Fatmir Xhindi (1960-2009)
Deputet i Fierit, Z. Xhindi, ishte nga të paktët ligjvënës të Kuvendit, që nuk u shpërngul nga zona e tij elektorale drejt Tiranës, është cilësuar shumë herë si deputeti modest.
Deputeti socialist Fatmir Xhindi ka lindur në Roskovec të Fierit, më 1 Prill 1960, ku dhe banonte bashkë me familjen e tij dhe ishte babai i tre fëmijëve. Ai ishte deputet i grupit parlamentar të Partisë Socialiste që prej vitit 1997, duke qenë pjesë e këtij grupi prej tre legjislaturash të njëpasnjëshme. Xhindi ka mbaruar arësimin e lartë në vitin 1986 Universitetin "Eqerem Çabej", Fakulteti Histori-Gjeografi, dega Histori, në Gjirokastër. Në vitin 2003 Fatmiri do të mbaronte edhe Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Tiranës. Por kualifikimet e tij nuk do të mbaronin këtu. Në vitin 2005, ai do të mbronte titullin Master për Shkencat Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë. Menjëherë pas diplomimit të tij, në vitin 1986, Fatmiri do të emërohej mësues historie në fshatin Vlosh të rrethit Fier dhe deri në vitin 1989 ai do të shërbente si drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Kurjan, Fier.
Gjatë viteve 1989-1991, drejtori i shkollës do të zgjidhej kryetari i Këshillit të Bashkuar Kurjan. Nëse do të shihnim veprimtarinë e tij politike, Fatmir Xhindi është një nga themeluesit e Partisë Socialiste në qytetin e Fierit në vitin 1991 dhe që prej atij viti është anëtar i saj dhe i zgjedhur në forumet drejtuese të kësaj partie në Fier dhe më pas në Tiranë. Historia e tij politike është një histori garash elektorale, por e lidhur ngushtë me vendlindjen e tij dhe komunën ku ai ka punuar. Përveç Roskovecit, ku ai është rritur dhe ka banuar familja e tij, Fatmiri ka qenë shumë i lidhur dhe me fshatin Kurjan ku është emëruar për herë të parë si mësues menjëherë pas diplomimit të tij.
Nga viti 1992-1996, Fatmir Xhindi është zgjedhur kryetar i komunës Kurjan, Fier dhe më pas ai ka qenë i zgjedhur në forumet qendrore të Partisë Socialiste e më pas deputet i saj. Fatmiri u zgjodh për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1997, me shumicë absolute votash të zonës së tij elektorale. Ky rezultat i dedikohej reputacionit mjaft të mirë që ai kishte në këtë zonë, ku ishte vlerësuar që nga pozicioni i mësuesit e deri në kryetar komune dhe anëtar i forumeve drejtuese të PS në rrethin e Fierit. Ky reputacion dhe lidhja shumë e ngushtë me zonën e tij elektorale, bënë që ai të zgjidhej edhe dy legjislacione të tjera, në 2001 dhe 2005. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, Fatmiri ishte sërish deputet në zonën 68 për herë të tretë duke fituar me 6708 vota ose 45 për qind. Fatmir Xhindi ishte Anëtar i Asamblesë Kombëtare socialiste që prej 1997, kur dhe u zgjodh për herë të parë deputet.
Në këtë Legjislaturë, Fatmiri ishte Anëtar i Komisionit Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Gjithashtu ka marrë pjesë një vit më parë edhe në Komisioni hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave" si anëtar i tij. Deputeti i Fierit, i cili cilësohet nga të paktët ligjvënës të Kuvendit, që nuk u shpërngulën nga zona e tyre elektorale drejt Tiranës, është cilësuar shumë herë si deputeti modest.Gjatë tre legjislaturave, kur Fatmiri ishte deputet, Ai, nuk mbahet mend të jetë konfliktuar ndonjëherë me kundërshtarët politikë, ndërsa është karakterizuar nga qetësia dhe një lloj mirësie dhe respekti nga të gjithë deputetët e Kuvendit.
Edukimi:
Universiteti "Eqrem Çabej", Fakulteti Histori-Gjeografi, Dega Histori, Gjirokastër – 1986.
Universiteti i Tiranës, Fakulteti Juridik – 2003.
Master për Shkencat Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë – 2005.
Veprimtaria profesionale:
1986-1989: Mësues Historie në Vlosh, Fier; Drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Kurjan, Fier.
Veprimtaria politike:
2005: Deputet i PS-së.
1991: Anëtar i PSSH-së.
1989-1991: Kryetar i Këshillit të Bashkuar Kurjan, Fier.
1992-1996: Kryetar i Komunës Kurjan, Fier.
1996 e vazhdim: Anëtar i Kryesisë së PS-së, Fier; Anëtar i Këshillit Socialist të Qarkut Fier; Anëtar i Komisionit për Pushtetin Vendor pranë KPD-së të PS-së.
Komisioni hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave", Anëtar.
Zgjedhur në:
Legjislatura: XVII
Zona zgjedhore: 68
Qarku: Fier
Nr. i votave: 6708
Përqindja: 45%
Grupi dhe Komisionet parlamentare:
Grupi Parlamentar: PSSH
Komisioni Parlamentar: Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Anëtar.
Comments (0 posted)
Post your comment