Antonio Tajani
Deputeti italian në PE, Antonio Tajani është zgjedhur President i ri i Parlamentit Europian.
Parlamenti Europian ka zgjedhur Antonio Tajanin si Presidentin e ri të tij, duke pasuar kështu gjermanin Martin Schulz. Tajani është zgjedhur në raundin e katërt të votimit, pasi në 3 raundet e parë nuk u sigurua shumica absolute e votave nga asnjë kandidat. Votimi përfundimtar bëri që Tajani të triumfonte me 351 vota pro, përkundër 282 votave të siguruara nga bashkëpatrioti i tij Gianni Pittella.
Por kush është Tajani? I lindur më 4 Gusht 1953 në Romë, ai është një politikan me eksperiencë që ka shërbyer në disa pozicione të tjera më herët, si zv.president i Komisionit Europian dhe i Parlamentit Europian.
Tajani ka studiuar për Drejtësi në Universitetin “La Sapienza” të Romës dhe ka punuar si gazetar, i specializuar më së shumti në çështjet parlamentare. Ai ka punuar në “Rai Radio 1”, në gazetën “Il Giornale”, ndërkohë që ka qenë edhe i dërguar special në Liban, Somali dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Ai shfaqi interes për politikën që në rini, kur iu bashkua “Frontit Monarkist të Rinisë”, një organizatë studentore e Partisë Monarkiste të Italisë.
Por përfshirja e tij në rangjet më të larta të politikës nisi në vitin 1994, kur mori pjesë në krijimin e partisë “Forza Italia”. Duke qenë një prej themeluesve të saj, ai shërbeu si koordinator rajonal i Lacios mes viteve 1994 dhe 2005. Në vitet 1994-1995, Tajani ishte zëdhënës i kryeministrit Silvio Berlusconi. Në vitin 2001 ai ishte kandidat për kryebashkiak të Romës, por u mposht nga Walter Veltroni.
Që prej vitit 2002, Tajani është një prej 10 zv.presidentëve të Partive Popullore Europiane (EPP). Në vitin 1994 ai hyri në politikën europiane, duke u zgjedhur deputet i Parlamentit Europian. Ai u rizgjodh në vitin 1999 dhe në 2004. Në maj të 2008-s, ai u emërua Komisioner italian i BE-së, duke marrë portofolin e Transporteve.
Mes arritjeve të tij në këtë rol, Tajani përpunoi planin e shpëtimit të “Alitalia”-s dhe mbikëqyri hartimin e Rregullores së re të BE-së për Transportet. Falë kësaj rregulloreje, u garantua mbrojtja e të drejtave të pasagjerëve në transportin ajror.
Kritikët thonë se ai ka qenë në dijeni të skandalit të emetimeve të “Volkswagen”-it, por dështoi të vepronte gjatë mandatit të tij në Komisionin Europian. Megjithatë, zgjedhja e tij në krye të Parlamentit tregon se këto pretendime e kanë nxjerrë Tajanin të padëmtuar.
Në vitin 2009, ai u emërua si Komisioner europian për Industrinë dhe Sipërmarrjen në Komisionin e dytë të drejtuar nga Jose Manuel Barroso.
Comments (0 posted)
Post your comment