë në Andaluzi ku u transportuan hambarët e anijeve kretase, greke apo punike, me trirremëshet e Romës dhe me felukët myslimane. Sado larg të shkojmë në të shkuarën, është e pamundur të gjejmë një çast ku Orienti, ndërmjetësit e tij afrikanë dhe Roma të mos kenë lënë gjurmë mbi këtë tokë shumë të bukur. Por Spanja, Andaluzia mbi të gjitha, i ngjan akoma Lindjes si mesdhetare që është, ama vetëm në një pjesë të saj. Ajo shfaqet mbi Atlantik si Greqia mbi Azi. Kjo pozitë anësore në kufirin perëndimor të botës së njohur, e vonon hyrjen e saj në skenën universale: ekspansioni kolonial i Greqisë, kontributi i saj i rrallë e me afshin e një rinie të përjetshme për përvojën njerëzore, vihen në themelet e historisë sonë. Spanja, shumë antike, por e zhvilluar vetëm në epokën e mëpasme, ‘e pjekur’ vetëm në disa sektorë, ‘e tharë’ para kohe në të tjerë, nuk e gëzon dot fatin e saj të mbarë veçse në mes të aventurës rilindase. Humnera që i kufizon brinjën e djathtë ishte sigurisht më pak kërcënuese se sa masa e madhe aziatike përmbi Greqi, meqë invazioni nuk derdhej me intervale të rregullt, siç vinin nga Azia hordhitë e Darit apo të Timurit. Por ishte edhe më e errët, më e pamat, më bosh, pafundësi e hiçit, apo e afërt me ato misteriozet e të paarritshmet Atlantide.
***
Që nga Antikiteti, Grekët e kishin vendosur pak a shumë në hapësirën e gjerë detare ballë brigjeve iberike, ishullin e Heronjve, Fushat Elize të Akilit, që një tjetër traditë na i vendos në anën e kundërt të botës së njohur deri atëherë, në Detin e Zi. Mu në mes të Mesjetës, Dantja, duke rimarrë këtë temë të madhe atlantike, e zhvendos Uliksin larg nga Itaka, për ta degdisur trup e kamje, përballë ishujve Kanarie apo ndoshta ballë Kepit të Gjelbër, nën një qiell nën të cilin tashmë shfaqen të tjerë yje dhe në afërsi të tokave që konkuistatorët do t’i njohin vetëm më vonë. Por, ndodh vetëm aty nga fillimi i shekullit të XVI, rreth epokës, kur për një rast heraldik, imazhi i Vellos së Artë fillon të shprishë ëndrrat e oborrtarëve të Karlit të V, që Atlantiku bëhet me të vërtetë deti Oqean, Argonautët e të cilit qenë Kolombi, Pizarro, Kortesi, dhe ku Florida dhe Meksika i shëmbëllejnë Kolkideve. Zhveshja dhe forca e kësaj toke, hapësirat e gjera të pabanuara të rrafshnaltave dhe të sierrave, e afrojnë Spanjën, si të themi, përtej Oqeanit, me vende pothuajse ende pa histori. Porti i San Lukar-i, ku galeonët e parë nderën velat drejt perëndimit, manastiri i Rabida-s ku Kolombi projektoi udhëtimin e tij, arkivat e Seviljes ku janë ruajtur me devotshmëri hartat e eksploratorëve të mëdhenj, janë vende ku një përfytyrim planetar i botës, i është shpallur së pari njeriut.
***
Muzeu i vogël provincial i Kadiksit mirëpret një sarkofag punik, binjak me sarkofagët sidonikë të Luvrit, një formë e ashpër antropoide, një krah i përthyer si në ato qëndrimet e zakonshme të të vdekurve dhe dora e të cilit shtrëngon një shegë ose një zemër. Brendësia e sarkofagut na zbulon një skelet të fuqishëm si një trung peme. Ky kartagjenas pa emër mishëron me një paraprijë prej shekujsh, një nga aventurat e mëdha të Spanjës. Arabët i pasojnë kartagjenasve, Spanja katolike e Rikonkuistës e rimerr sipas mënyrës së saj detyrën e Spanjës së Skipionëve. Sagunto dhe Numancia, besnike deri në vdekje dhe deri në flakët e turrës së druve, njëra Romës dhe tjetra Kartagjenës, paraqesin në tokën iberike dy shembuj të kundërt besnikërie. Alahambra-s së përkëdhelur nga puhizat e Orentit islamik i kundërqëndron në Granada pallati hijerëndë i Karlit të V. Xhamia e kthyer në kishë, ku Mbretëresha Katolike deshi të varrosej me fytyrë që të shihte nga qyteti i rimarrë, shënon njërin nga çastet e një lufte punike të përjetshme. Përmes fazës kartagjenase vijnë në dritë ndikime të tjera më antike. Në arenat e Seviljes të vjen të mendosh për ndeshjet me dema të afreskeve kretase, për akrobacitë e rrezikshme të burrit që vëzhgohej nga lart nga një grup spektatorësh qejfpaktë. Virgjëresha e së premtes së Shenjtë, Makarenja, që vezullon nga xhevahiret, ka si motër të një gjaku që nga zanafilla e shekujve, damën e Elcë-s të mbushur me zbukurime fenikase. Një plastikë greke apo e trashëguar prej Grekëve ka kontribuar në njërin apo në tjetrin rast në përpunimin e këtyre dy ishujve të pastër. Tiparet e rreptë dhe të hollë janë ata të bukurisë iberike, por afshi, ngultësia dhe stolitë e rënda vijnë nga Orienti.
***
Spanja romake vazhdoi për rreth shtatë shekuj, që përbëjnë së tepërmi periudhën më të gjatë të paqes, e që ka njohur gadishulli. Kudo mbi hartën dhe mbi territorin e Andaluzisë së sotme shfaqen qytete, rrugë, ujësjellës, porta, monumente të asaj Spanje paqësore, të mbipopulluar, të begatë, që e furnizonte Romën me lëkurë, mish të kripur, gjineshtër dhe metale të çmuara nga minierat e saj. Xhami dhe katedralet mbështeten mbi rrënojat antike, ura e Kordovës ka duruar sipër peshën e legjioneve të Galbës. Ronda në qerthullin e maleve të saj ruan gjurmën e Pompeit, kujtimin e partizanit të madh, i pranishëm në të gjithë poezinë spanjolle, gjendet ende sot mbi mure, nëpër shkarravinat e shkollarëve. Italika, atdheu i Trajanit, Adrianit, Theodhosit, është në tre të katërtat e varrosur nën dhé, por mozaikët dhe statujat e saj dëshmojnë për një shkëlqim, që i detyrohet dorës së ditur të mjeshtrit vendas të helenizuar ose luksit të importimeve nga Greqia dhe nga Roma. Tek poeti fisnik spanjoll i shekullit të XVII, Rodrigo Karo, mbetet italike emblema e vetmisë melankolike, krevati i tharë, i braktisur nga fluksi i një jete të shkuar. Njerëzisë së Seviljes i pëlqen të citojë frazën e Humë-s, që kujton se si dy perandorë andaluzianë, duke pasuar njëri-tjetrin në Romë i kishin siguruar asaj një nga shekujt më të rrallë e të shkëlqyer. Sevilja mban një rrugë me emrin e Trajanit dhe një tjetër me atë të Adrianit. Historianët janë përpjekur të përcaktojnë tiparet e këtij depërtimi të klanit spanjoll në Romë, dukuri kjo e destinuar për më tepër të përsëritet shumë shekuj më vonë në kohën e Borxhiave të cilët u përpoqën të zbulojnë tek Adriani, tash nën shijen e ndërtimeve kolosale, nën atë të madhështive funebre, disa karakteristika iberike të përjetshme. Besonin se gufonte një spanjolizëm i fshehtë nën harlisjen e një Seneke apo të një Lukiani, ose në nihilizmin asketik të Mark Aurelit. Nga ana tjetër mund t’i përmbysim kërkesat e problemit dhe të pyesim nëse këto tipare të shënuara aq fort, të temperamentit apo të mendimit spanjoll s’iu kanë qenë ngulitur atyre nga ndikimi i thellë i Romës. Nuk duhet harruar ndërkaq, që ky individualizëm stoik, kjo zjarrmi baroke, kjo gusto perandorake për dominimin universal, nuk do të rishfaqen më në gadishull, veçse më tepër se një mijë vjet pas rënies së Romës, të mbarsura këtë herë nga Italia e Rilindjes. Përgjithësisht, duket se Spanja nuk trashëgon drejtpërdrejt nga paraardhësja romake, veçse atë pjesë të pasurisë më antike, atë që është prekur më pak nga ideologjitë dhe kulturat, atë më të përbashkëtën pra, me gjithë hapësirën mesdhetare dhe me gjithë kryqëzimet e saj të etnive, por kjo pjesë ka mbetur këtu, më e pandryshuar dhe më e dukshme se gjetiu: vallja, që të kujton figurat e zhdërvjellëta apo lëvizjet frenetike të vajzave të Kadiksit, harenë dhe eksitimin e të shthururve të Romës; kuzhina, fërgesat e saj, sallamet, zarzavatet e gjalla, ku mbizotërojnë thjerrëzat e bathët tamam si në një drekë tek Marciali apo tek Oraci; Cirku me lojërat e tij të përgjakshme; besimi i thellë, i përqendruar përreth disa vendeve të shuguruara e rreth disa statujave më tepër se të shenjta; të kuptuarit e rreptë e patriarkal të familjes, i zbutur nga dëshira përvëluese e kënaqësive dhe lirive të mishit; dhe akoma, më thelbësorja e të gjithave, plani i rregullimit të shtëpisë, hajati, avllia, oborri, ku gurgullon një shatërvan. Pas paqes romake, begatia arabe vazhdoi nga ana e saj për rreth shtatë shekuj. Më pas vala arabe pak nga pak fillon të tërhiqet nga Spanja, pikërisht në atë çast kur si për një dukuri të çuditshme, ekuilibri, batica turke derdhet mbi Orientin kristian, humbja e Granadës vjen dyzet vjet pas rënies së Kostandinopojës. Si të thuash se Islami në Spanjë, ka mbi kundrapeshën e tij në Orientin grek, përparësinë se është më afër burimit, origjinës, Egirës. Pallati i Medinlës Alzahara-s, në afërsi të Kordovës, s’është gjë tjetër veç një grumbull gërmadhash të katandisura gati në pluhur e megjithatë befasuese. Është një Azi më pa kujtesë ndaj Islamit, është Irani akamenid, janë vargjet melankolike të poetëve persianë mbi sarajet mbretërore, të banuara tashmë nga gomari i egër e nga gazela, të cilët të vijnë ndërmend në ato salla të zhveshura, tek sheh drerin prej bronzi ku afirmohet një teknikë mijëvjeçare, stukime e fragmente ku ideja e ngultë e formës së kafshës shndërrohet në arabeska e gjethurina. Me përjashtim të mbretërimit të shkurtër vandal apo visigot, elementi arab në Spanjë, në më të shumtën e herëve ka mbizotëruar fort ndaj atij antik. Arti i një qytetërimi për të cilin çdo argëtim estetik dhe shkencë e hapësirës të çojnë tek forma njerëzore, duket i mënjanuar nga një art i prirë vetëm drejt modulimit të vijave, që shtrihen, bashkohen, kalojnë bri njëra-tjetrës, nuk shprehin asgjë veç vetvetes, muzikë abstrakte, meditim i përjetshëm matematik. Në Kordovë, qendër e kulturës kjo, së cilës i jepte, vlugun mysliman mprehtësia hebraike dhe disa koncepte helenike që depërtuan pemës shoshës së mendimit arab, një popull alkimiatësh, algjebristësh dhe astronomësh që e përmbush në xhami transformimin e tij më rrënjësor, ekuacionin më kompleks, ekuivalentin e përsosur të përsiatjeve të një Averroé apo të një Avicene. Këto harmoni të fshehta janë ato të sferave. Arti arab i Granadës, më i vonshëm, më femëror, i kandiset shpirtit me anë të shqisave. Një hijeshi e këtillë lineare anulon çdo lloj ngjyrimi historik. Shfarosja e familjes së Abenceragëve apo arratia e Baobdil-it kanë fare pak peshë në mes këtyre prizmave e atyre yjeve prej stukoje, nën këto volta, që duket sikur kanë marrë hua nga kurorat, shpellat, nga hojet e bletëve, sekretin e tyre aq thellësisht natyror e aq të largët nga njeriu. Kjo përsosje thuajse bimore s’ka nevojë për unitetin stilistik, nuk varet nga vërtetësia e së veçantës. Duron me një urtësi të mahnitshme të gjitha fyerjet. Generalife me veshjet e ngrëna, me sallone të ribëra, me parqe të sistemuara nga kopshtarë modernë, mbetet po ashtu siç do ta dëshironte ndërtuesi i tij arab, parajsa e meditimeve të qeta dhe gëzimeve të lehta. Para idesë së pallateve të tjera të Granadës, të shkatërruara apo të lënë gërmadha, nuk ndihet fyerja e hidhur që të kap para plagëve të Partenonit apo mbi sheshin e një katedraleje të bombarduar. Pranojmë që këto objekte të mrekullueshme kanë lulëzuar dhe janë vyshkur si narcizë. Arti gotik andaluz mbetet një art ushtarak, i futur nga Rikonskuista, i importuar nga Veriu, një lloj monarkizmi i armatosur. Por me t’u bërë indigjen merr menjëherë gjurmët e duarve maureske. Është më liberal se feja dhe morali, pranon martesat e përziera, tradhtitë e fshehta. Katedralja e Seviljes, fortesë e stërmadhe e besimit katolik, i ngre kambanat e saj deri në Giralden (Kullën) myslimane, ruan në pjesën e saj më të fshehtë oborrin arab të portokallishteve. Por gotiku i Seviljes nuk është veçse një përjashtim që konfirmon rregullin: pothuajse kudo është arti rilindas, (që në manualet spanjolle paraqitet sistematikisht si greko-romak) me pleksjet e tij baroke, që shpall në Andaluzi triumfin përfundimtar të Perëndimit.
***
Në vetë Kordovën, që i qe zhvatur Islamit më tepër se dy shekuj para Granadës dhe njëzet vjet para Seviljes, shembja e xhamisë erdhi vetëm në kohën e Karlit të V. Artit Barok iu besua detyra të dëshmojë në mos vërtetësinë e besimit, të paktën lavdinë e kotë të kanonikëve. Ky art gjithë shkëlqim e mburrje e ofendon vizitorin qysh nga çasti kur hark pas harku, kolonë pas kolone, i afrohet qendrës së ndërtesës, ku ndjen të bëhet thërrime si nën efektin e një bombe, një nga meditimet më fisnike që është bërë ndonjëherë mbi plotësinë dhe boshësinë, mbi strukturën e universit, mbi misterin e Zotit. Në mes këtyre skenarëve rilindas apo barokë janë zhvilluar deri aty nga gjysma e shekullit të XVIII, proceset e inkuizicionit. Në një kishë të stilit rilindas pas lakmive për kryqëzata, prehet Isabela Katolikja. Por Rilindja, Baroku nuk janë si në Itali afirmimi i një vullneti të ri dhe laik për të jetuar, një britmë krenarie e Kishës apo e princit. Pallati i Karlit të V në Granada, i parë më vete dhe jo në lidhje me Alhambra-n i cili e shtyp, është një nga shembujt më të shkëlqyer të arkitekturës rilindase, ama rreptësia, vrazhdësia e tij ia kalojnë fort ashpërsisë së pallateve romane apo edhe atyre fiorentine që e kanë frymëzuar. Planimetria e tij edhe pse është huajtur nga vila romane e papës Jul i II, nuk i ngjan asaj më tepër se ç’i ngjan një njeri i veshur me mëndafsh, një njeri i veshur me çelik. Një mendim i mbetur mesjetar i mbush këto kisha italianizuese, atje ku janë mësuar të mos kërkojmë në vende të tjerë, veçse një retorikë fetare krejt njerëzore. Atje shfaqet për antifrazë hiçi i lavdisë tokësore, si në atë kriptën e hapur dhe të zhveshur në Granada, një lloj grope e përbashkët ku katër arka të ndryshkura rreshtohen bri njëra-tjetrës, nën varret madhështore të Mbretërve Katolikë. Mjedisi i brendshëm i kishave të Seviljes grafullon nga i njëjti intimitet i errët e i praruar i një lutësoreje bizantine, pasuese të drejtpërdrejta të së cilës madje, janë mbi këtë tokë, ku arianizimi vandal i ka paraprirë Islamit. Ndërkaq përsëritja e pafund e të veçantës, shumimi i formave, shumëzimi ngulmues i paraqitjeve hyjnore dhe njerëzore, të bëjnë të ëndërrosh nganjëherë tempujt e induizmit më tepër se bazilikat romane. Baroku, art i dhunshëm, i stisur për të tronditur masat, (këtu nuk përfaqëson vetëm tepritë e gojëtarisë së një race të heshtur), bëhet shprehje e zakonshme e një populli të mësuar tashmë me tensionet e skajshme, të çmësuar me abstraksionet e ftohta të artit arab e mauresk, por për të cilin ekuilibri i artit greko-romak është bërë thellësisht i huaj. Shfaqjet më baroke të jetës andaluze janë edhe më të rrënjosurat në Mesjetën kristiane ose në një të shkuar antike e jo kristiane edhe më të largët. Shkëlqimet e procesioneve që hapin ndeshjet me dema, qëndisjet e kostumeve të toreadorëve, shpesh të shqyer e të ngjyer me gjak, që duar të brishta i arnojnë në ndonjë rrobaqepës të Seviljes, kostume valltarësh të Corpus Domini-t, e kuqja flakëruese e Nazarenit të rrahur e të ekspozuar në popull, e amullt si një tallaz gjaku mbi kokat e turmës, copëra argjendarie dhe katafalke të të Shtunave të Shenjta. Piktura seviljane (dhe mund të rreshtohen nën zë piktorët e lindur në Sevilje, si Murillo e Valdès Leal, ata, që mësuan atje si Velaskes, apo që punuan atje gjatë jetës si Zurbaràn) përmblidhet e gjitha në hapësirën e një shekulli, në atë të XVII, por frytet e saj janë në të vërtetë ata të Esperidëve. Këta piktorë aq të admiruar për lirizmin e tyre të veçantë apo për realizmin mizor, janë megjithatë fortësisht italianizues. Asgjë nuk jepet në veprën e tyre, që s’ka pas qenë më parë tek Venecianët apo tek Karavaxhio, asgjë. Veç, siç është e natyrshme, temperamentit dhe mënyrës të paimitueshme. Subjektet e tyre janë tipike spanjolle, përderisa dëshmojnë për zgjedhjen e artistit apo të mercenarit spanjoll të shekullit të XVII, dhe jo më pak ata ndjekin rrymat e mëdha të artit evropian të Kundërreformës: melodrama fetare, portrete të porositësve aristokratë apo njerëzve të kishës dhe skena të llojit apo natyra të qenit të frymëzuara nga arti nordik. Veçse në pikturën e shenjtë spanjolle një zjarrmi e trashëguar nga Mesjeta mban në këmbë akoma ato figura shenjtorësh, që në shekuj të tjerë piktorikë janë aq madhërisht oratorike ose epshmërish të plogëta. Në portret, piktori spanjoll individualizon atje ku piktori italian personalizon. Një portret i madh italian i shekullit të XVI është një meditim mbi bukurinë, mbi ambicien, mbi afshin e rinisë, deri dhe mbi pleqërinë e mbi dinakërinë, si Pavli i III i Ticianit. Këto qenie ndonëse të vetme shprehin më tepër se veten, përmbajnë në brendi aspiratat më të larta apo veset më të fshehta të racës, çastet kalimtare të një teme të përjetshme. Këtu, përkundrazi, kristianizmi i thellë dhe realizmi i brendshëm i Spanjës bashkohen për ta veshur me një dinjitet dhe një origjinalitet tragjik një kurrizo, një foshnje anemike, një varfanjak, një kalorës nga Kaltrava, të shenjuar me karaktere individuale që do t’i marrin me vete deri në varr, të mbyllur në një trup ku do t’u duhet të dënohen apo të shpëtojnë. Edhe tek artistët më të mëdhenj, tek Velaskesi, si për shembull, gjenia e të cilit na duket sikur nxjerr nga ky ballafaqim i vazhdueshëm me çastin dhe objektin, konkluzione klasike, leksione që e marrim me mend se janë universale, thelbi i këtyre leksioneve mbetet misterioz për hir të dukjes, ashtu siç mbeten misterioze në jetë sekreti dhe arsyeja e të ekzistuarit të çdo individi që takojmë. S’ka art më të zhveshur nga metafizika se sa ky i pasur me qëllime fetare. Nuk figuron vdekjen tabloja e Valdès Lealit për të cilën Murillo thoshte se të qelb, por një kufomë, dhe kjo kufomë është një portret. Shën Elizabeta e Murillos nuk është simbol i bamirësisë, por një grua që lan një të sëmurë me qerê. Në figurat e shenjtorëve në ekstazë të Zurbaràn-it ose të Alonso Kanos, nuk na është paraqitur vizioni lumturues por vështrimi i vizionarit. Ky ankth i ngultë i individit shënon triumfin përfundimtar të Perëndimit mbi Lindjen. Në të njëjtën kohë, kur shkëlqimi barok eliminon deri në gjurmën e fundit ca stërhollina arabe apo maureske. E megjithatë krahina të tëra të humanizmit klasik do të vazhdojnë të mbeten të huaja për pikturën spanjolle, si për shembull lavdia e nudos. Venera e Velaskesit është një kryevepër kundër rryme në këtë vend të dominuar nga paragjykimi kristian dhe në mënyrë më të fshehtë nga atavizimi oriental, ndoshta po aq të rrëmbyer nga e veçanta, rastësorja, nga ajo e çastit për t’u kënaqur me këngën e pastër të formave. Maja desnuda e Gojës, aspak andaluze, por që s’do të na çudiste fare po të ishte një cigareshitëse nga Sevilja, hyn përkundrazi në traditën e realizimit individual për trupin e saj të pahijshëm e provokues. Edhe mishëruesi zeshkan e i praruar i lypësve të vegjël të Murillos është i pandashëm nga rreckat që e mbulojnë dhe që duken si pjesë e substancës së tyre. Në skena të tilla ose në natyrën e qetë, shkolla andaluze na shfaqet në bazë të vetë këtij realizmi tipik spanjoll, dhe nëse duhet t’i japim termit kuptimin e plotë semantik, duhet mbase t’i kthejmë domethënien dialektike që kishte në filozofinë mesjetare. Jo Thelbi apo Ideja, por Sendi. Jo meditimi i verbuar (allucinato, i shajnitur, i harbuar, i çakërdisur) i një Rembrandti apo Soutini mbi sekretet e materies, jo vizioni thuajse mistik i një Veermer-i apo rikompozimi intelektual dhe formal i një Chardin-i, i një Cèzanne. Por objekti vet, peshku, qepa, karafili, limoni përbri portokallit. Nga ana tjetër, s’është nënvizuar sa ç’duhet se këta piktorë të mëdhenj realistë të shkollës së Seviljes nuk japin megjithatë për vendin e tyre, veçse një imazh jashtëzakonisht të fortë. Është e vërtetë kjo, për të kufizuar në disa aspekte pothuaj të ankthshëm të Spanjës, në të cilat plogështia dhe lehtësia seviljane thuajse mungojnë. Para Gojës, i cili do t’i dedikojë jo pak buqeta madrileneve të bukura në shëtitje (po edhe të shëmtuarave) apo rrëmujës së pelegrinazheve me të njëjtën penelatë të vendosur, me të cilën regjistron në vende të tjera një aksident ose një zënie në sheshin publik, rrallë piktura spanjolle është përpjekur të paraqesë lirisht jetën e hapur dhe në mes të ditës. Piktorët flamandë, fiorentinë ose venecianë japin respektivisht më tepër imtësi mbi qiellin dhe mbi ajrin e rrugëve të tyre se sa piktorët e epokës së artë seviljane mbi Seviljen.
***
Ka vende që vdesin të rinj. Gjithçka që pason periudhën e tyre të shkurtër të fuqisë, i përket mbijetesës ose ringjalljes. Spanja s’e ka marrë veten nga mundimi kapitës i aventurave të saj perandorake, nga ajri i lehtë i Botës së Re, nga shpëlarja që i ka bërë vetvetes duke nxjerrë nga venat e saj deri dhe pikën e fundit të gjakut hebraik apo mauresk. Andaluzia në veçanti, e ka vuajtur këtë lloj vetëpastrimi të kryer për nder të idealit kastiljan. Andaluzia shkrihet me këtë koncert përvëlues të Spanjës kristiane dhe nuk i shton gjë tjetër veçse disa variacione mallëngjyese mistike ose epshore. Për këto mund të thuhet se kanë për temë një “kërkim”. Këto figura historike dhe mitike përkufizohen të gjitha me fjalën “quiero”, një fjalë e fortë kjo që do të thotë në të njëjtën kohë: dashuroj dhe kërkoj. Huana e Çmendura, që ndjek nëpër rrugë një arkivol dhe nxjerr që andej të vdekurin; Huani i Kryqit, i mbështetur në dritare përpara spektaklit sublim të Sierra Nevadës dhe atë Vegas së Granadës, që dëbon nga mendja e tij ato forma që mezi duken nën dritën e yjeve dhe nëpër natë kërkon Zotin; Migel Manjara që kalon nga një femër tek tjetra nëpër rrugët e Barrio de la Cruz para se ta përfundojë jetën e tij nën petkat e një shërbëtori të të varfërve, harroj këtu pa dyshim zërin e trishtë të Elvirës dhe më afër nesh e pangopura Dona Belize dhe mizori Bernarda. Imazhe të shkëlqyera, fakte pak a shumë të izoluar në përvojën e racës që nxjerrin në pah mbi të gjitha, atë gjë thelbësore që një popull ka besuar se e gjen në vetvete. Toka poetësh që ende dje Garsia Lorka e lagte me gjakun e tij. Toka poetësh mbi të gjitha sepse përjetësisht e dashuruar dhe e rikrijuar në largësi, në elegjitë e poetëve arabë, që vajtojnë Granadën e humbur dhe në veprën e poetëve perëndimorë të përtej alpeve e përtej detit. Që Migel Manjara të bëhet e të mbetet Don Zhuan, që kërkimi dashuror i kalorësit andaluz të puqet me kërkimin heroik dhe kastilian të don Kishotit në historinë e aspiratës njerëzore për të pamundurën, u desh Tirso de Molina, u desh mbi të gjitha Molieri, Moxarti, Bajroni, një tregim i Balzakut, disa Vargje të Bodlerit dhe akoma në ditët tona, një farsë tragjike e Montherlant-it. Dhe vetëm tani fillojmë ta kuptojmë atë që në këtë vend na mallëngjen e nganjëherë na trondit. Në kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin, peshën bruto të objektit, emocionin apo ndjesinë e fortë dhe të thjeshtë, antike dhe gjithnjë të re, të ashpër dhe të butë si cipa apo si tulja e një fruti. Kjo tokë kaq e kremtuar është mrekullisht e paprekur nga ojnat letrare dhe as vetë (preziosisimo) panatyrshmëria (rrëzëllimi i tepruar) i disa poetëve të saj nuk e prek. Kjo tokë, e cila ka ngjizur kaq shumë kryevepra nuk ndihet menjëherë si Italia, atdhe i privilegjuar i arteve, por aty pulson jeta si gjaku në një arterie. Pak krahina janë shkatërruar me tepër kështu nga tërbimi i luftërave të fesë, të racave e të klasave. Durojmë sot kujtimin e aq tërbimeve të pashlyera, vetëm se këtu na duken më të zhveshur, më rastësorë e më pak hipokritë se gjetkë, gati të pakufishëm tek rrëfejnë kënaqësinë që provon njeriu duke i bërë keq njeriut. Nuk ka vend tjetër më të dominuar nga një fe e fuqishme që favorizon më të shumtën e herëve fanatizmin dhe intolerancën, por nuk ka asnjë vend tjetër ku të ndihet më tepër, nën kumashin me ar (stolitë qëndisur me ar) të devocioneve, apo nën gurin e dogmave, se si lind afshi njerëzor. S’ka vend më të lidhur, por edhe asnjë më të lirë, nga kjo liri rudimentale dhe supreme e bërë prej privacionesh, prej varfërie, prej indiference, prej shijes për të jetuar e përbuzjes për të vdekur. Le të rreshtojmë endjet tona. E bukur ishte Granada, por bilbili që këndonte çdo natë me gushën e tij kafe të mbushur me tinguj, na bëri të kuptojmë nga poezia arabe aq sa mbishkrimet e Alhambra-s. Në Kadiks, mbi bregun e Oqeanit, mes shkëmbinjve të zhytur që i përkasin mbase Herkulit handesian, djaloshit me këmbë zeshkane, i zhytur deri në mes të kofshëve në ujin e kulluar e të kaltër si leckat e tij të zbardhura, i merakosur vetëm për mbarëvajtjen e peshkimit, na mallëngjente jo më pak se një statujë antike e zbuluar në fill të ujit. Murgesha plakë e verbër, që na tregonte pa i parë vetë tablotë e Spitalit të Cartidat-it, ka një vend në kujtimet tona përkrah figurave të pikturuara. Pafundësia hijerëndë e katedrales së Seviljes dukej e shpjeguar ose mbase e justifikuar nga prania e një gruaje të vetmuar, në lutje me krahët në kryq. As më pak e as më shumë, mendoj për ata dy fshatarët e shtrirë në buzë të rrugës me rrobat e tyre prej leshi me vija, për mishin e deshve të therur mbi një karro në pragun e një kasapi nga ku vërshon prania e neveritshme dhe e bardhë e vdekjes, për lulet pak të lagura, të zhubravitura nga duart e vakëta të një lypësi të vogël, për bukën mbi një tavolinë ku zukaste tinëzare një mizë, për shegën nga e cila shpërthente një lëng i kuq...
Comments (0 posted)
Post your comment