Stefan Zweig (1881-1942)
Vepra e parë e Cvajg ishte përmbledhja poetike "Litarë të argjendtë" (Silberne Saiten) e cila u botua në vitin 1901 kur ai ishte vetëm 20 vjeç. Më pas u botua në Zvicër, drama e tij kundër luftës, titulluar "Jeremiah", të cilën ai e shkroi në vitin 1917 kur ishte ushtar. Kjo dramë frymëzohej nga Lufta e Parë Botërore dhe u luajt për herë të parë në Nju Jork në vitin 1939. Cvajg shkroi dhe drama të tjera si "Tersites" në 1907, një tragjedi e shkruar në vargje të lira si dhe "Jetë në det" (Das Hause Am Meer) në 1912, tek e cila pasqyrohej Lufta Civile në Amerikë.
Stefan Zweig (i njohur më shumë si Stefan Cvajg), është një nga shkrimtarët më të njohur në botë i viteve 20-të dhe 30-të. Ai shkroi novela dhe tregime, si edhe shumë biografi të figurave të njohura të historisë së botës, ndër të cilat më e famshmja është biografia e Mary Stewart (Maria Stjuart), si edhe ajo e perandoreshës Mari Antuanete. Fillimisht veprat e tij u botuan në gjuhën angleze nën pseudonimin "Stephen Branch" (Stefan Brenc - përkthim i emrit origjinal).
Ai ishte i biri i Moris Zweig, pasanik hebre i cili prodhonte tekstile si dhe i Ida Brettauer, e bija e një familje bankierësh italianë. Edhe pse rridhte nga familje hebraike, feja nuk luajti ndonjë rol në edukimin dhe formimin e Cvajg. "Feja ime ishte thjesht një rastësi si rrjedhojë e prejardhjes sime" - është shprehur ai gjatë një interviste. Cvajg studioi filozofi dhe histori letërsie si dhe ishte pjesëtar i lëvizjes avangarde “Viena e Re”. Edhe pse esetë e tij botoheshin në "Neue Freie Presse", botuesi i së cilës ishte udhëheqësi zionist Teodor Herzl, ai nuk ishte i ndikuar nga nacionalizmi hebraik i Herzlit. Cvajg e braktisi Austrinë pas ardhjes në fuqi të Hitlerit. Gjatë kësaj periudhe ai u mbështet botërisht nga kompozitori Richard Shtraus, i cili refuzoi të hiqte emrin e Cvajgut nga parrullat për prezantimin e operas së tij "Gruaja e heshtur" (Die schweigsame Frau) në Dresden. Për këtë arsye Hitleri nuk e ndoqi hapjen e operistikës së muzikantit më të madh të kohës së tij si dhe pas tre shfaqjesh opera u ndalua.
Cvajg studjoi ne Austri, Francë dhe Gjermani. Në vitin 1904 ai mbaroi doktoratën për filozofi dhe arte të bukura nga Universiteti i Vienës. Përpara se të vendosej në Salzburg (1913) ai udhëtoi nëpër shumë vende të botës. Në 1914 Cvajg u martua me Friderike Maria Burger von Winternitz (1882-1971), e cila i kish dërguar letra adhurimi që nga viti 1901. Friderike u bë shkrimtare gjithashtu dhe ata jetuan bashkë, me dy vajzat e saj nga martesa e parë, për më shumë se 20 vjet.
Vepra e parë e Cvajg ishte përmbledhja poetike "Litarë të argjendtë" (Silberne Saiten) e cila u botua në vitin 1901 kur ai ishte vetëm 20 vjeç. Më pas u botua në Zvicër, drama e tij kundër luftës, titulluar "Jeremiah", të cilën ai e shkroi në vitin 1917 kur ishte ushtar. Kjo dramë frymëzohej nga Lufta e Parë Botërore dhe u luajt për herë të parë në Nju Jork në vitin 1939. Cvajg shkroi dhe drama të tjera si "Tersites" në 1907, një tragjedi e shkruar në vargje të lira si dhe "Jetë në det" (Das Hause Am Meer) në 1912, tek e cila pasqyrohej Lufta Civile në Amerikë. Cvajg jetoi për gati 20 vjet në Salzburg edhe pse si gjithmonë kohën më të madhe e kalonte nëpër udhëtime. Gjatë Luftës së Parë ai punoi në arkivat e Ministrisë Austriake të Luftës, por u detyrua të largohej për në Zürich atëherë kur bindjet e tij paqësore ranë ndesh me bindjet e eprorëve të tij. Cvajg u bë i njohur fillimisht si poet dhe përkthyes (ai zotëronte 5 gjuhë të huaja, përveç hebraishtes, latinishtes dhe greqishtes së lashtë) dhe më pas si biograf, tregimtar dhe novelist. Ai njihet si intelektuali i parë që hodhi idenë e një Europe të Bashkuar, në vitin 1908.
Cvajg u përqëndrua në mësimet e Sigmund Freud, ndikimi i të cilit ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, sidomos në analizat e tij biografike për njerëzit më të shquar të të gjithë kohërave (filozofë, burra shteti, mbretër e mbretëresha,shkrimtarë të shquar etj). Gjatë kohës në Salzburg, Cvajg filloi të besonte se persekutimi që Hitleri po u bënte hebrejve në atë kohë, lidhej direkt me vetë Cvajgun. Ai kurrë nuk u shërua nga ky fiksim, i cili rrjedhimisht u shndërrua në paranojë. Kur emigroi në Angli (jetoi në Bat dhe Londër), Cvajg kreu studime për librin e tij të ardhshëm "Mary, Mbretëresha e Skocisë". Në atë kohë ai u takua përsëri dhe me Freud, me të cilin ish njohur në vitet 20. Në vitin 1938 ai botoi librin "Padurimi i zemrës" (Ungeduld des herzens), një histori e zezë dashurie që tregon edhe njohjen e Cvajgut me teorinë psikanalitike të ndjenjës së fajit, një libër ku dashuria fajtore kurorëzohet me një vetvrasje të dëshiruar e të kërkuar nga dy personazhet kryesore të librit. Ndërsa në vitin 1938 Cvajg fitoi nënshtetësinë Britanike dhe në vitin 1940, pas një turneu të suksesshëm mësimdhënjeje në pothuajse tërë Amerikën e Jugut, ai u vendos në Brazil.
Cvajg u nda nga Friderike në 1938 dhe një vit më vonë u martua me Charlotte Altmann, e cila ishte sekretarja e tij që nga viti 1933. Charlotte ishte 27 vjeç më e re se Cvajg. Në vitin 1941 ata shkuan të dy në Brazil. Në librin "Brazili - vendi i së ardhmes" (1941), Cvajg përshkruan bukur historinë, ekonominë, kulturën e vendit duke dhënë përshtypje tepër interesante të cilat përputheshin dhe me thënien e Ameriko Vespucit kur zbuloi Tokën e Re, e cila thosh se “... nëse Parajsa ekziston në Tokë, ajo nuk duhet të jetë shumë larg prej këtu...” Rënja e Singaporit në vitin 1942 përforcoi patundshmërisht bindjen e Cvajgut se nazizmi së shpejti do të pushtonte tërë rruzullin. I zhgënjyer, i izoluar dhe larg Evropës Cvajg kreu vetvrasjen së bashku me gruan e tij, pranë Rio de Janeiro më 23 Shkurt 1942. Me urdhër të diktatorit brazilian Getulio Vargas, shpenzimet e varrimit të Cvajg u paguan nga shteti. Një ditë para se të vriste veten, Cvajg dërgoi në shtyp librin "Bota e së djeshmes", i cili u botua pak muaj pas vdekjes së tij. Ky libër kishte tone autobiografike dhe në një farë mënyre dënon kulturën europiane, të cilën në ato momente ai e quante të humbur. Në libër ai shkruan: "Shpresoj t'ia kem arritur qëllimit për gjetjen e një formule të vetme për kohën kur u rrita, domethënë para Luftës së Parë Botërore, duke e quajtur atë kohë "Era e artë e sigurisë".
Comments (0 posted)
Post your comment